Igli Totozani: Sakrifica e prindërve të mi për familjen, modeli frymëzues në misionin tim

891
Nëse do të kërkohej të thuhej se kush është politikani apo funksionar i lartë më i papërlyer dhe më i pa implikuar në afera korruptive, por edhe i gatshëm për të sakrifikuar dhe ndihmuar njerëzit në nevojë sigurisht që nuk ka shumë nevojë të mendohesh, sepse mëndja të shkon menjëherë tek Igli Totozani. Një qytetar i thjeshtë, profesionist me vlera, humanist, një përçues i vlerave perëndimore dhe mbi të gjitha një familjar model dhe mishërim i traditave shqiptare, por edhe i familjes europiane. Avokati Totozani është në prag të rinovimit të mandatit të dytë dhe ne i kërkuam një intervistë familjare, të cilën ai vendosi ta zhvillojë vetë, duke treguar edhe disa nga sekretet apo të fshehtat e familjes së tij… 
1- Z. TOTOZANI, Ju jeni në përfundim të mandatit tuaj. Çfarë mendoni se iu ka mbetur peng gjatë ushtrimit të mandatit tuaj dhe a rezultuan të njëjta pritshmëri para marrjes së mandatit me realitetin që gjetët.

Së pari, më lejoni t’iu falënderoj Juve dhe nëpërmjet Jush stafin e gazetës “Telegraf” që ka një kontribut të veçantë në përçimin e mesazheve tona pranë qytetarëve të Shqipërisë duke u kthyer në një aleat të rëndësishëm të institucionit tonë, por në radhë të parë të qytetarit. Tani për t’iu kthyer pyetjes tuaj apo dy pyetjeve tuaja, mund të them se nuk kam pengje nga puna e deritanishme e institucionit dhe arritjeve të tij në dobi të qytetarit. Demokracia dhe të drejtat e njeriut janë vazhdimisht në proces dhe si të tilla nuk mund të ndalojnë. Kjo mund të ndodhë në kah pozitiv por mund të ndodhë edhe në kah të kundërt. Në këtë kuptim, nuk mund të ketë pengje sepse çdo objektiv, çdo përmirësim standardi, nëse nuk ndodh në një moment të caktuar, atëherë kur e kërkon ti (dhe kjo për shumë faktorë ndodh), kjo nuk do të thotë se duhet të tërhiqesh dhe e të mos i kthehesh sërish e sërish derisa standardi të arrihet.

 Në këtë kuptim, në këtë mision, nuk të lejohet të kesh pengje; atë që s’e arrite sot do luftosh ta arrish nesër, pasnesër, pas një viti. Ti duhet të kontribuosh në përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe të drejtave të tyre dhe nuk mund të ndodhë që një nga të drejtat e tyre ti ta kesh peng sepse nuk u realizua dot. Ti do ta arrish atë, nuk ke rrugë tjetër. Le të marrim një shembull, nenin 18 të Kushtetutës i cili nuk mundi të ndryshohet nga parlamenti dhe që s’ka të bëjë aspak me martesën për të gjithë (siç u justifikuan disa për luftën që i bënë aprovimit të tij) por me mos diskriminimin në tërësi për shkak të orientimit seksual dhe identitetit gjinor. Natyrisht, është e trishtueshme të shohësh dhe konstatosh që ky ndryshim nuk u aprovua. Por kjo nuk duhet në asnjë mënyrë, të shtyjë të mendosh: lëre tani këtë dosje dhe merru me të tjerat sepse këtu humbëm. Jo. Duhet të luftosh që kjo të bëhet nesër dhe kjo do të ndodhë, është vetëm çështje kohe. Neni 18 do të ndryshojë dhe s’do të habitesha që ata që e anatemuan më shumë, nesër të jenë votuesit e tij. Nuk ka si të ndodhë ndryshe: nuk mund të ketë demokraci pa barazi dhe kjo, qoftë edhe për një qytetar të vetëm. Cilido politikan që nuk e kupton këtë, nuk do të mund të vazhdojë gjatë në këtë “profesion”. Asnjë politikan që kërkon jetëgjatësinë politike (s’po flasim për shërbimin ndaj qytetarit si mision) nuk mund të punojë kundër barazisë së qytetarëve. 

