Me zërin e saj të veçantë por dhe me talentin që ka, ajo ëshTë bërë një ndër këngëtaret më të dashura për publikun. Ajo është e pranishme kudo; në dasma, ditëlindje dhe në çdo gëzim familjar, por jo vetëm kaq, ajo është kudo nëpër koncerte brenda dhe jashtë shtetit. E kam fjalën për këngëtaren e mirënjohur Govi Reka, e cila ka pak kohë që ka nxjerrë klipin më të fundit me titullin “Më mungon”. Edhe pse është me origjinë nga veriu, kjo nuk e pengon aspak që të këndojë çdo lloj muzike. Në një intervistë për gazetën “Telegraf” ajo tregon për projektet e saj më të afërta, flet për problemet që ka tregu i muzikës në Shqipëri për momentin si dhe vështirësitë që kanë netët live kudo që ajo performon. Gjithashtu na tregon për familjen dhe çdo gjë tjetër që ka lidhje me të.
Për të gjithë publikun, kush është Govi Reka?
“Unë kam mbaruar shkollën e lartë në fakultetin e shkencave sociale, dega punë sociale, jam nga Tropoja e prej kohësh merrem me muzikë.”
Muzikën e keni pasion apo të trashëguar?
“Muzika është pasion që në vogëli, por pa dyshim e kam edhe të trashëguar, nga gjyshi, babai i mamit tim, që dritë ju bëftë shpirti në atë botë të dyve, pasi nuk jetojnë më.”
Sa vite keni që merreni me muzikë?
“Me muzikën kam vite që merrem, por që i jam përkushtuar me mish e shpirt në 3 vitet e fundit.”
Keni pak kohë që kini publikuar klipin tuaj me titull “Më mungon”, një këngë që i kushtohet dikujt, cila është fabula e kësaj kënge?
Kënga me titullin “Më mungon” është një krijim i kompozitorit të mirënjohur Alban Arifit, të cilit i jam shumë mirënjohëse për çdo bashkëpunim që kam pasur me të, tekstin e kam shkruar unë, duke qenë se një tjetër dhunti e imja është shkrimi i teksteve e s’kishte si të ndodhte ndryshe me këngën time. Refreni i këngës sime ka buruar nga shpirti vetëm për mamin tim, e cila me mungon pa fund. Strofat i kam bashkangjitur për t’u përshtatur me realitetin e shumë të rinjve, me pak fjalë, jam bazuar në realitet.
Pra ti je dhe teksteshkruese. A janë poezitë po aq të dashura për ty sa kënga?
Çdo gjë që ka të bëjë me artin është një dashuri e madhe për mua. Unë kam krijuar që e vogël, dhe kam mbi 10 vite bashkëpunime me tekste me këngëtarë të ndryshëm Krijoj me shumë dashuri, sepse e kam dhunti, pasion, pasion dhe dashuri që rilind çdo ditë. Unë kam përherë diçka për të krijuar brenda vetes.
Cili është projekti juaj më i afërt?
Projektet e mia janë të shumta, uroj t’i realizoj sa më shpejt. Por më i afërti është një duet, këngë dasme, meqenëse unë jam këngëtare që këndoj shumë në dasma e ndjeva si detyrë shpirtërore t’u kushtoj një këngë çifteve. Kolegu me të cilin do bashkëpunoj mbetet surprizë.
Govi ju jeni këngëtare live, më thuaj sa e vështirë është të këndosh çdo natë?
Të këndosh live çdo natë është padyshim e lodhshme por duke qenë se dashuria për këngën është e madhe atëherë lodhja ka shpërblim shpirtëror të kënaqshëm.
Sa e kënaqur jeni me pagesat për punën që bëni?
Pagesat! Hmmmmmm… unë e them shpesh, kënga është dashuri për mua, dhe nuk e vras mendjen shumë te pagesat, nëse përpara kam njerëz që më pëlqejnë mua si këngëtare apo më zgjedhin me shumë dashuri për gëzimet e tyre familjare. Sipas teje cili është problem më i madh i muzikës sot? Problemi më i madh i muzikës janë personat që zgjedhin gabimisht këtë rrugë edhe pse nuk janë të denjë. Problem është, sepse këngëtare nuk të bën jeta por lind e tillë. Kjo lloj kategorie dëmton shumë emrin këngëtar. Mendimi im.
Ju jeni mami i një djali, si është Govi mama?
Govi mama…..Mamaja më e lumtur në botë si fillim, më pas e përkushtuar, e dashur, autoritare kur duhet etj etj, asnjëherë perfekte sepse s’ka njeri perfekt!
Çfarë karakteri ka Govi?
Karakteri im është karakter burrneshe, siç më thonë të tjerët. E nëse je burrneshë, themi ne nga Tropoja, ke shumë vlera pozitive ama siç e thashë më lart, njerëz perfekt nuk ka. Nëse jam siç më personalizojnë miqtë e të afërmit jam në rregull, hahhaha..
Cila është ajo gjë që ju tjetërson e ju atëherë nuk e njihni veten?
Nuk mund të them që më tjetërson e se nuk e njoh veten, por nëse ka padrejtësi unë e tregoj pak më tepër seç duhet klimën e egër ku kam lindur e jam rritur, Tropoja, e të jesh tropojane do të thotë të jesh e prerë me njerëzit e të mos i lejosh padrejtësitë. Unë jam njeri elastik, përshtatem më shumë njerëz, të vetmit që s’mund të jenë kurrë miqtë e mi apo të ndaj me ta qoftë dhe një bisedë janë njerëzit e ligj, këtë kategori e lë jashtë jetës sime njësoj si lumi mbeturinat, themi ne.
Cila është ngjyra juaj e preferuar?
Nuk pëlqej një ngjyrë të caktuar, çuditërisht, por më pëlqejnë të gjitha ngjyrat e ëmbla..
Së fundmi kemi parë një set fotografish profesionale, a je shumë e lidhur pas fotove?
Realisht nuk jam shumë e lidhur me fotot e kjo vihet re edhe me faqet e mia në rrjetet sociale por kjo s’do të thotë që ato mund të mungojnë, kështu vendosa të bëj një set dhe ndjehem shumë mirë dhe e kënaqur .
Intervistoi, Era Çela