Ilirian Lluri: Çerçiz Topulli dhe Gjirokastra në UNESKO

DY PËRVJETORËT E NJË DITE

Dita e 15 korrikut lidhet me dy ngjarje të rëndësishme për qytetin tonë: 110 vjetorin e vrasjes së Heroit Kombëtar, “Nderit të Kombit”, Çerçiz Topulli dhe 20 vjetorin e Gjirokastrës në UNESKO. E para lidhet me trashëgiminë historike, e dyta me trashëgiminë arkitekturore, po aq e rëndësishme për lëvizjen turistike si mekanizmi më i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik të qytetit. Kam vënë re me shqetësim se prej kohësh po neglizhohet ceremoniali ndaj trashëgimisë sonë historike. Pas këtij shkrimi besoj se dikush do të ndihmojë në dhënien e përgjigjes për dy pyetje: 1. A duhet të anashkalohet 110 vjetori i vrasjes së Çerçiz Topullit?! 2. Kush e përcaktoi datën 15 korrik si një ditë feste për hyrjen e Gjirokastrës në UNESKO?

NOA

XHAMIA E PAZARIT

Në kuadër të 20 vjetorit të Gjirokastrës në Unesko është e domosdoshme të vlerësojmë kontributin e paraardhësve tanë që na lanë një qytet me arkitekturë kaq të veçantë, e cila ka tërhequr vëmendjen e vizitorëve prej shekujsh. Disa muaj përpara se të largohesha nga Shqipëria, miku im Llambi Dilo më pruri një fletore ku kishte shënuar disa detaje mbi aktivitetin babait tij, muzeologut të njohur Lefter Dilo. Po sjell një detaj nga shënimet e dr. Llambit, detaj që hedh dritë mbi mbrojtjen e një objekti kulti. Në kuadër të luftës kundër fesë në vitin 1967, vrulli i shkatërrimit do të prekte edhe xhaminë e Pazarit. Por një letër e Lefter Dilos drejtuar Enver Hoxhës, mbrojti jo vetëm xhaminë, por edhe djegjen e mëtejshme të ikonave të kishave. Ai i shkroi Enverit mbi mundësinë e ngritjes së një muzeu. Lefteri synonte ngritjen e Muzeut ikonografik në Gjirokastër, i cili pas disa kohësh, me urdhërin e Enverit u ngrit në qytetin e Korçës. Lefteri diti të shpëtojë një objekt nga më të rëndësishmit të “Qafës së Pazarit”. Askush nuk e rrëfen këtë ngjarje kaq të guximshme të muzeologut të famshëm, i cili meriton një mirënjohje të veçantë nga të gjithë ne në kuadër të 20 vjetorit të Gjirokastrës në UNESKO. Por ja vlen të kujtojmë këtu edhe një tjetër detaj. Pesëdhjetë vite më vonë, ne të “mençurit”, në përfundim të një projekti restaurues në kompleksin muzeal “Qafa e Pazarit”, mbyllëm “pa dashje” rrugën publike që kalonte poshtë kësaj xhamie. Kundërshtimin e drejtorit të atëhershëm të Monumenteve, Njazi Çobani për mbylljen me dyer të këtij nënkalimi, ish ministrja e Kulturës, Margariti e përcolli me një përgjigje të thatë: – nuk e kam firmosur unë zbatimin e këtij projekti. Që kur pronës private i është kthyer shenjtëria e saj, ajo që është më e prekshme nga abuzimi, është prona publike. Të jetë kjo arsyeja pse ende ju bien në qafë rrugëve?

RRUGA E LICEUT – DY LAJME NË NJË SHEKULL

Avokati që zgjeroi rrugën

Që veprimet në një rrugë të Gjirokastrës do të kornizonin lajmet e fillimit dhe fundit të një shekulli, s’do të më kishte shkuar kurrë nëpër mend. Por, s’ka çudi që nuk ndodh thonë. Një shekull më parë avokati i njohur, Xheneti zgjeroi shtegun përpara Liceut Francez, duke e thyer shkëmbin pas banesës së tij, në 15 metra gjatësi dhe 3 metra gjerësi. Shtegu i dikurshëm u kthye në rrugë. Për dhuratën bujare që i bëri Liceut dhe banorëve, avokati mori me qindra falënderime, dhe ngjarja u kthye në lajm të shtypit të ditës, për qytetin e gurtë një shekull më parë.

