Lirim Deda: “Mehmet Shehu: Enveri ka ngelur i mrekulluar nga “Gjurmë të Arta””

1178
Sigal

INTERVISTA/ Flet poeti dhe autori i teksteve të këngëve Lirim Deda: “Gjurmë të Arta” dhe “Lulëkuqet”, dy këngët e mia për Vaçe Zelën

 Lirim Deda është një ndër poetët që ka lënë gjurmë në poezinë shqiptare. Krijimet e tij në Festivalet e RTSH-së, diskutohen edhe sot me shumë interes. Por ai mbetet një poet modest, i thjeshtë dhe mjaft i dashur. Dy këngët e tij të kënduara nga Vaçe Zela në Festivalin e 12 dhe 13 ngelen ndër këngët më popullore të Vaçes.

 Sa këngë keni bërë për Vaçe Zelën në  “Gjurmë të Arta” dhe “Lulëkuqet”. Në Festivalin e 11-të unë mora pjesë me një këngë “Për ty Tiranë” të kënduar nga Ema Qazimi me muzikë të Avni Mulës.   Ky festival u kritikua shumë edhe për tekstet. Dihet tashmë çfarë ndodhi pas atij festivali. Shumë këngëtarë u internuan, shumë të tjerëve ju ndalua të këndojnë, shumë të tjerëve ju ndalua të këndojnë përkohësisht, ashtu që dihet u dënuan drejtuesit e RTSH-së. Edhe sot dihet se sa dhe përse flitet për këtë festival zhurmëmadh. Ndaj në Festivalin e 12, më caktuam mua si redaktori i teksteve. Pra duheshin që tekstet të shiheshin mirë, të kalonin në vrimë të gjilpërës. Nuk do të kishte më tekste që dilnin nga korniza ideologjike komuniste. Pra, kërkohej më shumë korrektësi në tekste dhe në muzikë. Unë as e merrja me mend kurë se do të më thërrisnin mua për këtë problem. Si duket teksti i këngës sime u kishte pëlqyer anëtarëve të KQPPSH.

 Kush ju thirri personalisht?

Më thirri Pipi Mitrojorgji. Anëtar i KQPPSH-së, për çështjet ideologjike. Atëherë nuk bëhej shaka me tematikat. Të ikte koka menjëherë. Duhej të ishe shumë i kujdesshëm. Shoku Pipi më orientoi dhe më instruktoi se si do të zgjidheshin dhe do të redaktoheshin këngët në Festivalin e 12 pas asaj disfate të festivalit të mëparshëm. Isha në një gjendje shoku. Nuk ishte e lehtë. Ku dreqin më zgjodhën mua. Më caktuan dhe një zyrë në RTSH, ku do të mblidheshin tekstet e këngëve për në Festival. Pra do të isha redaktor për tekstet. Fillova që në shtator mbledhjen e teksteve. Pas një muaji i paraqita para Pipi Mitrojorgjit dhe disa anëtarëve të KQPPSH.  I kisha redaktuar me sa munda. Mendoja se diçka kisha bërë.

 A të vlerësuan?

Më thanë janë më mirë se një vit më parë, por nuk ka poezi patriotike, për luftën dhe për partinë. Pra, ka më shumë poezi lirike dhe nuk ka poezi me tone patriotike që të ndezin sallën, ta elektrizojnë atë. Duhen patjetër poezi apo tekste të tilla. Pas atij momenti unë shkrova tekstin poetik për Festivalin e 12 “Gjurmë të arta”.  Bisedova me redaktorin e muzikës së festivalit për këtë tekst. Në këtë përzgjedhje ne kishim mbi kokë dhe na jepte këshilla nipi i Hysni Kapos (poet), i cili ishte dhe në juri të festivalit. Këtë këngë ja caktuan Vaçe Zelës. Ishte përgjegjësi e madhe.

 Si u soll Vaçja?

Eh me Vaçen. Kam shumë histori. Një këngëtare e madhe. Ajo, kur pa tekstin dhe dëgjoi muzikën pranoi, por me kusht që do bënte korrigjimet e duhura si në tekst edhe në muzikë. Ne hapëm sytë. Mos e diskuto,- tha Vaçja. Ku flitej me të. Unë shumë herë shkoja në shtëpinë e saj për të biseduar. Ajo i merrte si notat muzikore edhe tekstin dhe bënte ndryshime në fjalë të veçanta. Unë thosha jo, ajo po. Po ashtu bënte dhe me kompozitorin. Fillonte debati në mesditë dhe mbaronte në mesnatë. Na mbushte ndonjë gotë raki dhe tërë kohën qëndronte në këmbë. Vinte vërdallë dhomës bënte korrigjimet. Kjo shkon, kjo nuk shkon me zërin tim. Kjo notë del e ulët, kjo e lartë. Ne kundërshtonim, por ajo na bindte. Nuk e di sa netë të tilla kemi kaluar. Netë që sot i kujtoj me mall se bëheshin për të mirë të punës. Së fundi, ramë në ujdi dhe Vaçja me këngën “Gjurmë të arta”, zuri vend të parë në Festivalin e 12. Kur e këndoi atë këngë në sallë, unë u mahnita. Më dukej si zë magjik, qiellor, i paarrirë. Thosha me vete ka pasur të drejtë për çka na thoshte. Ato vërejtje i kishte me vend. Por në atë kohë kush ja prishte Vaçes? Asnjë.

