Dhimitër Gjoka: Ekrani duhet të ketë emisione speciale edukuese për fëmijë

748
Sigal

INTERVISTA/  Flet spikeri dhe moderatori i mirënjohur Dhimitër  Gjoka: Të rriturit janë pjesë e teleshikuesve të rregullt të emisioneve për fëmijë

Sot ka shumë televizione, madje aq shumë sa të gjithë kur janë pushim lëvizin telekomandën sa tek njeri stacion tek një tjetër për të gjetur atë emision, film, këngë, muzikë që e relakson. Në orë të ndryshme ka emisione të ndryshme. Për të marrë informacion se cilat janë emisionet apo programet më të ndjekura, zhvilluam këtë bisedë më z. Dhimitër Gjoka.

 Një nga rubrikat e pëlqyera dhe që tërheq shumë shikues është ajo me këngë, valle dhe melodi. Nëse do të jetë e menduar kështu, lind pyetja se çfarë karakteri këngësh do të ketë? Do të jenë këngë popullore të mirëfillta, qytetare, të muzikës së lehtë apo arie të përzgjedhura nga opera të ndryshme? Si do të jetë përzgjedhja? Kush do të jetë emëruesi, duke u mbështetur në librin tuaj të fundit aq të suksesshëm?

 Ndodh shpesh që pa asnjë arsye ekranin e mëngjesit e pushtojnë këngë me preferencë rinore të rrymave nga më të ndryshme. Mëngjesi s’ka audiencë të rinjsh për t’i ndjekur. Përshtatja e programit edhe me këngë lind natyrshëm kur di se kush është  grupmosha që të ndjek. Lëvizja e lirë e njerëzve ka sjellë edhe dëshira për të dëgjuar këngë të krahinave të tyre, por dhe trevave, ku janë përqendruar për të banuar, ose muzikë të lehtë apo të vendeve të ndryshme të botës dhe pse jo të fqinjëve tanë. Përzgjedhja e këngëve të huaja duhet të ketë më shumë hapësirë . Mungojnë shumë këngë të bukura dhe tërheqëse të vendeve si kontinenti amerikan, të Francës, Gjermanisë, spanjolle, sllave në përgjithësi, indiane, arabe, aziatike, afrikane e nga të tjera e të tjera vende anë e mbanë botës. Vetëm leximi i këtyre shteteve si emra, sjellin muzikalitet në të shprehur jo më të dëgjosh muzikën e çfarëdo gjinie qoftë që ata kanë si pjesë e kulturës që mbartin dhe trashëgojnë. Kënga e  bukur pëlqehet nga të gjithë paçka se sa e kuptueshme mund të jetë gjuha e saj. I veçantë dhe tepër i ndjeshëm bëhet kur transmetimi i këtyre këngëve  shoqërohet edhe me të dhëna kryesore mbi popullsinë, zhvillimin, ekonomin, traditat, doket , zakonet, kulturën në përgjithësi, sportin që njohurit të jenë më të plota për të përfituar më shumë edhe nga ana gjeografike. Përvoja ka treguar se në ditë të veçanta të javës ky transmetim me këtë formë ka qenë i suksesshëm. Është një dritare më shumë e njohjes së kulturave të  globit edhe pse vende të tij mund të jenë pak ose aspak të njohur për çka përmendëm më lart tek shikuesi ynë.

Çfarë vihet re me këngëtarët e huaj?

