Marash Mirashi: “Kur jetën e sjell në ekran, ashtu siç është, shikuesi nuk e harron”

1454
Sigal

Flet gazetari i njohur:  “Hapësira e Blertë është jeta ime”

 

Ishim bashkëstudentë me Marashin dhe më shumë takoheshim në redaksinë e gazetës studentore, se sa në klasë. Marashi ishte një shpirt i trazuar, që, atë ndjenjë poetike, që gëlonte përbrenda tij, donte ta përjetonte me idealizmin e dëshirat rinore, ku gëzimi i jetës së tij ishin vargjet poetike, që na i lexonte me pasion,  ndaj nuk merakosej aspak për provimin e nesërm, që e konceptonte një detyrim material. Edhe sot,  Marashi ka mbetur  me po me atë shpirt të trazuar poetik e idealizmin e Marashit, shikuesi i“ Hapësira e Blertë” e kupton të rrjedhë te reportazhet jetësore, duke u bërë shikuesi i emisionit,  udhëtar të ngjarjeve jetësore. Sepse, siç pohon Mirashi, reportazhi është si ajo poezi, që të vjen në shpirt, të ngacmon, të shqetëson, e unë mundohem të gjej formën, trajtën, që ta qas, ta afroj te shikuesit, si një ngjarje të jetës së tij, ku secili të jetë pjesë, të udhëtojmë bashkërisht në reportazh dhe në fund, të ndjejmë atë të renë që mësuam. Siç na bën edhe poezia, ndjenjën e së bukurës  të poezisë ta ndjejmë edhe në shpirtin tonë. Si pak të tjerë, Marashi  është protagonisti i ditëve tona, duke na udhëtuar me emisionet e tij në atë Shqipëri, që ende nuk e njohim

 

-Sa ka ndryshuar Marashi i sotëm, nga Marashi student që kam njohur unë, kur gëzohej si fëmijë për vargjet poetike që kish thurur?

Ne atëherë ishim të rinj dhe shpesh jetonim në një botë ëndrrash. Në botën ëndërrore njeriu nuk ka halle, nuk ka probleme, nuk ka shqetësime, sepse në këtë lloj bote gjithçka ndërtohet në mënyrë iluzive. Në një botë ëndrrash, banorët quhen ëndërrimtarë. Ëndërrimtarët janë pararendësit e  realizmit gjithsesi. Sa më e shkurtër të jetë  koha e ëndërrimeve, aq më  e gjatë është koha që ke për të ecur mes realiteteve. Ndryshimi  me atë  periudhë është  se sot jemi “banorë” të një planeti real. Pra, kemi “zbuluar” tokën dhe do vazhdojmë ta zbulojmë përditë, derisa toka  të na mbulojë. Në këtë kontekst, nuk është se kemi ndryshuar shumë.

Me emisionin tuaj televiziv keni krijuar një këndvështrim tjetër, ndryshe nga tendenca e televizioneve në vend…  Si ka lindur ideja e emisionit “Hapësirë e Blertë” dhe kur  janë transmetuar emisionet e para?

– Për një kohë të gjatë kam jetuar me ëndrrën  që në Shqipëri të kishte një emision televiziv të përjavshëm për fshatin, natyrën, njerëzit e thjeshtë, faunën, florën, mjedisin. Imagjinoja një emision, në qendër të të cilit , gazetari vepron thjesht, njëlloj si  personazhet e tij, ngjitet malit,eksploron stanet me bagëti, zbret në një  luginë dhe flet për vreshtat, plantacionet e gështenjave, hipën mbi mushkë dhe ngjitet atje, ku njerëz të thjeshtë prodhojnë bulmetrat që ne i hamë çdo ditë… Kjo lloj gazetarie që e prek realitetin me dorë, thuajse ishte inekzistente. Ka qenë një ëndërr e imja e hershme, që të udhëtoja pafund  nëpër  Shqipëri, për ta eksploruar atë në çdo skaj të saj. Në dimrin e vitit 1997,  unë i propozova Drejtorit të Përgjithshëm të asaj kohe, Edi Mazit,  që të realizoja emisionin “Hapësirë e blertë”.  Mbaj mend që më ka mbështetur pa hezituar aspak. Kështu që në shkurtin e vitit 1998, unë  transmetova emisionin e parë “Hapësirë e Blertë”. Ishte historia e një burri, i cili po mbillte pemë në kopshtin e tij, ndërkohë që njerëzit e tjerë po “mbillnin” qiellin me plumba. Ka qenë një emision tronditës dhe shpresëdhënës njëherësh. Që pas realizimit të katër- pesë emisioneve të para, makina e emisionit tonë , një “Benz” fuoristradë ngjyrë bezhë, u bë  e njohur kudo, rrugëve me gropa të Shqipërisë.

– Cilin veçoni si momentin më të bukur gjatë xhirimeve të emisionit?

