Gëzim Llojdia: Lejlekët e Llakatundit

18
Sigal

Në Topallti (Shënime të shkurtra) dhe mungesa e njerëzve

1.Ajri që të ngop. Fryma e tokës që çlirohet, vjen aromë dheu të lagësht në këtë dimër të ftohtë. Çdo frymëmarrje ndjehet si një frymë e rinovuar. Por e mbushur me freskinë e natyrës që e ka krijuar, me çdo fije bari që lëviz në erën e jugut. Është një art i mahnitshëm ky, që lindi dhe u ngrit në Topallti, ku bujqit që punojnë fushat e gjerë. Çdo ditë shijojnë frymën e natyrës që i rrethojnë, duke shënuar ritmet e përditshmërisë me shpirtin e thjeshtë të njeriut që jeton me dheun.

Fushat, që fëshfërijnë nga erërat jugore, kodrat e plakura që thonë me çdo rreze e vesa që ra. Janë dëshmitarë të një historie që është e bukur dhe e dhimbshme njëkohësisht. Tingulli i vazhdueshëm i shiut, që bie në tokë është melodia e natyrës që shoqëron jetën e përditshme të këtyre njerëzve. Por në ditët dimërore.

Peizazhet dramatike, që përfshijnë kodrat dhe luginat, janë të mrekullueshme. Të gjithë e dimë se çfarë quhet kjo krahinë.Dhe një vend i thjeshtë dhe i fuqishëm, ku përhapet një ndjenjë e thellë dhe e lashtë që lidh njeriun me tokën. Nuk është Labëri, është Topallti. Dhe një zonë që përmendet nga të gjithë ata që kanë jetuar këtu dhe e njohin këtë vend. Po, ky vend ka histori. Kur zbret nga kodrinat e buta me ullinj që ngrihen në Risili, ti ndihesh një udhëtar. Dhe rruga të çon nëpër një udhë të njohur, të dukshme vetëm për ata që e kanë ndjerë dhe njohur mirë këtë krahinë. Në këndin tjetër të rrugës, Ceprati, një fshat i vogël, i fshehur thellë në kodra të kujton se si jeta e fshatrave ka vazhduar gjatë brezave. Drita që ndriçon fshatin në mbrëmje, një pikë referimi në udhëkryq.Ofshaj.

-Përse ke ndaluar këtu? -më pyet ai.

2….Një burrë nga fshati, pastaj na shpjegon për “Nënë Tanën”, shëronjësja , që e njihte mistikën më mirë se çdo fetar. Ajo, një grua e urtë, mbante thellë në shpirt sekretet e këtij dheu të pasur.

Retë e trasha të natës së kaluar janë shpërndarë. Dhe duke lënë pas një qiell të qartë dhe blu, që ndriçon dhe largon çdo hije të errësirës. Zhurma e zogjve, që ngrihen në mëngjes, është një lehtësim i madh. Ata, që s’kanë frikë nga shiu, këndojnë nën dritën e parë të diellit. Dhe çfarë bëjnë ata duke sjellë një harmoni që të lehtëson zemrën?

…Kanalet vaditëse, që dikur ndërthurin tokat e fermës, janë tani të mbuluara me kallamat. Dhe kodinat e veshura janë shndërruar në një pamje magjepse, një kujtim i stinëve që kaluan.

Fshati i sotëm i Llakatundit, dikur ka qenë një qytezë e madhe. Por që ngjallte jetë dhe entuziazëm. Kishte dhjetëra familje që bashkëpunonin dhe kujdeseshin për njëri-tjetrin. Shumë njerëz, të rinj, të moshuar dhe kryesisht gratë,që punonin me pasion dhe përkushtim për të mbajtur gjallë ritmin e jetës. Çerdhe, kopshte dhe zyra të fermës u kthyen në njësi administrative dhe pastaj shtëpia e kulturës, duke e bërë jetën këtu më të pasur dhe më të gjallë.

…Kjo ishte jeta e dikurshme. Shumë shpejt, ajo e fshatit u shndërrua në një kujtim që fluturoi si një zë që humbi në ajër.

