Sadetin Fishta:Arsyet pse Sindikata e Policisë nuk mund të bëhet pjesë e politikës

567
Sigal

INTERVISTA/Flet Kryetari i Sindikatës së Policisë së Shtetit, Sadetin Fishta, për problemet

Sindikata e punonjësve të policisë nuk do t’i bashkohet forcave politike në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Një fakt të tillë e bën të ditur në një intervistë për “Telegraf”, Kryetari i Sindikatës së Policisë së Shtetit, Sadetin Fishta. Sipas tij, sindikatat duhet të luftojnë për të sensibilizuar forcat politike që t’u japin përparësi kërkesave të tyre, por jo të bëhen pjesë e fushatave politike. Por një problem tjetër shqetësues për punonjësit e policisë në ditët e sotme mbetet edhe moslikujdimin i pagesave, jo vetëm i atyre të jashtë orarit zyrtar të punës, por edhe dietat.

 -Zoti Fishta, kemi parë që mjaft shoqata apo sindikata janë përfshirë edhe në radhët politike. Si i cilësoni ju këto përfshirje në politikë?

-Sindikata e Punonjësve të Policisë, nga vetë statusi i saj, përfaqëson punonjësit e Policisë së Shtetit, që siç është e përcaktuar në të gjitha aktet ligjore, janë të depolitizuar. Në këto kushte, sindikata jonë nuk mund të përfshihet në asnjë forcë politike, apo të japë mbështetje për to, megjithëse ato mund të kenë programe që përshtaten me kërkesat e organizatës sonë për kushtet social-ekonomike të punonjësve të policisë. Sa i përket sindikatave të tjera, nuk mund të them një përgjigje definitive, pasi secila prej tyre ndërton punën e vet, bazuar në statutin që ka dhe aktet ligjore në fuqi. Për mendimin tim, sindikatat duhet të luftojnë për të sensibilizuar forcat politike që t’u japin përparësi kërkesave të tyre, por jo të bëhen pjesë e fushatave politike.

 -Dihet që edhe përfaqësuesit e sindikatave do të votojnë për një parti politike. Por sa mbështetje keni gjetur nga politika si sindikatë?

-Në programet e forcave politike gjejnë vend edhe kërkesat e sindikatës sonë, por realisht këto do të vërtetohen pas zgjedhjeve, ku ne do të vijojmë punën për realizimin e kërkesave tona të drejtpërdrejta ndaj qeverisë, siç kemi vepruar dhe vazhdojmë të veprojmë. Aktualisht, Sindikata e Punonjësve të Policisë së Shtetit ka ngritur shumë çështje për punonjësit e policisë në të gjitha instancat shtetërore. Disa prej tyre kanë gjetur zgjidhje, ndërsa pjesa më e rëndësishme që ka të bëjë me trajtimin financiar për punonjësit e policisë, ende mbeten pa zgjidhje.

 -Është folur se nuk janë marrë pagesat për orët jashtë orarit. Sa e vërtetë është kjo dhe sa muaj kanë pa i marrë pagesat?

-Aktualisht, punonjësit e policisë po vuajnë moslikujdimin e pagesave, jo vetëm ato jashtë orarit zyrtar të punës, por edhe dietat. Këto probleme i kemi ngritur disa herë, edhe mediatikisht, duke aktivizuar edhe Avokatin e Popullit, por që prej më shumë se një viti, punonjësit e policisë vazhdojnë të kryejnë detyrat pa u likuiduar për shërbimet që kryejnë jashtë rrethit dhe jashtë orarit, duke cenuar drejtpërdrejt buxhetin familjar të tyre deri në masën 40 për qind.

 -Po me pronat e policisë çfarë po bëhet si shtëpitë e pushimit, a janë kthyer?

-Sindikata e Punonjësve të Policisë është në bisedime me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë dhe ka bërë kërkesë që të gjitha objektet sociale që ndodhen brenda institucioneve policore të merren në përdorim nga organizata jonë, duke u bazuar në ligjin për pasurinë e sindikatave. Aktualisht, mes dy palëve është ngritur një grup pune për verifikimin e objekteve të mundshme dhe realizimin e kontratave huapërdorje të tyre nga ana e sindikatës, me qëllim për t’i kthyer ato në shërbim të punonjësve të policisë.