Jorgji Davidi/ Kur ballafaqon analizat e Pëllumb Kullës për veprën e Kadares

667
Shprehesha mes familjarëve, apo bashkëbisedueseve të ndryshëm, për mrekullinë artistike që ndjeja në artin e Pëllumb Kullës. Prej kohësh kam përjetuar emocione, përmes të cilave jam përlotur. por druhesha, t’jua thosha bashkëbiseduesve se, mund t’ma quanin naivitet. Kur lexova, “Shënime të jashtëzakonshme për një perlë poetike”, që Pëllumb Kulla u bënë përjetimeve nga leximi i poemës baladeske të Petrit Rukës, “Nëntë vjet e nëntë ditë”, më iku droja, jo se jam i zoti të pasqyroj sa ndjej nga arti i Pëllumbit, por qoftë dhe thjesht,siç mundem, dëshiroj t’i shpreh, disa përjetime. Kam lexuar edhe vlerësime të tjera të këtij artisti mendjehapur, zemërdet e shpirtçiltër, lidhur me artin e Petrit Rukës, si dhe të shumë të tjerëve, që, qoftë dhe përmes analizave kritike që u bënë vlerave të talentit të mjeshtrave të artit e penës, të flladisin ndjenjat dhe të mbushin me emocione deri në përlotje. Secila është , “… një lëndinëz ku i gjen të gjitha lulet erëmira që kanë mbjellë poetët e lashtë e modern…”. Këto lule janë pafund në çdo rresht të shkrimeve të Pëllumbit, që nga grimcat humoristike, veprat artistike të shkruara prej penës së tij e të luajtura nga trupat e estradës e teatrove, apo dhe në shkrimet analitike për jetën e fenomenet politiko-shoqërore që përjetojmë … Në analizë të poemës, ai vazhdon: “Kur vallë arrin një vepër arti të të bëjë të përlotesh?, dhe vet përgjigjet: -”Kur ajo tregon ngjarje prekëse, nga ato më të rrallat që sfilitin çdo zemër. Kjo është më e zakonshmja. Por lotët mund të t’i rrëmbejë edhe një tablo, një skulpturë, një këngë, një interpretim aktorial i paparë, një shfaqje tronditëse arti, gjithsesi….” E, e tillë është e gjithë vepra e Pëllumb Kullës, një perlë gjuhësore në çdo fjalë të përdorur, një dashamirësi njerëzore në çdo frazë të shprehur, që të ngazëllen e të mallëngjen… 
Pikërisht në vlerat njerëzore të tij, dëshiroj të ndalem. 
Në jetën gjithëdrithërimë të Pëllumb Kullës, vështirë të gjendej tjetërkush që të fliste me aq ëmbëlsi e mirënjohje për Petraq Magjistarin. Pëllumbi ndanë mjeshtërisht aftësitë intelektuale e vlerat njerëzore, nga funksionet politike e partiako-shtetërore, që mbart personi… Kështu ka bërë, për jo pak kuadro e artistë të tjerë, edhe nëse kanë qenë komunistë. Në intervistën, e dt. 5 gusht 1995, në përgjigje të pyetjeve të intervistuesit të gazetës “Tribuna Demokratike”, për artikullin: ”Në listat për pushkatim”, shprehet:”Shoqëria e artistëve të teatrit dhe estradës së Fierit, ishin dhurata më e bukur dhe, ndoshta, e vetmja që zoti më ka falur deri tani”. Ndërsa pyetjes së gazetarit: ”Nuk keni vërejtje për përkatësitë e tyre partiake?”, i përgjigjet: ”Ç’përkatësi!Ne kemi qenë tërë jetën në të njëjtën parti dhe në atë parti vazhdojmë të jemi”…. Dhe kur pa!? Në kohën kur shpërthenin thirrje histerike: ”Komunistët në litar, pensionistët në hanxhar…”! 
Luftar Paja
Sa herë u kthehem e rikthehem, vlerësimeve të tij për Luftar Pajën emocionohem e përlotem, jo se e kam Luftarin të anës sime, por ja një moment, kur në analizë të pjesëzës humoristike: “Po ai që e vodhi lopën?” shprehet: ”…në qendër të episodit luan një aktor, që me pa hezitim do ta quaja yllin e asaj trupe, një aktor të cilit nuk i gjen të dytë për lojën realiste, për syrin transparent, për zërin e bukur dhe për shkrirjen e rrallë me figurën letrare…Luftar Paja! Është një aktor që i vjen skenës një herë në njëmijë vjet. Dhe ky vlerësim nuk e merr aspak temperaturën nga nostalgjia…”. 
Po kur fletë për arratisjet e Dritëroit e të Kadaresë? 