-A ju kujtuan skenat e filmit: Brazda”. Duket se në rrjetet sociale, ky vend këtu që është quajtur aso kohe “madhështore”. Skenat e asaj periudhe janë xhiruar dhe shpërndarë si kujtime për të gjithë, sidomos në Facebook, ku secili mund të rishikojë çastet që mbajnë brenda një pasuri të vjetër.

Duket sikur gjithçka ka kaluar, po pranvera vjen, sado që dimri të ketë tharë barin. Gjithsesi, është një shpërthim lulërie, që mbush shpirtin me gëzim të papërshkrueshëm.

Po, është një histori që nuk do të harrohet kurrë, një rrugëtim që vazhdon në çdo frymë që merr çdo banor i Topalltisë. Ndërsa fushat mbeten aty, të shtrira nën qiellin e kaltër. Çdo kujtim, që lidhet me këto fusha, me këtë dhe. Mbetet një pjesë e pandashme e jetës, e ndjesisë së ngrohtë , që kurrë nuk mund të fshihet.
3.Njësia administrative e Topalltisë përbëhet nga fshatrat Shushicë, Bunavi, Beshisht, Grabian, Drithas, Mekat, Llakatund, Çeprat dhe Risili.
…Por në vitet e socializmit, Llakatundi ishte një fermë bujqësore e madhe, e njohur me emrin “Ndërmarrja Bujqësore: Lufta e Vlorës, Llakatund”.
Sot, ky fshat është një vend i ngarkuar me histori dhe kujtimet e tij, janë të pasura dhe të shumëllojshme. Një prej atyre kujtimeve vjen nga L. K. Cipi, i cili përshkruan 1 Gusht 1975.
Cipi, i shoqëruar nga shoku i tij, V. Ndini, dhe nga kryeinstruktori i K P, shkon në Llakatund me autobusin e linjës, përmes rrugës së Çezmës së Thatë-Drashovicë – Risili. Cipi tregon se kishte qenë atje, 30 vjet më parë, kur babai i tij punonte si argat, sipas urdhrit të Partisë Komuniste, për ish-kapitalistët që ishin shpronësuar. Ajo vizitë kishte zgjatur vetëm disa orë, por në këtë udhëtim të dytë do të qëndronte në Llakatund gati 6 vjet.
4.Në fshatin Llakatund, një tjetër ngjarje historike e rëndësishme është rivarrosja e eshtrave të Syrja Bej Vlorës. Ky moment është një nderim për një nga figurat më të njohura të historisë, duke e lidhur Llakatundin me ngjarje të rëndësishme të kaluarës.
…Kastriot Dervishi, studiues i njohur, ka treguar se Ferma e Llakatundit ishte një vend gjatë Luftës së Dytë Botërore. Aty kanë fjetur figura të njohura si Musolini,Ciano dhe Viktor Emanueli III. Gjithashtu, ai thekson se komunistët konfiskuan shoqëritë italiane dhe gjermane. që ishin të pranishme në këtë zonë gjatë periudhës së pasluftës, duke ndryshuar rrjedhën e zhvillimeve të mëtejshme.
…Këngëtarja e njohur Aurela Gaçe,e cila është nderuar për karakterin dhe tipin e saj të veçantë, ka ndarë me ndjekësit e saj në rrjetet sociale një foto nga vitet e rinisë së saj në Llakatund. Ajo tregon se ka jetuar deri në moshën 19-vjeçare në këtë fshat dhe ndan një histori komike të asaj kohe. Sipas Aurelës, ajo shkonte të blinte bukën dhe në ato momente ngrinte minifundin për të kaluar më shpejt përmes bulevardit. Kjo histori, e thënë me humor, tregon një pjesë të jetës së dikurshme, kur Llakatundi ishte një fshat i njohur dhe i ngarkuar me kujtime. Shqiptarja.com,
5.Dionis Qirixidhi ishte përgjegjës i shtëpisë së kulturës në Llakatund. Nga shkrimet e tij të hershme:Ishte nëntor i vitit 1962, Dritëroi kishte ardhur në festimet e 50 vjetorit të Pavarësisë në Vlorë. E prita kur po merrte gazetën tek libraria afër Sheshit, me një fletore me vjersha në dorë. Jam nxënës, i thashë, dhe i tregova vjershat. E shoqërova një copë udhë. Ma mori fletoren, dhe ma humbi, thotë duke qeshur Xhevua. Po mirë bëri.- E harrova në hotel, veçse poezitë i lexova! Kjo ishte njohja e parë me Dritëroin. vazhdon të tregojë, duke u ngritur tashmë në këmbë, e duke qëlluar ballin me pëllëmbë. Çudi si m’u kujtua ky çast: Porsa kishim lexuar poemën e Dritëroit ku thoshte dhe emrin e një klubi ku rrinte me shokë. Vajtëm ta takonim, bashkë me Spiro Deden. Shkrova, para se sa të vinte në klub disa vargje, kur e shohim se me të vërtetë erdhi së bashku me Vito Koçin dhe Miço Kallamatën. Shihnim me kërshëri si do reagonte me këtë poezi që ja dërgova me kamerierin: Një krikë me birrë/ në klub sot na solli/ po ty nuk të gjetëm askund/ E njihni lirikun e madh nga Devolli?/ Garsonit ju lutëm më në fund./ E si mos e njoh komikun e hollë/ Paçka që s’na lë asnjë grosh,/ Më thanë letrarët kur u mblodhë/ krejt famën ia hodhën përposh”…
1973.
… Në qendrën e fermës mbërijnë traktorët. Gjithë natën banorët nuk flinin nga zhaurrima e traktorëve të filmit.Traktorët e fermës ishin në fusha dhe kënga e tyre mbyllej shpesh, në mëngjes . Filmi quhej :”Brazdat” është film dramë i regjisorit Kristaq Dhamo, prodhuar më 1973 në Shqipëri. Regjia: Kristaq Dhamo, Skenari: Dhimitër Xhuvani. Producent: “Shqipëria e re”. Muzika: Shpëtim Kushta. Përmbajtja e filmit: Marta është një vajzë e re energjike, e cila fiton simpatinë e të gjithëve kur vendos të bëhet traktoriste. Në fillim burri i saj Ademi, i cili do ta ketë Martën shoqe pune dhe do të ngasin të njëjtin traktor e inkurajon këtë dëshirë të Martës. Por më pas familja e re ka probleme. Marta zbulon karakterin e vërtetë të Ademit, i cili jepet shumë pas interesave vetjake.
Kuptohet ishte konteksti i kohës.
Aktorët:Elida Janushi…..Marta.Pandi Siku..Ademi.Astrit Cerma .Zeneli.Muhamet Sherri ….Brigadieri.Sotiraq Bratko….Skënderi Albert Verria. xha Selo, babai i Ademit. Ilia Shyti . Përgjegjësi i ofiçinës. Suzana Zekthi. Liza Laska ..Përgjegjësja e robaqepsisë. Ndrek Luca .vëllai i Ademit.
3.Aso kohe, diku aty nga viti ‘88, Llakatundi ishte një fshat që mbante në zemrën e tij një natyrë të paharrueshme. Mbaj mend plepat e lartë, ku lejlekët e mëdhenj shpesh ndalonin për të fjetur mbi fole të tyre të ngritura lart, në degët e drurëve. I shihja aq afër dhe të largët në të njëjtën kohë. Por ato ishin krijesa të natyrës që nuk tremben nga zhurma e njerëzve. Në ato momente, fshati dukej sikur kishte një marrëdhënie të natyrshme me botën e tyre, një marrëdhënie, që asgjë nuk mund ta prishte.

