Natasha Limaj: Ndjesi dhe refleksione, mbi poemën: “Labëria magjike”

Natasha Limaj

/Telegraf.al/ Në pamje të parë poema me titull ‘’Labëria Magjike me autor Dr. Neki Dredha e botuar për herë të dytë, në shtëpinë botuese  “Triptik” 2023 është një libër i punuar mjaft mirë estetikisht. Megjithëse kisha lexuar nga krijimtaria e doktorit dhe, pothuaj e njihja pak a shumë krijimtarinë e tij poetike, në të cilën gjallon vargu popullor tetë rrokshi herë-herë edhe gjashtë rrokshi. Qysh në prolog ndjeva një theks ritmik e një rimë të përputhur, e cila më detyroi të nanurisja vargun nëpër gojë. Bie në sy funksioni pragmatik i saj mbështetur mbi një udhëtim shpjegues për turistët e huaj. Duke lexuar poemën në vazhdimësi, m’u krijua përshtypje se po udhëtoja edhe vet, bashkë me udhëtarin nga Çekia. Mahnitur nga narrativa aq e detajuar e aq natyrshëm që buronte nga goja e autorit, edhe unë po eksploroja bukuritë magjike të Labërisë. Lirizmi i ngrohtë përzier me epizmin historik depërtuar në shpirtin kristal të labit është buka poetike e kësaj poeme.

Autori me patos e ngrohtësi shpirtërore rrëfen mjaft imtësisht gjeografinë labe. Ai na sjell para syve gjithë toponiminë, florën dhe faunën e Labërisë Magjike. Lirizmi dhe metaforat e gjetura e hyjnizojnë Labërinë magjike, të veshur me një vel krenarie nga Dr. Nekiu, muza e të cilit shpërthen në vargje të tilla:

NOA

Labëri, madem stralli,/ Sy e vesh mbi maja mali! / Kur skërmit dhëmbët çakalli,/ Shkrep , shkëndit thyen qafën djalli!/ Siç shtypet , shkërmoqet zegali! / Shtatlartuar mbi dy dete,/ Magjiplotë të bën për vete,/ Shpirtin trimëror se trete,/ Muza ku thuren sonete!

Pra shpirti artistik, muza e zjarrtë, njohja në palcë e natyrës, jetës si dhe euridicioni historik i Dok. Nekiut mbi këtë trevë e bën autorin të ngërthejë me njëra-tjetrën e të na i sjelli si një trup i vetëm tri habitate narrativash, bukuritë e Labërisë, natyrën e saj përrallore dhe historinë e lavdishme shekullore, pa lënë anash popullin plot virtyte të rralla njerëzore, që gjallon në sqetullat e kësaj treve. Nëpërmjet vargut ajo, na vjen sa e ngrohtë aq dhe borëzuar, sa e butë aq dhe e ashpër, sa e lexueshme aq dhe magjike. Ja si shprehet autori për Vlorën kryeqëndrën e Labërisë:

Vlora zemra labërore,

dritë më jep në ëndërri!.

Parajsa jonë shpirtërore,

Edeniada plot shkëlqime.

 

Udhëton poeti, me ligjërim në gojë për krahinat labërore, duke na ringjallur figurat historike, e kjo narrativë është sa një stil artistik aq edhe informativ për lexuesin. Ai shpreh nëpërmjet vargut botën e tij të brendshme, si subjektive dhe sugjestive mbi Labërinë. Faktet, emrat, ngjarjet historike ecin në mënyrë kronologjike dhe rrokin hapsira shumë të gjera kohore. Zakonisht faktet historike, kur vijnë thjesht si informacion janë të mërzitshme dhe nuk lënë gjurmë në memorje, kurse Dr. Nekiu ka gjetur mënyrën më të bukur të përcjelljes tek lexuesi historinë. Veshja e ngjarjeve historike me velin liriko-epik, apo epiko-lirik, i bën ato më të përthithshme nga lexuesi. Ai nuk pushon së foluri për figurat historike të Labërisë, ku harta kohore e përfshirjes është shekullore, gjë që flet qartë për pasurinë e tij historike, ja sa në të thella i ka hyrë historisë poeti i kësaj poeme: Kush s’la mendjen në Kaninë,/ Horizontin e magjishëm? / Trojanë, romakë, bizantinë,/Sulejman i madhërishëm./ Te ky pirgu kështjellor, / Në kurorën mbi rrethinë, /Jul Çezari madhështor, Donte të kishte shtëpinë!

Me radhë na ringjall figurat, që kanë lënë gjurmë në historinë e Labërisë , që nga ato parahistorike e deri tek ato bashkëkohëset . Autori flet për to, me një patos e krenari që zor e gjen tek poet tjetër , i vesh me figura letrare, sa herë- herë të kujtojnë vargjet e ‘’ Iliadës ‘ së Homerit. Vetëm një poet me muzën zjarr dhe shpirtin burim dashurie, si Dr. Nekiu mund të përsiatet kaq ëmbël dhe kaq virgjër ndaj ndiesive rinore, le pastaj ndërkallja në përditshmërinë dhe gastronominë labe, që gërvisht imagjinatën duke bërë të rendien   para syve, gjithë tradicioni i oxhaqeve, odave, qosheve dhe sofrave labe. Bujaria dhe mikpritja e kësaj treve , ashtu si e gjithë genit arbëror kërcet, pothuaj në çdo varg të kësaj poeme kaq të bukur, dhe kaq të vërtetë.

Si përfundim në këtë poemë , përveç kënaqësisë estetike pashë edhe:

  1. Një narrativë shëtitëse, mbi bukurinë mahnitëse të Labërisë.
  2. Një informacion, të detajuar, shumëkohor mbi figurat historike të Labërisë.
  3. Ndjeva flladitjen dhe aromën ambroziane të natyrës labe.
  4. Hyra si një nga të sajat, në përditshmërinë labërore.
  5. Njoha palcërisht karakterin, trimërinë, burrërinë, ashpërsinë, bujarinë dhe mikpritjen labe.
  6. U ndjeva mbytur nga brishtësia, delikatesa dhe bukuria e shpirtit rinor lab.
  7. Njoha një gjuhë të zhdërvjellët që ka përdorur autori, ku herë- herë zhytem në gjuhën parake shqipe dhe herë-herë dal në sipërfaqe si gjethja mbi valë , në standarten hyjnore shqipe.

E së fundmi u kënaqa me trokun e vargut rimëputhur e alterrnuar të tetë dhe gjashtë rrokshit, që këngëzonte duke gjëmuar si polifoni labe.

Vlora promovon sot “Labëria magjike” të Dr. Neki Dredha

Kryetari i Shoqatës Atdhetare Kulturore Labëria, dega Vlorë Ahmet Demaj njofton se sot ditën e hënë 15 janar 2024 ora 12.00 te salla e Universitetit Ismail Qemali, Skelë-Vlorë, inagurohet libri “Labëri magjke” me autor Dr. Neki Dredha.