Samuel Nika: Burreli e filloi punën për një tjetër mision të vështirë

KATEGORIA E PARË/ Trajneri i sapo zgjedhur te Burreli, Samuel Nika, në 48 orët e para në stolin matjan

Agron KAJA

Agron Kaja

Samuel Nika është prezantuar të enjten si trajneri i ri i Burrelit, duke zëvendësuar Ditmar Bicajn e larguar. Skuadra matjane bëri paraqitje të mirë në sezonin e kaluar të Kategorisë së Parë. Pasi u rendit në vëndin e 4-ët me 58 pikë, morri pjesë edhe në zonën Play-off dhe në ndeshjen e vetme humbi me Pogradecin 0-1. Ky ishte sukses për Burrelin, i cili edhe pse me vonesë për sezonin e ri, me Samuel Nikajn në bankinë kërkon të kapë kohën e ritmin e përgatitjeve. Për gazetën “Telegraf”, Nikaj u shpreh dje nga ambientet e stadiumit “Liri Ballabani” në Burrel, se ka nisur punën për një tjetër mision të vështirë, që të mbajnë Burrelin përsëri në nivele të larta, pas sezonit fantastik vitin e kaluar. “Në ditën e parë të përgatitjeve, kishte optimizëm në skuadër. Janë thuajse ata futbollistë të sezonit të kaluar, me 2-3 largime të cilat gjatë këtyre ditëve përgatitore do të plotësohen. Mendoj se është një kontigjent që jep garanci për synimet tona, por këto ditë do të shohim gjëndjen e të gjithëve, si edhe mundësitë e alternimit të tyre në fushën e lojës”, kështu e nis dje bisedën trajneri i ri i Burrelit, Samuel Nikaj, i cili në programin e tij dhe të klubit është menduar një lëvizje stërvitore në një zonë malore. “Këtu në Burrel do bëjmë këtu disa përgatitje, më pas do shkojmë në një zonë malore që na shërben shumë për të rritur kondicionin fizik të lojtarëve. Sepse kanë kaluar shumë ditë pushim zyrtar, dhe kjo është një situatë që kërkon një program të detajuar”. Ndërkohë që tekniku Nikaj mendon se me merkaton që duhen dy-tre prurje të reja, për të qënë më të plotë në synimet e këtij sezoni. “Mendoj se merkato verore është domosdoshmëri për çdo skuadër, ashtu edhe këtu për Burrelin. E përmënda më sipër se, skuadra ka nevojë për dy-tre përforcime të reja, sepse rruga e sezonit është e gjatë, dhe veç ecurisë së garës duhen menduar edhe dëmtimet apo pezullimet që në futboll janë të pranueshëm. Kategoria e Parë është një kampion shumë i fortë që kërkon përgatitje në të gjitha planet. Duke qënë se këtë sezon janë disa skuadra që kanë dalë kampione edhe në Superiore, natyrshëm që rrugëtimi do të jetë edhe i vështirë. Por Burreli ku do të synojë edhe këtë sezon një renditje në vëndet e kreut. Pse jo, një synim maksimal ngjijen në Superiore. Gara mes të fortëve bëhet edhe më e bukur kur bëhesh pjesë e saj”, kështu e mbylli dje bisedën trajneri i ri i Burrelit, shkodrani Samuel Nikaj.

MERKATO TE PORTIERËT KUQEZI

Elhan Kastrati mbetet në Serie B, shkon te Peskara

NOA

Portieri i Kombëtares sonë, Elhan Kastrati, këtë javë e mbylli me skuadrën e Çitadelës, me të cilën luajti në pesë sezone. Por duke qënë se këtë sezon që u mbyll kjo skuadër zbriti në Serie C, Kastrati ka menduar largimin, dhe përsëri në Serie B. Këtë herë kanë dalë në skenë shumë mundësi, por mediat italiane këmbëngulin se për të është më pranë një kthim në “shtëpi”, pikërisht te skuadra e Peskarës. Ai pritet t’i bashkohet kësaj skuadre, me të cilën është njohje e vjetër, pasi ka luajtur disa vite me të në nivel të rinjsh dhe me ekipin e parë. Në fakt, me kthimin e Peskarës në Serinë B, për Kastratin tashmë është rishfaqur mundësia që të veshë përsëri fanellën e klubit të njohur italian, i cili është në kërkim të një portieri cilësor për edicionin e ri. Ky është një lajm i mirë edhe për Kombëtaren, pasi Kastrati ka vite që është pjesë e saj, një nga katër portierët.