Shkrimtari Viron Kona ka treguar një ngjarje që po e sjell shkurtazi se një ditë ndodhi diçka e papritur. Një stuhi e fuqishme, që shkundi edhe pllakat e qiellit, shkatërroi folenë e lejlekëve. Një shqetësim i madh mbërriti në fshat, si një rrezik që hapi një boshllëk të pashlyeshëm. Banorët, të mërzitur dhe të shqetësuar, panë se çifti i lejlekëve nuk po kthehej. Ata ndiheshin të humbur, kur një pjesë e natyrës u shkatërrua para syve të tyre. Por më pas, u bë diçka tjetër. Disa prej banorëve më të pasionuar, ata që e kishin dashur natyrën dhe jetën, që ajo i ofronte, u mblodhën dhe ndihmuan për të ndërtuar një fole të re, me dru dhe kashtë, aty ku kishte qenë e mëparshmja. Ky ishte një akt shprese, një sinjal që fshati dhe natyra nuk ishin ende të ndarë, por të lidhur përjetësisht. Dhe me kalimin e kohës, mëngjeseve dhe mbrëmjeve, ata qëndronin atje, duke pritur që lejlekët të ktheheshin. Ata kishin një shikim të ngulitur në qiell, duke ndjekur çdo lëvizje, që mund të shënonte kthimin e atyre shpendëve të bukur. Dhe kur ata ktheheshin, fshati ngrihej, dhe një ndjenjë e thellë gëzimi mbushte çdo cep të tij, veçanërisht për fëmijët që i prisnin me sy të gëzuar.

