Kujtim Dashi: Në 14-15 janar 1703, si u zhvillua në Mërqi të Lezhës, “Kuvendi i Arbënit”

46

-321-vjetori

Sigal

Përgatiti, Kujtim Dashi

/Telegraf.al/ Në 14-15 janar 1703 mbahej në Mërqi, në kishën e Shën Gjon Kryepremit, 3 km në veri të Lezhës,”Kuvendi i Arbënit”. Për këtë ngjarje të madhe, në fjalorin tim “Leksikoni i Lezhës” E.B “Lisitan”, Tiranë, 2005, është shkruar si më poshtë:

ARBËNIT, Kuvendi i -,

Kuvendi i Arbënit, mbas Kuvendit të Lezhës (1444) dhe mbas luftërave të gjata të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, ishte ngjarja më e rëndësishme e historisë shqiptare gjatë gjithë kohës pesëshekullore të sundimit otoman; ai qe hapi i parë drejt Rilindjes sonë Kombëtare, ishte një moment shprese dhe kthimi përkah ringjallja e vetëdijes shpirtërore e nacionale.

Në fillimin e shekullit tetëmbëdhjetë Roma pati, për të parën e të vetmen herë një papë me prejardhje shqiptare, Klementin XI-Albani (Papë në vitet 1700-1721). Më 1702, Klementi XI urdhëroi peshkopin kroat Viskë Zmajeviçi (Vincentius Zmajevich, 1670-1742) të Tivarit (Antivari) për të raportuar mbi gjendjen e kishës katolike në Shqipërinë e Veriut. Ky kryepeshkop e vizitoi Shqipërinë për tre muaj si “Vizitor apostolik i Serbisë, Shqipërisë, Maqedonisë dhe Bullgarisë” dhe përgatiti një raport për vendin e vogël, për “natione preddiletta” e tij (kombin e parapëlqyer), të titulluar “Notitie universali dello stato di Albania” (“Shënime të përgjithshme mbi gjendjen e Shqipërisë”), i cili ka shërbyer si burim parësor të dhënash për Shqipërinë e Veriut të fillimit të shekullit të tetëmbëdhjetë. Me rastin e vizitës së kryepeshkopit, u mbajt një kuvend, të dielën e dytë pas Epifanisë, në kishën e Shën Gjon Pagëzuesit, ose siç thirret ndryshe nga vendasit, Kisha e Shën Gjon Kryepremit, i quajtur “Kuvendi i Arbënit”, në Mërqi, 3 km në veri të Lezhës, në 14-15 janar 1703. Në Koncil morën pjesë: Vinçenc Zmajeviq, nga Kroacia, kryeipeshkëv i Tivarit, “Vizitor apostolik i Serbisë, Shqipërisë, Maqedonisë dhe Bullgarisë”; Pjetër Zumi, kryeipeshkëv i Durrësit (Arbërisë); Pjetër Karaxhiq, kryeipeshkëv i Shkupit; Gjergj Teodori (Totrri), ipeshkëv i Sapës (Zadrimë), i fisit Totrri në Troshan; Nikollë Lladani, ipeshkëv i Lezhës; Ndue (Anton) Babi, ipeshkëv i Shkodrës; Marin Gjini, ipeshkëvi i Pultit; Pater Egidio Quinto d’Armento, prefekt apostolik i misioneve të Arbërisë; Frat Frano a Lycio, prefekt apostolik i misioneve të Maqedonisë; Frat Mertini a Gionima, i pari i trojeve të fretërve. Morën pjesë gjithashtu dhe prelatë të tjerë të përmendur. Si fjala e hapjes së Zmajeviçit ashtu dhe vendimet e Kuvendit qenë hartuar në gjuhën shqipe. Këto dokumente me rëndësi historike, gjuhësore dhe kishtare u dërguan në Romë për t’u parë nga Papa dhe u botuan shqip dhe latinisht në Romë, më 1706, nga De Propaganda Fide me ndihmën e Françesk Maria da Leçes O.F.M. (ital. Francesco Maria da Leçe). Ato përbëjnë një burim me vlerë për njohuritë tona mbi gjuhën e Shqipërisë veriore në fillimin e shekullit tetëmbëdhjetë. Vetë Da Leçe, misionar dhe gjuhëtar italian, kishte qenë dërguar në Shqipëri nga De Propaganda Fide, më 1692, si prefekt apostolik i misioneve dhe kishte mësuar atje shqipen gjatë veprimtarisë së tij misionare. Një çerek shekulli më pas ai botoi librin “Osservazioni grammaticali nella lingua albanese”, Romë 1716 (“Vëzhgime gramatikore mbi gjuhën shqipe”) si e para gramatikë e shqipes e botuar ndonjëherë. Kleriku françeskan Da Leçe ka qenë edhe autori i një fjalori italisht-shqip të shkruar para vitit 1702, i përmendur si më i zgjeruar se ai i Frang Bardhit (1635). Kuvendi i Arbënit është një nga dëshmitë më të rëndësishme të historisë së kulturës sonë kombëtare, një nga ato dëshmi të dokumentuara me vlera të shumëfishta: gjuhësore, historike, arsimore, etnografike. Sigurisht, ishte e shumëpritur kjo ngjarje për krishtërimin mbarshqiptar të asaj kohe, mbasi kuvendi mbahej në një moment kritik degradimi shpirtëror e bjerrashprese të gjithëmbarshme, kur jo vetëm masat e gjera të popullsisë së thjeshtë, por edhe pjesa dominante e klerikëve të krishterë, po kridhej përherë e më tepër në një humbëtirë vdekësore identiteti, nga formimi i pamjaftueshëm arsimor dhe nga represionet e gjithanshme që u bëheshin pandërprerë nga turqit për t’i islamizuar. “Kuvendi i Arbënit ishte kuvendi i mendjes dhe i shpirtit shqiptar të asaj kohe. Në të u morën vendime të qënësishme dhe u përcaktuan detyra të pandërmjeme për ringjalljen dhe për pasurimin e jetës shpirtërore e fetare, por edhe të asaj kombëtare, politike e kulturore,-vuri në dukje Mons. Zef Gashi në 300-vjetorin e këtij Kuvendi.