Jo, nuk mund të kesh pengje në këtë detyrë: je në “luftë” të përditshme, në përballje me një kulturë të mangët demokratike, për të mbrojtur të drejtat e njeriut përmirësimin e tyre. Je në “luftë” për kushte më të mira në spitale, në shkolla, për personat me aftësi të veçanta, për të pushuarit pa të drejtë nga puna, për romët, gratë e dhunuara, për fëmijët, jetimët, për të varfrit, për minimumin jetik, për strehimin, ndihmën ekonomike dhe subvencione të tjera, për një sistem social të aksesueshëm, për një sistem drejtësie të drejtë, të ndershëm, transparent, të pakorruptuar. Asnjë betejë nuk mund të “arkivohet” si e humbur sepse humb qytetari. Për sa kohë që sistemi të ketë kahje demokratike, hiq elementin kohë, të gjitha këto beteja mbeten të hapura, të përditshme dhe për t’u fituar.
U zgjata pak, më falni. Megjithatë si përfundim, mund t’ju them se Shqipëria nuk të zhgënjen kurrë. Atdheu ynë i dashur, jeta jonë, jeta e çdo qytetari është një sfidë e përditshme, tepër e vështirë por rrugë tjetër nuk njoh: duhet të përmirësojmë jetën tonë, për çdo njeri.
2- Z. Avokat i Popullit, a mendoni se ky titull dhe ky emërtim është justifikuar nga Ju dhe stafi juaj gjatë punës 5-vjeçare? 

Nuk di t’i përgjigjem kësaj pyetje. Avokati i Popullit është një emër shumë i lartë e i nderuar. Them se kemi punuar të gjithë si staf me shpirt e mendje. Sa ia kemi dalë ta nderojmë këtë titull? Njerëzit mund ta dinë më mirë. Ata duhen pyetur.
3- Z. Totozani, këto ditë po ndeshemi me ngjarje makabre, ku spitalet nuk dinë ku kanë të sëmurët psikikë dhe për pasojë ka ngjarje tronditëse, ka probleme me pronat, gjakmarrjen, vrasjet e grave, hashashi që po mbulon vendin etj. Keni një mendim tuajin? 

Më shumë se një mendim timin kemi një mendim institucional, i cili gjendet sot në një nga rreth 25 raportet tona që gjenden në sirtarët e komisioneve parlamentare por për fat të keq të padiskutuar. Nëse mediat do të kishin qenë më shumë kërkuese, do të gjenin në këto raporte shumë nga pikëpyetjet që shqetësojnë sot qytetarët lidhur me ngjarje të tilla. Ngjarjet që po ndodhin sot janë të paralajmëruara nga ne në raportet tona, për spitalet, për gjakmarrjen, për parandalimin e torturës, për pronat, për dhunën ndaj grave (raport i Avokatit në OKB), ndaj fëmijëve, jetimëve etj, etj. Dhe ju siguroj: prapë do ndodhin, për fat të keq. Ndërkohë që bazuar në analizat e Avokatit të Popullit mund të ishin ndërmarrë masa të shumta që do të mund t’i parandalonin ato. 

