Nga Ben ANDONI/ Kapedan Sali Vranishti/ Sa rroi, i punoi gishti!

1580
Sigal

Sali Murati (Vranishti), komandanti i Sigurimit Publik në qeverinë e Ismail Qemalit dhe “Hero i Popullit”. Ai ka mbetur i paharruar për atë çka bëri në dobi të vendit të vet

Një burrë i zakonshëm, por i armatosur deri në dhëmbë, na shikon  vrenjtur nga një foto e dalë boje e vitit 1918. Me pamje të vërtetë komiti, i urtësuar deri aty, ku s’përfytyrohet, ai i ngjan më shumë një luani të ndrydhur. Pranë, një bashkëluftëtar i vet, e ndjek fokusin po ashtu, i ngulur me sytë në pafundësi. Cilësia e dobët e fotos nuk të lejon që të hedhësh më shumë dritë në tiparet e burrave, por një gjë dihet mirë: Komiti quhet Sali  Murati (Vranishti) dhe në dy dekadat e para të shekullit të shkuar ishte simboli i njeriut të lirë. Ky Robin Hood shqiptar, megjithë anatemat e bejlerëve dhe kalemxhinjve të tyre, bëri shumë më tepër për pavarësinë sesa shumë pseudo, sepse i dedikoi asaj krejt jetën e vet dhe të familjes së tij. Ky njeri i drejtë,  iu dedikua veçse nderit. Koha do provojë realisht se Sali Vranishti ashtu si e filloi ashtu edhe do e mbyllë jetën me një ndershmëri të vërtetë oshënari.

Nga dokumentet arkivore apo kujtimet që kanë lënë bashkëkohësit, Sali Vranishti nuk mundi kurrë të bënte kompromis me brashnjarët apo ata që bënin pazare në kurriz të Atdheut… Nëse do të bënte, s’mund të quhej më kapedan, por thjesht një nga shqiptarët e shumtë, që bëjnë një çik zhurmë për nam dhe nishan dhe pastaj u fshehën ose më së shumti rendin pas ofiqeve. Se shqiptari dhe ofiqet janë një dyshe e pandarë, këtë nuk e fshehim dot. Historia kombëtare është e mbushur me të tillë syresh. Sejfi Vllamasi, një nga protagonistët e vërtetë të kësaj jete pa shumë andralla, na e përmend si ‘shkarazi’, por kush di të lexojë mirë rreshtat e kupton edhe respektin e tij. Sejfiu, në të gjallë, ishte nga ata që vlerësonin pak. Ka anatemuar Zogun, Luigj Gurakuqin dhe Faik Konicën, duke i treguar ashtu si ishin në të vërtetë. Por, për Sali Muratin ndalet: E thirrën sepse iu duhej ndershmëria  dhe besnikëria e tij. Dhe, kush mund të mëdyshojë! Ditën që Sali Murati u thirr nga Ismail Qemali të bënte zap njerëzit që  donin  të turbullonin qeverinë e Vlorës ishin realisht të dhimbshme. Për Qeverinë e Vlorës, për njerëzit, për çdo gjë. Sali Murati, si komandanti i Sigurimit Publik, e merr vetë përsipër përgjegjësinë. Bektash Cakrani dhe Qemal Vrioni i shpallin luftë qeverisë së Vlorës, kur ajo ende nuk administron dot ende një territor më të shumtë se  dy – tre prefektura. Dhe, a e merrni dot me mënd se kush ftohet të jetë në betejë, atje në vijën e parë: Përsëri vetë ai, Sali Vranishti. Kuptohet, komiti që ishte tani komandant, e zgjidh punën shumë shqiptarçe duke u treguar të gjithëve se ka njerëz që e kanë seriozisht pavarësinë. I shpartallon dhe u djeg të gjithë kamjen.. Në kthim për në Vlorë, fijet e bejlerëve cakranjotë tentojnë  që pabesisht ta eliminojnë fizikisht.  Plagoset, por nuk devijon nga detyra.  Në fakt, prej vitesh para pavarësisë, ai ka filluar t’i vërë gjoksin rrezikut .   Përballja me koshallet turke në Vranisht e kishte detyruar të merrte rrugën e Janinës. Edhe këtu  do ta zbraste zemërimin dhe urrejtjen kundër  një zabiti, të cilin e vrau  në mes të qytetit, pasi ai e kishte ofenduar duke i thënë  “pis arnaut”. Nis jetën e komitit, por tradhtisht kapet dhe burgoset në kështjellën e Janinës. Dënimi i rëndë nuk e tulati. Ai u betua: o i kalbur në qelitë e errëta, o i lirë matanë këtyre mureve të larta. Pranoi sfidën dhe ja doli mbanë. Në ndjekjen që i bënë rojet e burgut, pësoi plagosjen e parë.  Që nga ky moment, Sali Murati do të kishte për jatak malet.

