Vitore Stefa Leka/ Një darkë me VIP-at e Kinematografisë Italiane në Trieste

563
Sigal

Isha përqendruar e tëra te rregullimi i valixhes me rrobat, që do merrja me vete, në një udhëtim, që do bëja për në Zvicër e ftuar nga dy shoqata shqiptare që veprojnë në këto vende, kur një zile e fort nga telefoni më hodhi përpjetë:

– Pronto? – Buongiorno, volevo parlare con la signora Vittoria!

– Sono io!- chi parla? –

Ciao Vittoria!

– Sono Maria Grazia Cucinotta. Sa s’më ra telefoni nga dora nga emocionet që më filluan. Fal natyrës, që e mbledh veten menjëherë dhe i kap shpejt gjërat, fillova të përshendetem e vazhdojë bisedën normale. Kishin ardhur të xhironin një pjesë filmi në Trieste dhe më la takim në hotelin, ku ishin vendosur bashkë me VIP-in e kinematografisë Italiane Claudio Amendola si dhe me artistë të tjerë. Treni nisej në orët e vona, kështu që e lash valixhen përgjysmë, u vesha dhe shkova në hotelin, që lamë takimin.

Me Marija Kuçinotën, isha njohur një vit më parë në Festivalin e Filmit në Venecia (Lido). Aty takova, ose më mirë përshëndetje me dorë apo dhe ndonjë e dhënë dore shpejt e shpejt artistëve të ndryshëm, që s’kishin kohë të rrinin me minuta me njerëzit e shumtë që prisnin t’i takonin. Për Marija Kuçinotën, kisha një debulesë të veçantë plus dhe për Klaudion, po si t’ja bëja të takohesha me ta? Sapo kishte mbaruar filmi konkurrues me aktorë kryesore Marija Gracien, ku dhe ajo ishte prezent bashkë me aktorët e tjerë! Isha tre rreshta prapa sajë. Në moment m’u kujtua diçka që kisha lexuar njëherë moti, për Brixhit Bardonë si e filloi karrierën e sajë. Kishte ardhur Zherar Filipi, që në atë kohë ishte famoze. Vajza nga Bordoja kishte bërë kilometra vetëm për të parë e takuar Zherarin në atë shesh të Parisit. As që bëhej fjalë për t’u takuar, aq njerëz kishte, ahere vogëlushja filloi të heqë këpucët, çorapet, fustanin dhe të eci drejt. Njerëzit filluan t’i hapin rrugë më shumë nga kurioziteti i veprimit të saj, duke parë gjithë këtë bukuri, që po zhvishej aty në mes sheshit, po ajo me shikimin drejt po hiqte një nga një rrobat, ku ngeli vetëm me të brendshmet. Në këtë mënyrë u gjend para Zherarit, ju përul dhe i tregoi dëshirën e sajë për t’u bërë artiste dhe vetëm për të arrirë të takojë artistin famoz u zhvesh. Që aty fillon karriera e saj.

Dëshira ime që në fëmijëri ka qenë arti në përgjithësi dhe kinematografia në veçanti, po si të gjitha ëndrrat e tjera dhe kjo ngeli vetëm një ëndërr.

Kjo m’u kujtua momentet e fundit që mbaroi filmi dhe menjëherë, pa më bërë sytë dritë nga njerëz të ndryshëm të artit apo gazetar që kishin mbushur sallën plot. I fola me zë të lart… Ciao bella Siçiljana! Marija-Gracia, nuk të kujtohem fare? Sa herë të kam përshëndetur nga dritarja ime dhe sa herë kemi folur bashkë? Në një moment, normale që shtangu nga gjithë kjo koefidencë, po pastaj u drejtuam te njëra-tjetra dhe me zë të ulët i thashë: – E bëra kastile se, doja të takoja nga afër ndryshe s’do më vinte radha. Qeshi me të madhe më vuri krahun dhe ecëm një copë rruge rrethuar nga turma e njerëzve që kërkonin autografe apo t’i jepnin dorën, ama krahun tim s’e lëshoi as kur erdhën shoqëruesit dhe në këto momente ja u them me sinqeritet dhe pse dikush do qeshi, e ndjeva veten VIP. -Pa hë! Njëherë më thuaj nga je? – Dhe me dy fjalë i thashë që jam përtej detit, karshi Siçilisë saj, i fola ashtu thjesht me dy fjalë dhe me sinqeritet duke i bërë dhe komplimentet e rastit si aktore, si debulesa ime dhe mbi të gjitha për thjeshtësinë e saj. I fola dhe për simpatinë time që kisha për Klaudion.

