Nder figurës dhe veprës së Gjok Becit

532
Sigal

Këtë  aktivitet e nderuan figura të njohura të  artit dhe politikës shqiptare                                                                          

Muzeu Historik Kombëtar në bashkëpunim me Shoqatën Kulturore Poetike “Gjok Beci”, në  kuadër të 75-vjetorit të lindjes të të ndjerit, poetit dhe mjeshtrit të madh Gjok Beci, organizuan dje, më datë 30 Korrik 2014, ora 11.00 në Muzeun Historik Kombëtar promovimin e veprës së tij të fundit “Plis në Luvër”, vepër e cila e pa dritën e botimit, por që autori nuk mundi për së gjalli ta promovonte atë. Këtë  aktivitet e nderuan figura të njohura të  artit dhe politikës shqiptare si deputeti i Kuvendit të Shqipërisë  z.Luan Rama, Kryetari i Dhomës së tregtisë z.Nikolin Jaka, poeti z.Agim Doçi, artisti i mirënjohur z.Federik Ndoci dhe Kryetari i Unionit të Gazetarëve z.Aleksandër Çipa. Këto emra dhe miq e dashamirës të tjerë të poetit Gjok Beci nderuan figurën e poetit duke sjellë pasazhe nga krijimet e tij dhe kujtimet që kishin nga njohja me të.

Gjok Beci gjatë jetës së tij është shquar si poet i përmasave jo vetëm krahinore, por mbarëkombëtare. Ai është një studiues i vlerave kulturore, memoristike, etnografike e më gjerë. Për këto vlera, e të tjera të panumërta, organizohet ky aktivitet që nderon figurën dhe veprën e tij. Në këtë aktivitet mbajti fjalën e tij edhe nëndrejtori i Muzeut Historik Kombëtar z.Dorian Koçi, i cili u shpreh si më poshtë:

“Memoria historike dhe memoria kulturore janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën. E para përkujton ngjarjet më të rëndësishme të kombit, ndërsa e dyta momentet më të rëndësishme shpirtërore të të tij. Çdo komb ka nevojë përgjatë historisë e rrugëtimit të vet formues të këtë dy lloj nacionalizmash, atë etnik që vjen përmes përkujtimit të historisë së tij të largët dhe atë kulturor që vjen përmes promovimit të vlerave të veta kulturore. Motivet folklorike gjithmonë ndjellin dhe shpirtin poetik të së shkuarës për të krijuar atë që Herderi e quan dhe Volksgeist-“shpirt i kombit” që u fal njerëzve impulsin krijues përsa i përket përforcimit të nacionalizmit të tyre kulturor dhe që sociologët e sotëm që studiojnë në detaje shoqërinë u interesojnë shumë problemet me identitetin e popullsive mundohen të gjejnë dhe ata kumte në të shkuarën dhe në kulturën e kësaj popullsie. Pa dyshim që vepra poetike e Gjok Becit zë një vend të veçantë në këtë aspekt si një monument i gjallë i traditës dhe përcjelljes së saj në ambientin modern shqiptar, jo si një traditë folklorike, por si një gurrë ku mund të gjurmohen dhe rijetëzohen momente të rëndësishme të shpirtit shqiptar ndër shekuj. Treva e Mirditës, vendlindja e autorit është trualli më i lashtë shtetformues shqiptar ku jehona e Principatës së Arbërit saktëson dhe ngjiz dhe vargjet dhe shpirtin poetik të Gjok    Becit që ne lexuesve të tij na përcjell përveçse ndjeshmërinë e këtij tisi arbëror edhe ngjashmërinë proverbiale me sivëllain e vet polifonik të jugut, Lefter Çipën duke na dhënë një panoramë të plotë kombëtare. Duket gati-gati sikur edhe vet shqiponja me dy kokë në flamurin tonë ka gjetur pasqyrimin dhe në shpirtin poetik arbëror, në veri e në jug ku Gjok Beci e Lefter Çipa ashtu si dy miq të mirë gjatë jetës së tyre, qëndrojnë përkarshi njëri-tjetrit edhe në këngë e motive. Kjo harmoni kombëtare përveçse është një simbiozë jo rastësore do ta quaja, është dhe një përgjegjësi administrative e kulturore për të gjithë ne njerëzit e Trashëgimisë Kulturore dhe shpirtërore që figura të tilla të ndjejnë përkujdesjen dhe vlerësimin tonë sepse në këtë mënyrë nuk është se po bëjmë një nder të veçantë atyre, por po i mëshojmë më tepër njohjes së vetvetes dhe identitetit tonë kulturor, që mbetet një nga sfidat më të mëdha në epokën e sotme të Globalizmit. Le të përfshihemi të gjithë në këtë njohje të këtij universi shpirtëror poetik  pasi kështu lëmë gjurmë të mira në kohë dhe do të kemi se çfarë t’u themi brezave të ardhshëm”.