Nesër do të lexoni? Libri “Fshati i vrarë”, një vepër me vlera historike i autorëve, Qemajl Krasniqi dhe Agron Limani

957
Temat e preferuara për mua janë ato tema që mund t’ju shërbejnë njerëzve për të jetuar më njerëzishëm dhe më virtytshëm.
Doli në shtyp libri “Fshati i vrarë” me bashkautorë Qemajl Krasniqi dhe Agron Limani. Libri u përurua me 11 dhjetor 2017 në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani”, në Prishtinë. Libri me vlera historike sjell dëshmi dhe dokumente për masakrën serbe në Krushë të Vogël të komunës së Prizrenit. Libri është botuar nga shtëpia botuese “Art Muza” dhe është shtypur në shtypshkronjën “Xprint” në Prishtinë. “Libri im më i ri është monografia “Fshati i vrarë”, që është një përmbledhje faktesh dhe dëshmish të krimeve serbe në një fshat të vogël të komunës së Prizrenit, në Krushë të Vogël. Libri është përuruar më 11 dhjetor të këtij viti, që përkon me Ditën Botërore të të Drejtave të Njeriut (10 dhjetor). Është një përmbledhje dëshmish e faktesh që i mblodhëm me shumë durim së bashku me mikun tim Agron Limani, i cili është banor i këtij fshati dhe disa nga ngjarjet i ka përjetuar edhe vetë,” tha Qemajl Krasniqi. Qemajl Krasniqi është fitues i konkursit letrar “Flaka e Janarit” në Rahovec. Aktualisht po punon në një roman të ri, bazuar në ngjarje të vërtetë dhe në një monografi për dëshmorin e kombit Nesimi Elshani. 
Bisedoi: Ermira Babamusta, Nju Jork 
Për çfarë bën fjalë libri?
Në libër janë përfshirë pesëdhjetë e një dëshmi të personave që kanë përjetuar tmerre të papërshkrueshme më 25 dhe 26 mars 1999 nga forcat e kombinuara serbe. Këta njerëz rrëfejnë përjetimet e tyre dhe të familjarëve të tyre, pasi që serbët i ndanë burrat nga gratë, duke i detyruar femrat dhe fëmijët që të largohen nga shtëpitë e tyre drejt Shqipërisë, ndërsa meshkujt nga 12 vjeç e sipër i mbajtën peng. Nënat, gratë, motrat dhe fëmijët e këtyre burrave pritën më kot për ditë e muaj me radhë që të mësojnë diçka për fatin e më të dashurve të tyre, por pritjet e tyre qenë të kota. Aktualisht rezultojnë të ekzekutuar në një shtëpi të vogël përdhese 112 meshkuj, gjashtëdhjetë e tetë prej të cilëve ende rezultojnë të zhdukur. Rrëfimet janë autentike të gjashtë personave të mbijetuar nga kjo masakër dhe të grave e fëmijëve që e panë me sytë e tyre këtë tmerr. 
Çfarë mesazhi keni dashur të përcillni përmes tij?
Mesazhi i humanizmit dhe luftës për mbijetesë e përshkojnë tërë librin. Jemi përpjekur që të tërheqim vëmendjen e opinionit publik, vendor e ndërkombëtar, për të drejtën e që familjarët e Krushës së Vogël kanë për të ditur për fatin e njerëzve të tyre të vrarë e të zhdukur. Fatkeqësia qëndron në faktin se organet e hetuesisë janë marrë shumë pak me këtë ngjarje tragjike, edhe pse gjashtë njerëz kanë arritur të dalin të gjallë nga shtëpia që i qenë vënë flakët nga serbët lokal të këtij fshati. Duket se përpjekjet e faktorit ndërkombëtar ishin fokusuar më shumë në pajtimin ndërmjet palëve ndërluftuese dhe rikthimin e serbëve që kishin ikur nga aty pas këtij krimi të tmerrshëm mbi bashkëfshatarët e tyre. Konsideruam se kjo është jo humane dhe e padrejtë në raport me fatkeqësinë e krushjanëve, të cilët edhe sot e kësaj dite vazhdojnë të vajtojnë fatin e më të dashurve. Libri është një përpjekje për të tërhequr vëmendjen e organeve të drejtësisë dhe një kontribut për historinë dhe të vërtetën e luftës në Kosovë….



 Për më shumë lexoni nesër në gazetën Telegraf
Sigal