Kuvendi i Arbënit del hapur në mbrojtje të gjuhës shqipe dhe të arsimit në Shqipëri. Aty flitet “përmi shkoll’ t’ Kurbinit e t’Leshs”. Aktet e “Konqilit të dheut të Shqipërisë” ose “Kuvendi i Arbënit”, u botuan të plota tre vjet më vonë pas mbajtjes së tij, në tipografinë e De Propaganda Fide në Romë, në vitin 1706, nën titullin: “Concilium Provinciale sive Nationale/ ALBANUM/ Habitum Anno MDÇIII. /Clemente XI.Pont.Max./ ALBANO./ SUPETIORUM PERMISU.” Materialet dokumentare janë botuar që atëherë, në të dy versionet; përkatësisht në gjuhën latine dhe shqipe, gjë që e bën veprën me vlerë edhe për nga fushëpamja leksikore. Botimi i dytë i librit të Kuvendit u bë 162 vjet më vonë, në vitin 1868, i përkthyer dhe i përshtatur me shënime sqaruese gjuhësore nga dofarë Pater Rajmond Gallani dhe Pater Egidio Quinto d’Armento, ky i fundit prefekt i misionarëve të Shqipërisë, persona këta që e shoqëruan vizitatorin gjatë vizitës së tij apostolike në secilën dioqezë. Kurse për përkthimin shqip të këtyre akteve, përsa i përket botimit të 1706-ës, nuk gjënden të dhëna konkrete. Për herë të tretë “Kuvendi i Arbënit” u botua më 1872, si gjithmonë, në Romë, në tipografinë e De Propaganda Fide me titullin: ”Konçilli/i Dheut Shqypnis/Bamun n’vjet 1703/N’koh t’paps shqyptarit/ Klementit t’njimdhetit/disa Emername/dalun prej Romet mas Konçillit qi përkasin/Kishave t’Arbnis/i ka qit Shqyp/Don Enjell Radoja/Prift’i Djoqezit Shkodër/n’Rom./me shtamp t’Kuvendit S.T’Propagandës/1872”. Në këtë botim, përveçse është përdorur një sistem grafik fonematik më i kuptueshëm, janë futur shtesë edhe dy materiale të tjera prej këtij prifti shkodran që u kujdes për botimin. Në njërin nga tekstet e shtuara prej tij ai i drejtohet lexuesit, ku i bën me dije se Karlo Pooten, kryeipeshkëv i Tivarit dhe i Shkodrës, i ka ngarkuar detyrë “me i kthy n’ghiuh ton Concilin”, kurse në dokumentin tjetër: “Do habere permi Sckodr”, jepen disa të dhëna mbi qytetin e Shkodrës. At Vinçenc Malaj, i cili ka bërë një studim të gjatë dhe me nivel të lartë informacioni e erudicioni për Kuvendin e Arbënit, vë në dukje se “përkthimi i mëparshëm i Kuvendit të Arbënit kishte të meta serioze”.