Takimi me Ismail Qemalin në Vranisht, shtator 1908,  i dha krah dhe fuqi Sali Muratit. Dy muaj më pas ai krijon çetë patriotike me luftëtarë nga Vranishti dhe Lumi i Vlorës. Pas kësaj ngjarje  është përherë në lëvizje, në ndeshje me armë me pushtuesit dhe shushunjat gjakpirëse të fukarasë, si në Palohuar të Shashicës, Picar të Armenit, Mifol të Myzeqesë së Vlorës  apo në armatosje me ide patriotike ….. Bashkëpunon ngushtë me Çerçiz Topullin, Spiro Ballkamenin, Muharrem Rushitin, Namik Delvinën e atdhetarë të tjerë…. Në korrik 1911  është një nga pjesëmarrësit e mitingut të Drashovicës, në përkrahje të Memorandumit të Gërçes.  Dinamika e aktivitetit të tij patriotik, alarmon strukturat osmane të kazasë së Vlorës. Në maj 1912, së bashku me pjesëtarë të çetës rrethohet në Tërbaç, por çan rrethimin. Bilanci: tre xhandarë të vrarë dhe dy të plagosur. Konsulli austriak Beotikt informon Vjenën…. ( Arkivi Institutit Historisë) Ngjarja më kulmore ishte hapja e burgut të Vlorës më 24 gusht 1912 dhe lirimi i të gjithë të burgosurve. Gazeta “Liri e Shqipërisë”, që dilte në Sofje, i bën jehonë kombëtare këtij aksioni të bujshëm. Forca të shumta vijnë nga Gjirokastra për ta asgjësuar çetën e tij.  “E rrethojnë në Qishbardhë, / por s’i qaseshin dot pranë….”

Fama e Sali Muratit përhapet në çdo krahinë të Jugut. E kërkojnë delvinjotët për ndihmë kundër bandave  shoviniste greke të Thimjo Lolit dhe Jani Putecit. I afrojnë 300 napolonë flori, por shpirti i tij kristal nuk i honeps pazare të tilla, prandaj përgjigjet: ” S’është Saliu për zorrë, por Thimjon të ma tregojnë….”

Del në duel me ta dhe u tregon vendin. Asnjë grosh në xhepat e tij….

Gazetat e kohës nënvizojnë : “Këto lajme kanë për të gëzuar çdo zemër shqiptari dhe kështu ky trim është shpresë për të qëruar shumë kësoj çetash të grekëve”. (Gazeta “Drita” e Manastirit)

Asfiksimi i qeverisë së Vlorës e trondit…

Sali Vranishti nuk kupton vetëm një gjë: Pse edhe në këtë ditë shqiptarët nuk e kanë seriozisht. Jo që nuk e kupton, por nuk do ta besojë. Ali Asllani, do të kujtojë vite më vonë, një dialog të Ismail Qemalit me të, kur Plaku i Pavarësisë ka filluar të mendojë tërheqjen: “Si do t’ia bëjmë kapedan tashti?!-i thotë Ismail Qemali.

“Ti bëhesh “peshk” dhe hidhesh matanë, unë bëhem “derr” dhe marr malet, por halli i këtij populli qysh do t’i vejë?!”- i përgjigjet Sali Vranishti… Në mëshirë të fatit, dihej……

Nuk i lëshon armët nga dora. Së bashku me Çerçiz Topullin, Nase Benin, Stefan Thomagjinin etj., burra kordhëtarë  tregon akte të larta heroizmi kundër histerizmit të ithtarëve të Megali Idhesë në mbrojtje të tokave amtare.

