Kështjella e Tragjasit, një nga monumentet historike në rrethin e Vlorës

1723
Sigal

Stop rrënimit të monumenteve të kulturës

“Stop rrënimit të monumenteve të kulturës”, është nisma e fundit që ka ndërmarrë Ministria e Kulturës, shpresa e fundit për të ndalur rrënimin e tyre. Një i tillë është edhe Tragjasi i Vjetër, Vlorë.

Tragjasi

Tragjasi shtrihet në jug të Vlorës, rrëzë Lungares, mbi burimin e İzvorit. Gjurmët e vendbanimit të lashtë janë shfaqur ne qytezën e Sofës (SOFA), ku janë dukur edhe gjurmë İlirie. Akoma dhe sot aty pranë (Tragjasit të vjetër) gjendet një vend i quajtur maja e qytetës. Arkeologët kanë datuar rrënojat e disa ndërtimeve qysh nga shekulli i IV-VII para Krishtit. Në Antikitet, ky vendbanim bënte pjesë në qendrat e fortifikuara të gjirit të Vlorës dhe lidhej me Orikumin. U shkatërrua disa herë nga pushtuesit Osmanë e u rindërtua në shekullin XVI, ku përmendet edhe kalaja e Gjon Boçarit (monument kulture). Kjo kala mesjetare përforcohet nga dy kulla gjashtëkëndore, Lartësia e mureve shkon ne 5,5 metra e gjerësia 1,25 metra. Tragjasi i vjetër gëzon statusin monument kulture “zonë historike”. Gjithashtu në këtë zonë ndodhet edhe një tumë ilire. Kështjella e Tragjasit, një nga monumentet historike në rrethin e Vlorës, ngrihet në majën e një kodre, mes një mjedisi fushor, në afërsi të bregdetit të Orikumit, e veçantë për nga shtrirja e saj, krahasuar me objekte të tjerë të këtij lloji. Duhen rreth 30 minuta për t’u ngjitur rrugës së pashtruar që gjarpëron nëpër kthesa e qafa duke lënë djathtas Kalanë e Gjon Boçarit, ndërsa majtas Malin e Tragjasit dhe duke përshkruar vargje kodrash të ëmbla e të pasura me kullota, pyje, ullishta dhe pak tokë buke. E para gjë që të vjen në mëndje kur e ke marrë vendimin për t’u kthyer në Tragjas është: Midis malit dhe detit. Ky është një fshat me këmbët në ujët e kripur të detit dhe kryet në freskinë e majave të maleve. Kaq pranë dy mikroklima, zor se mund t’i gjesh kund.
Tragjasi i Rrënuar
Me të vërtetë, pasi kalon qafën e fundit, të shfaqet pamja trishtuese e vendbanimit krejt të rrënuar e të braktisur. Dikur këtu ka pasur jetë e begati. Gjen sot aty gjurmët e lagjeve të lashta, me shtëpitë karakteristike prej guri, kroin monumental, rrapin madhështor në qendër, varrezat,, etj.
Muret e gurta të shkollës së Tragjasit mbeten ende në këmbë si provë e dëshirës së një populli për arsim, i djegur pjesërisht nga fashistët italianë më 7 gusht 1943 dhe përfundimisht nga nazistët gjermanë në 6 prill 1944, Tragjasi mbetet dëshmi e gjallë e sakrificave dhe qëndresës së një populli të vogël, që gjatë Luftës II Botërore diti ta rreshtojë veten krahas Aleancës Anti-Fashiste të SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Sovjetik. Masakra e Tragjasit prej nazistëve u dokumentua edhe nga agjentët amerikanë të OSS-it (pararendëse e CIA-s), të hedhur në Shqipëri pranë Shpellës së Piratëve në bregun perëndimor të Karaburunit. “Djegia e Tragjasit ndodhi të Dielën e Pashkëve të vitit 1944,” dëshmon ish oficeri Hudson. “Gjermanët vranë shumë nga pleqtë dhe të rinjtë e fshatit…” shkruan më tej ai. “Ishte një pamje e tmerrshme,” thotë gjetiu ai. “Ne shikonim me dylbi djegien, shkatërrimin, ikjen me lemeri të njerëzve. Përveç ndonjë të shtënë pushke, largësia nuk na lejonte të dëgjonim thirrjet e banorëve për ndihmë apo dhimbjen e tyre të jashtëzakonshme. Nuk mund të bënim dot asgjë për t’i shpëtuar ata.” (James Hudson, Pas OSS, 2004).

