Hydajet Islami: “Si u ndjeva kur këndova duke improvizuar para Enver Hoxhës”

669
Sigal

INTERVISTA/ Flet artisti popullor Hydajet Islami, Irini Qirjakon dhe Ylli Bakën do t’i hedh në gjyq se më kanë vjedhur këngët e mia dhe po m’i bastardojnë

Irini Qirjako dhe Ylli Baka më kanë vjedhur këngët e mia dhe i këndojnë ngado duke shkelur hapur të drejtën e autorit”. Kështu u shpreh dje, këngëtari dhe mjeshtri i muzikës popullore Hydajet Islami, i cili tha se, së shpejti ai do t’i drejtohet organeve gjyqësore. “Besoj se ka ardhur koha që e drejta e autorit të vihet në vendin e vet prandaj, i kërkoj organeve të drejtësisë që të më japë atë që më takon”, vijon ai. Madje, sipas tij, Qirjako dhe Baka, jo vetëm që i kanë vjedhur padrejtësisht këngët e tij, por edhe po i bastardojnë ato, duke i ndryshuar origjinalitetin. “Ndjehem keq tek e bastardojnë dhe nuk krijojnë apo kopjojnë. Nuk funksionon e drejta e autorit. Ja këngët e mia i këndon Irini Qirjako, Ylli Baka e shumë të tjerë dhe ndjehem keq për këtë se jo vetëm e marrin këngën, por e transformojnë, e shpërfytyrojnë. Duhet punë në krijimtari, jo imitime e degradime. Unë atëherë kisha një radio të vogël dore “Fatosi” dhe e mbaja tek veshi, për të dëgjuar dhe stërvitur veshin. As bëhej fjalë të imitoje apo të kopjoje. Vetëm të krijoje! Hydajet Islami, një burrë me tipare simpatike, mban mbi supe 65 vite jete nga të cilat 50 janë jetë në art dhe kulturë. Një rast i rrallë ky, në kulturën shqiptare. E gjetëm me orkestrën e tij në festën e fshatit të lindjes, Markatit, ardhur enkas për koncert nga Greqia. Themi një rast i veçantë se përveçse është autor tekstesh, kompozimesh dhe interpretimesh të këngëve popullore, ai nuk ka më shumë se 7 klasë shkollë. I pyetur nga “Telegraf” ai thotë se artist e ka bërë shpirti, vuajtjet dhe dashuria për jetën dhe njerëzit. Rruga e artit e nisur që në moshën 7 vjeçe e deri sot numëron 6 albume me rreth 80 këngë, përveç interpretimeve nëpër skena në kohën e socializmit që kanë mbetur të paregjistruara, por vetëm pjesërisht të riprodhuara, pa futur në repertor qindra këngë kënduar në dasma e gëzime familjare. Si instrumentist dhe këngëtar, si krijues dhe usta, ai sot përgatit gjithë repertorin e tij në një album të veçantë, si një zë i rrallë në kulturën popullore dhe folkloristike shqiptare. Ja çfarë na tha mjeshtri i madh Hydajet Islamaj, nga Markati i Çamërisë.
Zoti Hydajet, si ka nisur rruga juaj artistike?
