Pas botimit të artikullit, “sherri i Xhevahir Spahiut me Kadarenë, reagon Teodor Laço
Gjithçka që thuhet e më atribuohet mua në shkrimin e I.Bushit për sherrin e Xh.Spahiut me Kadarenë janë gjepura, pjellë e fantazisë dhe alogjike.
-Thuhet se, poezia për zogjtë e Xhevos, më kushtohet mua që:
a)Punoja në një redaksi me të dhe si njeri, që nuk i duroja cicërimat e zogjve, apo ja mbyllja dritaren Xhevos, sa herë dëgjohej ndonjë cicërimë e vetmuar. Kjo është e pavërtetë dhe një fantazi. Nuk kam punuar asnjë ditë, asnjë orë në një redaksi me Xhevon. Zyra e tij, në “Nëntori” ishte në katin e parë dhe e imja, në katin e tretë. Deri më sot, kisha dëgjuar komente për veten, si njeri publik, po një çudi kaq groteske që gjoja unë nuk i dëgjokam dot, cicërimat e zogjve, s’ma merrte mendja ta shpikte ndonjë mendje. Aq më tepër kur unë jam rritur në një fshat midis drurëve e bilbilave. Për hir të së vërtetës, këtë “fakt tronditës” që i bëkërka nder Xhevos, e kam dëgjuar edhe diku tjetër. Atëherë e mora për shaka dhe u mjaftova me një SMS për kryeredaktorin, ku thosha: “Me gjithë mend e beson një budallallëk si ky? M’u përgjigj me korrektesë: Jo se e besoj, por ti po të duash mund të na bësh përgjigje. Nuk e bëra përgjigjen. Dhe arsyeja është e unë e dija që Xhevoja kishte kaluar para ca kohe një problem të vështirë në shëndetin e tij dhe nuk do të desha ta shqetësoj. Përsëritja e tij, më detyron të kërkoj një përgjigje nga ju. Por ajo që është shqetësuese në nëntitullin e gazetës tuaj është për këtë rast: “Enver Hoxha e mori në mbrojtje Teodor Laçon”. I gjori Enver, kaq i frikshëm ka qenë Xhevoja, saqë për të më mbrojtur nga kërcënimi i tij, e mori mbi vete shënjestrën e vjershës.(Meqë vjersha mbaron me thirrjen: “nxirruani sytë me sqepat tuaj”) E shikoni, sa i dhembshur ka qenë!
E para, bjerini po të doni kryq e tërthor veprave të E.Hoxhës dhe s’keni për të gjetur askund emrin tim. Ndërsa, të Xhevos, po. Me ndonjë vërejtje kritike, por gjithnjë me shtesën-koracë se Xhevahiri është djali ynë. E dyta, për të më mbrojtur sigurisht, në atë kohë më dërgoi me qarkullim për shtatë vjet në Fier.
Me respekt,
Teodor Laço.
Poezia e Xhevahirit e cila ka hapur debate
Poezia
Zogj, kini një armik për vdekje.
Do t’ju shkulë pendët e do t’ju thyejë krahët,
do t’ju kthejë në gurë të palëvizshëm e
pa zë …
Zogj, keni një armik për vdekje.
Ju për të, të pakapshëm?
Ai u turret poetëve.
Armiku juaj është armiku
ynë, e do pa krahë poezinë: hapësirë e saj?
Ja, sa një kthinë!….
Zogj të dashur,
me një sinqeritet prej fëmije me ju
po flas: Para se ai të na nxjerrë sytë,
ata sy që shohin lart dhe larg,
nxirrjani sytë, me sqepat tuaj!
1973