Kledia Haxhaja: “Bukuria pa inteligjencë nuk ka vlerë”

895
Sigal

INTERVISTA/  Flet modelja dhe pjesëmarrësja në  “Miss Globe International 2011, Kledia Haxhaja

 Modele, fotomodele dhe pjesëmarrëse në disa aktivitete të kësaj natyre në vende të ndryshme të botës. Por ajo primare në jetë nuk ka bukurinë, por inteligjencën. Është një femër inteligjente, e dashuruar me librin, kërkuese dhe gjithnjë në lëvizje.

 Aktualisht, cilat janë angazhimet tuaja profesionale?

 Ah, angazhimet… Nuk rreshtin. Angazhimet e mia profesionale kanë qenë të shumta, si modele duke qene pjesë e sfilatave të organizuara nga stilistë të ndryshëm, por edhe si fotomodele e disa seteve fotografike.

 Ju keni arritur një kulm, keni qenë pjesëmarrëse në “Miss Globe International 2011”, sa të ka ndihmuar kjo në karrierë?

 Çdo rezultat ka vlerën e vetë. Unë kam disa të tilla. Karriera ime ka filluar herët që në moshën 14 -vjeçare, ku kam marrë pjesë dhe fitova çmimin e parë në konkursin e modeleve të organizuar nga TV Klan. Pjesëmarrja ime në “Miss Globe International” nuk është se ndikoi shumë në karrierën time sepse atë e kisha të ndërtuar tashmë, por gjithsesi ajo ishte një eksperiencë shumë e bukur, të cilën e kujtoj herë pas here.

 Bukuria juaj ka shumë komente. Ju jeni shkodrane për të arritur këtu ku jeni më shumë ka ndikuar bukuria apo edhe inteligjenca juaj?

Unë mendoj e para është inteligjenca. Nga ana tjetër bukuria pa inteligjencë mendoj se s’ka vlerë. Kështu që duke i pasur të dyja mendoj se kam arritur këtu ku jam. Do t’i bashkoja këtyre edhe punën e madhe për të krijuar stilin tim krijues për t’iu përgjigjur me nivel profesional pasarelave, ku kam marrë pjesë. Në jetën time më shumë prioritet i jap inteligjencës si pjesa më produktive e jetës.

 Për të shkuar më tej, ju jeni njëra nga modelet që jeni pjesë e agjencisë “Iconagency”, sa të ka ndihmuar kjo agjenci?

 Kjo është e vërtetë. Natyrisht, kam kënaqësinë të them që jam modele e “Iconagency” dhe dua të them se i jam mirënjohëse kësaj agjencie për bashkëpunimin dashamirës dhe impenjimin e saj serioz për angazhimin tim në evente të modës.

  Dashuria fjalë magjike. Cili është koncepti juaj për dashurinë dhe a dashuron shpesh?

 Dashuria. Kush nuk i ka kënduar. Kush nuk ka ndjerë emocion, dëshira, përhumbje…Por…Dashuria është thelbësore për një njeri. Unë dashuroj jetën, dashuroj diturinë, dashuroj bukurinë, dashuroj njerëzit e mi të afërt….Një njeri që nuk dashuron nuk do ishte i motivuar për të shijuar mrekullitë që të ofron jeta. Ndërsa në anën personale unë ende nuk e konsideroj pjesë të interesave të mia prezencën e një njeriu tjetër në jetën time.

 Femra shqiptare ka të veçantat e saj. Duke qenë se ke marrë pjesë në shumë vende jashtë atdheut, konkurse bukurie, si e kanë vlerësuar të huajt bukurinë e femrës shqiptare?

Unë do të bëj një sqarim. Ka një dallim mes modeles dhe konkurseve të bukurisë. Të jesh modele nuk është njësoj si të jesh pjesëmarrëse në konkurs bukurie, kam parasysh faktin që vlerësimi nga të huajt bëhet në kompleksitet. Cilësia e portretit, parametrat fizik dhe profesionalizmi në stilim. Edhe në këtë sens vlerësimi, unë mund të them se jam vlerësuar edhe nga të huajt, pjesëmarrës në Shqipëri, pjesë e sfilatave të të cilave kam qenë herë pas here.

 Paragjykimi për shqiptarët në vitet e para të demokracisë ka qenë evident. Ju jeni ndjerë e paragjykuar  për faktin që je shqiptare?

Kurrë. E them me bindje. Veprimtaria ime nuk është shtrirë vetëm brenda Shqipërisë. Por mund të them se bota e biznesit të modës dhe biznesi në përgjithësi nuk është paragjykues për identitetin. Ai thjesht përcakton vlen apo nuk vlen. Pra jepet një vlerësim në bazë të vlerave.

 A keni idhuj në modeling?

Po, kushdo besoj se ka një idhull në fushën që përfaqëson. Konkretisht, idhulli im në modeling është Alessandra Ambrosio.

 Ku i kryen takimet e punës apo ato miqësore?

Sot në demokraci shumë gjëra kanë ndryshuar. Pikërisht në stilin e brezit tim nuk janë shumë në modë ftesat në shtëpi. Takimet bëhen sipas vendit dhe kohës që ke në dispozicion. Takimet e mia kryhen në klube apo në ambiente që japin mundësi të ndjesh kënaqësinë e ambientit shoqëror.

 Thuhet se shpenzoni shumë, përse shkojnë këto shpenzime?

Natyrisht që shpenzoj, por jo aq shumë sa thuhet. Realisht më shumë shpenzoj për libra, por dhe  palestër, veshje dhe në një farë mase për make –up.

 Jeni e lidhur me gatimin?

Ah! Gatuaj shumë rrallë. Kjo sepse, porsa i përket gatimit mamaja ime nuk ia beson askujt tjetër sepse është mjeshtre e vërtetë e artit të gatimit.

 Preferencat e pjatës tuaj?

Jo kushedi se çfarë. Por e theksoj se specialiteti im është rizoto me fruta deti, të cilën e preferoj shumë.

 Në celularin tuaj, cilat janë numrat e regjistruar permanent?

Sigurisht dhe unë kam disa numra celulari që i mbaj të tillë. E para kam numrin e ambulancës, edhe numrin e një taksie të cilin e përdor kur babai im është i zënë dhe nuk më shoqëron dot me makinën e tij.

 Kur flitet për mashkullin dhe femrën më të bukur shqiptar, apo në botë?

Janë shumë. Çdo ditë dalin në pah djem dhe vajza të rinj shumë të bukur. Pra, Estetika nuk është shkencë ekzakte. Bukuria paraqitet në shumë trajta e forma, sa është objektive është edhe subjektive, ndaj për sytë e mi mashkulli më i bukur shqiptar është babai im, të cilin e dua shumë. Ndërsa femra më e bukur për mua është edhe do të mbetet mamaja ime, të cilën e adhuroj po aq shumë…

intervistoi Anila Kalleshi