Lagjja “Amerikane” dhe historia e saj

603
Historiku
Le të bëjmë një udhëtim të shkurtër, të historikut të qytetit të Sarandës, për të qëndruar më konkretisht tek lagjja e veçantë e saj. Gjurmët e qytetit të Sarandës gjenden qysh në shekullin e IV para Krishtit, në antikitetin e lashtë, kohë kur mori dhe emrin Onhezmi nga era juglindore me emrin “Onhezmites”. Me këtë emër u quajt edhe në shekujt e I dhe të IV pas Krishtit, në kohën bizantine, kohë kur jeta e banorëve të Onhezmit dilte edhe jashtë mureve të Kështjellës së Onhezmit, lidhur kjo edhe me zhvillimin e trevës, edhe me fuqinë e perandorisë bizantine. Po me këtë emër vijon edhe në shekujt e V-VI pas Krishtit, ndërsa në shekullin e IX pas Krishtit ngrihet Manastiri i 40 shenjtërve në kodrën sipër qytetit, ku u shoqërua edhe me një pjesë të vendbanimit të zonës përreth saj dhe brenda Manastirit. Rreth shekullit të XI-XII qyteti zhvendoset përsëri në afërsi të Lëkurësit ku sigurohet një mbrojtje më e madhe nga toka dhe deti. Në këtë kohë, vendbanimi thirret me emrin”Skelë” dhe në afërsi të sajë ngrihet edhe Kështjella e Lëkurësit dhe në shekullin e 19-të, qyteti zbret në vendbanimin e mëparshëm ku ka vetëm një skelë, një doganë dhe pak ndërtime, ndërsa në shekullin e 20-të fillon të thirret Sarandë dhe ndërtimeve u shtohet edhe një garnizon ushtarak. Ndërsa në vitet 1920-1940 Saranda fillon të marrë zhvillim, fillimisht me 800 banorë dhe 10 vite më vonë me 1800 banorë. Në këto vite kemi zhvillime urbanistike, ndërtohet moli, hapet shëtitorja anës detit, ndërtohen edhe shtëpitë e para dhe një seri magazinash. Mbreti Zog I, kur e vizitoi për herë të parë Sarandën, i vuri emrin Zogas, ndërsa Musolini më 1939, i vendosi emrin e bijës së vet, Porto Eda. 
Në vitin 1957
Në vitin 1957, Saranda bëhet qendër administrative, duke ja marrë këtë status Delvinës, në vitet 1960-1980 promovohet si ofertë turistike e Shqipërisë me një rritje të popullsisë 2.5%, pra me 15000 banorë, ku turistët e huaj numëroheshin me gishta në qytetin e rrethuar me tela në zemër të Evropës dhe pas viteve 1990, qyteti njeh një rritje të popullsisë, kryesisht prej ardhjes së banorëve nga zona të ndryshme të Shqipërisë. Midis këtij zhvillimi urban dhe rritjes së popullsisë hodhi shtat edhe lagjja-themel e qytetit e pagëzuar si lagjja “Amerikane. Pra zanafillën e themeleve e ka në vitet 1920-1940. Siç thamë në këto vite Saranda u bë me një mol ku anije dhe mjete lundruese mundësonin edhe shkëmbimin e mallrave dhe aktivitete tregtare, të lehtësuara edhe nga shërbimi doganor i instaluar në qytet dhe kjo lehtësi bëri që shumë tregtarë, kryesisht të produkteve dhe n/produkteve blegtorale, bujqësore dhe artizanale, të vendoseshin me banim në qytet ku do të themelonin lagjen e shumë njohur “Amerikane”. Shumica e këtyre tregtarëve, apo pjesëtarë të familjeve të tyre, falë kushtetutës së Mbretit Zog I që lehtësonte lëvizjen e lirë dhe emigracionin ligjor, emigruan matanë atlantikut, në Amerikë( themi Amerikë se u shpërndanë në gjithë kontinentin latino –amerikan dhe Sh B A)Sipas kujtimeve të disa bashkëkohësve, ku sot i kanë kaluar të 80-at dhe ahere kanë qenë fëmijë, kjo lagje filloi të ngrihej kryesisht nga vendbanimi i fisit Lepuri, mbi kishën e qytetit e deri ku sot është rruga e pestë e më pas duke u shtrirë me një brez banesash deri tek ish agjencia e qytetit. Ndër themeluesit e parë të kësaj lagjeje qenë fiset Lepuri, Lezo, Miho, Papagjika, Kajo, Tulo shumë tregtarë nga Leshnica, Delvina, Gjirokastra e më vonë edhe tregtarë çam të ardhur nga gjenocidet greke. Fillimisht në këtë territor kishte vetëm baraka të dokerëve të molit ardhur kryesisht nga Përmeti, por ardhja dhe ndërtimet e tregtarëve i dhanë formën e qytetit. Tregtarët e ardhur nga Amerika, brenda investimit të tyre, prunë edhe përvojë arkitekturore, oborret me mbjellje të pemëve kryesisht me ulli, agrume dhe rrush aromatik që në gjuhën e popullit quhet rrush “amerikan”, sollën kulturën, se si ta zhvillosh qytetin pa e masakruar. 