       Nëse do të vihet re me vëmendje në transmetimin e këngëve të huaja, aty ku janë të programuara do të shikojmë se janë të njëjtët këngëtarë dhe këngëtare që kanë kapur majat e të kënduarit në hite për vite me radhë që janë dhënë dhe stërdhënë me qindra herë. Është fjala për më tepër shtrirje gjeografike të njohjes së këngës, për më shumë forma të të kënduarit sepse nuk janë vetëm këta këngëtarë që përfaqësojnë mirfillë traditat muzikore të gjinisë së lehtë, popullore apo rrymave të tjera. Janë kaq krijime  në këto vende sa meloditë e ofruara të mbërthejnë bindshëm para ekranit me zërat e mrekullueshëm të këngëtarëve në performancat e shfaqura. Çdo komb ka karakteristika të përfaqësuara edhe në vallëzime artistikisht dhe estetikisht të bukura. Sjellja për audiencën tonë është një mënyrë tjetër e të afruarit pranë ekranit. Bukuria e lëvizjeve, harmonia dhe eleganca janë pjesë e një tradite të mbartur që padyshim ofrojnë kërshëri tek cilido prej nesh, pavarësisht moshës, arsimit apo vendbanimit. Këto sjellje këngësh janë tregues tjetër i kulturës së ekranit në trajtimin e tij si përçues vlerash edhe ndërkombëtare.

     Duke mbetur tek fusha e këngës një sukses të veçantë në ekran në programin e mëngjesit kanë patur edhe ariet nga opera të ndryshme të kompozitorëve të mëdhenj si: Verdi, Puçini, Maskanji, Moxart, Rosini etj., të interpretuara me mjeshtëri nga këngëtarë që me zërat e tyre kanë bërë epokë. Tenor të tillë si: Pavaroti, Plaçido Domingo, Hoze Karreras apo soprano si Maria Kalas, Katia Riçareli etj., etj., jo vetëm që kanë mrekulluar spektatorët e drejtpërdrejtë në koncertet e dhëna, por kanë mbërthyer para ekranit miliona e miliona shikues, admirues të tyre…

        Magjia e muzikës klasike është përcjellje nga ekrani e një emocioni të veçantë pasi futja me sens e saj kultivon shije mjaft mbresëlënëse në masën e gjerë të teleshikuesve. Më shumë se me çdo mënyrë tjetër, ekrani mbetet përcjellësi më i duhur në kultivimin e këtyre vlerave të jashtëzakonshme tek çdo shtresë e popullsisë pavarësisht moshës, arsimit, profesionit.

      Por si ato, do të serviren para shikuesit ? Gjetja e një forme, është pikërisht sekreti për të shkuar bukur tek teleshikuesi. Një prolog dhe një epilog për çdo grup kënge ose gjini të saj do të ishte zgjidhja më e saktë pa përjashtuar edhe mënyra të tjera që mund të kenë forma më të arrira.

     Një vend të veçantë dhe tepër i praktikuar për suksesin e ekranit janë edhe krijimet enkas për instrumente të ndryshme muzikore. Pjesë të shkurtra dhe jashtëzakonisht të shkëlqyera të mjeshtërve të mëdhenj si: List dhe Paganin për violinë, Bet’hoven për piano apo kohë simfonish, valset  brilante të Shtrausit e sa shumë kompozitorëve të tjerë kanë mbetur në historiografinë muzikore si krijimtaritë piedestal të papërsëritshme, gjeniale.

 Ajo që ka më shumë interes familjar janë rubrikat e të shtunave dhe të dielave në emisionet e mëngjesit për fëmijët?

  Hartuesit e programit të mëngjesit nuk mund të lënë mënjanë edhe argëtimin për fëmijë pasi është domosdoshmërisht e duhur joshja e tyre para ekranit. Flasim këtu për fëmijë të moshës jo shkollore, për fëmijë shtëpiak të vegjël që për shumë arsye nuk mund të shkojnë në kopsht. Në shtëpi mund të jenë me prindërit me gjyshërit ose me kujdestare.

     Lind pyetja se përse një program televiziv mëngjesi të ketë edhe kohën fëminore të transmetimit? 

