ORA JONË E PRISHUR…

675
Sigal

“Një shoqërie që shprishet, i shprishet dhe gjuha”…

                                                                               –        Gore VIDAL –     

 

 1.

Thonë se  dëshmia më e rëndë që një shoqëri është në shprishje, në mos ende nuk është shprishur në mënyrë të pakthyeshme, është lehtësia me të cilën meshkujt e asaj shoqërie vrasin gratë dhe vajzat e tyre. Dhe më duket se të urtët e kësaj bote nuk e kanë të pabazuar një përfundim të tillë, të paktën për shoqërinë tonë të sotme.

  Është një përfundim tejet trishtues, por kujt do t’i shkonte mendja pas vrasjes së Maries së vogël, atje tek ndihmonte gjyshin e saj duke punuar arën për të pakur disi varfërinë, do të vritej një vajzë tjetër po aq e vogël e po aq e bukur e po aq e pafajshme mu në ato treva? Dhe e vrau babai i saj, sepse nuk dëgjonte të shkonte me bagëti(!)

 Si të mos bërtasë i ziu njeri i këtij trualli thuajse të nëmur: O Zot , mos na i trego të gjitha!…Se vetëm para pak ditësh, në mes të Tiranës, të dendur me police e me pushtetarë të të gjitha tarikateve, dy meshkuj njëzetvjeçarë vranë me thikë një grua  të re, vetëm për t’i marrë me dhunë një varëse floriri!

 A mund të mos mendojë njeriu tani,  se shoqëria jonë është në shprishje? A mund t’i shpëtojë dot njeriu mendimit të frikshëm se kjo shoqëria jonë është e sëmurë rëndë dhe, nëse duam të mos shprishet deri në përmasa të pakthyeshme, duhet të bërtasim të gjithë me sa mundemi e ashtu si mundemi për të parë të vërtetën në sy  e për t’i thënë këtij lloj pushteti të papërgjegjshëm:Mjaft u talle me këtë popull të duruar! Kemi dalë me mundim, si ne e askush tjetër në këtë kontinentin tonë të lashtë,  nga një diktaturë që shkelte brutalisht  e me baza ideologjike liritë dhe të drejtat themelore të njeriut dhe kemi mbi njëzet vjet rraskapitës që po tallemi e nëpërkëmbemi duke dëgjuar parulla mbi garantimin e atyre lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, por ku jemi sot pas dy dekadave tranzicion të zvarritur e të gënjeshtërt?

 Jemi në një katrahurë të programuar për të lënë të qetë pushtetin të pasurohet me të gjitha shkeljet e mundshme ligjore! Jemi në një anarki të rëndë, që duket si e  porositur vetëm për ta shpurë ketë vend e këtë popull sa më pas në kohë e në histori…Jemi në një gjendje ku babai vret vajzën sepse nuk shkon me dhi, ku burrat vrasin një vajzë të parritur, vetëm për t’u numëruar si “burra pushke e burra kanuni”- paçka se ai Kanun i Mesjetës  së egër duhej ndaluar rreptësishtë me ligjet e kohës ku jetojmë.

Jemi në një gjendje të mjerë, ku pushteti ligjëron Kanunin e Mesjetës dhe bën sehir sesi vriten vajzat e gratë, një lloj sehiri i paturpshëm e kriminal, që ndoshta i hyn dhe ai në punë për t’i lënë njerëzit të hanë njëri-tjetrin e të harrojnë pushtetin të majmet me pronën kombëtare e me pronat e pronarëve të shpronësuar nga diktatura. Jemi në një gjendje të zezë, ku duket se ora jonë ka mbetur shumë prapa. Jemi në një gjendje vrastare , ku ora jonë është prishur!

2 .                                          

 Edhe kur gratë e vajzat tona nuk sulmohen me thika për t’u rrëmbyer varëset nga qafa, sulmohen keq nga një gjuhë e shprishur, që rioshët e papunë  me një pjekuri mendore foshnjarake, duket që e kanë mësuar  përmendësh nga pushtetarët tanë gojëprishur kur, për faqen e tyre të zezë, përjragin aq keq foltoren e Kuvendit të Rruzhdies…

