Bashkim Koçi: Një publicist si Arshin Xhezo

758
Fatet e njerëzve qëndrojnë të fshehura. Papritur, në mes të një qetësie të madhe, ia bef tmerri dhe pa dhënë asnjë shenjë paralajmëruese, shpërthen gjëma atje ku nuk e pret. Kjo na ngjau edhe ne me mikun, shokun, gazetarin e shquar Arshin Xhezo. Personalisht e kam njohur rreth viteve ’80 të shekullit të kaluar, por si gazetar, si një nga publicistët më të spikatur të asaj periudhe e kam kontaktuar edhe më herët, atëherë kur ai ishte shfaqur në faqet e shtypit të kohës si një talent, si një shembull disi i veçantë e që ne gazetarët e rinj përpiqeshin t’i ngjanin atij, në stilin e të shkruarit dhe guximit për të thënë të vërtetën.
Nga ATSH te revista “Hosteni”
Di që Arshin Xhezo, pasi përfundoi fakultetin e gazetarisë në vitin 1970, u emërua si i tillë në Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH). Qëndroi aty një periudhë fare të shkurtë, ndoshta disa muaj, për ta caktuar më pas në revistën satirike “Hosteni”, organ i vetëm që politika e kishte pajisur me “lejë” për të bërë opozitën. Fakti që ky gazetar i ri kish dhënë sinjalin për publicist-talent, për shkrime kurajoze e me plot kulturë në stilin e të shkruarit, nuk mund të mos binte në sy tek “ustallarët” e gazetarisë, tek ata që, jo në një rast, u duhej t’i kërkonin me qiri “shpërthime” si ky. Arshin Xhezo, më në fund, do të “zinte vend” në gazetën më të madhe e më me autoritet të kohës, “Zëri i Popullit”. Gazetaria për të depërtuar në ndjeshmërinë e lexuesit është stili, është aftësia për të shkruar me atë gjuhë magjike që shkrimi, i çdo zhanri, të përpihet, të lexohet me një frymë. Por edhe të të ngjisë, të të bëjë që shpirti e zemra bashkë të thonë: “I lumtë dora”. Shkrimet e gazetarit Arshin Xhezo ishin dhe mbeten maja e publicistikës shqiptare, të pakrahasueshëm në stil, përmbajtje e guxim qytetar. Brezi kur ai punoi si i tillë, por edhe gjeneratat e mëpastajme, e kishin Arshin Xhezon idhull, shëmbëlltyrën sesi mund të bëheshe gazetar me emër të madh. Bashkëkohësit e tij, por edhe unë shkruesi i këtyre radhëve, mbajmë mend, por edhe të parë me sy, sesi “tjetërsohej” kur niste të shkruante, sesi e kapte serioziteti për të realizuar artikuj që të mbanin lart autoritetin e gazetës. Arshin Xhezo nuk shkruante për të mbushur faqet e gazetës, ai e hidhte të zezën mbi të bardhë për ta bërë lexuesin mik, që t’i përpinte shkrimet e punuara me kompetencë nga dora e tij. Gazetari nuk ka pushim, gazetari është gjithnjë në luftë me kohën, është në udhëtim. Ndoshta nga kjo ngarkesë e nga kjo sakrificë sfilitëse, të cilat e bëjnë gazetarin e vërtetë “haram të shtëpisë”, ka dalë edhe ajo thënia e famshme “…dhe të mjerat gra të gazetarëve!”. Sepse shumë shpesh jeta e gazetarit ngjan me jetën e një bohemi. Ai një pjesë të madhe të kohës e kalon në terren, shpesh larg të dashurve të zemrës, larg familjes. Ai është gjithmonë në lëvizje. Arshin Xhezo ishte një i tillë, një “bohem i gazetarisë”. Ky talent i lindur nuk la vend pa vajtur, në të gjithë Shqipërisë. Nuk la qytet, minierë, hidrocentral, nuk la fushë e mal, nuk la udhë e hekurudhë pa e shkelur me këmbë, “bio”. Nëse do të shfletoni shtypin e kohës, në shkrimet e Xhezos do të gjeni një copëz Shqipërinë. 
