Vangjel Ndrio:Ja si i kam takuar Enverin dhe Mehmetin

748
Sigal

 INTERVISTA/ Flet inxhinieri, piktori, Vangjel Ndrio: Janë dënuar kot intelektualë me vlera

Një jetë të tërë puseve të naftës, por asnjëherë s’e largoi ëndrrën dhe dëshirën për pikturë. Sa herë gjente kohë të lirë hidhte diçka në telajo. Por këtë radhë ai vjen me një ekspozitë krejt të veçantë, me një ekspozitë me piktura rëre,  tekstile dhe bizhu, por edhe të gërshetuara. Rreth 73 ( nga 120 piktura  që ka në shtëpi) të këtyre llojeve tashmë janë varur në ambientet e Muzeut Kombëtar ku janë parë nga qindra vizitorë. Por e veçanta e kësaj ekspozite është sepse pjesa dërrmuese e pikturave janë  bërë me rërë të hollë të ngjitur në kompensatë me ngjitës “ufo”. Rëra ka ngjyra të ndryshme të gjitha të marra nga gurë të ngjyrosur dhe të bluar sipas ngjyrave dhe jo të bojatisura. Ai flet me pasion për pikturat, por edhe për miniskulpturat humoristike, të cilat janë jo të pakta në numër. Por Vangjeli shprehet se, ajo që e ka ndihmuar më shumë në këtë punë ka qenë profesioni i tij si  gjeofizik, ku ka parë natyra nga më të ndryshmet, gurë nga më të bukurit, por edhe personazhe nga më interesantët. Në jetën e tij ai ka pasur rastin të takojë edhe Enver Hoxhën dhe Mehmet Shehun,

 -Si ju lindi ideja për këtë ekspozitë dhe a jeni marrë më parë me pikturë?

Unë më parë nuk jam marrë me pikturë por e kam dashur shumë artin në përgjithësi. Kur piktorë të ndryshëm hapnin ekspozita të ndryshme unë nuk lija ekspozitë pa parë. Në jetë, kur kam qenë i vogël kam pasur dëshirë që të merresha  me estetikën, pra, në rregullin e gjërave. Më vonë filloi puna dhe në punë kam qenë shumë strikt dhe i rregullt. Kur isha në Fier si gjeolog unë gjeja gurë të ndryshëm dhe i merrja dhe i gdhendja i bëja statuja dhe vazo të  vogla në formë dekori, ndonjë vesh rrushi me gdhendje etj. Pra në çdo hap ecja me pikturën, pasi puna ime ishte e lëvizshme dhe shikoja vende të ndryshme, njerëz të ndryshëm, gurë të ndryshëm, të cilat i vizatoja në memorien time. Kështu që kur kisha kohë të lirë fillova të punoj pak me pikturën me gdhendjet, me mënyrën se si realizoheshin ato. Kur kisha bërë mjaft prej këtyre thashë të hap këtë ekspozitë.

 Pra, u desh një kohë e gjatë pune për realizimin e saj?

E vërtetë. Pasi dola në pension unë u mora më shumë me rritjen e nipërve. Në vitin 2004 unë kam filluar të punoj me këto që shihni sot. Janë  fryt  i një pune 9-vjeçare. Unë i kam pikturuar njëherë në letër pastaj i kam shtrirë në fibër dhe pastaj i kam pikturuar me rërë.

 Si janë realizuar me rërë këto piktura?

Të gjitha këto janë të ngjitura me rërë, por ka edhe të punuara me tekstile dhe bizhu, pra janë të gërshetuara. Pjesa dërrmuese  janë me rërë. Kohët e fundit unë kam filluar të merrem me  rërë se në fillim jam marrë  me punimin  prej balte. Bëja figura humoristike. Secila ka humorin e saj dhe janë baltë e tharë dhe të papjekura. Figura të tilla janë rreth 120 copë. Pastaj fillova me punim e alabastrës. Në fund  vendosa të punoj me rërën.. Këtu kam 73 punime. Në shpi kam 120 të gërshetuara me bizhu, tekstile, rërë. Rëra i reziston kohës dhe është e përjetshme. Rëra nuk është në beze por është në kompensatë me shtatë shtresa. Këto që janë me rërë janë rërë origjinale dhe nuk është rërë e ngjyrosur. Kam thyer me havanë gjëra me ngjyra të ndryshme. Fraksioni që del nga thyerja, atë fraksion unë e kam vendosur këtu. Kam 10 lloje sitash. Pra merrja gurë, xhame, pjesë shkëmbinjsh me ngjyra të ndryshme, i thyeja, i bluaja, i sitja. Pra disa procese.  P.sh për ngjyrën e zezë kam marrë rërën e zezë tek Liqeni Artificial i Tiranës. Atje ishte një shkëmb. U afrova atij shkëmbit mora disa copa dhe e kam shtypur shumë dhe pastaj nxora këtë rërën e zezë që është në pjesën e poshtme të “Skënderbeut”.  Unë vazhdimisht shkoj e marr copa nga ky shkëmb pasi ai ka katër ngjyra në vetvete: të zezë, ngjyrën e fytyrës, kafe të errët dhe kafe të hapur.