  E kanë mësuar atë gjuhë të shprishur jo vetëm të papunët aguridhë, që enden rrugëve e bëjnë plane se si do ta grabitin një argjendari apo se si do maskohen  për të rrëmbyer varëset  dhe çantat e grave, por e kanë mësuar  dhe e kanë certifikuar atë gjuhë të shprishur edhe ndoca zëdhënëse bukurane të selive partiake. Trishtohet vetiu i shkreti njeri, kur sheh e dëgjon dhe vajza të hijshme, që shëmtohen me aq dëshirë, vetëm për të marrë një “Master” në gjuhën e shprishur të urrejtjes! Kush është ai njeri normal, që nuk trishtohet kur i sheh e dëgjon ato çupërlina të keqpërdorura aq mizorisht nga politika jonë e pistë? Kush mund të mbetet pa u ngjethur , kur sheh e dëgjon dhe ato vajza të hijshme , që kanë aq zell për ta mbushur gojën me të shara dhe pas çdo të share pushtetare, të ngrenë kokën lart, si pulat kur pinë ujë?…

 Ca më keq të kap trishtimi, kur atë lloj truku të pakripë e të palyrë , që keqpërdor vajzat bukurane për të tërhequr dëgjues të deklaratave politike, sikur kanë dëshirë ta përdorin dhe partitë e reja  të politikës sonë aq të sëmurë. Për të mos u kthyer nga të majmit e pushtetit, se ata të bëjnë të thyesh televizorin!…

 E dëgjuat deklaratën e ministrit të Brendshëm fringo, pasi ngushëlloi familjen e gruas së gjorë, që i morën jetën në mes vetëm për t’i grabitur një varesë të artë?…Bëri mire që shkoi ministri i Brendshëm fringo  për të ngushëlluar familjen e gruas së vrarë nga krimi i rrugës, por do të kishte bërë më mirë njëmijë here, sikur të ngarkonte më parandalimin e krimit policët profesionistë të përgatitur me taksat e shqiptarëve e te europianëve dhe jo të bëjë mbledhje partie me policët militantë, pasi krimi ka bërë kërdinë. Dhe thela mbi bisht është kur tregon dhe ai ministër fringo se shprishja e shthurja e shoqërisë na shprish dhe gjuhën. E dëgjuat besoj deklaratën  e ministrit në fjalë se “nuk ka ndarje të krimit në krime të lehta e në krime të rënda”(!) Nuk i paskan thënë këtij fringo-ministri se ky vend ka dhe një Gjykatë të Krimeve të Rënda? Si të mos thotë i ziu njeri që ora jonë  ka mbetur shumë prapa, në mos është prishur fare?…

3.

Më duket se është urgjente të ndreqim orën tonë të prishur!  Në vend që të kërkojnë qiqra në hell, si ajo “Konsullata jonë në Çamëri”(Po Janina, që dikur është quajtur nga shqiptarët e nga mbarë Europa “Kryeqyteti i Shqipërisë”, ku bie?) – autorët e asaj deklarate duhet të kërkojnë që Konsullatat shqiptare në Janinë  e në Selanik të mos jenë  në duar të grekëve…

  Partitë e reja politike duhet të kërkojnë Reformë të mirëfilltë Zgjedhore, Reformë moderne Parlamentare, Reformim urgjent të Kushtetutës, që me Kushtetutën të mos fshijë çizmet pushteti! Të kërkojnë Polici të Shtetit dhe jo jeniçerë të pushtetit, të kërkojnë që Shërbimi Informativ të drejtohet sipas ligjit e jo sipas Maliqit… Nuk mjaftonte që kemi pasur e kemi dhe sot titullarë të Ministrisë së Jashtme , të emëruar në shkelje të plotë të ligjit përkatës, por duhet dhe Shërbimin Informativ ta drejtojë një person me shumë shtetësi e me shumë përvojë në SHIK-un e famshëm, që dikur mori dhe gradat e nevojshme për të komanduar ushtrinë kundër popullit?!…

Partitë e reja politike duhet të kërkojnë që ekonominë kombëtare të mos e drejtojnë më badigardët e pushtetarëve, por specialistët më të mirë të vendit, pavarësisht prirjeve të tyre politike. Se këta lloj drejtuesish-badigardë të ekonomisë kombëtare, nuk dëmtojnë vetëm ekonominë, por dëmtojnë ca me rëndë , në mos  hedhin në erë edhe sigurinë kombëtare!…

 Partitë e reja politike duhet ta tregojnë veten , ashtu siç shpresojmë të gjithë – një frymë e re bashkëkohore në politikën e mykur të tranzicionit shqiptar. Por kjo nuk besoj se mund të arrihet duke na bërë atë gjimnazisten e ndrojtur, që ka frikë të fiken dritat në sallën e mbrëmjes së maturës, se mos e puth ndonjë shok i klasës…

Partitë e reja politike janë të mirëpritura nga të gjithë, nëse marrin përsipër të përfaqësojnë vërtet frymën e re europiane në një Aleancë të Madhe kundër frymës së vjetër, që bie erë myk diktature. Atëherë, po, që mund ta ndreqim dhe ne orën e të ecim me kohën si gjithë bota e qytetëruar.