Parku Historik i Tragjasit dhe Gjermania
Në cepin Jugperëndimor të Shqipërisë ndodhet Parku Kombëtar i Butrintit, me vlera kulturore e historike të padiskutueshme për periudhën antike e mesjetare të vendit. Mirëpo, pse të mos ngrihet edhe Parku Kombëtar i Tagjasit, ku vizitorë e turistë vendas dhe të huaj të shikojnë sot dhe në të ardhmen rrjedhimet e brutalitetit dhe mizoritë e makinerisë ushtarake naziste dhe sakrificat e një populli liridashës? Sigurisht për këtë do të duhej fillimisht asfaltimi i rrugës si dhe një projekt i plotë. Ndofta i tillë është projekti i fundit i një firme italiane, miratuar nga organet vendore në Vlorë, por nuk jemi të sigurt se ky i ruan vlerat e rralla historike të Tragjasit.
Gjithsesi, ndofta financimi mund të vinte nga Ambasada e Gjermanisë në Tiranë. Mirëpo jo rrallë në rrethana të veçanta dhe si detyrim moral ndaj historisë dhe viktimave, qeveri të ish-vendeve shkaktare kanë financuar falas projekte me karakter humanitar, kulturor e historik në kujtim të ngjarjeve të caktuara dhe viktimave të tyre. E pra, asfaltimi i rrugës deri në Tragjasin e rrënuar, rindërtimi i shkollës e kthimi i saj në muzeum dhe rehabilitimi i qendrës me kroin dhe rrapin madhështor, monument kulture, i kushtojnë fare pak Gjermanisë së sotme. Aq sa mund t’i kushtonte fare pak edhe ngritja falas, dhe jo me kreditë e KWF-së , të një qendre moderne shëndetësore dhe shkolle fillore e të mesme për banorët e Tragjasit të Ri apo të Poshtëm.

 Arben Shytaj Sekretar i shoqatës “Tragjasi”

 Pozita e gruas labe sipas së drejtës kanunore

 SKËNDER SEFERAJ

 E drejta kanunore, sikurse dihet, për shkak të kushteve historiko-shoqërore në Labëri veproi gjatë edhe pas shthurjes së shoqërisë feudale në vendin tonë.  E drejta Zakonore duke qenë prodhim i shekujve, ajo pasqyron në tërësinë e saj botëkuptimin patriarkal feudal, të mbështetur në bazën ekonomike të periudhës së dhënë, të forcave prodhuese e të marrëdhënieve në prodhim. Gjatë shekujve, me zhvillimin e saj, ajo iu përgjigj këtyre marrëdhënieve duke sjellë ide mendime e botëkuptime të reja, por gjithmonë ruajti karakterin kryesor si superstrukturë e shtypjes së mendimit të përparuar, që binte ndesh me traditën idetë e botëkuptimin aktual.  Pra, ndryshimi i pozitës së gruas në marrëdhënie me burrin në përputhje me marrëdhëniet ekonomiko-shoqërore të krijuara në rrjedhën e viteve u sanksionuan me rregulla kanunore, të cilat nga gjithë veshja e tyre e jashtme u ruajtën për një kohë të gjatë si mbeturina marrëdhëniesh arkaike patriarkale. Në mënyrë të veçantë ideologjia fetare e çdo pushtuesi i ngriti në parime themelore dhe i futi në kanun, deri sa institute të veçanta patriarkale me karakter reaksionar, që frekuentoheshin sidomos nga klanet e pasura. Duke qenë se u zbatuan për një kohë të gjatë, ato ruajnë në zonat tona rurale edhe një forcë jetike si element regresiv, që nuk përputhet me normat e emancipuara të jetës së përditshme. Ne, si lexues apo intelektualë kemi për detyrë që mbi bazën e fakteve të dokumentuara, kur në vendin tonë ishin pushtues të huaj, me themelimin e shtetit shqiptar, me periudhën e sundimit të Ahmet Zogut si kryeministër apo si mbret i Shqipërisë, me vendosjen e sistemit socialist, apo tani në periudhën e tranzicionit duke studiuar me kujdes institucionet, parimet e veçanta të kanunit tonë, a ka ende atavizma apo norma të trashëguara, që nuk përputhen me aktualitetin, a konstatojmë dallime apo përçmime të burrit ndaj gruas, si ka evoluar e drejta zakonore në relacion me kohën, me ndryshimet shoqërore. A ka evoluar e drejta zakonore ndaj gruas në këto 100 vjet të themelimit të shtetit Shqiptar. Në një etapë të caktuar të zhvillimit historik lindi familja e madhe patriarkale si një formë historiko-shoqërore, karakteristikë e kombit nga matriarkati në patriarkat. Ishte një periudhë kalimtare, sipas Engelsit, nga familja e lindur prej vjetësh në grup dhe e bazuar në të drejtën e nënës në familjen individuale në kohën e sotme.