Gëzim Loka: Arif Vladin, Serbia e ‘dënoi’ në Begrad, Hashim Thaçi e ‘dënoi’ në Tiranë

583
Sigal


Gazeta Telegraf/ Populli
i Kosovës ia ka dhënë dekoratat me kohë si luftëtar i lirisë, Presidenti jo

Ardhja për herë të parë
në Tiranë e Hashim Thaçit si president i Kosovës na gëzoi të gjithëve, aq më
shumë gëzoi 15 njerëz të letrave, të artit muzikor, gazetarisë  e
kulturës, që u dekoruan prej tij. Kjo listë është një nder që i bëhet
Shqipërisë, e cila në luftën e Kosovës ka mbajtur një peshë të rëndësishme në
 gjithçka, që nga kontributet morale, ne sistemimin e mijëra te ikurve nga
barbaria e deri ato direkt në frontin e luftës. Por më çuditi fakti që ndër të
dekoruarit mungonte emri i këngëtarit të shquar Arif Vladi. Kur flasim për
këngën shqiptare me tematikë Kosovën, të gjithë e identifikojmë këtë me emrin e
tij. Këngëtari dibran, me këngën e tij, me aftësinë jo vetëm për të kënduar por
dhe për të ndjekur ritmet kulturologjike të botës shqiptare, e kalon Dibrën, e
kalon Shqipërinë, Kosovën, Çamërinë dhe mbetet një këngëtar simbol lirie e
bashkimi ndër veti të të gjithë shqiptarëve kudo që punojnë e jetojnë, në
trojet e tyre etnike, apo jashtë, në dhe të huaj. Që kur doli për herë të parë
në skenë e gjer më sot, ai ka kënduar qindra këngë, por në këngët për Kosovën
ka shkëlqyer me sharmin e një zëri unik, zëri kushtrimtar. Vladi iu këndoi dje
dhe iu këndon sot, me të njëjtën forcë shpirti, talent dhe gjallëri, viseve të
Kosovës, luftës epokale për liri e dinjitet shoqëror, figurave, heronjve,
veteranëve të mbushur me plagë e dhimbje, këngë që me kalimin e viteve jo vetëm
nuk ia ka shterur kumti e mesazhi, por janë bërë më të freskëta e më aktuale se
kurrë. Në skenat e qyteteve të Peshkopisë, Tiranës, Prishtinës, Shkupit,
Gjakovës, në sheshet e pragluftës për liri, në diasporën shqiptare në Evropë e
SHBA, emri i Arif Vladit ka udhëtuar bashkë me këngën për Kosovën, është bërë
pjesë e vizionit të shoqërisë shqiptare për artin dhe kulturën elitare. Arifi
ishte dhe mbeti një zë i artit të fuqishëm e dehës, që ua ka mbushur shpirtin
bashkëkohësve për rreth katër dekada me hapësirat e virgjëra të lirisë. Duhet
thënë se kulmi i karrierës së tij si këngëtar do të arrinte në vitet e
qëndresës dhe lavdisë së popullit të Kosovës, nën udhëheqjen e UÇK-së dhe
koalicionit perëndimor për të shporrur nga trojet shqiptare të Kosovës
pushtuesin serb. Këngët e tij si “Marrshi I UÇK-së”, “UÇK-ja shpat më shpat”
etj, u bënë hite dhe pjesë e ritme të përndezura të qëndresës së madhe të
Kosovës martire ndaj barbarisë së fundit sllave në Ballkan. Këto këngë me
autorë tekstesh poetë të mirënjohur si Gjokë Beci, Naim Plaku, me kompozitorë
virtuozët Edmond Zhulali, Përparim Tomçini e të tjerë, janë jo vetëm kulme
artistike të këngëtarit Vladi, por dhe një angazhim i drejtpërdrejtë dhe aktiv
i tij në valët e asaj lufte të madhe që do të sillte lirinë dhe pavarësinë e
Kosovës sonë. Arifi ka marrë pjesë në shumë festivale folklorike kombëtare,
duke fituar dhe mjaft çmime e duke shpalosur në çdo rast për artdashësit
magjinë e zërit të tij të fortë dhe plot ngjyrime jetësore e kombëtare.
 Arif Vladi është vetë zëri i ngrohtë i tokës së tij, zëri i ndërgjegjes
estetike të popullit, zëri në nota e tinguj magjikë i Kosovës, është vetëdija e
një arti elitar që i shërben fisnikërimit të kombit, maturimit të ndërgjegjes
shoqërore, emancipimit të njeriut dhe fisnikërimit të ndjenjave më të bukura
humane. Për shkak të këtij kontributi, Arif Vladi është dënuar politikisht dhe
juridikisht nga shteti i Beogradit, të cilët e kanë akuzuar për nxitje të
terrorizmit në Kosovë etj. Nëse Serbia e dënoi në Beograd këngëtarin Arif Vladi,
Presidenti i Kosovës, për të cilën ai dha gjithçka të shpirtit dhe talentin e
tij, e dënoi në Tiranë. Dënimi me heshtje dhe refuzim është ndoshta më i rëndë
se dënimi me gjykata e trupa gjykues dhe këngëtari ynë me të drejtë ndihet i
fyer dhe e mënjanuar, i zhgënjyer por jo i dekurajuar për të vazhduar t’i
këndojë ende Kosovës dhe Shqiptarisë.