Faktori X – ngushtimi i rrugës

Që dikush do të tentonte ta ngushtonte rrugën e zgjeruar nga avokati 100 vjet më vonë, askush nga ata që jetuan në atë kohë, me siguri nuk e ka shkuar nëpër mend. Por e thamë, s’ka çudi që nuk ndodh. Ngjarja e vendosjes së kolonave prej betoni përpara gjimnazit “Asim Zeneli” më tërhoqi menjëherë vëmendjen. Ndoshta ishte veprimi më vandal i bërë ndonjëherë në kuriz të hapësirës publike, rrugës. Nuk dyshoja aspak që ky veprim do të korrigjohej me urgjencë, ashtu si edhe ndodhi. Por unë ende mbetem i befasuar nga heshtja qytetare për këtë ndërhyrje brutale në një nga rrugët më të frekuentuara nga vizitorët vendas dhe të huaj. Të besoj se nuk e kanë parë?! Pas rrugës së kalasë, kjo është arteria më e rëndësishme në qytet. Ajo të çon në Muzeun Etnografik, në shtëpinë muze “Skënduli” dhe në shumë hotele të lagjes Palorto. Sigurisht askush nuk është aq naiv sa të besojë se ishte “fati”, që Emin Kokalari ta “kapte” i pari këtë lajm, që bënte “muuu” në mes të rrugës e në mes të ditës. Ai ishte dhe mbetet i pari për kurajon qytetare. Zëri i tij u dëgjua sepse ai kishte të drejtë. Ai njoftoi në kohë, për atë që mund të kthehej në një problem të nesërm, nga vetë UNESKO.

Financimi

Zgjerimi i rrugës nga avokat Xheneti dhe ngushtimi i saj nga faktori – X, dallohen mes tyre edhe për shkak të burimeve të financimit. Avokati e zgjeroi rrugën më lekët e tij, ndërkohë që i panjohuri, që unë e kam quajtur faktori – X, e ngushtoi atë me lekët tona. Po problemi kryesor n ëtë gjithë këtë histori, është mentaliteti. 100 vjet më parë avokati mendoi të lehtësojë lëvizjen e banorëve, një shekull më vonë faktori-X dëshironte ta vështirësonte atë. Cili “këshilltar” kërkoi të na damkoste me këtë investim “brilant” në 20 vjetorin e Gjirokastrës në UNESKO?! Kjo ndoshta nuk do të merret vesh kurrë përderisa korrigjimi i skandalit, nuk u shoqërua nga asnjë spjegim. Dihet, kërkimi ndjesës kërkon burrëri.

default

TURIZMI – BANESAT MONUMENT KULTURE

Shtëpitë i ngjanin kështjellës, si vajzat i ngjajnë nënës.

