Jeta e panjohur e Safete Jukës, vajza e madhe e ish-ministrit të qeverisë së Zogut

1450
Sigal

PORTRET/ Vepra e saj më e shquar “Kosova – Shqiptarët në Jugosllavi nën dritën e dokumenteve historike”

Dr. Safete Juka është një nga gratë më të shquara të Shkodrës dhe të Shqipërisë dhe njëkohësisht nga më të panjohurat. Për të mund e duhet të flitet e të shkruhet shumë. Ajo meriton vlerësimin dhe vëmendjen e duhur, sepse përfaqëson një kategori grash shkodrane që, ndonëse e detyruar të jetojë në mërgim, u ushqye me shpirtin atdhetar e vetëdijen e saj shqiptare dhe shkodrane dhe punoi pa u reshtur për të mirën e vendit të vet. Ajo ishte një intelektuale e klasit të parë, si studiuese, filozofe, poliglote, piktore, eseiste. Ajo përbën një shembull të rrallë atdhetarie, ndonëse gjithë jetën larg atdheut. Ismail Kadare prej kohësh ka lëshuar thirrjen: “Thojuni shqiptarëve se kemi në Nju Jork një Dora D’Istre të dytë…”.

Kam pas nderin e kënaqësinë ta takoj dhe kam kuptuar vlerat e saj, si një grua e rrallë e me kulturë, dije, zgjuarsi, atdhetarizëm dhe vullnet për të dhënë ndihmesën e saj në çështjen e brishtë shqiptare në dekada të ndryshme. Në shtëpinë e kushëririt të saj të parë, të nderuar e të respektuar nga shkodranët e shqiptarët, të ndjerin Xhelal Juka, futbollisti dhe trajneri i talentuar,  kur ajo ka ardhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në qytetin e saj të lindjes, mbas një mërgimi tepër të gjatë, pata rastin të bisedoj me të dhe të njoh më afër këtë intelektuale dhe patriote të shquar. Ajo fliste qetë-qetë, me një shkodranishte të pastër, të qartë dhe të ëmbël, me një rrjedhshmëri për t’u admiruar. Ishte modeste. Kur fliste për çështjen e atdheut, sikur merrte një pamje tjetër dhe i ndrisnin më tepër sytë, duke i rënë një të kuq të purpurt në faqet e saj të rrudhura nga vitet e shumta që mbante mbi supet e saj pak të mbledhur.

Studimet

Safete Juka është lindur në Shkodër në vitin 1920, në një familje nga më të vjetrat shkodrane, është vajza e madhe e të mirënjohurit Musa Juka, ish-ministër i qeverisë së Zogut. Në kohën kur Shqipëria u pushtua nga fashistët italianë dhe familja e saj u detyrua të bridhte sa në një vend në një tjetër, për t’u ngulitur pastaj në Aleksandri të Egjiptit, Safetja ndodhej në Vjenë, duke ndjekur shkollën e mesme, filluar në moshën 13-vjeçare. Kështu që, edhe shkollimi i saj pati disa peripeci, deri sa u ndodh në Universitetin e famshëm të Sorbonës në Paris, të cilin e përfundoi në vitin 1950. Kthehet në këtë kohë në gjirin e familjes në Aleksandri, ku jep mësimin e letërsisë dhe të historisë në Liceun Francez të atij qyteti. Me ‘të, ishte edhe motra e saj më e vogël dhe shkodrania e mirë dhe e zgjuar Lume Juka, që ishte një bashkudhëtare e denjë e saj në të gjitha rrugët e jetës së gjatë të tyre.

Familja e njohur Juka, mbas vdekjes së kryefamiljarit të saj, Musa Juka, vendos të emigrojë në SHBA, duke u vendosur në Nju Jork.

Safete Juka jep mësimin e gjuhëve të huaja në frëngjisht dhe gjermanisht, të cilat i zotëronte në mënyrë të përsosur. Vendos të ndjekë doktoraturën, të cilën e mbron në Francë, në vitin 1969, në profilin e shkencave shoqërore me specializim në letërsi. Emërohet në universitetin e Pensilvanisë, ku jep leksione për letërsinë franceze të shekujve 19 e 20,  deri në daljen në pension. Ndjek jetën akademike dhe aktivizohet në organe të ndryshme të shtypit, ku trajton probleme të filozofisë së arteve e letërsisë franceze. Ajo ndjek edhe jetën shkencore të Europës, ku trajtohen këto çështje. Përgatit për këto veprimtari shumë referate të ndryshme dhe bëhet e njohur në qarqet e larta shkencore për njohuritë e thella dhe nivelin e lartë të trajtimit të temave, duke u shquar kështu si kritike e artit, studiuese, eseiste, analiste, duke zbërthyer shumë probleme të kulturës në përgjithësi dhe të asaj franceze në veçanti. Më vonë iu përkushtua edhe problemeve e analizave politike, etnologjike dhe bibliografike, në revistat më të njohura të kohës. Kryen disa studime monografike për mjaft piktorë të përmendur të kohës.