Unë jam nga Markati dhe kam ardhur të këndoj në festën e fshatit. Kam kënduar që i vogël, 7 vjeç, por mësimet në violinë i mora në moshën 10 vjeç me mjeshtrin Levend Dika, i cili punonte në vatrën e kulturës në atë kohë dhe paguhej nga kooperativa për organizimin e mbrëmjeve dhe ceremonive festive. Filluam të mësonim me usta Levendin violinën së bashku me shokun tjetër Vizhdan Mangon, por ai e la në mes, unë edhe sot vazhdoj të krijoj dhe interpretoj, të jap kontributin tim në këngën popullore dhe në pasurimin e fondit të sajë dhe sidomos të trashëgimia që mos ta mbulojë pluhuri harresës, se pas sajë vjen zhdukja, vdekja e sajë që ka pasoja të rënda kombëtare. Brezi i ri jo vetëm duhet ta dojë këngën e traditës pasi ajo është kartë identiteti, por edhe ta kultivojë, përsos e çuar më tej. Kënga për mua është ushqim shpirtëror, por jo vetëm për mua edhe për atë që e dëgjon e tillë është, këto mesazhe përcjell. Ja dëgjon një këngë dasme, menjëherë përjeton çastet e dasmës, harenë dhe gëzimin e kësaj ceremonie, dëgjon këngë kurbeti menjëherë malli përvëlues përhapet në trup. Dëgjon këngë vdekjeje dhimbja pushton zemrën. Pra është një komunikim i drejtpërdrejt shpirtëror dhe me shpirtin flasin vetëm perënditë, ndaj krijuesit, poetët muzikantët, valltarët e në përgjithësi artistët janë hyjnorë, flasin me gjuhën e perëndive. Po nejse se u zgjata! Kështu vazhdova mësimet në violinë deri në moshën 17 vjeç, kur nisa mësimet në klarinetë, por violinën nuk e lëshoj nga dora. Ajo është e dashura e parë imja në art dhe dashuria e parë nuk harrohet kurrë. Bile dua të them edhe një detaj se që në moshën 7 vjeç, së bashku me bashkëmoshatarin Bilbil Myftarin, bëra nga dru hizeja violinën e parë. Morëm drurin e gdhendëm dhe i vumë telat. Telat i sigurova me vjedhje. Si do thoni ju? Ja, në fshat vinin ciganë dhe jevgj me orkestra, unë vidhja qepë dhe hudhra në bahçen time e u çoja këtyre që të pinin raki dhe unë të dëgjoja këngët dhe u kërkoja edhe tela a diçka tjetër muzikore. Kështu e bëmë, po kuptohet realizim i një fantazie dhe pune fëmijësh.
Po për vjedhjen ndaj këngëve kë do të fajësoni?
Këtu ndjehem vërtet shumë keq. Sepse disa këngëtarë të njohur, jo vetëm që m’i kanë vjedhur këngët e mia, por edhe po i bastardojnë ato. Kjo ndodh se ata nuk krijojnë, por kopjojnë. Dhe këtu në Shqipëri, nuk funksionon e drejta e autorit.
Kush ua ka vjedhur këngët?
Ka shumë këngëtarë që më kanë vjedhur këngët. Ja, këngët e mia i këndon Irini Qirjako, Ylli Baka e shumë të tjerë. Dhe ndjehem keq për këtë, se jo vetëm se ma marrin këngën, por e transformojnë, e shpërfytyrojnë. Irini Qirjako dhe Ylli Baka duhet të kuptojnë mirë një gjë: “Duhet punë në krijimtari, jo imitime e degradime”. Për këtë do t’i drejtohem strukturave të drejtësisë. Do t’i hedh në gjyq.
Përse do e bëni këtë?
Për të vendosur një sistem komunikimi korrekt që të ndalohen abuzimet dhe manipulimet.
Çfarë dëmshpërblimi do t’i kërkoni Irini Qirjakos dhe Ylli Bakës?
Këtë gjyq nuk e bëj për përfitime, por për të vendosur një sistem të vërtetë vlerash. Edhe unë dikur, kisha një radio të vogël dore “Fatosi” dhe e mbaja tek veshi, për të dëgjuar dhe stërvitur veshin. As bëhej fjalë të imitoje apo të kopjoje. Vetëm të krijoje!
Diçka mbi kujtimet tuaja nga koncertet?
Thashë që start mora me mësimin e klarinetës, pasionin tim të zjarrtë. Këngë nëpër dasma, koncerte, gëzime, por edhe kot në klube kur pinim raki e ja merrnim këngës, se unë jam rapsod. E ujdis aty për aty edhe tekstin, edhe muzikën. Madje, dua të them edhe një fakt që shpesh më kushton grindje me bashkëshorten edhe sot: Në mes të natës më kujtohet një melodi dhe ngrihem e marr klarinetën dhe stërvit veshin, se unë pentagram kam veshin, po e dëgjova e regjistrova dhe po nuk stërvite veshin, instrumentisti nuk ka gjë në vijë. E kështu që 12 vjeç endacak me saze nëpër zonë. Mbaj mend njëherë që në fshatin Karoq ndenjëm një javë, nuk na linin të iknim. Por na kushtoi. Na mori policia kufitare dhe nëpër posta të kufirit kaluam edhe një javë tjetër. Nuk na linin, ishim zonë kufitare. E kështu endacak deri sa arrita të këndoj para udhëheqësit, Enver Hoxha.
