Kujtim Llapi: Kemi nisur ndryshimet konkrete, spitalin e ri do ta kthejmë në qendër shërbimesh cilësore…

    523
    Sigal

    Pas një kritike në “Telegraf”, reagon Kujtim Llapi, Drejtor i Spitalit Psikiatrik “Ali Mihali”, Vlorë

    Mjeku Kujtim Llapi, prej pak muajsh drejton Spitalin Psikiatrik “Ali Mihali” në Vlorë, duke manifestuar pasionin si njeri që synon progresin, humanizmin si mjek, energjinë për të përmbushur me sukses detyrën që i është besuar. Spitali Psikiatrik-Vlorë është një qendër rehabilitimi mjekësore, e cila, prej mëse 30 vjetësh, ka mbetur peng i indiferencës shtetërore, duke e lënë të degradojë si objekt e si shërbim spitalor edhe pse brenda tij çoheshin për trajtim të sëmurë që kërkonin kushte të veçanta e komplekse trajtimi. Ky spital, po vazhdon të jetë ende në gjendje kritike, futur në projektet dhe përfshirë në përpjekjet ndryshuese të drejtuesit të ri, duke vazhduar shërbimet e mundshme ndaj pacientëve edhe me kushtet infrastrukturore që ka ky spital, deri në përfundimin e spitalit të ri psikiatrik modern. Lidhur me kritikat në media, me problemet që konstatoi kur mori detyrën, me zgjidhjet dhe projektet që do të zbatohen në spitalin e ri modern, që pas 2 muajsh do të jetë gati, zhvilluam një bisedë me drejtorin e këtij spitali, zotin Kujtim Llapi. 

     Pas shkrimit kritik në gazetën “Telegraf”, reaguat me trishtim, përse?

     Shkrimin kritik në gazetën “Telegraf” e prita me trishtim, jo se ishte “hedhur baltë” mbi personin tim, por sepse kishte një goditje ndaj përpjekjeve serioze, që po bëhen prej meje së bashku me stafin, për ndryshimin e gjendjes kritike në këtë spital, i cili realisht kur kam marrë drejtimin, ka qenë “gërmadhë” si në objekt e pajisje dhe me mangësi në personelin e specializuar. Në rastin konkret të tenderit të lavanterisë, duhej bërë ndërhyrja urgjente me blerje pajisjesh, sepse në këtë spital, veshjet e të tjera pajisje laheshin me lavatriçe në gjendje “skrapi”, shtrydheshin me dorë, thaheshin… kur kishte diell, apo kur koha ishte shi… nëpër korridoret dhe dhomat e spitalit. Funksionalisht, ishte një blerje emergjente. Financiarisht, këtë e caktuan specialistët e fushës. Gjithsesi, kritika është apel, nxit reagimin për të verifikuar veten dhe vartësit në zbatimin e detyrave që duhet të kryejnë.

     Cilat ishin dhe janë ende, problemet në spitalin që drejtoni?

     Problem shqetësues është infrastruktura. Faktikisht, në Vlorë është duke përfunduar spitali i ri psikiatrik, i cili do shërbejë si “qendër trajtimi akut” për të sëmurët mendorë e që për nga infrastruktura dhe llojet e shërbimeve, do të jetë i njëjtë me spitalet e kësaj natyre shërbimi në rajon e në botë. Gjendja aktuale fizike e pavijoneve të të sëmurëve kronikë le shumë për të dëshiruar, sidomos pavijoni i pacienteve gra. Jam gjendur përballë një institucioni me gjendje infrastrukturore e mjedisore skandaloze, sidomos në shërbimin e lavanterisë, elementin bazë të higjienës së shërbimit ndaj pacientëve. Shqetësim i mbartur prej vitesh do të jetë edhe afro 2 muaj deri në përfundimin e spitalit të ri që po ndërtohet, mbipopullimi i të sëmurëve dhe kushtet e këqija, tepër skandaloze në pavijone. Ka patur probleme rutinë, që nuk zgjidheshin, jo prej burokracive të shtetit, por prej neglizhencës e mos interesimit. Për shembull, prej shumë kohësh, në spital mungonte furnizimi me ujë të pijshëm dhe energji elektrike (ishte turp)! Pas marrjes së detyrës, sa u njoha me skandalin që spitali ishte pa ujë e pa energji elektrike, “trokita” dhe këmbëngula disa ditë radhazi në OSHEE e Ujësjellës, në prefekturë, qark, ministri e deri qeveri dhe tashmë, spitali furnizohet rregullisht me ujë e energji elektrike pa ndërprerje. Problem ishte mungesa e stafit teknik, i pamjaftueshëm për përballimin e ngarkesës së shërbimeve psiko-sociale, me afro 60% përbërje pa kualifikimin e duhur për këtë lloj shërbimi spitalor. Ky problem u zgjidh me vendim-marrje shumë të shpejtë, duke miratuar strukturën e re organike të stafit teknik të mjekëve, për përbërjen e të cilës u mbajtën parasysh kërkesat tona si staf drejtues, por edhe rekomandimet e bëra nga “Avokati i Popullit”. Probleme ka shumë, por zgjidhjet që kam bërë deri tani më kanë motivuar të jem optimistë, për të intensifikuar përpjekjet me subjektivin final për të “rilindur” këtë qendër mjekësore, zgjidhje për të cilat kam patur mbështetjen e plotë të qeverisjes qendrore (ministrisë), madje dhe interesimin e posaçëm të Kryeministrit Edi Rama.

