Nga vajzat shkodrane, një dhuratë simbolike për Princeshën Elena Gjika (Dora d’Istria)

835
Sigal

Për 7-8 marsin

Në një ditë të shënuar për gratë, është krenari për të përkujtuar Zonjën e gjithëvirtytshme me origjinë shqiptare, Elena Gjika që rrezatoi dituri në disa kontinente.

Dora d’Istria është e afirmuar si shkrimtare, publiciste, shkencëtare, piktore… me një reputacion te shtrirë në të gjithë Europën e me tej deri në Amerikë. Nuk kishte shumë kohë që ishte kthyer nga vizita e saj në Amerikë, ku ndërmjet shumë takimesh ishte pritur edhe nga shkrimtari i madh amerikan Longfellow i cili kishte shkruar me 1880: “Dora d’Istria energjikisht mbron të drejtat e grave”, (“I believe she strenuously maintains the Rights of Women” Nahant July 22, H.W.L.). Ajo, edhe për gratë Amerikane duhet të jetë një shembull i shkëlqyer, “një yll brilant”, (To the Women of America she must ever be a shining example, “a brilliant star”). Dhe fill pas kësaj vizite përtej oqeanit, ajo merr një vlerësim jo më nga rrethe të larta Akademike siç ishte mësuar zakonisht, por një dhuratë të vogël nga një botë e madhe shpirtërore e vajzave shkodrane. Për këtë, mora shkas nga letra që vajzat shkodrane i drejtohen me admirim mbretëreshës shpirtërore të tyre, Elena Gjikës.

Nderim

“Thonë se je e ambël, e mirë, se zemrën e ke të madhe, po se të hollë ke mendjen, bijë kreshnikësh, por edhe motra jonë;

Thonë se natyra yte asht e denjë për SKEPTER, prej njërit pol te tjetri, gjithkush kështu shprehet. E në zemrat arbnore tashma ke nji mbretni; Por na, qi nuk kemi nji skeptër ari, nji Fron… Nji Pende argjendi, dhunti ta japim. Asht dhunti e vogël, nji mend; por difton sa të don e të nderon secili Arbnor!

Shkodër e Arbnisë”.

2 Prill 1881

Vajzat shkodrane, me mirënjohje të thellë, ia dërgojnë shkrimtares së ndritshme, Princeshës Dora d’Istria, nji Pendë Argjendi, me anë të A.Leonardo De Martino (1830-1923) prej Greci, M.O.

Kush janë vajzat shkodrane që e nderojnë me shumë respekt e admirim motrën e tyre, Elena Gjikën?

Ato janë nxënëset e shkollës femërore që u themelua nga motrat stigmatine në vitin 1878, në Shkodër. Këto institute u bënë një burim frymëzimi dhe emancipimi kulturor, por edhe një qendër për gjallërimin atdhetar të vajzave shqiptare. Në ato shkolla pranoheshin vajzat e të gjitha religjioneve (myslimane e ortodokse dhe nga të gjitha viset shqiptare). Aty përfitonin jo vetëm një zhvillim kulturor, por edhe pajiseshin me dije që të bëheshin të “zojat me drejtue familjen” dhe, si rrjedhim, të ishin të dobishme edhe për Atdheun. Motrat stigmatine në Shkodër nuk vepruan në një terren të zbrazët, ato gjetën një qytet që kishte akumuluar dituri që nga lashtësia, kështu misioni i tyre si ndërlidhëse të kulturave, pavarësisht detyrave fetare, qe efektiv. Në këto shkolla, përveç mësimeve fetare, merreshin njohuri nga kultura europiane, pjesë e së cilës ishte edhe Shqipëria. E veçanta ishte se aty mësonin për historinë e popullit tonë, për personalitetet e shquara të mbarë kombit shqiptar. Nga kjo njohje, vajzat shkodrane ia drejtojnë falenderimet dhe mirënjohjen, atdhetares më të ditur me origjinë shqiptare, Dora d’Istrias. Këtë prejardhje e paraqet më mirë poetesha vjeneze, Jozefina Knorr: “Elena jo vetëm rridhte nga një gurrë fort e kulluar shqiptare që ishte e shtrenjtë për shqiptarët, por edhe se ajo iu kushtua tërësisht çështjeve të tyre”.

