Nertila Marku: Shpesh ndjej se kam bërë mëkat, që nuk studiova arte

1533
Jakup B. GJOÇA

Nertila Marku, një grua që luftoi në jetë dhe fitoi kancerin. Që e vogël shkroi si shkrimtare. Që u rrit dhe u bë humaniste dhe aktiviste e mbrojtjes të së drejtave të grave. 

Në vitin 2009 boton romanin e parë: “Krime në Purgator”, për të vijuar pas rreth dy viteve me vëllimin e parë të romanin e radhës: “Agjentja ne dhomat e kuqe”. Pas romaneve, Nertila boton dy libra te tjerë në formën e eseve filozofike dhe kërkimit shkencor, duke sjellë përkatësisht “Pushteti i burrave dhe forca Grua”( 2015); “Eurobunkierët”(2016). Përgjatë viteve 2011 e në vijim, Nertila është aktivizuar si koordinatore e aktiviste e organizatës “Në dobi të gruas shqiptare”, duke zgjidhur me sukses rastet e grave te dhunuara e trafikuara. Nertila në vitin 2017 është vlerësuar si aktivistja më e mirë në çmimet kombëtare nga Life Style Albania. Në vitin 2016, e vlerësuar si një aktiviste humaniste rebele përballë institucioneve dhe zërit të lirë kundër materializimit oligark e në mbrojtje të shtresave të varfra, shoqatat kulturore shqiptare, si ajo “Sali Cekaj” në Gjermani dhe misioni Katolik shqiptar, përzgjodhën Nertilën si gruan shqiptare, për të zbuluar shtatoren e Shën Terezës në Phaffenhofen Munih Gjermani. Nertila është vlerësuar me çmim nderi nga shoqata “Në mbrojtje të trashëgimisë kulturore dhe historike” në vitet 2016-2017, me motivacionin “Zë i lirë i brezit të ri, në mbrojtje të origjinës se monumenteve, heronjve dhe dëshmisë historike të Shqipërisë”.

– Nertila, nëse do të bëja një skicim portreti, vështirësia qëndron te karakteri juaj shumëdimensional . Diplomacia e politika janë stolitë e shkollimit tuaj, talenti veçse ka qenë udhërrëfyesi për te Bota e shkrimtares dhe romantika e këngëtares. Cila është bota juaj?
– Nertila ka disa pasione, por të gjitha kanë një emërues të përbashkët: Dashurinë për dijen dhe bashkëjetesën me shpirtëroren. Zgjedhja e studimeve të mia u kushtëzua që tetëmbëdhjetë vjeçe, nga imponimi i idesë nga familjarët e të afërmit, sepse për artistët e vërtetë në Shqipëri ka mungesë hapësire. Shpesh ndjej se kam bërë mëkat, që nuk studiova arte, por fakti që joformalisht vazhdova t’i përkushtohem skenës dhe krijimtarisë në art, më bëri që të krijoj një balancë mes ëndrrave në sirtar, dashurisë për studimet e mia akademike dhe Atdheun.

– Çfarë nevoje ju detyroi që, ndonëse studiuat për Diplomaci e Drejtësi, t’i përkushtoheni këngës dhe shkrimit të librave?
– Për të shkruar, krijuar, kam filluar që në klasë të dytë, ndërkohë, që kam qenë që e vogël në korin e Kishës Katolike në Lezhë, e më pas në Kisha të ndryshme. Shpesh edhe e shtypa, e dhunova këtë dëshirë, pasi më mundi dogmatizmi, duke mos qenë vetja por bindja për të qenë dakord me dëshirën e të tjerëve, familjes që dëshironin dhe shikonin tek unë në të ardhmen vetëm një vajzë intelektuale. Por sigurisht nuk iu ndava krejtësisht këngës. Këndoja edhe në aktivitete lokale kulturore. Pas dhjetë viteve shkëputje nga të kënduarit në kitarë, kam rifilluar të këndoj sërish, kur u sëmura rëndë nga kanceri, dy vitet e fundit. Shpesh vetëm në krevat, kuptova se kisha braktisur gjërat që doja më shumë në jetë. Rigjeta Nertilën që kisha braktisur dikur dhe tani po e kuroj e rris. Shkëputja shumë vite nga muzika ka krijuar kosto edhe në zë, kështu që duhet ta rimenaxhoj profesionalisht. Ishte kompozitori Alban Arifi, që prej 10 vitesh më rikujtonte, se nuancat e zërit tim nuk duhet të varrosen për aq kohë sa e ndjej ta shkruaj e këndoj muzikën. Po ashtu, pak vite nuk shkruajta më e as botova romane, e tani sërish më ka ardhur frymëzimi të krijoj.