Ngjarjet kanë një emër: mosfunksionimi i institucioneve, në mënyrë të veçantë i atyre ekzekutive. Administrata nuk zbaton ligjin apo ligjet dhe kjo është gangrena më e madhe në Shqipëri. Pa përjashtuar këtu edhe nevojën për përmirësime ligjore. Arsyet dhe faktorët që ndikojnë në faktin se përse administrata nuk e zbaton ligjin, mund të jenë të ndryshme: politizimi i saj, ndryshimi i vazhdueshëm, mungesa e meritokracisë, korrupsioni, etj, etj. Nuk dua të ngjaj profet por një konkluzion personal e kam: vetëm kur ligji do të jetë më i fortë se udhëheqësi, kur ligji do të trembë më shumë se telefoni, do të jetë e mundur që ngjarje të tilla të jenë shumë të rralla. Sikurse e shikoni do të duhet kohë. Aq kohë sa do të jetë e domosdoshme që një kulturë demokratike të jetë dominuese në shoqërinë e këtij vendi.
4- Nga pikat-kusht për integrimin e vendit në BE janë romët, emigracioni, minoritetet dhe dhuna apo tentativa për të bllokuar median me ligje të hapura dhe të fshehta?

E thënë ndryshe, pyetja juaj do të thotë: kur jeta e qytetarëve tuaj të jetë më e mirë, kur siguria juridike të jetë e plotë, kur të keni një shtet të së drejtës, një sistem gjyqësor të pavarur dhe të ndershëm, një media jo vetëm të lirë por dhe të pavarur, kur të respektoni të drejtat e çdo njeriu atëherë po: ju jeni një vend Europian. Dhe me siguri do të na thonë (e kam fjalën për Bashkimin Europian): bujrum në gjirin tonë. Dhe ka tashmë 20 e kusur vite që po na ndihmojnë dhe shoqërojnë për t’i bërë këto. Përse na i kërkojnë këto? Përse SHBA, Franca, Gjermania, Italia, vendet perëndimore, Bashkimi Europian na i kërkojnë këto? Për veten e tyre, për qytetarët e tyre (të cilët paguajnë taksa për ne)? Apo për ne, për qytetarët tanë? Përse nuk i bëjmë atëherë? Përgjigja në këtë rast ka natyrë politike dhe unë do të ndalem këtu për hir dhe respekt të funksionit që kam. Edhe pse jam i bindur se çdo qytetar ia bën këto pyetje vetes dhe me zgjuarsinë natyrale që e karakterizon nuk e ka të vështirë ti përgjigjet.
5- Z. Totozani ju jeni një familjar mëse i devotshëm dhe kjo gjë duket në përkushtimin tuaj, shëtitjet me bashkëshorten dhe fëmijët. Megjithëse në largësi, për shkak të angazhimeve profesionale të bashkëshortes, na thoni diçka më shumë, pse jo ndonjë “sekret” që duan ta dinë edhe admiruesit tuaj? 

Vuaj. Sekreti im është vuajtja ime. Tani që po Ju përgjigjem pyetjeve Tuaja, kam djalin e vogël të sëmurë në Prishtinë. Ju e dini që prej tre vjetësh bashkëshortja ime me dy fëmijët dhe me një nga prindërit e mi jetojnë në Prishtinë. Më mungon familja ime. Jam një i “moshuar” pa bastun për ta thënë në mënyrë figurative sepse më mungon një vend ku të kthehem pasdite e të më mbulojnë me dashuri. Të zgjohem me Lukën dhe Mateon e t’i çoj në shkollë, t’i mbroj kur dikush mund tu bëjë keq, t’u masë temperaturën kur janë të sëmurë e të luaj me ta çdo ditë. Më mungon ti shoh çdo ditë që rriten dhe kam frikë më shumë se mos, në të ardhmen, do të vuaj nga kjo. Kam gjithashtu merak nëse kjo largësi mund ti ketë bërë dëm zhvillimit të tyre. Më mungon një kafe mëngjesi me gruan time, një bisedë përballë, përditshmëria me të. Ajo është gjysma e më shumë e familjes dhe i ka rënë ndoshta barra më e madhe në këto vite të vështirë. Por kam pasur fat me të: është njeri i butë e i dashur me mua dhe i fortë në jetë. Nuk besoj se do të bëja atë që po bën ajo, aq më tepër në një vend të huaj. Të gjitha problemet e një familje i kanë rënë asaj dhe sikur të mos mjaftonte kjo ka edhe qershinë mbi tortë: tre “burra” tipikë shqiptarë në shtëpi. Vuaj por jam edhe i lumtur: ajo po sakrifikon shumë nga vetja për mua dhe familjen e saj të re dhe kjo nuk është pak. Jo gjithkush e bën këtë. Ka lënë gjithçka për ne, për të pasur një jetë kaq të vështirë, larg familjes se saj. Ky quhet fat apo jo?E di se qytetarët tanë kanë vuajtje ku e ku më të mëdha se e imja. Shumë prej tyre nuk kanë me se t’i ushqejnë fëmijët e tyre dhe në këtë rast nuk ka asnjë krahasim me ta e unë as duhet ta përmend këtë vuajtjen time por siç thotë populli ynë, “halli hallit nuk i ngjan”. Shpresoj së paku që ky “halli” im të më ketë fisnikëruar aq sa të më ndihmojë të kuptoj vuajtjen e njerëzve tanë, qytetarëve tanë, dhe ta dalloj atë në sytë e tyre.
6- Familja është për Ju e shenjtë, por prindërit i keni të pandarë si në biseda, në këshillat që merrni. Sa kanë ndikuar çifti intelektual i dy profesorëve të nderuar njëkohësisht babai dhe nëna juaj? 