Kush ishte Elena Gjika

Elena Gjika ishte e lindur princeshë (1828-1888, në Rumani,) e edukuar me pedagogë më në zë të Europës dhe e klasifikuar si enciklopedi e gjallë. Ajo ishte një humaniste e pashoqe, një studiuese me vizione të qarta politike, në shërbim të popujve të shtypur të Ballkanit e veçanërisht të Shqipërisë. Ajo ishte publiciste e shkrimtare përparimtare në lëvizjen kulturore të Europës, me mendime progresive për emancipimin e gruas dhe barazinë gjinore. Pozita e gruas në shoqëri ka qenë pjesë e kërkimit të saj shkencor.

Mjafton të përmendim vetëm një prej shumë veprave të tjera, “Gratë e Orientit”, në të cilën thekson edhe vlerat e gruas gege, gruas toske, e veçanërisht të gruas çame nga ku kishte edhe prejardhjen nga nëna. Ajo popullarizoi çështjen shqiptare në qarqet europiane, përkrahu Rilindjen Kombëtare, duke mbajtur lidhje me veprimtarë të shquar si De Rada (109 letra) etj.. Ajo dha mendime të vyera për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit.

Kur poetesha shkoi në Amerikë, më 1880, ndërmjet shumë personaliteteve amerikane takoi poetin Henri Longfellou (1807-1882), i cili e kishte shkruar poemën për Skënderbeun që në vitin 1873. Në pritjen që shkrimtari i madh rezervoi për princeshën, ishte shumë entuziast që po e nderonte Zonjën në fjalë në mes shumë të ftuarve (“Ëe have a house full of people; and today a ëallachian Princess, Dora d’Istria, is coming to dinner”). Princesha me origjinë shqiptare ishte shumë entuziaste për poemën “Scanderbeg” të Longfellou –t, të cilën me aq mjeshtëri e përktheu gjeniu i letrave Fan Noli në Boston më 1916. Ndër të tjera, Princesha i foli me pasion shkrimtarit amerikan edhe për Shqipërinë e shqiptarët. Plaku i urtë Longfellou, pas shumë vlerësimesh, për Zonjën e mençur, për karakterin, për sjelljen, për paraqitjen dhe për gjithë formimin e saj, mbivlerësoi tek ajo thjeshtësinë, (the supreme excellence is simplicity), sepse aty lartësohej madhështia e saj. Kur Princesha rumune me origjinë shqiptare u bë qytetare nderi e Athinës, ajo vizitoi në Miselengj, varrin e Boçarit duke thënë “U luta që të shoh një ditë të valojë mbi varrin e Kastriotit të Madh flamuri që ai e ka mbajtur me lavdi në njëqind beteja. Na u realizoftë kjo aspiratë!”.

Ndërsa për Epirin ajo shkruante: “Grekët duhet të mësohen ta konsiderojnë Epirin për atë që është në realitet, domethënë të shohin në të Toskërinë dhe cilido që do të orvatet të vendosë mbi fatin e shqiptarëve pa pëlqimin e tyre, shpejt ka për t’u ndeshur me vështirësitë e pakapërcyeshme që është në kundërshtim me idetë e kohës sonë”.

Ajo ishte edhe piktore e shquar dhe alpiniste e guximshme. Jo me kot Garibaldi e quan Elena Gjikën “Motra ime Trime”. E për këtë kontribut mbarëkombëtar, vajzat shkodrane të edukuara në një institucion fetar, ku koncepti i mirënjohjes zinte pjesën më të madhe të kulturës së tyre, i kanë kaluar caqet e mirënjohjes individuale në mirënjohje kolektive. Ata kanë bashkuar firmat e 300 vajzave të varfra, por shumë të pasura në virtyte të larta, që ditën të vlerësojnë mendjen, punën, sjelljen, sakrificën e një atdhetareje shqiptare. Kjo dashamirësi e tyre ka shërbyer si mjet ndërlidhës për të ofruar raportet njerëzore. Ato ishin shumë larg fizikisht nga Elena Gjika, por xhesti i tyre, sa njerëzor dhe fisnik u bë parim, u bë institucional, duke marrë vlerë universale të dobishme për njerëzimin.