                Ismail Kadare

Kjo ishte arkitektura që banorët e kështjellës, zgjodhën si model për ndërtimin e shtëpive kur dolën jashtë saj. Ata morën me vete një “copëz kështjelle”, ku nostalgjia, përzihej me sigurinë. Prandaj një pjesë e tyre kanë ende frëngjitë në katet e para. Megjithëse e ndërtuar relativisht vonë, 92 vjet më parë, edhe banesa e vëllezërve Hasani në lagjen Palorto, është një nga banesat më tipike të ngjashmërisë që vajzat kanë me nënën-kështjellë. E vendosur përballë lindjes dhe me një fush pamje të gjerë, ajo është lehtësish e dallueshmë që së largu. Përmasat dhe arkitektura e mrekullueshme, janë prezantimi më befasues që qyteti i afron vizitorëve kur ata  zgjedhin për të hyrë nga ana veriore e tij. Ajo i ka huazuar tre harqet në pamjen ballore të saj, nga arkitektura e shtëpisë Skënduli, por me një ndryshim. Tek banesa Skënduli rritja e madhësisë së harqeve fillon nga e djathta në të majtë, ndërkohë që tek Palorto-inn ajo nis nga e djathta në të majtë. Që të ngriheshin dhe të mbaheshin në këmbë ndërtime të tilla, duheshin burime të mëdha financiare. Është kjo arsyeja që pronarët e tyre, ishin ish funksionarë të perandorisë osmane, pronarë tokash e bagëtish, avokatë të dëgjuar, farmacistë, mjekë dhe tregëtarë. Shkatërrimi i kësaj baze ekonomike pas 1944, bëri që një pjesë e këtyre banesave, mezi të qëndronin në këmbë. Një pjesë u rrëzuan, ndërkohë që një pjesë tjetër të cilësuara “Monument Kulture” u morën në mbrojtje nga shteti. Sot po kthehemi atje ku ishim dikur, por me një ndryshim domethënës. Shtëpitrë kështjella, që ende po qëndrojnë në këmbë, mbështeten ekonomikisht nga tjetër gjë. Që pas hyrjes së Gjirokastrës në UNESKO, sektori i turizmit ka marrë një zhvillim tejet pozitiv. Ashtu si shumë banesa të tjera PALORTO – Inn e prezantuar si investimi hotelier më i ri në qytet, nuk ka më mbështetjen e biznesit farmaceutik si vëllezërit Hasani dikur, por turizmin. E kthyer në një hotel cilësor nga pronari i saj i ri, ajo do të mund ti njohë vizitorët me tre kohë të ndryshme ku ka rrugëtuar e po rrugëton:

  1. Kohën kur pronarët e hershëm zgjodhën modelin kështjellë për ndërtimin e saj,
  2. Kohën kur diktatura e ktheu në shërbim të aktiviteteve të ndryshme sociale duke deformuar ndjeshëm hapësirat e saj të brendëshme.
  3. Kohën e sotme kur falë UNESKOS dhe dëshirës së investitorëve gjirokastritë, banesa i është rikthyer origjinës arkitekturore.

Investime të tilla, përpara se të jenë në dobi të vetë investitorëve, janë në shërbim të mbrojtjes së origjinalitetit arkitekturor të qytetit. Është kjo arsyeja që unë e quaj PALORTO – Inn, një dhuratë të bukur që  i bëhet qytetit në 20 vjetorin e tij në UNESKO.

BANESA NË FJALËT E URTA

Të gjithë jemi dëshmitarë se prej vitesh me dhjetra shtëpi – kështjella janë rrënuar para syve tanë. Faktori kryesor ka qënë braktisja e tyre. Se si mund të shpëtohet nga rrënimi ajo, populli e ka gdhendur në fjalët e tij të urta që s’kanë nevojë për koment.

  • Tymi e mban gjallë shtëpinë.
  • Një shtëpi ka jetë, kur tymon oxhaku i saj.
  • I zoti e di ku i pikon çatia.
  • Pika e strehës, mortja e derës.

TË HUAJT PËR GJIROKASTRËN

Evlia Çelebi

Gur i tillë, i punuar me mjeshtëri kaq të hollë, nuk mund të gjendet në vend tjetër të botës. Kjo mjeshtëri është shumë e moçme në këtë vend.

Eduart Lir

Gjirokastra është një vend i mbushur me copëza panoramash të bukura. Çdo artist zemërohet me veten ngaqë nuk është në gjendje ku të ndalojë menjëherë, për të mos humbur kohë.

Pukëvil

Mbi këto shkrepa të ashpra janë ngritur shtëpitë, disa prej të cilave u ngjiten rrëpirave si fole dallëndyshesh.

GJIROKASTRA NË UNESKO- 17 KORRIK 2005

Gjirokastra u shpall qytet muze në vitin 1961. Do të kalonin 44 vjet që qyteti ynë të fitonte një mbrojtje ndërkombëtare. Gjirokastra u pranua në UNESKO në Sesionin e 29 të  Komitetit të Trashëgimisë Botërore që vijoi punimet nga dt. 10 deri në 17 korrik 2005. Vendimi i marrë në këtë takim ju përcoll qytetit përmes një dokumenti zyrtar ku lexojmë:

                        Komiteti I Trashëgimisë Botërore ka shënuar:

QYTETI MUZE I GJIROKASTRËS NË LISTËN E TRASHËGIMISË BOTËRORE

Rregjistrimi në këtë listë njeh vlerën e jashtëzakonshme universale të një pasurie kulturore natyrore në mënyrë që ajo të mund të mbrohet në dobi të njerëzimit.