 Po teksti i dytë?

 E cekëm pak më lart ishte kënga “Lulëkuqja” me muzikë të Pjetër Gacit. Pra në Festivalin e 13 në mos gaboj. Një këngë që nuk fliste vetëm për lulen. Por për femrën shqiptare që luftonte për liri, kjo femër shkëlqente dhe çelte si një lulëkuqe.  Unë, pra, femrën shqiptare e simbolizoja me një lulëkuqe. Kush i dha dritë kësaj lulëkuqeje? Kush e frymëzoi, kush e drejtoi, kush e emancipoi, kush i dha të drejta sa dhe burrit, kush i dha poste drejtuese? Pra, këto ide, këto mendime kishte përbrenda teksti i këngës “Lulëkuqja”. Këtë këngë Vaçja e zgjodhi vetë. Kishte parë të gjitha testet e këngëve dhe tha kjo është për mua.

Po në këtë tekst dhe muzikë a bëri vërejtje?

Bëri, por më pak. E rrëmbeu kënga, pasi fliste për femrën, për gruan shqiptare. I vetmi njeri që mund të bënte këtë ishte Vaçja. Dhe në këtë festival ajo mori Çmimin e Parë.

 Çfarë kujton nga takimet me Vaçen?

Eh, sa kujtime kam. Të panumërta. Ajo e kishte shtëpinë tek 9-katshet. Në shtëpinë e saj na ftonte sa e sa herë. Ajo e dinte që unë s’rrija pa raki dhe cigare dhe nuk kursente. Na priste si zonjë. Bënim shumë debat, por në fund binim në një mendje. Kur iknim shtëpia mbushej me tym duhani dhe erë rakie. Ishte gojëmjaltë, ishte shumë komunikuese.

 Këto ishin dy këngët që ke realizuar me Vaçen?

Këto të dyja ishin për festivalet, pas një viti kam bërë dhe një këngë kori, ku soliste ishte Vaçe Zela. Kjo këngë titullohej “Një milion ushtarë”. Është kënduar në dekadat apo koncertet e majit. Sërishmi ishte me kompozitor Çesk Zadejën. Një këngë kumbuese dhe një këngë mjaft e fuqishme patriotike, ashtu siç i kërkonin udhëheqësit e kohës.

 A të vlerësoi udhëheqja e kohës për këto këngë?

Eh, ka histori të madhe me këto këngë. Pas fitimit të këngës së parë na erdhi në shtëpi për vizitë vetë Mehmet Shehu dhe Fiqiret Shehu. Unë kisha një shtëpi shumë të thjeshtë. Kur erdhi ai mbante atë qëndrim të ftohtë dhe autoritarist. Pasi u ul ai më thotë në ligjëratë të drejtë: “Kam ardhur në emër të Komandantit (Enver Hoxhës) të të falënderoj për këngën “Gjurmë të arta”, të cilën komandanti e pëlqeu shumë. Falënderimet e Komandantit do shkosh t’ja japësh edhe Vaçe Zelës”. Fiqireti kryesisht s’linte fjalë të mira pa thënë dhe pse Mehmeti e shikonte vëngër.

 Po pse nuk shkoi vetë Mehmeti tek Vaçe Zela?

Për këtë s’di të them gjë të veçantë, pro thonë për çështje biografie. Por di këtë, që të nesërmen të gjitha gazetat shkruanin për këtë vizitë. Unë u habita më shumë se kushdo për këtë vizitë. Madje, ai më tha dhe për një këngëtare të re, që kishte shumë sukses ti thosha kujdes. Unë shkova të nesërmen dhe ja dërgova të falat e Enverit dhe të Mehmetit, Vaçe Zelës. Ajo i mirëpriti, por nuk bëri ndonjë gëzim të madh.

 Kaq këngë shkrove për Vaçen?

Po, kaq, tre këngë, të cilat morën çmime, pastaj mua më internuan në Dumre. Ma hoqën të drejtën e krijimtarisë. Më lanë rrugëve të Dumresë pa asnjë vizion për jetën.

 Cili ishte teksti i parë që ke shkruar për këngë?

Ka qenë në vitin 1968, kur isha Sekretar i Rinisë së Korpusit të Shkodrës. Aty kam marrë pjesë në Festivalin e Këngës për Fëmijë me këngën “Zgjimi”. E këndoi mbesa e Fadil Krajës, ku kryetar jurie ishte Preng Jakova.