Ju falënderoj që më pyesni për prindërit e mi duke më dhënë mundësinë të bëj atë që në jetën e përditshme nuk më shkon asnjëherë mendja që ta bëj: t’i falënderoj për çka bëjnë për mua dhe familjen time. Edhe pse kanë dalë në pension, ndryshe nga shumë kolegë të tyret ata nuk po mund ta shijojnë në paqe këtë periudhë të jetës së tyre. Dhe si gjithmonë për shkakun tim. Çdo javë, njëri prej tyre, pavarësisht moshës dhe shëndetit bën të paktën tetë orë udhëtim me autobus për në Prishtinë për të vazhduar të kontribuojnë në rritjen e fëmijëve të mi dhe tjetri rri në Tiranë, për të vazhduar të më “rrisë” mua (qesh). Ata e dinë se sa mund dhe lodhje u kushton kjo. Por nuk e thonë kurrë. Po unë a e di? Po, e di, por shpesh harroj dhe më duket gati-gati normale kjo sakrificë e tyre e jashtëzakonshme. Sepse nuk i kam shpëtuar vesit tonë aq të përhapur që bën të mos kemi vëmendjen në sakrificën e tjetrit dhe aq më tepër të prindërve tanë. 

Nuk e kam zbuluar akoma, por më duket se mirënjohja më e madhe për ta është të bëhesh një njeri i ndershëm, i drejtë dhe nevojshëm për njerëzit. Të bëhesh siç ata kanë ëndërruar dhe punuar që të jesh. Më duket se është një mënyrë kjo për t’u shprehur atyre sadopak mirënjohjen për çka kanë bërë për mua.Në fakt, dua tua ngjaj atyre. Në atë çka shokët dhe miqtë e tyre kanë dashur dhe vlerësuar tek ata. Do të doja shumë që kur në ndonjë ditë normale, dikush t’i pyeste për mua, të ndjeheshin krenarë duke u përgjigjur: po, është djali ynë.
7- Ju keni edhe një motër apo jo, e cila jeton në Francë prej shumë vitesh?

Një “nënë” të dytë do të thoni? (Qesh) E cila megjithëse ka të paktën nja 23 vjet që jeton në Francë nuk ka ikur asnjë ditë nga Shqipëria. Pa i shpëtuar atij rregulli që ka prekur shumë prej nesh, banorëve të këtij vendi, të cilët “emigrojnë nga Shqipëria por nuk ikin kurrë prej saj”. Duke mos bërë jetën e saj të qetë e duke më lënë “rehat” edhe mua të gaboj, por duke udhëtuar çdo ditë krah meje dhe familjes sime, tamam si një çadër në shi. E bashkë me të dhe një njeri tjetër, që prej tashmë 14 vjetësh më ka “ngjitur” një emër të ëmbël, “dajë”, e që quhet Marius.
8- Jeni shquar si mik i mediave dhe keni promovuar ato në shumë kancelari perëndimore, shoqata dhe institucione parlamentare duke i sjellë më shpejt ato në vendin tonë? 

