Komedia britanike “Gruaja e burrit tim” vjen në skenën teatrore plot situata që shkaktojnë të qeshura. Pas suksesit në skenën e teatrit “Skampa” të qytetit të Elbasanit, “Gruaja e burrit tim” një komedi britanike keqkuptimesh vjen në skenën teatrore të Tiranës. Në mbrëmjet e datave 13, 14, 15 dhe 16 mars ora 19.00 komedia “Gruaja e burrit tim” vepër e autorit britanik Rey Cooney me regji nga Kiço Londo do të jetë për publikun në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” te “ArTurbina” në Tiranë.
“Gruaja e burrit tim” nga Ray Cooney një vepër që ka korrur sukses të jashtëzakonshëm në botë vjen në skenë me një kast aktorësh të zgjedhur në role. Në veprën e autorit të njohur britanik në role janë Xhejni Fama, Denisa Demaj, Denada Llanaj, Ersiljano Xhelollari, Aleksandër Kondi, Genci Lleshi dhe Eglein Laknori. Në fillim të shfaqjes “Gruaja e burrit tim”, dy gra, secila pa dijeninë e tjetrës, telefonojnë rajonet përkatëse të policisë lokale për të raportuar zhdukjen e burrit të tyre. Në fakt, ai është shtruar në spital pas një sulmi që pësoi teksa mbronte një zonjë të moshuar nga dy banditë. Në konfuzion, taksisti i ka dhënë pa dashje policisë të dyja adresat ku ai jeton dhe pak më pas një zyrtar i rendit e shoqëron përsëri në shtëpinë ku jeton me gruan e tij Meri, ku shfaqet me një fashë të dukshme në kokë.
Nga ai moment fillon loja e keqkuptimeve dhe seria e gënjeshtrave që taksisti sajon për të mbrojtur sekretin e bigamisë së tij. “Gruaja e burrit tim” është diçka tjetër. Falë aktorëve të mrekullueshëm të zgjedhur me kujdes, shfaqja ruan qeshjet e shkaktuara nga tensionet dhe ndërlikimet e situatave duke i transformuar ato me ironi të lezetshme dhe delikate, falë vëmendjes së jashtëzakonshme ndaj detajeve. Komedia “Gruaja e burrit tim” e sjellë nga regjisori i mirënjohur Kiço Londo në skenën e Tiranës bëhet edhe pjesë e jetës artistike teatrore këtë pranverë, që po vijon me shfaqje të ndryshme.
Komedia “Gruaja e burrit tim” është prodhim i Teatrit Shëtitës “Çajupi” që udhëhiqet nga regjisori Kiço Londo. Komedia që do të jetë tani për katër mbrëmje me radhë në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në Tiranë dhe u shfaq më parë në skenën e Elbasanit ka qenë në skenë edhe për publikun në qytetin e Kavajës, Durrësit, Gjirokastrës, etj. Vepra e autorit britanik Ray Cooney është përkthyer nga Vasilika Londo. Shfaqjet e Teatrit Shëtitës “Çajupi” që vijon aktivitetin nën drejtimin e regjisorit të mirënjohur Kiço Londo vihen në teatrot në Tiranë, pranë teatrit veror të Universitetit të Arteve apo edhe në teatrot e rretheve e në qendra kulturore, si dhe vijnë për publikun në zhanrin e komedisë, dramës dhe pjesëve për fëmijë. Për këto prodhime teatrore që janë vënë në skena të ndryshme në vendit tonë janë angazhuar aktorë të njohur të teatrit, por edhe të rinj në role. Shfaqjet që janë sjellë nga Teatri Shëtitës “Çajupi” janë shfaqur edhe në skena të festivaleve të ndryshme teatrore.


