U ndamë si mike, për aq minuta që ndenja me të shkëmbyem dhe telefonat, po foto që kisha aq dëshirë s’bëra dot. Pas disa kohësh provova ta marr në telefon po, njëherë përgjigjej sekretaria, njëherë tjetër i mbyllur dhe kështu ngeli në kujtesë vetëm ajo ditë dhe si gjithmonë, lexoja apo shikoja foton e saj të Klaudios dhe të tjerave nëpër revista apo filma. Kur ja pas një viti kjo telefonatë! Zbriti menjëherë sapo e lajmëruan. Ju ka bërë vaki ndonjëherë t’ju ngjisë gjaku me një njeri që në fillim? – Dhe ja, sikur njiheshim prej kohe u përqafuam.

– Të kam kujtuar shpesh më tha: – dhe atyre të mive i kam folur për kurajon dhe mënyrën si m’u drejtove në fillim. E di që t’i mund të bëheshe artiste e madhe? Aq origjinale më ke folur ahere, aq sa mendova se vërtetë mos ishe ndonjë e njohur e vjetër.

-Eh moj Marija!- i thashë duke u ulur në një poltronë në holl të hotelit. Kjo ka qenë një ëndrra ime, që s’u realizua kurrë! Dhe i fola pak për vete aq sa mund të më kuptonte ajo. Me që tregoi interesim, i fola për Shqipërinë tonë, për artistët tanë. Fillova me të ndjerin Naim Frashrin dhe me radhe deri te Margarita Xhepa dhe i biri Ndriçimi, për Tinka Kurtin, Roza Anagdostin, Robert Ndrenikën duke i thënë që po të ishin këtej, nëpër Europë dhe të lirë në rolet që, luanin do ishin të njohur në gjithë botën. Mënyra pa droje duke e shoqëruar dhe me shakara dhe batute çdo bisedë, ashtu pa gramatikë si e flas unë italishten e kënaqte pa masë.

Drekën e hëngrëm bashkë aty dhe surpriza që më bëri ishte prezantimi me Claudio Amendolen, Ylli i kinematografisë italiane, ishte po aq i thjeshtë dhe komunikues si Maria Gracia Cuçinota. Në mes tyre, aty në tavolinën e bukës harrova për një çast që isha me VIP-et e kinematografisë, aq kofidenciale, kaloi ajo drekë. Me keqardhje u ndava dhe më erdhi shumë keq, që s’vajta dot t’i shihja gjatë xhirimit. Vetëm kur u ndamë u kujtova që, si dhashë një tip ibriku, prej balte punim artistik i Kavajës, që ma kishin prurë nga Shqipëria, nuk bëra dhe fotografi dhe pse aparatin e kisha marrë apostafat. Vajta me një frymë në vendin, ku do bënin xhirimin. Nuk më penguan, për të hyrë se si rojet si dhe shoqëruesit më kishin parë me ta gjatë drekës. Të parin aty jashtë ndërtesës se xhirimit, takova Claudion. Pas pesë minutash erdhi dhe Marija dhe me ‘të bëra disa foto. Më falënderoi shumë për atë që i dhashë, duke më thënë se dhe Siçilia, bënë punime të ngjashme me këto po…jo aq të bukura. Këtë sigurisht e tha për të më bërë qefin. Udhëtimin për në Zvicër s’e ndjeva fare pothuaj gjithë rrugën e kalova me kënaqësinë që më kishte dhënë ajo ditë. Kujtoja bisedat e bëra me ta ose kur i thosha: E, çfarë ndryshimi ka midis nesh, dy duar ju dhe dy unë, dy sy ju dhe dy unë ndryshon vetëm gjuha, ndryshojnë edhe rrugët tona sigurisht dhe…të tjera budallallëqe si këto, po që aty në tavolinë kishin aq lezet dhe qeshnim aq shumë…! Tani që i rikujtoja, qeshja me vete si puna e budallait…