Kontribute të shquara të këngës labe

1440
Sigal

Presidenti Topi vlerëson dhjetë poetë e rapsodë të Labërisë në 100-Vjetorin e Pavarësisë

Dhjetë emra të njohur, poetë e rapsodë të këngës dhe polifonisë labe janë vlerësuar nga Presidenti i Republikës Bamir Topi publikisht dhe zyrtarisht për veprën dhe punën e tyre të jashtëzakonshme artistike dhe atdhetare. Ky vlerësim vjen në 100 vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë. Shumica e tyre janë ende në jetë aktive krijuese si: Lefter Çipa, Kujtim Mici, Muhamet Tartari, Feti Brahimaj, Teno Lona, Sejmen Gjokoli dhe Tomorr Lelo, dhe disa “pas vdekjes”si: Dule Havari, Hamdi Pulo, Zaho Balili. Ata ia kanë dalë që në këta dhjetëvjeçarët e fundit, të skalisin emrat e tyre në trashëgiminë e stërlashtë shpirtërore të Labërisë, përmes krijimeve artistike të njohura anë e mbanë. Vlerësimi i tyre me titujt Mjeshtër i Madh, Naim Frashëri i Artë dhe Naim Frashëri i Agjentë vjen pas propozimit të bërë nga Akademia e Shkencave si një vlerësim për kontributin e tyre. Duke përshëndetur në emër të këtij grupi, poeti Muhamet Tartari tha se çdokush ka detyrë të mbrojë traditën e kulturën kombëtare dhe falënderoi Presidentin Topi dhe Akademinë e Shkencave për vlerësimin e këtyre emrave, disa pas vdekjes.

Lefter Çipa (Pilur, Himarë) dekorohet me titullin “Mjeshtër i Madh” me motivacionin: “Për kontribut të shquar në forcimin dhe zhvillimin e kulturës dhe folklorit shqiptar në zonën e Bregut dhe më gjerë, në sjelljen e elementëve të rinj në poezinë dhe folklorin e Pilurit dhe Himarës, si krijues dhe drejtues i grupit të famshëm polifonik të Pilurit.

1 Kujtim Mici (Tërbaç, Vlorë), “Mjeshtër i Madh” me motivacionin: “Për kontribut në studimin, evidentimin dhe zhvillimin e folklorit të zonës së Lumit të Vlorës e sidomos në fshatin e Tërbaçit, si themelues i grupit polifonik me emër të  Tërbaçit.

2 Muhamet Tartari (Vranisht, Vlorë), “Mjeshtër i Madh” me motivacionin: “Për studime të spikatura të folklorit, për zhvillimin e poezisë, këngës dhe valles labe përqendruar në zonën e Vranishtit dhe Labërisë në rritjen e vlerave të iso-polifonisë, si drejtues i grupit të famshëm të Vranishtit.

3 Dule Havari, pas vdekjes, (Dukat, Vlorë), “Naim Frashëri i Artë” me motivacionin: “Për punë të palodhur në fushën e folklorit, si krijues dhe organizues i grupit folklorik dhe këngës dhe valles së zonës së Dukatit.

Feti Brahimaj (Lapardha, Vlorë),  Naim Frashëri i Agjentë” me motivacionin: “Për veprimtari të dendur dhe efektive në fushën e folklorit dhe ripërtëritjes së traditës, si krijues dhe organizator i grupit të shquar polifonik të Lapardhasë dhe zonës Kotë-Drashovicë të Vlorës”.

4 Hamdi Pulo, pas vdekjes, (Tragjas, Vlorë), “Naim Frashëri i Argjendtë” me motivacionin: “Për evidentimin, zbulimin dhe zhvillimin cilësor të folklorit të Tragjasit, si krijues i shumë vargjeve dhe këngëve me nivel ideo-artistik dhe patriotik”.

Teno Lona (Fterrë, Sarandë), “Naim Frashëri i Argjendtë” me motivacionin: “Si krijues dhe drejtues i grupit polifonik të Fterrës dhe grupeve të zonës së bregdetit të Sarandës”.

