Ramazan ÇEKA/ Visari, pasuri e këngës popullore

602
Këngëtari nga Kosova Visar Peja, djali i legjendës së këngës popullore kosovare, por edhe shqiptare Ismet Peja, të cilit i është dashur të punojë shumë për të krijuar identitetin e vet, shkëlqen me videoklipin më të ri titulluar “Më mungon” një baladë me muzikë të maestro Florent Boshnjaku dhe me tekst të autorit të këtij shkrimi. Muzika dhe kënga janë pjesë e jetës së Visarit. Babai i tij ka qenë impulsi i parë që ka ndikuar profesionalisht në jetën artistike dhe në karrierën e Visarit.
Me performancën e kësaj kënge ai befasoi publikun në festivalin “Kënga ime” (organizuar kohë më parë në TV Klan), por edhe në të gjitha hapësirat shqiptare, duke përçuar emocione gjatë një interpretimi që u prit me shumë dashamirësi. Realizimi i këtij videoklipi u bë në bashkëpunim me Alpha Pictures dhe u emetua në të gjitha kanalet televizive të Kosovës dhe njëkohësisht po merr edhe shumë klikime në internet.
Janë disa vite që këngëtari Visar Peja është pjesë e suksesshme e skenës dhe ekranit, pa anashkaluar edhe festat familjare në mbarë trojet shqiptare. Në veprimtarinë e tij artistike, Visari ka pasur arritje të vazhdueshme për të cilat është vlerësuar me çmime e trofe në disa aktivitete, si: “Çmimi i jurisë” në Festivalin “Zambaku i Prizrenit”, “Polifesti” etj. duke shfaqur talentin dhe vokalin e tij dhe duke u inkurajuar për të ecur më tej në karrierën e tij artistike. Vokalit i Visarit në realizimin e këngës më të re, teksti i shkruar sipas shijeve të tij, si dhe muzika e përkryer e kanë nxitur që të bëjë videoklipin e kësaj kënge që mori menjëherë mirëseardhjen e publikut. Admirues dhe komente pa fund për këtë videoklip. Gjej rastin të falënderoj jo vetëm Visarin, por edhe kompozitorin e shquar Florent Boshnjaku për bashkëpunimin edhe për disa këngë të tjera të suksesshme. Talenti i Visarit të jep hapësirë dhe kënaqësi të bashkëpunosh me të, pasi ai ka aftësi krijuese, por edhe aftësi komunikuese e bashkëpunuese, falë karakterit të tij që dallohet për humor dhe alegri. Visar Peja në një bisedë që bëmë, thotë se jam shumë i impresionuar nga konsideratat jashtëzakonisht të mira të fansave të mi, por edhe të tjerëve të cilët i falënderoj sinqerisht me gjithë zemër, pasi ato janë një vlerësim shumë i madh për mua dhe një inkurajim për të ardhmen.
Videoklipi i këngës “Më mungon” ka gjetur hapësirë dhe jehonë në shtypin e shkruar dhe atë audioviziv në Kosovë.
Sigal