Nishani vlerëson Shoqatën Kulturore Atdhetare “Labëria” me Dekoratën “Nderi i Kombit”

598
Në një ceremoni solemne Kreu i Shtetit, Bujar Nishani vlerësoi sonte me Dekoratën “Nderi i Kombit”, në 24-vjetorin e themelimit të saj Shoqatën Kulturore Atdhetare “Labëria”. Vlerësimi ishte për kontributin “Për ndjenjën e lartë patriotike, për forcimin e unitetit kombëtar dhe frymën e solidaritetit dhe harmonisë pa dallime partiake, për forcimin dhe përparimin e demokracisë, si dhe për ruajtjen e pasurimin e traditave, zakoneve, kulturës dhe folklorit të trevës së Labërisë”. Gjithashtu në këtë veprimtari nderimi të vlerave të rralla dhe kulturës së Krahinës së Labërisë në të cilën ishin të pranishëm deputetë, Kryetari i KLSH-së, Bujar Leskaj, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve Baba Edmond Brahimaj si dhe anëtarë të shumtë të Shoqatës, Presidenti Nishani nderoi Ago Nezhën me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” “Për veprimtari të pasur krijuese, për kontribut të çmuar si publicist dhe veprimtar shoqëror dhe për angazhimin e treguar në lartësimin e vlerave atdhetare, etnokulturore të trashëgimisë, si dhe në pasqyrimin e traditave, kulturës dhe historisë të trevës së Labërisë”; Petrit Rukën me Titullin “Mjeshtër i Madh” “Për krijimtarinë e tij letrare dhe kinematografike, si poet, skenarist, shkrimtar e publicist i shquar” si dhe Haxhi Dalipin (pas vdekjes) me Titullin “Mjeshtër i Madh” me motivacionin “Për kontributin e tij të vyer në krijimin e grupeve polifonike të Labërisë duke zbuluar vlerat e këngëve historike për të ruajtur traditat e trevës së Kaonisë”.

Në përshëndetjen e rastit, Presidentit të Republikës, tha mes të tjerash se vlerësime të tilla synojnë promovimin dhe përhapjen e vlerave më të mira të trevave shqiptare si dhe mbajtjen gjallë të traditave tona të vyera identifikuese kombëtare e të trashëgimisë kulturore duke i përçuar ato tek brezat e ardhshëm. Në fjalën e tij, Kreu u Shtetit u shpreh se: “Shoqata “Labëria” ka shërbyer dhe është sjellë plot devotshmëri gjatë rrjedhës së viteve si një mëmë e mirë, e cila i lind, u jep jetë, i nanuris, i ushqen e i mëkon bijtë dhe bijat e saj jo vetëm me qumështin e ëmbël e plot kalori të kullotave të gjelbra të Labërisë, por edhe me vlerat e patjetërsueshme e nga më të vyera të kombit tonë. Shkrimtari ynë i madh Dritëro Agolli, nga Devolli ka thënë se: “Nuk do bëhesha ky shkrimtar që jam sot po të mos kisha mësuar në Labëri” dhe se: ‘Kur është sëmurë Liria, kur e ka zënë gripi atë, i pari që e ndjen këtë grip apo këtë sëmundje, është Labëria, është trupi i Labërisë dhe jo vetëm e ndien, por ajo merr masa edhe për ta shëruar’. Shoqata juaj, ‘Labëria’, ajo që fare mirë mund ta kishte pasur edhe emrin e madh dhe gjithëpërfshirës ‘Shoqata Shqipëria’ apo edhe “Malësia e Jugut’, sepse që nga Vermoshi e deri në Konispol shqiptarët janë një, ndajnë të njëjtin gjak, të njëjtat tradita e zakone, të njëjtin përkushtim ndaj kombit dhe flamurit kombëtar. Toskë e gegë janë që të gjithë bij e bija të një kombi sa të lashtë, aq edhe të veçantë, një kombi që mban emrin shqiptar dhe i cili aspiron me plotë të drejtë e me meritë të bëjë pjesë në familjen e madhe evropiane.”.

Në vlerësimet për Labërinë, Presidenti Nishani solli në vëmendjen e të pranishmëve At Shtjefën Gjeçovin, i cili kur ishte Ipeshkv në Elbasan dhe pasi mori pjesën në Luftën epike të vitit 1920 i shkruante Arqipeshkvit të Shkodrës se: “Vlonjati për Shqipërinë shet pasurinë, djeg shtëpinë dhe falë fëmijën”. “Shoqata Kulturore Atdhetare ‘Labëria’ meriton me plotë gojë të shpallet sonte ‘Nderi i Kombit” ashtu siç u shpall edhe Malësia e Madhe para pak kohësh, sepse në cilësinë e Kreut të Shtetit kam detyrimin që të vlerësoj dhe të çmoj çdo trevë, çdo banor, çdo figurë të shquar që ka meritë në promovimin dhe përhapjen e vlerave më të mira të trevave shqiptare si dhe mbajtjen gjallë të traditave tona më të vyera, të identitetit e të trashëgimisë kulturore duke i përçuar ato tek brezat e ardhshëm. Për më tepër që në radhët tuaja numëroni shkencëtarë si Prof. Dr. Ago Nezha, kineastë, publicistë dhe letrarë aq të zotë si mjeshtri Petrit Ruka, studiues dhe hulumtues të këngëve historike, të polifonisë aq të veçantë labe – trashëgimi kulturore e UNESCO-s, ruajtës të traditave aq të vyera të Kaonisë si i kujdesshmi Haxhi Dalipi. Me anë të kësaj ceremonie zyrtare dëshiroj të përmbush zotimin tim personal dhe institucional që në vazhdën e nxjerrjes në pah dhe të evidentimit të vlerave kulturore, atdhetare, shoqërore të mbarë trevave shqiptare, të vlerësoj me tituj nderi jo vetëm anëtarët e Shoqatës Kulturore dhe Atdhetare ‘Labëria’, por të gjithë ata që janë dhe ndihen vërtet shqiptarë, e më tepër se kurrë krenarë për identitetin e tyre!” – nënvizoi Kreu i Shtetit.

Në mbyllje, Presidenti Nishani, duke theksuar me krenari se është vetë bir i një nëne labe, nënvizoi sërish angazhimin e Institucionit të Presidentit të Republikës “për ta mbajtur të fortë këtë trashëgimi kaq të pasur, kaq të bukur, kaq të kolorite dhe të pazëvendësueshme dhe unike që kemi dhe për ta lënë trashëgim në vlera më të mira, më të mëdha dhe të pasuruara.” duke uruar që: “Mos ju lëntë kurrë mendja dhe mos ju shteroftë asnjëherë fuqia për të nxjerrë në pah e për të lartësuar veten tuaj, traditat, kulturën, zakonet dhe sidomos vlerat tuaja që u përkasin mbarë shqiptarëve kudo ku jetojnë!”. Më pas, Presidenti Nishani dhe të pranishmit e shumtë ndoqën me ëndje një koncert artistik ku artisti Mirush Kabashi njëkohësisht edhe “Nder i Kombit” recitoi poezinë e Andon Zako Çajupit “Labëria” dhe një koncert artistik me këngë të Ansamblit Folklorik “Çipini”.
Sigal