Personalitet i spikatur i jetës kulturore e shkencore të kohës

Kështu, Safete Juka, e njohur në Amerikë si Safete Sofia Juka, bëhet një personalitet i spikatur i jetës kulturore e shkencore të kohës. Por mendja e saj e ndritur dhe zemra e madhe prej atdhetareje të flaktë i rrihnin më shumë në çështjen e brishtë shqiptare, veçanërisht në atë kosovare. Ajo e ndjente si të domosdoshëm aktivizimin sa më efikas në ngritjen e opinionit politik dhe publik në mbrojtje të të drejtave dhe lirive të shqiptarëve kudo ku ndodheshin. Duke ruajtur në shpirtin e saj dashurinë për vendlindjen, për atdheun e të parëve, ajo iu përkushtua kësaj fushe dhe e vuri në shërbim të atdheut gjithë bagazhin e saj politik e kulturor. Nëpër konferenca të ndryshme shkencore, me anë të artikujve të shumë, librave të ndryshëm e përkthimeve, në të gjitha mënyrat e mundshme, ajo trajton me thellësi shkencore e ndjenjë atdhedashurie të flaktë problemet më të mprehta që lidhen me të drejtat e shqiptarëve, veçanërisht të atyre të Kosovës, për liri e pavarësi. Në këtë mënyrë Safete Juka u mbiquajt “Dora D’Istria e kohëve tona”. Këtë epitet asaj ia dha puna e madhe në shërbim të atdheut, njohuritë e thella shkencore dhe kulturore dhe vendosmëria për t’i dalë zot atdheut të vet të dashur.

Studimet për Kosovën

Në vitin 1982, menjëherë pas demonstratave të fuqishme që u zhvilluan në Kosovë, në një  universitet të njohur të Nju Jorkut u organizua një Konferencë ndërkombëtare për Kosovën, Safete Juka mbajti një kumtesë të rëndësishme dhe mjaft cilësore, duke bërë thirrje të gjithë patriotëve shqiptarë dhe në veçanti popullit të shumëvuajtur kosovar për të mbrojtur të drejtat e veta legjitime, kundër robërisë serbe. Vepra më e shquar e Safete Jukës është libri në anglisht “Kosovo – The Albanians in Yugoslavia in light of Historical Documents” (“Kosova – Shqiptarët në Jugosllavi nën dritën e Dokumenteve Historike”), botuar në vitin 1984. Me anë të dokumenteve të shumtë dhe fakteve reale, ajo argumenton drejtësinë e luftës historike të popullit shqiptar të Kosovës kundër robërisë serbe dhe mbron të drejtat legjitime që kjo pjesë e popullit shqiptar të jetojë në liri të plotë.

Shqipëria dhe Kosova kanë qenë pak të njohura në opinionin publik ndërkombëtar, sepse, përveç të tjerave, pak është shkruar për çështjen tonë kombëtare. Libri “Kosova – Shqiptarët në Jugosllavi nën dritën e Dokumenteve Historike”…” i Safete Jukës qe një befasim për diplomacinë botërore dhe ndikoi shumë në sensibilizimin e saj dhe sqarimin e shumë problemeve që lidhen me çështjen tonë kombëtare. Atë e vlerësuan shumë historianë të njohur, një prej të cilëve, Peter Titonski i Universitetit “Georgeton” të Uashingtonit, që shprehet kështu: “Libri i mrekullueshëm për shqiptarët në Jugosllavi me titull “Kosova…” më ka bërë një impresion të thellë. Ajo më ka lënë të mahnitur si nga hapësira e gjerë e njohurive historike ashtu edhe nga materialet burimore aq të shumta të gjithfarë gjuhësh, që ka përdorur autorja e këtij libri…Asnjë studiues nuk mund të shkruaj për Kosovën pa iu referuar këtij vëllimi të shkëlqyer…” (Shih: Zenepe Dibra, “Bijat e Rozafës”, Shkodër, 2003, fq. 417 – 421)

Safete Juka përkthen në një anglishte të pastër dhe brilante librin e gazetarit austriak Leo Freundlich “Golgota Shqiptare” (“Albanian’s Golgotha”), ku shkruhet qartë për gjenocidin serb mbi popullin e Kosovës dhe të krahinave të tjera shqiptare që mbeten jashtë kufijve të Shqipërisë, më 1913. Aty dalin qartë vrasjet masive të burrave, grave e fëmijëve shqiptarë, djegiet e shumta të njerëzve e fshatrave pafund, dyndjet e mëdha dhe pushtimi i tokave të shqiptarëve nga kolonët serbë. Intelektualja dhe atdhetarja e shquar Safete Juka e ka dashur Kosovën, e ka ndjerë thellë në shpirt dramën e saj, ka ndjerë dhimbje të madhe për vuajtjet e pallogaritshme të këtij populli trim e luftëtar. Ajo nuk i ka mbajtur të ndrydhura këto ndjenja, ka bërë të gjitha përpjekjet për t’ua bërë të njohur të gjithë politikanëve që kanë pasur në dorë për të bërë diçka për të ndryshuar gjendjen. Librin në fjalë Safete Juka ia dhuroi Presidentit të SHBA Bill Klinton, i cili i dërgon asaj një letër personale falënderimi. Nuk mund të themi se ku u mbështet Klintoni në vendimet e tij historike për të bërë atë që më vonë e përjetuam të gjithë e që ndikoi me forcë të veçantë në lirinë e Kosovës, por mund ta marrim me mend se një ndikim të dukshëm pati edhe vepra e Safete Sofia Jukës dhe përkthimi i librit “Golgota shqiptare”, që iu dhanë atij në momentin e duhur e vendimtar për fatet e popullit shqiptar të Kosovës.

I lumtë Safete Jukës dhe mirënjohje përjetë asaj, për veprën e madhe në shërbim të çështjes sonë kombëtare. Qyteti i Shkodrës i ka dhënë titullin e lartë “Qytetare Nderi”. Shteti shqiptar dhe ai i Kosovës së Lirë do të dinë t’i shprehin mirënjohjen e thellë, duke vlerësuar, në mënyrën e tyre, sa më lart figurën e saj të ndritur.