5 Tomorr Lelo (Smokthinë, Vlorë), “Naim Frashëri i Argjendtë” me motivacionin: “Si organizator i aftë i ansamblit folklorik “Çipini”, si krijues i veçantë dhe interpretues i momentit emocional dhe për zhvillimin edhe sot e kësaj dite i traditave folklorike të Labërisë”.

6 Sejmen Gjokoli (Vlorë), “Naim Frashëri i Argjendtë” me motivacionin: “Për aftësi të spikatura organizative, drejtuese, krijuese dhe interpretuese të këngës dhe valles labe, si themelues dhe drejtues i ansamblit “Bilbili”, Vlorë”.

7 Zaho Balili, pas vdekjes, (Rexhin, Tepelenë), “Naim Frashëri i Argjendtë” me motivacionin: “Për kontribut të shquar në zhvillimin e folklorit të zonës së Tepelenës, veçanërisht me grupin e Hormovës, si drejtues i spikatur dhe rapsod.

Kënga polifonike, pasqyrë e shpirtit lab

Shekuj më parë në truallin e Labërisë, krahas monofonisë, dalëngadalë po kristalizohej një forme tjetër e ndërgjegjes artistike muzikore të banorëve vendas te saj, polifonia, që nga greqishtja e vjetër do të thotë poli (shumë) dhe fonia (zë, tingull), dmth, shumë zëra, shumë tinguj, shumë melodi. Kënga polifonike labe është ndër dëshmitë më elokuente të talentit të popullit tonë, që e ruajti atë të pastër, në lufte ndaj rrebesheve të kohërave. Në të kaluarën, kultura muzikore polifonike labe, si mbare arti ynë muzikor popullor, është krijuar, interpretuar e përjetuar kryesisht në mjedise të ngushta, thjesht familjare. Ajo nisi të dalë nga mjedise të tilla vetëm pas gjysmës së dytë të shekullit tonë. Kultura muzikore polifonike labe është shquar gjithmonë nga një gjallëri dhe densitet i madh. Si bashkudhëtare e ditëve të gëzuara e të trishtuara të malësorit të Jugut, polifonia labe simbolizonte vazhdimisht një art tepër të dashur për të. Duke pasqyruar aspekte të ndryshme të historisë dhe të jetës së lebërve, ajo ka luajtur një rol të rëndësishëm edukues, atdhetar dhe artistiko-estetik. Në këtë mes, padyshim që ndikon edhe mënyra kolektive e interpretimit. Polifonia labe gjallon në krahun jugperëndimor të Shqipërisë, duke u kënduar në mënyrë të pjesshme ose të plotë nga popullsia e rretheve: Vlorë, Tepelenë, Gjirokastër, Sarandë, Përmet, Fier. Ajo përbën një nga katër dialekte kryesore të polifonisë popullore shqiptare, krahas asaj myzeqare, toske, ccame. Nga ana tjetër, këto dialekte ndahen gjithashtu në një mori stilesh muzikore. Kur flitet për muzikën tonë popullore zanore, tërheq vëmendjen fakti se, ndërsa në pjesën veriore dhe te mesme të vendit ajo është përgjithësisht me një ze, homofonike, në pjesën jugore shfaqet përgjithësisht me shumë zëra, polifonike. Kultura muzikore polifonike labe ekziston në tre lloje ose grupe kryesore: polifoni me dy zëra ose dyzërëshe, polifoni me tre zëra ose trizërëshe, polifoni me katër zëra ose katërzërëshe. Polifoni me dy zëra këndohet kryesisht nga gra të qytetit të Gjirokastrës, gra të disa fshatrave të zonës së Gorishtit, të fshatit Kaninë, burra të fshatit Dukat etj. Ndërsa polifoni me tre dhe katër zëra, ku më pak e ku me shumë dëgjohet në mbarë fshatrat dhe rrethinat e Labërisë.