LISI I MADH

898
Sigal

Disa fjalë për mësuesin tim, Akademikun Dr. Profesor, Shaban Demiraj

Kur lexova në shkrimin “Biografia e fshehur e Kongresit të Drejtshkrimit të vitit 1972”, ku për profesorin tim të nderuar, Shaban Demiraj, thuhej se ai “s’paska shkollimin e duhur, se qenka vetëm me një shkollë të mesme teologjike islamike”, se “paska qenë në Universitetin e Kajros në Egjipt, po s’e paska mbaruar” dhe se “paska kryer Institutin  Pedagogjik dyvjeçar”, se “me këtë shkollë krejt të mangët për një shkencëtar, Demiraj u bë një nga kokat e mëdha të gjuhësisë shqiptare”, se “në prag të kongresit botoi librin e tij të parë”. Kjo “dëshmi’ më solli ndërmend tacibahot (fletë-rrufetë) kineze, që mbushnin muret e fasadat publike, me porosi nga lart e me “iniciativë nga poshtë”, si ndodhi iniciativa e të rinjve të Durrësit, për zhdukjen e objekteve të kultit, apo ajo e të rinjve të Myzeqesë për Festivalin e njëmbëdhjetë të Këngës në Radio-Televizion. Edhe në Universitetin e Tiranës, si kudo “tacibaot” ndoqën njëra -tjetrën, me fjalët më fyese për profesorët e pedagogët, si ajo: “T’i pritet koka Selman Rizës”. Një e tillë i qe vënë edhe profesorit tim të nderuar, Shaban Demiraj, nga studentët vjeshtukë. Tek ishin grumbulluar disa studentë e po e lexon, kalon aty profesor Skënder Luarasi. Studentet tek panë profesorin e anglishtes, me çantë nën sqetull, i hapën vend. Ai, si e lexoi nga kreu në fund, tha:

-Lisit të madh i rrëzuan një fletë!

Është i tepërt komenti për këtë thënie brilante të profesorit. Lisi i madh, ka aq fletë (merita) sa një fletë të zverdhur në vjeshtë mund ta rrëzojë vetë. Mirëpo qëllon ndonjë “studiues i zellshëm” , si ai që korr e mos lidh e flet si e ëma e Zeqos në majë të thanës, se profesor Shaban Demiraj, përgjegjës i gjuhës shqipe në Universitetin e Tiranës, nuk e paska “shkollën e duhur për të kryer asnjë nga këto detyra”. Hapu dhe të futemi! Harron i gjori “studiues”, se “fshati që duket s’ka nevojë për kallauz”. Dr. Profesor Shaban Demiraj është lis i madh. Veprat e tij shkencore nuk janë një, dy apo tre, por mbi një dyzinë. Ato kanë parë dritën e botimit e të studimit jo vetëm brenda vendit, por edhe nëpër akademitë e Evropës, siç është “Mbi historinë e gjuhës shqipe”, botuar edhe në Gjermani, botuar edhe nga Akademia e Shkencave  të Austrisë, vepra dinjitoze që kanë marrë udhën edhe në shtete të tjera të Evropës. Dr. Profesorin do ta gjesh në Simpoziumin Ndërkombëtar të Albanologjisë në Palermo të Italisë, në Universitetin e Prishtinës e të Shkupi, të Kluzhit në Romë, të Kopenhagenit, të Vjenës, të Bonit, të Kozencës. Ai do të çmohet me një sërë titujsh: “Mësues i Popullit”, “Profesor i Merituar” Anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Anëtar  i Akademisë Qendrore Europiane, anëtar i Akademisë Diplomatike të Londrës, nënkryetar i Shoqatës Ndërkombëtare e Studimeve të Evropës Jugë-lindore. Studentët që kanë dalë nga duart e tij e që mbajnë tituj shkencorë si mësuesi i tyre, deklarojnë se, ai “është mësuesi ynë dhe se ne i detyrohemi shumë shpirtërisht kësaj figure madhore të shkencës shqiptare, që më shumë flet me punë sesa me fjalë”… Prandaj këtij “Mjeshtri të madh të Punës”, i lauruar dy herë me “Çmimin e Republikës”, Këtij shkencëtari për çështjet e ndryshme të historisë së gjuhës shqipe, të gramatikës dhe fonetikës historike, si edhe të ballkanologjisë, të botuara jo vetëm brenda, por edhe jashtë vendit, këtij lisi të madh, sado të lodhen ca piçirukë s’i heqin dot asnjë fletë, që të mbulojnë turpin e tyre.