– Po bëhen rreth 500 emisione në mbarë Shqipërinë dhe momentet e bukura, janë të shumta, por unë do të veçoj  2 nga ata: Po xhiroja para 10 vjetëve diku në një  fshat  të Shqipërisë,  kur një zë fëmije që më thërriste në emër,  më bëri që të kthej kokën pas. Ishte një fëmijë rreth 12  apo 13- vjeçar, i cili fliste me mua, por  shikimin e mbante paksa të mënjanuar. Ti je gazetari i “Hapësirës së  Blertë”  – me tha, nuk të kam parë kurrë, por të njoha nga zëri që ta kam dëgjuar në televizor. U trondita. Ishte një fëmijë i verbër! Njëherë tjetër ndesha në një njeri që kishte bërë një investim të bukur  për rritjen e peshkut  në  një fshat të Matit, pranë  lumit me të njëjtin emër. Ishte rreth të shtatëdhjetave. Fliste qartë. Kur u bëra gati t’i them: “Të lumshin duart për  punën që  paske bërë…” – vura re se i mungonte pikërisht njëra nga duart. Më erdhi të klith për të gjithë dembelët me dy duar… Janë skena prekëse, por të bukura, të  cilat  i kam transmetuar në emision, ashtu si i kam përjetuar. Këto detaje  publiku është i destinuar të mos i harrojë!

A ka diçka që ju ka mbetur peng, që nuk keni mundur ta realizoni dot?

– Dy apo tre emisione  “ Hapësirë e Blertë” në  Çamëri,  janë pengu dhe obligimi  që kam patur prej kohësh e që nuk  e kam realizuar ende. Dua të shkoj të filmoj e të flas për ullinjtë e Çamërisë, për peizazhet  gati – gati biblike të atjeshme, për aromën e luleve dhe shijen e mjaltit, për mallin njerëzor, brengat, kostumet dhe baladat çame.  Jam i etur të sjell në ekranet e shqiptarëve, banorë të moshuar çamë që pas shumë  e shumë dekadash, arrijnë të prekin sërish me dorë, ullinjtë e fëmijërisë në Çamëri!  Kemi transmetuar emisione  “Hapësirë e Blertë” në Kosovë, ndërkohë që, së shpejti do t’i realizojmë programet tona në të gjithë  hapësirën mbarë shqiptare.

Jeni  një nga gazetarët që e njihni  shumë mirë Shqipërinë, si është ndërtuar në  zonat rurale në bregdet apo në Alpe?

Zona Rurale e Shqipërisë është shëmtuar nga ndërtimet. Në të gjitha zonat është i njëjti tip ndërtese, beton dhe tarraca përsipër. Janë zaptuar horizontet.  Bregdeti është varrosur nën beton. Në disa zona malore  kanë nisur të  ngrihen ndërtesat e para prej betoni. Sindromi i betonit sundon gjithandej. Edhe varret po i bëjmë prej betoni. Kam përshtypjen që brezat e ardhshëm , kur ne të mos jemi më, do ta rindërtojnë  Shqipërinë nga themelet.  Kjo ka për të ndodhur shumë shpejt. Pas 200 vjetësh Shqipëria besoj  do të jetë rindërtuar! Koncepte të reja evolucioniste do të zgjohen në mendjet e pasardhësve tanë. Shqipëria siç e ka falë zoti, do të bëhet e bukur. Jam i shqetësuar që ne u sollëm keq me Shqipërinë. Për qytetet mos më pyesni  ju lutem! Ngrini kokën lart dhe shikoni miliona metra linear kabllo të ngatërruara që kërkojnë miliona euro për t’i rehabilituar, për  t’i futur nën tokë. Nuk e di sa do të zgjasë kjo situatë qesharake dhe mjerane. Shqipëria ka tani fatkeqësisht edhe ndotjen vizuale.

– Çfarë janë për ju heronjtë?

– Personazhe përrallash për të rritur, por meqë  të rriturit  nuk dëgjojnë përralla, heronjtë po i lë në vendin e vet. Unë mendoj se  modestia është  një akt heroik. Është më mirë të  duash dhe të punosh për Shqipërinë sesa të bërtasësh mes njerëzve: Rroftë Shqipëria! I pari është një akt heroik ndërsa i dyti është një akt komik.

– Çfarë vlerësoni më shumë te njerëzit?

Tek njerëzit vlerësoj më shumë mirënjohjen. Njerëzit mirënjohës i sjellin jetës  kënaqësi. Mirënjohja është një shenjë e sigurt nëse një shoqëri ka filluar të përparojë ose jo.

– Pasionet dhe dëshira juaj?

– Eksplorimi  i vendeve  të panjohura, peshkimi, bisedat me miqtë pranë oxhakut deri vonë, librat historike, poezia…

– Ju faleminderit!