Në krye të “Zërit të Popullit”
Sepse ky gazetar pasionant e gjente faktin aty ku ish, tek strehëza ku jetonte e punonte njeriu. Kam parasysh një këshillë të tij kur drejtonte gazetën “Zëri i Popullit”. Nëse do të qëndroni larg rrezikut, do të mbeteni të turpëruar, nuk do t’i lexojë kush shkrimet, të cilët mund të kthehen fare kollaj në zhgarravina pa asnjë vlerë. Ishte fjala për të hedhur në faqet e gazetës tema të mëdha, tema që godisnin e gudulisnin “kompetentët” atje lart, ata që nuk i kishin qejf “shuplakat” që u vinte nga gazeta që drejtonte Xhezo. Nuk e di ku e kish lexuar ky gazetar brilant shprehjen që na e thoshte sa herë që niseshim për të zbërthyer ndonjë fenomen e për ta bërë publik nëpërmjet gazetës, që kishim për objekt ndonjë temë për burokratët servilë: Qeni, për një copë bukë, i tund bishtin të zotit, kurse njeriu servil nuk përton të duartrokasë eprorin. Ishte ky përkushtim i tij, që për sa kohë drejtoi gazetën, të mundte ta bënte “flakë”, të “digjte dorën” porsa filloje leximin e saj. Ka qenë kjo periudhë, ata vite, kur “Zëri i Popullit” u bë i hapur për të ngritur e zbërthyer probleme të mëdha, ndoshta pak “me spec”, nëse kemi parasysh kufijtë e lirisë së shtypit të lirë. Janë vitet kur ftesa për të shkruar e shfaqur mendimet e përparuara, u shkoi shkrimtarit Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Sabri Godos, Dhimitër Shuteriqit, Paulin Radovanit e shumë intelektualëve të tjerë, të cilët, sipas Arshin Xhezos, ishin pasuri “e pa hipotekuar” për të çuar tek lexuesi mendimin progresist. Ka një kusht shumë të fort për të merituar të qënurit gazetar: të jesh i padëgjueshëm, të jesh i guximshëm, të shfaqësh për publikun vetëm të vërtetën. Po ta shikojmë profesionin e gazetarit në krah të lexuesit apo shikuesit, atëherë duhet të themi edhe tjetrën, që jeta e tij është në çdo çast i shoqëruar nga rreziku. Publicisti Arshin Xhezo i kish marrë parasysh të gjitha këto kur ndërmori “udhëtimin” për t’u bërë e për ta justifikuar emrin e gazetarit. Të gjithë shkrimet, pa përjashtim, janë me plot prita e rreziqe, herë-herë na kërkojnë edhe “kokën”, na kujtonte sa herë që niseshim për të realizuar ndonjë “aventurë”, e cila vërtet të rrezikonte kokën. Mbaj mend që midis tij dhe meje të jetë zhvilluar ky dialog:
– I ke të saktë, të vërtetë faktet në shkrimin që ke bërë?
– Përse më pyet, ke frikë t’i botosh?
– Jo, nuk kam frikë, por kam hallin e kokës tënde.
Ai ishte strikt, skrupuloz, i paarrirë për të sjellë tek lexuesi të vërtetën. Ashtu si ish, pa lustër. Kam parasysh sesi “xhindosej” kur ndonjë nga kolegët kish shkelur “betimin” si gazetar, sesi tjetërsohej kur gazetari sillte realitete të zbukuruara, fakte e të dhëna që synonin të “ngrinin lart” moralin, që për hatër të një pushtetari apo partiaku “të madh”, të zezën e bënte të bardhë. Kurrë nuk mbaj mend, për aq vite sa punova me të, që Arshin Xhezo të shitej apo të na shiste për interesa të vockla. Jo, kurrë! Ai, si edhe shumë gazetarë që kanë lënë emër si të tillë, i qëndroi besnik betimit qëkurse ndërmori udhën e gazetarit: Do të them vetëm të vërtetën, gjykuesi im do të jetë vetëm lexuesi! E ardhmja dhe e kaluara kanë kënaqësitë e tyre, njëra do të thotë pritje, e tjetra do të thotë kujtim. Për publicistin Arshin Xhezo na mbetet kjo e dyta, kujtimi. Por nuk është kujtim dosido, nuk janë kujtime që i tregojmë sot e harrohen nesër. Kujtimet e këtij intelektuali të madh janë male me shkrime e krijimtari të mirëfilltë letrare e publicistike. 
Sigal