Alen Sherri zyrtarizohet, nga Serie A në Serie B

Portieri Alen Sherri, dje ka finalizuar transferimin e tij nga Kaljari, duke u bërë pjesë e klubit të Frosinones, duke kaluar nga Seria A në atë B, por me mundësinë për të qenë një titullar fiks i kësaj skuadre. Të enjte, ai i kaloi vizitat mjekësore, por transferimi i tij është bërë zyrtar vetëm të premten, pasi skuadra e Frosinone bëri disa lëvizje të tjera, sa u përket largimeve të portierëve që kishte në radhët e skuadrës. Por Alen Sherri ka kaluar në formën e huazimit të Frosinone, me të drejtë blerje përfundimtare për 1 milion euro. Klubi në fjalë, njëherësh bëri të ditur edhe faktin, se Kaljari vendosu edhe një kundër-klauzolë. Kjo do të thotë se, nëse Frosinone bindet nga paraqitjet e Sherrit në fund të sezonit dhe e aktivizon klauzolën, skuadra e Serisë A mund të ushtrojë të drejtën e riblerjes së futbollistit, për një shifër që nuk është bërë publike në këto ditë të merkatos.

Sedat Bajaziti, “dashuri” me Kategorinë e Parë

Pasi e nisi aventurën në futbollin shqiptar me Apoloninë, me të cilën nuk e mbylli sezonin e kaluar, Sedat Pajaziti është prezantuar te skuadra e Kukësit. Për skuadrën verilindore do të jetë fillimi i një cikli të ri me lojtarë të rinj, por tekniku i Pajaziti u shfaq optimist me planin që ka klubi. Ai premtoi se Kukësi do të kthehet shpejt në elitë, dhe të jetë protagonist: Ta kthejmë Kukësin aty ku ka vendin!

Organizohet Kukësi, hedh bazat për Superioren

Pasi i shpëtoi rënies në Kategorinë e Dytë në sezonin e kaluar, skuadra e Kukësit është “zgjuar” dje me organizimin e saj për sezonin e ri. Kështu, klubi i Kukësit ka prezantuar trajnerin e ri , Sedat Pajazitin, i cili di të drejtojë verilindorët në këtë edicion të dytë radhazi në Kategorinë e Parë. Për skuadrën do të jetë fillimi i një cikli të ri, me lojtarë të rinj, por tekniku Pajaziti ishte optimist se me planin që ka klubi. Gjatë prezantimit, administratori i klubit kuksian të futbollit, Florian Biba, u shpreh me besim te vlerat e trajnerit të ri, por edhe te skuadra, e cila sipas tij, do të formatohet shumë shpejt edhe nëpërmjet merkatos: Hedhim bazat për Superioren!

“Derbi” juglindor kthehet në gusht me miqësore

Si Skënderbeu, ashtu edhe Pogradeci kanë disa javë që i kanë nisur përgatitjet e tyre për sezonin e ri 2025-2026. Të dyja këto skuadra, objektiv primar do të kenë ngjitjen në Abissnet Superiore, ndaj Kategoria e Parë e këtij sezoni do të jetë shumë e fortë. Përveç tyre, janë edhe ekipe të tjera, si Besa apo Laçi, që kanë objektiva po kaq të larta. Gjatë kësaj periudhë stërvitore, të dyja këto skuadra kanë në programin e tyre edhe ndeshje miqësore, por ajo që veçohet është përballja mes tyre më 6 gusht. Një ndeshje kjo që, edhe pse miqësore, nuk duhet humbur. Sepse Skënderbeu-Pogradeci, historikisht është luajtur si një “derbi” juglindor.