-Ju keni punuar në  naftë kur keni filluar në sektorin më të vështirë të ekonomisë shqiptare?

Në naftë kam filluar në vitin 1955. Kam studiuar në Universitetin e Tiranë nga viti 1959 deri në 1965. Pra fill pas studimeve në gjeo-fizikë fillova punë në Fier në sektorin e naftës.

Si është trajtuar sektori i naftës në regjimit komunist?

Puna më e vështirë. Puna më me përgjegjësi. Gjithë udhëheqja i kishte sytë nga nafta dhe dihej se çfarë rigoroziteti duhej të kishe. S’e di se si kam shpëtuar nga burgu, s’e di. Pjesa dërrmuese e shokëve të mi u burgosën. Ka pasur shumë kërkesa për sasinë, cilësinë, kërkesa të jashtëzakonshme. Atëherë i hëngrën specialistët më të mirë në strese të jashtëzakonshme, si me burgje, tradhti, sabotime. Unë nuk kam pasur probleme dhe për fatin e mirë timin unë kam pasur shumë suksese.

Suksese me zgjerimin e vendburimit, në zbulimin e vendburimit. Unë kam qenë direkt për naftën. Unë kam studiuar për gjeo-fizikë që i shërbente direkt  naftës.

Puna ka qenë kolosale.

-Ke pasur ndonjëherë rastin të takoje Enverin apo Mehmetin  kur vinin aty?

Po. E kam takuar Enver Hoxhën në vitin 1979 në zyrën e tij në Tiranë. Ne kemi qenë një grup specialistësh si unë Fatmir Shehu, Petraq Xhaçka, Enriko Veizin që erdhëm nga jashtë. Unë  bashkë me shokët e mësipërm kam qenë për eksperiencë në vendet arabe dhe kur u kthyem që andej  kishim mësuar shumë gjëra.  Ishim për eksperiencë 6 muaj në Algjeri, Irak, Kuvajt. Kur u kthyem nga andej  na thirri Enver Hoxha. Unë në Algjeri kam marrë materiale dhe i fotografoja në ambasadë. Më ndihmoi një rumun që punonte aty.  Ai mori vesh që unë isha çoban dhe mu afrua vetë. E gjetëm gjuhën. Ai sillte materiale nga më të ndryshmet dhe unë i merrja dhe i fotografoja në ambasadë. Ishte punë me rrezik sepse nuk lejoheshin të merreshin këto materiale. Me ato materiale kur erdha këtu u bë një kthesë e jashtëzakonshme në punën time në gjeo-fizikë. Kur i mori vesh Enver Hoxha këto gjëra na thirri në zyrën e tij dhe  na përgëzoi. Ai  tha: E kam marrë vesh se keni bërë punë shumë të mirë.  Atë ditë ai ishte i qeshur dhe u tregua shumë dashamirës me ne. Ishte një pritje e ngrohtë. Na pyeti për eksperiencat aty. Ngelëm shumë të kënaqur nga ai takim. Por ja s’kaloi shumë dhe ndodhi ajo që nuk pritej. Mbas 2-3 vjetësh i futën në burg Petraq Xhaçkën. Fatmir Shehun etj. Vetëm ata s;mund të bënin punë sabotuese pasi ishin intelektualë të zotë me shumë përgjegjësi. Të dënoje ata njerëz ishte marrëzi.

 Po Mehmet Shehun a e ke takuar?

Me Mehmet Shehun kam pasur rastin ta takoj se kur kam qenë të bëj elektrifikimin në Çorrush që ishte fshati i Mehmetit. Erdhi Mehmeti atje për elektrifikimin e fshatit të tij Ishte hera e parë që e shihja kaq afër. Ishte shumë i rreptë. Ishte shumë agresiv. Aty ndodhi një ngjarje  e papritur. Vjen një  fshatar dhe i jep një misër  djalit të Mehmetit. Një misër të pjekur. Djali sa e mori ia hodhi fshatarit turinjve. Fshatari ngeli I hutuar. Mehmeti ju turr djalit ta qëllonte. Ai donte ta qëllonte por nuk e la Fiqeretja. Fshatari nuk dinte ç’të bënte. Unë mbeta i habitur. Sa kaloi kjo gjendje Mehmeti foli vazhdoni punën.

 Flasim tani për ekspozitën, mendoni se do ta  vazhdoni më tej këtë punë?

Unë mendoj se do ta vazhdoj me tej. Unë do ta vazhdoj me portrete dhe autoportrete të familjes time dhe njerëzve të mëdhenj të kohës që nga Anjshtanji, Bethoven, Andrea Boçelin (që është një këngëtar i madh). Të gjitha këto i kam mbuluar  dhe jam në përgatitje e sipër.