    .Kur do t’i “hapë portat” spitali i ri dhe çfarë kushtesh do të ofrojë për pacientët dhe punonjësit?

     Si objekt, spitali do të jetë 100% i përfunduar në muajin prill 2015, d.m.th pas 2 muajve. Aktualisht, ne si drejtori e spitalit, me fond të garantuar nga qeveria, me interesimin direkt të Kryeministrit Edi Rama, kemi nisur procedurat për fazën e parë të mobilimit dhe kompletimit të mjediseve të spitalit. Ky proces, do të përfundojë në fillim të muajit qershor 2015, që do të jetë edhe “dita” e përurimit të spitalit. Spitali është me 3 kate, me sipërfaqe totale 3 mijë metra katrore, me nga 1000 metra katrore secili kat. Sa për detajim dhe informacion të publikut, në katin e parë është projektuar vendosja e gjithë ambienteve të shërbimit spitalor si lavanteria, laboratori, kabineti stomatologjik, farmacia, hoteleria, palestra për riaftësimin e të sëmurëve dhe ambientet e ngrënies së ushqimit. Në 50% të katit të dytë, do të vendoset administrata e spitalit. Ndërsa në gjysmën tjetër, do të jetë holli kryesor pritës i spitalit dhe reparti i pranimit të pacientëve. Kati i tretë, ka kapacitet 44 shtretër, ndërtuar e kompletuar si “pavijon i të sëmurëve akut” për burra e gra. Dhomat nuk do të jenë më siç janë aktualisht me shumë pacientë, por vetëm me 1 ose 2 shtretër, të kompletuara me gjithçka. Spitali i ri është i pajisur në gjithë hapësirën me sistem të unifikuar ngrohje e freskimi. Është një spital modern, një “rilindje” e plotë në shërbimin që do të ofrohet ndaj 140 pacientëve që trajtohen në këtë spital. Po përmend faktin, që në këtë spital nuk është investuar qysh prej vitit 1982, ose më saktë qysh prej 33 vitesh. Dhe në kushtet skandaloze, punonjësve e drejtuesve u kërkohej të punohej dhe prej tyre bëhej… sikur punohej! Ndërsa në një spital të ri, me kushte moderne, do ndihemi të motivuar për të punuar me përkushtim. Qëllimi ynë është që spitalin e ri, ta kthejmë në qendër trajtimi e shërbimi modern, duke e konsideruar si një “vatër të ngrohtë familjare” që përkujdeset ndaj pjesëtarëve të saj në nevojë. Ky është objektivi im si drejtues dhe këtë do ta arrijë bashkë me stafin.

    Pacientët e cilave zona pranohen e trajtohen në spitalin tuaj, cili është bashkëpunimi me familjet e tyre?

     Në spitalin “Ali Mihali” të Vlorës, pranohen dhe trajtohen pacientë nga shumë zona të vendit, konkretisht nga rrethet Vlorë, Fier, Berat, Skrapar, Tepelenë, Gjirokastër dhe Sarandë. Kemi bashkëpunim me familjet e pacientëve, ndryshe nuk do arrihej të kishim mbarëvajtje të mirë të punëve. P.sh., si strukturë nën juridiksionin e spitalit, kryen shërbime edhe “Qendra Komunitare e Shëndetit Mendor”, që për nga organizimi është shërbim ambulator me aktivitet në terren. Kjo qendër, zhvillon aktivitet “monitorimi dhe shërbimi” në një zonë me afro 200 mijë banorë, për pacientët jashtë spitalit që gjenden në komunitet. Kontrolli dhe trajtimi i tyre, nis nga bashkëpunimi me familjet, që e realizon ekipi i specializuar multi-disiplinar prej 22 specialistësh, që vepron me mjekë psikiatër, psikologë, punonjës socialë, terapistë okupacionalë, infermierë e kujdestarë. Nga ana e vet, stafi i spitalit ka vendosur komunikimin aktiv, mirëkuptues e mbështetës me familjarët e pacientëve. Në vijim të kontroll-trajtimit të tyre pranë familjeve, kemi aplikuar programe psiko-sociale dhe aktivitete për pacientët si ekskursione turistike brenda e jashtë Vlorës, festime ditëlindjesh në spital e nëpër familjet e të sëmurëve, vizita në ekspozita, lojëra sportive, vajtje në teatër, në plazh etj.. Shpesh, vizitat dhe dhuratat për ditëlindje ose festa, janë financuar privatisht nga stafi i spitalit. Kemi futur në veprim një filozofi dhe praktikë të re qëndrimi e sjellje ndaj kësaj kategorie shoqërore: Trajtimin si të barabartë! Në këtë sjellje barazie, mbajmë parasysh sloganin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH): “Askush nga afër s’është normal, që do të thotë, se gjithsecili nga ne, ka problemet e tij të mëdha ose te vogla”.

     A keni bindje, se do të arrini ta ktheni spitalin e ri, në qendër shërbimi model? 

     Për të arritur atë që projekton e synon, një drejtues duhet të ketë të unifikuar këto elementë: Vullnetin për të punuar, profesionalizmin, aftësinë organizative, bashkëpunimin e hapur me stafin dhe kërkesën, që secili të kryej detyrën e ngarkuar, madje kjo kërkesë edhe ndaj vetes time. Unë i disponoj dhe di t’i “administrojë” këto cilësi e aftësi, kam nisur t’i konkretizojë…

    Bisedoi:

    Përparim HALILI