-Arti, kultura dhe libri sa ju bashkëshoqërojnë sot? Ato na ndihmojnë të ndihemi më njerëzorë e më të lumtur, a ndodh dhe me ju kështu?
– Sot arti, kultura e librat, fatkeqësisht janë braktisur. Edhe unë i pata braktisur disa kohë, kur kujtoja se jam e lumtur. Atëherë, kur të gjithë me orientonin karrierën kundër shpirtit. Mendoj që librat dhe arti janë urat që lidhin shpirtrat, që zgjerojnë vizionin, që shtojnë mirëkuptimin dhe nxitin njerëzoren në komunikimin tonë me njëri tjetrin.

– Ju i kushtoni shumë kohë dhe energji Luftës për mbrojtjen e të drejtave të grave duke qenë një shembull i admirueshëm humanizmi, nga i buron Nertilës ai?
– Ndoshta, sepse jam rritur në një familje shumë të varfër, në një zonë në veri me probleme të theksuara ekonomike dhe sociale. Në një zonë ku gjeje këmbëkryq të diturit, të varfrit, analfabetët, dhunuesit e grave, artistët, kriminelët, poetët e mëdhenj. Ndoshta, sepse mësimet që mora nga gjyshet e mia dhe filozofia e paqes e humanizmit që më dha Kisha Katolike për shumë vite ndikuan edhe më shumë gjatë viteve të mëvonshme, ato të pjekurisë.

– Ku shkon Shoqëria jonë?
– Shoqëria jonë ka humbur si formë komunitare organizative dhe institucionale, ka humbur drejtimin iluminist dhe është në krizë identiteti. Një shoqëri në një kaos të tillë ka nevojë për iluminim njerëzor dhe intelektual.

– A përpiqen sot njerëzit në Shqipëri të pasurohen shpirtërisht?
– Shoh tendenca të pakta, që njerëzit të duan të pasurohen shpirtërisht, në raport me dëshirën e pasurimit material. Kjo e fundit ka korruptuar shpirtrat frikshëm, duke i kthyer në mall tregu.

– Do të donit t’i përkushtoheni politikës për të dhënë kontribut për një shoqëri më të mirë?
-Kam pasur praktika shkolle gjatë studimeve në dy parti të vogla vite më parë, dhe sot mendoj se ishin leksionet më të forta për ta kuptuar, se Nertila do politikën në krah me qytetarët e jo politikanët aktualë. Dua që ndryshe nga ata, t’i përkushtohem shoqërisë me kontribut shpirtëror dhe intelektual dhe jo t’i përkushtohem me shpirt politikës, që të cenojë shpirtin dhe intelektin tim. 

– Cila ambicie mbizotëron sot te shqiptarët: Ajo që pasuron shpirtërisht apo materialisht?
– Jo thjesht, që mbizotëron pasurimi material, por frikshëm raporti. Më vjen keq të konfirmoj, që edhe shumë vajza të reja ose gra për qëllime kryesisht karrieriste, po profilizohen drejt pasurimit material.

– Ju keni takuar ndonjë që, ndonëse i pasur materialisht, nuk ndihet i lumtur? ( jo për shkaqe patologjike)
– Kam takuar gra të dhunuara psikologjikisht, gra të biznesmenëve, politikanëve e kriminelëve. Këto janë viktimat më të mëdha të rendjes drejt materializmit në këtë vend. U sakrifikohet lumturia për karrierën e pisët dhe të leverdishme të burrave.
Sigal