Si një nga iniciatorët e shoqërisë patriotike “Opinga”, ku në statutin e saj shkruhet: “Fatet e vatanit mund t’i zgjidhte vetëm gryka e pushkës”, Sali Murati mendon seriozisht dhe vepron energjikisht për realizimin e kësaj devize. Dhe koha vërtetoi se ai nuk bënte shaka kur betohej. Në vitin 1919, me porosi të tij, tre bashkëluftëtarë tërheqin në Korfuz 45 armë dhe një sasi fishekësh. Jo më kot ai përgatitet…

Në Janar 1920 Kongresi i Lushnjës shtroi  çështjen e ushtrimit të sovranitetit në të gjithë territorin e vendit. Kryeministri Sulejman Delvina niset menjëherë drejt Labërisë. Në takimin me një grusht  burrash  në Lepenicë, s’kishte se si të mos ishte prezent Sali Murati…

Në Luftën e Vlorës, epopenë më të madhe të Jugut, do të drejtojë  çetat e  zonës së Rrëzës. Në pllajat e Beunit, ku ndërtohet Ultimatumi, kundër perandorisë, kapedani do të takohet me ata që do mbesin në histori pas kësaj: Osman Haxhiun, Ahmet Lepenicën, Halim Xhelon, Murat Myftarin, Hazbi Canon, Rrapo Çelon, Isuf Rystemin etj…

Si një komandant i sprovuar, triumfoi në Drashovicë. Këtu, ku vendoset provizorisht udhëheqja e Luftës,  i tregon se sa i peshon lëkura edhe ndonjë “kokoshi”, të cilit nuk nguron t’i thotë “të shkul bishtin e të bëjë pulë”, ashtu siç kërkon me insistim të mos vonohet sulmi mbi Vlorën….

Beteja për marrjen e Kaninës, pikës më strategjike, i shkakton Sali Muratit plagë të rënda në trup. Nga spitali i Kotës, në tre letrat që iu nisen shokëve në front, Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare dhe kryetarëve të fshatrave pjesëmarrëse në luftë, nga 105 të plagosurit, emri i Sali Murat Vranishtit jo rastësisht figuron i pari. ( Gazeta “Drita”, Gjirokastër)

Në kulmin e entuziazmit të fitores, një tjetër kërcënim serioz po i kanosej Shqipërisë nga shovinistët serbë në Veri të vendit..Qeveria i bën apel ndërgjegjes kombëtare. Pavarësisht nga plagët e pashëruara, Sali Murati sërish ushtar i Atdheut. Drejton luftime në Macukull e Shkallë Deshe deri sa sigurohen kufijtë shtetërorë… Përsëri në krah të fitimtarëve, Elez Isufit me shokë….

  Lufta e Vlorës do e vendosi në panteonin popullor atë bashkë me luftëtarët vlonjatë. Por Vlora ashtu si e gjithë Shqipëria vuan shumë. Ka fituar një luftë që e ka bërë të njohur në gjithë Evropën, por jeta ekonomike është katastrofale. Taksat shtetërore që prekin fshatarin e Labërisë janë të pamata, ndaj ata nuk njohin fare të dhjetat e të tjera. Dhe Sali Vranishti është sërish njeriu që ideon kundërshtimin. Fejzi Alizoti do t’i shkruajë me 14.X.1920 Luigj Gurakuqit:”…Në vise të Toskërisë nga Sali Vranishti dhe të tjerë është formuar Komiteti ‘Dora e Zezë’. Ky filloi të ndalojë bujqit të mos japin të drejta të zotërve e të mos njohin zotërimin e tyre…” Kjo nisi me pronat e Syrja bej Vlorës, atij që bashkë me Eqerem beun do t’i ketë armiq tërë jetën dhe do t’i mbeten të tillë edhe pas saj… Shpejt do të jetë  pjesë e “Bashkimit” dhe për atë që ka dhënë e jep, Sali Vranishti  arrin deri në listat zgjedhore parlamentare të vitit 1923. Por, ka hendek nga vagabondët e historisë, që e shmangin. Përjeton keq vrasjen e Avni Rustemit edhe pse në këtë kohë duket se ka ndjerë pak kujdes, pasi zyrtarët janë kujtuar ta emërojnë deri në kapiten xhandarmërie…Të gjitha s’i mjaftojnë. Nuk ka drejtësi dhe kjo s’përbën pak me kodin e tij moral. E tregon sërish veten, teksa do të qëndrojë në përbërje të forcave të sigurisë për të mbrojtur qeverinë Noljane. I vetmi shpërblim është se bashkë me Bajram Currin dhe Hysni Currin, Sali Vranishtit i akordohet me propozimin e liberalëve një pension…Por nuk e largojnë dot nga lufta kundër të keqes, ashtu si edhe Bajram Currin. Ai lufton trimërisht  deri në Shkallë të Tujanit kundër vrangelistëve… Ardhja e Zogut e bën të kthehet  drejt Vlorës me det nga Durrësi kur Revolucioni i Qershorit humbet.  Do të endet sërish në terrenet e vështira, duke mos e marrë dot atë që ka dhënë  për këtë vend. Krahas pasojave që kanë lënë tre plagosjet, një sëmundje i vigjilon në trup në pritje të dorëzimit të tij. Nuk ka më kohë në tokë. Lufta tani është e pabarabartë se është me vetë Zotin. Humbet. Shuhet më 24 janar të vitit 1926…

Nuk i kishte bërë akoma 46 vite….