Shpresoj vërtetë ta kem merituar këtë titull që Ju më keni vënë. Më nderon. Një sistem demokratik ka disa “çelësa” që mund të hapin dyert e konsolidimit të tij ashtu si edhe mund t’i mbyllin ato. Një nga këto çelësa është media, një media që duhet të jetë e lirë dhe e pavarur, në mënyrë të veçantë nga politika. Një media që të ketë mundësi të mbijetojë nga nevoja që kanë qytetarët për të vërtetën. Kjo që sapo Ju thashë nuk është pjesë e ndonjë fjalimi por është bindja ime personale. Pa u zgjatur shumë se si dhe pse, një media e lirë dhe e pavarur është kusht vendimtar për përmirësimin e jetës sime dhe tuajës. Ndaj nuk mendoj se do të rresht ndonjëherë së punuari për konsolidimin e këtyre dy karakteristikave thelbësore që ajo duhet të ketë.
9- Si e kaloni ditën Zoti Totozani? Ju keni mbrojtur edhe doktoraturën, por a mund të na thoni diçka më shumë për kohën e lirë dhe çfarë ju pëlqen të lexoni më shumë? 

Në mënyra të ndryshme puna vazhdon edhe pas përfundimit të orarit zyrtar, minimalisht duke menduar për të dhe problemet e saj. Megjithatë më pëlqen që pasdite të takohem me kolegë e miq për të biseduar dhe pirë një kafe. Ata më ndihmojnë përveç të tjerave të mbush një pjesë të boshllëkut të madh që më ka krijuar mungesa e familjes. 

Vonë pas darke, më pëlqen të shikoj ndonjë emision në televizion ose t’i rikthehem librave të Kadaresë. Si një profesor i mirë ai na ka rritur moralisht si një gjeneratë të tërë. E kujt, nuk do t’i pëlqente t’i rikthehej, “bisedave” me të? 
10- Pushimet i kaluat në Shqipëri apo jashtë vendit? Flitet se hobi juaj janë shëtitjet në pyjet e gjelbëruara dhe noti. Ndërsa urreni makinat. Është e vërtetë dhe cili është hobi juaj? 

Pushimet i kalova në Himarë bashkë me familjen. Në brigjet tona fle ëmbël. Aty më pëlqen se ndjehem ngrohtë dhe gjatë gjithë vitit më merr malli për të. Dhe më pëlqen që ndoshta më shumë se unë, i pëlqen gruas dhe fëmijëve të mi. Nga Marta kam mësuar unë dhe fëmijët që të shijojmë, duke u zhytur, bukuritë mahnitëse të nëndetit tonë dhe mund të them se ky argëtim është kthyer në një pasion për ne. Këtë lidhje të fortë nuk na e kanë lënduar as problemet jo të pakta me të cilat edhe ne ndeshemi si çdo familje tjetër shqiptare. Mungesa e rregullit, zhurmat, papastërtia, çmimet e larta janë për ne si për çdo pushues probleme po kaq evidente sa janë përrallore bukuritë e bregdetit tonë. Për të mos folur për ngjarje të rënda si ajo e qytetarit rus që të lëndojnë dhe revoltojnë fort. Do t’ju lutesha që disa gjëra të mos m’i merrni si Avokat Populli por si njeri: ky vendi ynë nganjëherë të lodh me problemet që ka. Të lodh edhe kur ke shkuar për pushime, për tu çlodhur. Por çudia më e madhe e këtij vendi është se sado probleme ka, ti nuk rri dot pa e dashur. S’di si ta quaj, magjia shqiptare?! Besoj është tamam kështu dhe ne, si shumë të tjerë, nuk i shpëtojmë dot.

Intervistoi: Klaudia Malaj 
Sigal