Hapen portat e Ishullit të Sazanit, ja rregullat për t’u futur, oraret, koha e qëndrimit dhe 7 muajt e vizitave

2875
Përparim HALILI
Nuk është një turizëm si në qytete, male e bregdet, por çdo lëvizje dhe vizitor do të “monitorohet” nga shërbimet kufitare
Çfarë lejohet, çfarë duhet garantuar dhe çfarë ndalohet gjatë vizitave në ishull, detyrimi për t’u pajisur me leje nga bashkia dhe kapitaneria e Portit të Vlorës, si dhe janë të detyruar që në çdo vizitë, të shoqërohen nga persona të autorizuar prej bashkisë së Vlorës…
Operatorët turistikë dhe vizitorët e veçantë që organizojnë vizita ditore në ishullin e Sazanit, duhet të kujtohen për mungesën e mjediseve të shërbimeve të hotelerisë, ushqimit, ujit dhe pijeve të tjera
Ishulli i Sazanit, duke nisur nga dita e djeshme, zyrtarisht e praktikisht, nuk do të jetë më një “copë tokë” e paprekshme nga qytetarët civilë. Pas 73 vitesh, të kthimit dhe përdorimit të këtij ishulli si bazë ushtarake detare mesdhetare prej shtetit shqiptar e deri në vitin 1960 edhe prej ish-bashkimit Sovjetik, shteti shqiptar e ka kthyer Sazanin në qendër për turizëm të lirë, duke i hequr “statusin” e një zone ushtarake, ish bazë luftarake dhe ish-qendër banimi për familjet e ushtarakëve që shërbenin atje, të kompletuar me gjithë shërbimet e domosdoshme jetike, të një qyteze! Edhe pse, pas vitit 1992, kjo qytezë=bazë ushtarake u tjetërsua në gërmadhë prej braktisjes nga ushtria shqiptare për shkak të politikave të të reja të mbrojtjes, në Ishullin e Sazanit nuk lejohej shkuarja e civilëve, përveç rasteve kur bëheshin vizita ilegale të individëve e grupeve të ndryshme shqiptare dhe të huaja, përkujtime të ish-ushtarakëve që kanë shërbyer në Sazan apo vizita të gazetarëve e kineastëve, që publikonin misteret e kësaj baze të izoluar totalisht qysh prej vitit 1944 e deri në vitin 1992 dhe të ndaluar me “kujtesa” deri sot, në total prej 73 vitesh. Tashmë, kjo qendër e rënduar, paçka se gërmadhë ka hapur portat për vizitorët. Cilido që do dëshiroj të vizitoj Sazanin, mund të niset që sot. Mirëpo edhe pse shteti ka hequr izolimin ushtarak të ishullit, për të vizituar Sazanin janë vendosur disa rregulla, strikte, të cilat janë të detyrueshme për zbatim edhe me diktat të organeve përkatëse që do të monitorojnë zbatimin e tyre. këto rregulla, përcaktohen të detajuara në Udhëzimin Nr. 4360, datë 28. 04. 2017, me objekt: “Për organizimin e vizitave turistike, në Ishullin e Sazanit”. Ky udhëzim është nxjerr sipas Marrëveshjeje së Bashkëpunimit Nr. 2751, datë 5.4.2017, mes ministrisë së Ekonomisë e Turizmit dhe ministrive të linjës së sigurisë kombëtare! Kujtojmë, që vizita në ishullin e Sazanit nuk është vizitë në qytete muze, në parqet malore, në laguna, bregdet e zona të tjera, por është vizitë e “kuadratizuar: sipas kushteve të paracaktuara, që vrojtohet dhe monitorohet nga shërbimet e specializuara, për shkak të pozicionit ndërkufitar detar me Greqinë dhe Italinë. Por, çfarë lejohet, çfarë duhet garantuar dhe çfarë ndalohet gjatë vizitave në ishull? 
Të drejtat dhe detyrimit për të bërë një vizitë në Sazan
1. Periudha e lejuar për të bërë vizita turistike në Ishullin e Sazanit është kjo: Nga data 1 maj 2017, deri në datën 31 tetor 2017 
2. Koha e lejuar ditore, për të bërë vizita turistike në Ishullin e Sazanit është kjo: Nga ora 08:00, deri në orën 19:00. 
3. Këto përcaktime janë të detyrueshme për të gjithë vizitorët, operatorët turistikë dhe subjektet e transportit turistik detar të udhëtarëve, që marrin pjesë në organizimin e vizitave turistike në ishullin e Sazanit. 
4. Personat fizikë dhe juridikë, mund ta aksesojnë ishullin e Sazanit vetëm në portin ushtarak të tij dhe vetëm në muajt dhe orarin e përcaktuar 
5. Vizitorët, mund të shkojnë në Ishullin e Sazanit, pasi të jenë pajisur me biletë hyrje, pranë sportelit të Bashkisë së Vlorës të vendosur në Portin Ushtarak të ishullit të Sazanit. 
6. Pavarësisht biletës me të cilën pajisen, vizitorët janë të detyruar që ta kryejnë vizitën të organizuar në grupe dhe të shoqëruar nga një person i autorizuar nga Bashkia e Vlorës. 
7. Gjatë vizitave turistike në brendësi të ishullit, vizitorët duhet të respektojnë itineraret dhe hapësirat e lejuara të prezantuara me sinjalistikë dhe tabela orientuese, të vendosura nga Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura për sigurinë e tyre fizike. 
8. Të gjithë operatorët turistikë, të cilët organizojnë vizita ditore në Ishullin e Sazanit duhet të vënë në dispozicion të grupit të vizitorëve, një person të ngarkuar për shoqërimin e tyre në lidhje me ndalesat e përgjithshme në Ishullin e Sazanit, itinerarin e lëvizjes, si dhe sigurinë e tyre fizike. 
9. Mjetet lundruese turistike, detyrohen të pajisen me lejen përkatëse nga Kapiteneria e Portit të Vlorës, për udhëtimin në drejtim të ishullit të Sazanit, në përputhje me legjislacionin në fuqi që rregullon transportin e udhëtarëve dhe të mjeteve lundruese turistike në ujërat e brendshme detare. 
Çfarë ndalohet gjatë vizitave në Sazan
10. Në Ishullin e Sazanit, ndalohen: 
a) Ndërtimet e reja, si edhe punimet publike ose private
b) Qarkullimi dhe qëndrimi i mjeteve motorike, jashtë vendeve të parashikuara për këtë qëllim, me përjashtim të mjeteve të shërbimit dhe të sigurisë 
c) Veprimtaritë tregtare, që me përjashtim të atyre që sigurojnë mbrojtjen dhe promovimin e Ishullit të Sazanit 
d) Aktivitetet e zhytjeve, me përjashtim të zonave të lejuara për këtë qëllim. Shkeljet e ndalimeve sipas kësaj pike dënohen sipas legjislacionit në fuqi. 
9. Operatorët turistikë që organizojnë vizita ditore në ishullin e Sazanit, në paketën e tyre turistike, duhet të informojnë turistët me shkrim, lidhur me mungesën e ofrimit të shërbimeve të ushqimit dhe të pijes. 
Sigal