Sa dashamirës e objektiv tregohet në vlerësimet e tij; ndonëse Dritëroi, ishte ai që ishte, edhe në funksione jashtë letrare… Kur ballafaqon analizat e Pëllumb Kullës për veprën e Kadaresë, me vlerësimet e gjykimet naive, të jo pak “analistëve” që e cilësojnë Kadaren si shërbëtor të regjimit e të përkëdhelur i Enver Hoxhës,(ndaj janë kundër marrjes së çmimit “Nobël”), tregon se sa njerëz cmirëzinjë e zemërngushtë ka mes ne shqiptarëve. Edhe një rast që na jepet për t’u vlerësuar e paraqitur me dinjitet para Botës, mblidhemi si ferra mbas këmbëve të njëri-tjetrit dhe s’lejojmë të lëvizim përpara…. E me keqardhje them se sa të pakët i kemi personalitetet dinjitoz si Pëllumb Kulla…. Të tillë që nuk druhen semos u bëjnë hije artistët e tjerë, nëse i vlerëson më të mirë se veten. Kështu vlerëson Pëllumbi, Piro Manin,veçanërisht si regjisor i paarritshëm, Skënder Sallakun, me humorin e tij të hollë e shpotitës, për të cilin ndërsa përgatitej t’i festonte shoqërisht 80 vjetorin,por s’mundi, (ai dhe të tjerët), gjithsesi, ndonëse në jetën e përtejme, i drejtohet: ”… të siguroj, mik i shtrenjtë, se ajo festë që pata ndërmend, do të bëhet edhe më mirë edhe më shpesh. Përjetësia është mijëra e mijëra herë më e gjerë se jeta. Me kalimin e viteve vlerat e madhështisë tënde do të shplurosen më qartë. Dhe siguria më e madhe dhe më e bukur që të jap është se kjo gjë nuk do të ndodhë ngaqë do ta bëj unë, as do të ndodhë për meritat e mia, por më thjeshtë akoma: për meritat e tua”. Për Agim Shehun, thotë:”poet që gërsheton me aq hir e harmoni, vargun popullor, humorin, epizmin dhe sensin e muzikalitetit”. Për Roland Gjozën, të cilin e përcakton”…një nga shpirtrat më të ndjeshëm poetik” dhe hedh në faqen e tij të Facebookut, “një copëz poezie, por ama një copëz të ndritshme, që më nderon mua si përzgjedhës, dhe mbi të gjitha, që e nderon atë”, e pikërisht: “Koha në kuletë”. Janë të shumtë personalitetet që ai iu vlerëson në piedestal veprat e vlerat. Nuk mund t’i kujtoj të gjithë këtu, por në vazhdim e shkurt, do të përmend njërin me të cilin ka pasur të njëjtin profesion, madje dhe të njëjtin fat, që duket se sa shumë e do dhe e vlerëson, (përveç “qortimit” që i bënë në moskapjen në kohë të anglishtes). Ky është Leka Bungo, që ndërsa lexoj e argëtohem me artin e Pëllumbit, më kujtohen vitet ’70 e më rri parasysh, Leka, si sot: në sheshin para Pallatit të Kulturës së qytetit të Patosit, me trupin e tij të gjatë, veshur me pardesy të kaftë, me fytyrën të hequr e flokët të rënë mbi ballin e gjerë… Pëllumbi fletë shumë e gjerë për Lekën, e, tek “Përdorimi i shokut si personazh” e përcakton si: “… njëri nga miqtë e mi më të afërt, njëri nga ata “bashkëngrënësit e thesit me kripë”, që “e njohin të gjithë dhe sidomos ia njohin natyrën e tij thumbuese… E pranojnë si shpotitës të klasit të parë…. Mjeshtri më i madh i vetëtalljes” Ndërkaq, Pëllumbi, bënë një humor të ëmbël, argëtues e qetësues sa të le pa brinjë… E bënë ngaqë e do dhe e vlerëson shumë, e përcakton më të mirë se veten e tij, përcaktim ky që, si edhe i shumë e shumë të tjerëve, jo vetëm nuk ia ul vlerat Pëllumbit, por unë atë e përfytyroj në majë të atyre majave, me artin e fjalën e tij të mprehtë, të zgjuar e dashamirëse, pa komplekse e me një inteligjencë të mahnitshme, pa të cilën shoqëria nuk mund të ec përpara… Pëllumbi, për mua me aq sa kam mundur ta njohë, është një personalitet dinjitoz, që me mendjen e tij të hapur, nuk ka lëvizur nga istikami, është i palëkundur në kritikën e mprehtë, që u bënë veseve e mungesave që ka shoqëria, si në sistemin e parë ashtu edhe tani, kur shpresuam për më mirë, por politika luan një “Teatër të ndyrë paskomunist”. 
Përthithja
E për gjithçka që kam mundur të përthith, nga arti i Pëllumbit të Madh, përpiqem ta ndjek në faqen e tij të facebookut, ku kam gjetur hapësirë, krah mijëra e mijëra ndjekësve të tij, të këmbej ndonjë përshtypje, por mbi të gjitha ka mbi një vit që pres ta takoj. Duke pritur, mora vesh se nga fundi i shtatorit ai u gjend në Shqipëri, i kërkova numrin e kontaktit e, ai ma dha. Fola disa herë e m’u përgjigj pozitivisht, që ta pinim së bashku një kafe, ndoshta dhe një drekë diku, ku Tiranën ta kishim si në pëllëmbë të dorës… Por ngarkesa për gëzime, por edhe për hidhërime e Pëllumbit në atë segment të shkurtër kohor që u ndodh këtu ishte tepër e madhe. U solidarizova me fjalën e tij prekse, të padëshirueshme në përcjelljen e Arqile Liçit. E ndoqa në Elbasan, në Fierin e tij të dashur e… duke i lënë pak kohë të mblidhte forcat e mandej të hanim, sëbashku edhe me Luftarin, një drekë, ku të bëja fotografi e filmime…. Por…kur nisa ta telefonoja, numëri i tij më dilte i padisponueshëm. Telefonova Luftarin e ai më tha se Pëllumbi u nis për në Amerikë, “u nis dje “ -më tha… Ah, sa peng më ngeli! “Më fluturoi” Pëllumbi, nuk munda ta shihja dhe ta takoja sëafërmi… Gjithësesi më premtoi se do të kthehet sëshpejti. Shpresoj!
Sigal