Por, ky burrë me sqimë s’e pati aspak jetën të lehtë. Gojët e këqija  s’pushuan t’ia presin hovin në luftë. Përpiqen t’ia dërrmojnë krejt reputacionin. E anatemojnë si njeri me moral të dobët. Këto akuza shpifëse, nuk ja cenuan dinjitetin Sali Muratit, sepse e vërteta fliste ndryshe. Po të ishte  “kusar i tmerrshëm”  ai, ku i çoi “florinjtë e grabitur”, pasi jo vetëm  nuk pronësoi një shtëpi në qytetin e Vlorës apo të zaptonte kapitale të paluajtshme, por edhe në fshatin e lindjes zotëronte  vetëm  6m2   banesë dhe një dynym tokë!! Nga mjerimi i vdesin dy djem, njëri 9 dhe tjetri 13 vjeç, kurse vet s’ka as do pak pare për të siguruar ilaçet  që të kurohej. Por  edhe këto fakte s’mjaftonin.

Figura e tij do të sjellë shumë andralla edhe pas vdekjes. Më 1937 regjimi i Zogut, në 25 vjetorin e Pavarësisë, nuk miraton propozimin e komisionit të atëhershëm të festës, i cili vendosi që shkolla e fshatit të merrte emrin e tij.  Këtë vendimmarrje qeveritare e ushqeu me akuza qesharake edhe Gazeta “Jeta e re” që dilte në Vlorë dhe drejtohej nga Seit Qemali, të dënuarit me vdekje në mungesë gjatë Luftës së Vlorës, si një nga bashkëpunëtorët e ngushtë të okupatorëve italianë!!!

 Dekada më vonë, ata që i verbon lavdia e kësaj kategorie burrash, përpiqen t’ia ulin përsëri vlerat, kur në stendën përkatëse të Muzeut Historik Kombëtar,  bashkë me legjendat e Vlorës: Selam Musain, Kanan Mazen, Zigur Lelon dhe Sado Koshenën, u heqin  diçiturat si Heronj të Popullit…Përgjigja më e mirë mbetet nga dora e Kadaresë në përkujtim të këtij heroizmi: “…Edhe sikur të zhdukeshin të gjithë dokumentet për Luftën e Vlorës më 1920, gjithë teatri i luftimeve mund të rindërtohej vetëm me anën e vjershave popullore kushtuar asaj…”. Dhe Sali Murati, pati atë fat si rrallë kush, që populli i këndoi për së gjalli…..

 Regjimi komunist vë pikat mbi “i”. Eshtrat e Sali Murat Vranishtit sistemohen në Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut në qytetin e Vlorës, kurse  më 1970, Presidiumi i Kuvendit Popullor vendos që ai të shpallet “Hero i Popullit”.  Zë vendin e duhur në historinë e popullit shqiptar…Një monument prej bronzi i ngrihet në fshat.

Paradoksi është se edhe këtë, në vitin e parë të proceseve demokratike,  duar të pista do të tentonin ta hidhnin në erë, por pa mundur t’i marrin emrin, që i dha krenari në të gjallë dhe pas vdekjes Vranishtit dhe të gjithë Labërisë. Por, frikacakët kudo s’duken. Dhe, në këtë rast  fshihen nga frika. I biri, Mamani, një luftëtar antifashist i shquar, që u nda nga jeta para pak kohësh me copa predhash në trup, do t’u bëjë një thirrje dinjiteti bashkëfshatarëve, që duket se kanë harruar motivin e tyre të dinjitetit: Unë nuk gjej dot asnjë shkak e arsye për të vënë dorë, siç u vu, mbi bustin e Sali Muratit, përveç faktit se në Vranisht, për fat të keq ka njerëz që për interesa partiake kanë degjeneruar aq shumë, sa të shkelin mbi nderin e tyre, bile edhe mbi gjakun e baballarëve dhe nënave të tyre që sot janë dëshmorë të atdheut dhe të hedhin baltë mbi nderin e historinë e gjithë Vranishtit.

Sërish bashkëfshatarët ia rindërtojnë, për të bashkëjetuar  me ta kujtimi i një Heroi të lavdishëm Populli, ashtu siç kanë mbetur bashkudhëtare vargjet e këngës:

 ” Kapedan Sali Vranishti, / sa rroi, i punoi gishti”.