Studiuesi Engjëll Sedaj në librin e tij “Papa shqiptar Klementi XI- Albani&Kuvendi i Arbërit” e ka sjellë të plotë dokumentin e Kuvendit të Arbënit (“Concilli i dheut Sçiypniis, baamun n’vjet 1703 n’ coh t’Paps sçhyptarit Clementitt t’gnimdheitit “). Përveç një analize shumëplanëshe të Kuvendit të Arbënit në libër jepet gjithashtu një informacion të gjerë e vlerësim të merituar për Papë Klementin XI-Albani, i cili “kishte arritur edhe prestigjin më të madh moral në organizimin kishtar dhe politik në Europë”.

Gjuha e Kuvendit të Arbënit paraqet të ashtuquajturën gegërishte letrare të shekujve XVII-XVIII, duke ecur kështu në rrugën e Bogdanit.

Me Kuvendin e Arbënit janë marrë studiuesit Kolë Ashta, Rexhep Ismajli, Engjëll Sedaj, Vinçenc Malaj, Zef Gashi etj.

Në janar 2003, për herë të parë, u kremtua në Lezhë një përvjetor i Kuvendit të Arbnit, siç ishte ai i 300-ti, me ç’rast u botuan në një libër të veçantë edhe materialet e konferencës jubilare.

Ky fakt dhe dhjetra e qindra të tjerë në arsenalin shqiptar na duket se nuk janë tërësisht në krahun e tezës së një studiuesi të njohur shqiptar, i cili duke u mbështetur në fermanet e Turqisë përpiqet të argumentojë tezën se historiografia shqiptare raportet në mes të banorëve të Rumelisë (fillimisht me domethënien “banor i ish-perandorisë romake”-bizantine-dhe më pas me kuptimin “i krishterë”) dhe ish-perandorisë osmane, shpesh janë parë vetëm si antagoniste dhe rrallë herë si protagoniste. Megjithë predispozitën e studiuesit në fjalë për relativizimin e këtyre përfundimeve duke u mbështetur në dokumente dhe jo apriori, mes të cilave edhe ato që lidhen me shndërrimet demo-fetare, sipas gjykimit tonë, është e vështirë të revizionohet historia 500-vjeçare e vendit tonë nën pushtimin osman apo të relativizohen përfundimet e historiografisë shqiptare. Tashmë janë të njohura kërkesat nga ana e turqve që në librat e historisë të shkollave tona e, në përgjithësi në historiografinë shqiptare, të rishihet e të rishkruhet kjo periudhë. Këto kërkesa çuditërisht skajohen, kur ndonjë personalitet i shtetit të sotëm turk, shtron kërkesën që të hiqet nga mjediset e kryeministrisë busti i Skëndërbeut.