Po sot?
Këtë lagje të veçantë e përmendim për faktin, se edhe sot, pavarësisht nga lëvizjet demografike, shpërfilljen e arkitekturës dhe urbanistikës, masakrës betonizuese, çekuilibrimet shoqërore-sociale-kulturore dhe mjaft fenomene me efekte dëmtuese dhe negative, kjo lagje qëndron e pa dëmtuar, ashtu siç është ndërtuar në fillesat e sajë me ndërtesa nj- dy – e tre katëshe me oborre të lulëzuara e gjithfarë drufrutoresh me gjelbërim e lulëzim gjithëvjetor, a thua se u bëjnë serum mushkërive të gjelbra të qytetit, masakruar nga urbanizimi i pa planëzuar.Dhe pikërisht, si për ta ilustruar këtë dëm kolosal e të pariparueshëm për Sarandën turistike, sjellim një fragment me njërin nga banorët e brezit të banesave tek agjencia e qytetit, Spiro Lezo. I cili ka kapërcyer të 80 vitet e jetës: Këtu ku jemi, tek kjo banesë, babai e ndërtoi në vitin 1939, me këtë arkitekturë që shikoni sot. Pas nesh, në murin rrethues, natën ulërinin dhelprat e çakejt. Këtu qe fundi i Sarandës. Vendi qe plotë me shtazë, shpend të egër dhe shkurre si cfaka e sqinde. Ndërsa sot, nga periferi, agjencia, nga popullimi, është qendra e qytetit. Spiro Lezo thotë se ka pasur shumë kërkesa ta shiste shtëpinë dhe disa firma ndërtuese të ndërtonin pallate shumëkatëshe, siç ka ndodhur pak më poshtë banesës së tij. Por ai nuk ka pranuar për të vetmen arsye se e do Sarandën të bukur, por edhe se është shtëpia e ndërtuar nga i ati me shumë mundime dhe thotë se do t’ua lerë amanet edhe fëmijëve që shtëpia të mos shitet. Kjo është lagjja muze e këtij qyteti. Këta janë banorët fisnik të sajë. Kjo lagje u bë themeluese e Sarandës dhe sot i bën karshillëk urbanizimit shkatërrues të qytetit, mbrujtur me dashurinë e banorëve dhe kulturën e tyre për ta parë dhe mbajtur Sarandën të bukur. Ishte koha kur Amerika vinte në Sarandë me fuqinë e dashurisë së sajë, për këtë vend plot mrekullira, që goditet pamëshirshëm nga babëzia dhe marrëzia. Por ajo është lagjja “Amerikane” e ndërtuar me përvojën dhe dollarët amerikanë, nga bollëku i të ardhurave nga djersa e tyre e derdhur në tokën e parajsës së njerëzimit, Amerikës, arsyeja që edhe mori emrin e saj dhe e mbajti, e mban dhe do ta mbajë.  
Agron Mema