Ky veprim njerëzor i vajzave në fjalë ka prodhuar shumë energji pozitive që vijnë të shumëfishuara deri sot tek ne. Ato i bënë një nderim jo vetëm institucionit të tyre, kulturës qytetare shkodrane, por mbarë Shqipërisë duke lartësuar një zë të fuqishëm të kulturës europiane dhe botërore. Ato së bashku shprehën mirënjohjen e tyre duke e ngritur princeshën në fronin e mbretërisë së diturisë, të fituar prej saj, si nga të rrallat gra që qëndrojnë në krye të inteligjencës shqiptare, europiane e botërore.

Ato e kishin mirëmenduar rolin e skeptrit mbretëror, duke i dhuruar motrës së tyre vetëm një pendë, pa xhevahire dhe flori, por që simbolika e asaj pende ishte sa modeste aq dhe e madhërishme. Parafytyroje Statujën e Elena Gjikës, me pendën në dorë si statuja e Jupiterit që mbante në dorë një skeptër. E me të drejtë mbretëresha shpirtërore e vajzave shkodrane u përgjigjet denjësisht: “E mora me mend pendën e bukur të shqiptareve të mia të dashura, të cilat do të kisha dëshirë t’i përqafoja një ditë. Uroj që kjo pendë më e fortë se një skeptër të përdoret gjer në fund të jetës sime për mbrojtjen e nderit dhe të drejtave të Shqipërisë, atdheut tim të nderuar”. Për ta pasur në qendër të kujtesës, Dora d’Istria, duhet të përjetësohet në vepra arti, siç bëri piktori arkitekt Kolë Idromeno, i quajtur “Mikelanxhelo i Shqipërisë”, me portretin e Motrës Tonë.

Shqipërisë sot nuk i mungojnë artistët për ta përjetësuar bukurinë fizike dhe shpirtërore të mbretëreshës së grave shqiptare, Elena Gjika, në një statujë me pendën në dorë, duke firmosur aktin e bashkimit siç e kishte në mendje, kur ajo shkruante: “Uroj që bashkimi, zgjuarsia dhe veprimtaria e shqiptarëve të mos lejojnë që vëmendja e paqëndrueshme e Europës të përqendrohet gjetiu! Sot vitet vlejnë shekuj, historia ecën me hapa të shpejtë para syve tanë, kjo nuk duhet harruar kurrsesi”. E kjo ditë do të vijë, siç shkruante Dora d’Istria “Të mos ketë më gegë, as toskë, as lebër as çam, por vetëm bij të devotshëm që të marshojnë si një trup i vetëm, nën flamurin e Aleksandrit të Madh, të Pirros dhe të Skënderbeut”. Është një dëshirë e madhe që ta shohim Statujën e saj, si shëmbëlltyrë të gjallë, në qytetin e Shkodrës, ku ajo dëshironte të përqafonte motrat e saj, për t’ju rrëfyer atyre, fjalët e urta për të ardhmen. Shqiptarët, janë të nderuar sot, ta festojnë ditën botërore të grave, sepse i dhuruan njerëzimit, Nobelisten Nënë Tereza dhe mbretëreshën shpirtërore të grave, Dora d’Istria. Prandaj sot më shumë se kurrë, na duhet ta forcojmë institucionin e mirënjohjes që bota të na mbështesë më mirë për vlerat tona pozitive.

Poeti shkodran Zefi i Ndokë Illis prej Jubanit i cili e kishte njohur personalisht Dora d’Istrian i ka kushtuar këtë poezi:

Ti je nji yll e n’a shndrit Arbnin

Me dije, me t’mira e me bukuri

Me dashtni tande je tui n’a pertrin

Nji gazmend të math e nji lumni

Drita e mendes s’ate asht tui lulzue

Si drita e syve asht sjellë për mbi ne

Perendija për t’mirë t’on t’ka krijue,

e me sjelle marë dhen t’onë ti ke le

Ndër hyj ti pra je regjinesha,

Që “Dora d’Istria t’emnojnë,

Për Shqypni ti je begtaresha,

Që gjithkund e ktu të nderojnë.

Po!Shpnesa e ambel je për ne,

Pse zemra jote asht fort e mirë

Sjelli sytë e t’e mos harro këte dhe,

Të kesh edhe për ne mall e deshirë

Nga Pertefe Leka