      Është e drejt e pamohueshme që ekrani me detyrim duhet tu shërbej edhe të vegjëlve. Kjo jo vetëm në hapësirën e menduar të programit të mëngjesit, por edhe në një tjetër orar gjatë ditës, kur mendohet se është i përshtatshëm të grumbullojë para ekranit edhe këtë moshë. Nga eksperienca të gjitha filmat për fëmijë qoftë artistik ose edhe të animuar kanë kureshtjen e çdo moshe për t’u ndjekur. Madje, tek të rriturit ato kanë një afeksion tjetër atë të të ndjerit mirë dhe shumë mirë me mesazhin që përcjellin. Se sa do të jetë kohëzgjatja e një emisioni të tillë ose filmi që do të shfaqet, përcaktohet edhe në konsulencë me psikologun pasi asgjë jashtë tij nuk mund të hyjë në transmetim sidomos për këtë moshë feminore. Dhe jo vetëm për minutazhin e përcaktuar, por edhe se çfarë do të përmbaj materiali i menduar për t’u transmetuar. Ndodh shpesh që mosha deri në 7 vjeç futet në grupmoshën deri në 14, 15 vjeç. Programi i fëmijëve paçka se quhet i tillë ka nëndarjet e veta të përcaktuara. Ka materiale me tema dhe ide specifike sikundër ka të tjera për çdo grupmoshë deri rinore. Këtu bëhet fjalë për një specifik moshe e menduar e qenë në shtëpi, pikërisht në këtë kohë transmetimi. Kujdesi i programit duhet të konsistojë në faktin se materialet e përgatitura për t’u shfaqur duhet të rruajnë disa parametra që t’i përshtaten moshës për mirërritjen e tyre.

      Qoftë emisionet e përgatitura enkas, qoftë filmat e mirëfilltë artistikë apo edhe ata të animuar duhet të përzgjidhen në funksion të ndërtimit të njohurive të para në mënyrë që logjika e servirur në ‘to të jetë e kapshme e thjeshtë e bukur dhe njëkohësisht argëtuese. Në fakt paçka se referenca është për fëmijët shtëpiak, nuk duhet harruar se një auditor më i gjerë e pret këtë transmetim siç edhe e përmendëm më lart. Kopshtet e shumta të fëmijëve të kësaj moshe krahas mjeteve të shumta edukuese që përdorin kanë referencë shikimi edhe këtë program. Prandaj materialet e përzgjedhura me kujdes do të jenë mbresëlënëse për gjithë jetën e nesërme të tyre. Jo vetëm fëmijët janë pjesë e të parit. Çdo i rritur i ndodhur në ambiente, ku ka aparat televiziv dhe ndesh pikërisht programin për fëmijë me siguri e tërheq kureshtja për ta ndjekur atë.

 Po të rriturit  a janë pjesë e teleshikuesve të rregullt të emisioneve për fëmijë?

 Të gjithë të rriturit papërjashtim janë pjesë e teleshikuesve të rregullt të emisioneve për fëmijë për faktin se futja në botën e fëmijëve është jo vetëm kënaqësi, shplodhje, por edhe detyrim prindëror. Filmat e animuar të Hollivudit apo prodhime të shtëpive kinematografike kanë një pafundësi temash që më së miri sjellin tek të vegjlit sikundër edhe tek të rriturit një botë të paimagjinueshme fabulash me një realizim të lart artistik.  Në përgatitjen e këtij programi kujdesi konsiston në atë që asgjë jashtë moshës të mos cenoj sado pak nivelin e të kuptuarit të gjërave brenda logjikës fëminore. Kur themi se është emision për fëmijë themi se kemi të bëjmë me argëtim, lojëra, këngë, recitime, valle, vizatime, gjëegjëza, fabula, fjalë të urta, konkurse njohurie për çka ata kanë mësuar etj., etj., që në njëfarë mënyre rrethojnë botën e tyre. Të ftuarit pastaj në studio që mund të diskutojnë për problemet e fëmijëve të jenë pjesë e emisioneve për të rritur. E theksojmë këtë se fëmijët duhet të kenë një emision fillim, mbarim vetëm me ndjesi argëtimi pa teori dhe ndërhyrje, të cilat dëmtojnë pjesëmarrjen e tyre para ekranit. Çdo gjë pastaj që ka të bëjë me diskutime për botën e tyre në tërësi me problematikën që kanë, është diçka që u përket vetëm të rriturve, prindërve dhe gjithkujt të interesuar për botën e fëmijëve. Kur themi program për fëmijë koha është vetëm në dispozicion të tyre, me gjithë ç’ka është përgatitur për ta, në strukturën e programit.