Jemi kurioz ta dimë si e arritët këtë dhe çfarë ndjeve?
Për të gjithë këtë çast të paharrueshëm të jetës sime, falënderoj Mitat Mehmetin, ish-kryetari i kooperativës së Konispolit dhe njëherazi kandidat i KQ PPSH-së në atë kohë. Qe marsi i 1978-s dhe Enveri kishte ardhur në Sarandë. Tek koncerti, për nder të vizitës së tij më morën dhe mua si instrumentist. Në mes të programit më thonë që Hydo duhet një këngë për udhëheqësin, jemi pa përgatitur si do bëhet. Mbeta! Nuk bëhej shaka! Po kohë nuk kisha. Spikerja tha se këndon grupi i Markatit. Emocione të mëdha. E vendosa do këndoja një këngë nga ato të miat të mëparshme. Grupit të valleve nuk ia kisha merakun. Shtrëngova klarinetën dhe tastierat e sajë mu dukën si sytë e nënës. Hodha sytë në sallë. E pashë Enverin që duartrokiste me një fytyrë engjëllore dhe të qeshur. Jepi Hydo, thashë! Vura klarinetën në buzë dhe aty për aty krijova këngën që u shoqërua nga grupi i valleve shkëlqyer:

Enver Hoxha gjuhëbilbili,
Për bregdetin dha mendimin,
Shihni këto shkurre harca,
Shpejt do kthehen në tarraca,etj.
Mbaruam dhe u duartrokit shumë, pashë shokun Enver shumë të qeshur. U bëra mal. Pas skenës më thanë: Të lumtë se na nderove me këtë këngë të drejtpërdrejtë. Kështu e kalova këtë provim, që më shumë e bëra vet të vështirë se sa qe i tillë. Kam marrë pjesë, siç thashë, në të gjitha aktivitetet e zonës dhe jam shpërblyer me të gjitha stimujt moral të kohës së socializmit.
Cila është tematika e këngëve tuaja?
Dominojnë këngët melankolike, kjo në sinkron edhe me diksionin tim karakteristik. Këngët e kurbetit, nga kthetrat e të cilit nuk shpëtova as vet. Plagët sociale të shoqërisë sonë, por mbi të gjitha kënga për nënën. Vetëm zemra e sajë e ka ndjerë këtë tranzicion sfilitës. Vetëm ajo di ta shpreh tek një Ah që i del nga shpirti,dhe ja si e kam pasqyruar në këngë:
E mjera seç mbeta qyqe,
Dal tek porta qajë me ligje,
Vjen një zog më shoqëron,
Bashkë me mua ligjëron,
-Zog, o zog, që sheh dynjanë,
Mos ma pe të vetmin djalë?
O moj zemër e thërrmuar,
Djalin tënd e kam takuar
Shpirti i tij ka vajt’ në qiell,
Rezaton e ndrin si diell.
Dhe në fund, si do ta mbyllnit këtë bisedë?
E, përveç asaj që në albumin tim përmbledhës të këngëve në vite, do vijoj të krijoj sa të kem frymën. Por dua ta mbyll me një këngë për djemtë e fshatit tim, por edhe për të gjithë shqiptarët mërgimtarë:
Lule djemtë tanë,
O, djem të Markatit,
Ah, seç morët rrugët,
Në kërkim të fatit,
Shpejtë do mblidhen djemtë,
E do mbushin vende,
Veç në vend të vet,
Guri është i rëndë!
-Faleminderit zoti Hydajet dhe shpresojmë që kjo dëshirë t’ju realizohet sa më shpejt.