                                               Data e rregjistrimit 17 korrik 2005

Nuk e di kush e përcaktoi dt. 15 korrik si ditë kremtimi për këtë ngjarje, ndërkohë që dokumenti e jep qartësisht se data e rregjistrimit është në 17 korrik. Detaji i më sipërm më shtyn të ngre një pyetje: Kaq e vështirë është ta ndryshojmë datën e festës “Gjirokastra në Unekso”?! Me këtë akt ne do të korrigjonim një padrejtësi që është bërë deri tani në kurriz të një ngjarjeje tjetër: vrasjes së Çerçiz Topullit.

A DO TË KETË DY CEREMONI ZYRTARE NË 15 KORRIK?!

Nuk ka ende një kalendar zyrtar të shpallur mbi ceremonialin e 15 korrikut. Por gjithsesi, eksperienca e deritanishme na ka treguar se ajo ka qënë fokusuar vetëm tek  Gjirokastra në UNESKO. Ndoshta do të ishte e kotë që edhe unë të shpresoja se pas këtij shkrimi do të ndryshonte diçka në këtë drejtim, pavarwsisht argumenteve. Por nuk ishte thjesht paragjykimi im, shtysë për realizimin e këtij shkrimi. Ishte një kronikë e vitit 1934:

Të dielën e shkuar në datën 18 mars 1934 djemtë e bandës së qytetit tonë shfaqën në ambientet e shkollës “Normale” shfaqen “Mësimet pësime” dhe “Dhëndër me përdhunë”, në nderim të inagurimit të Statujës së Çerçiz Topullit. Të ardhurat e shfaqes shkuan për plotësimin e harxheve për ngritjen e statujës së Çerçiz Topullit.

Ky vit përkon fatmirësisht me rivendosjen e bustit të Heroit, në vendin e vet. Pas një mungese kaq të gjatë për shkak të investimit në shesh, ky gjest duhet përshëndetur. Ai përkon ndërkohë jo vetëm me 110 vjetorin e vrasjes, por edhe me 145 vjetorin e lindjes së heroit. Çerçizi dhe patrioti Mustafa Qulli u vranë nga ushtarë malazezë në fushën e Shtoit Shkodër, në 15 korrik 1915. Ngjarja bëri bujë. Heroit ju ngrit këngë. Gjirokastra e vajtoi birin e saj.

Mes djemve të bandës së Gjirokastrës që interpretuan në shfaqet teatrore bënin pjesë: Alizot Emiri, Osman Kallfa, Muhedin Jaho, Tolo Njocko dhe Talat Kalo.

Ndoshta do të gjykohej provokative mbyllja e këtij shkrimi me pyetjen; A ka djem gjirokastre që do ta përkujtojnë 110 vjetorin e vrasjes së Heroit tonë kombëtar?! Qëllimi i këtij shkrimi është ndërgjegjësimi publikut, që dita e 15 korrikut të mos suprimohet nga ceremonia zyrtare 20 vjet – Gjirokastra në UNESKO. Kjo do të tingëllonte absurde, ndërkohë që një nga gurët e themelit të qytetit dhe luftës për gjuhën shqipe, Çerçizi, të lihet pa u përkujtuar në ditën e vrasjes së tij. Ndoshta me këto dy ngjarje do të duhej të fillonte guida turistike e këtij viti në Gjirokastër, ku trashëgimia historike dhe ajo arkitekturore ndërthuren me përvjetorët e tyre. Ajo që e mban në këmbë qytetin nuk është vetëm arkitektura, e banesave të cilat edhe pas shembjes mund dhe janë ringritur përsëri, po ndërthurja me historinë e saj, histori e cila, nuk mund të përsëritet kurrë më.

Lavdi e përjetësi “Nderit të Kombit” Çerçiz Topulli!

Ta gëzojmë 20 vjetorin e Gjirokastrës në UNESKO!