…Më vonë, kur mendoj për këtë ngjarje, më kujtohet ajo poezi e Kadaresë. Që ngjante si një pasqyrë e përvojës sonë të natyrës, një shqetësim për humbjen dhe një shpresë për rigjetjen e asaj që është e çmuar:

Lejlekët ikën.
Fill pas teje,
si stof i keq u zbeh blerimi,
dhe ngjajnë toka, pylli, reja,
me negativin e një filmi.
Tani në fusha shkoj menduar,
ku nis të fryjë erë e ftohtë.
Ku ca mullarë të gjysmuar
duken që larg si Don Kishotë.”

…Ajo poezi na kujton se çdo humbje lë pas një boshllëk. Por gjithashtu na fton të besojmë se natyra, ashtu siç është e pasur dhe e ndjeshme, gjithmonë gjen rrugën për të rifilluar.Në Llakatund, lejlekët u kthyen. Dhe kjo ishte një tjetër dëshmi e forcës së natyrës dhe e lidhjes, që ata kishin me ato krijesa. Ata ktheheshin, si një simbol i vazhdimësisë, i ringjalljes, i besimit që jeta do të vijojë përtej stuhive dhe periudhave të vështira.
4.Sfondi i sotëm i qendrës së Llakatundit.Por për të të arritur në qendrën e Llakatundit, udhëtimi është një përvojë e veçantë. Ndryshe nga ato, ku mund të hyni direkt me mercedez dhe të arrini menjëherë në qendër. Aty për në Llakatund duhet të bëni një kthesë të papritur pas xhamisë. Dhe të kaloni përmes një rrugice, që të çon në shumë lokale shërbimi por, pavarësisht se ato lokale janë të shumta, ato janë të shtrira dhe paksa të heshtura, sikur qëndrojnë tërësisht të fshehura brenda një jete të qetë.Por që reflekton një ndryshim të natyrshëm, midis së kaluarës dhe të tashmes. Ndërkohë, gjithçka përreth është një përzierje e kontrasteve. Vilat e reja, që shkëlqejnë nën diellin e pasdites. Dhe si një simbol i kohës moderne që po lind. Ndodhen përballë pallateve të epokës së socializmit. Këto pallate janë ende të pranishme dhe i japin qytezës një dritë të caktuar nostalgjie, por ndoshta edhe një hije të rëndë nga e kaluara. Ata janë si kujtimet që nguliten thellë në tru, por që gjithsesi duhen përballuar dhe pranuar.

Pallatet e dikurshme, ato të stilit të viteve ’70-‘80, janë ngritur si kështjella të vogla, të grupuara në një mënyrë që të krijonin njëfarë komuniteti të fortë. Ato janë ende , të qëndrueshme, por gjithsesi, tashmë janë vetëm një pjesë e historisë. Ndonëse ato ende qëndrojnë aty, ngulitur në tokën që u dhanë jetën. Atmosfera, që ndjehet sot është tjetër. Ndërkohë, ndërtimet e reja që kanë mbushur qendrën janë shumë më moderne. Lokale, restorante, dhe hapësira të tjera që po ndryshojnë pamjen e qytezës. Me këto zhvillime të reja, qendra e Llakatundit është bërë një vend ku e kaluara dhe e tashmja bashkohen në një mënyrë të pazakontë. Aty ku rrugicat dhe hapësirat janë të mbushura me një energji, që rreh përmes xhades, e cila duket se është shpërndarë në dy anët e qytetit. Kjo është një histori e një qyteze që po ndryshon. Por , që nuk harron asnjëherë se nga ka ardhur dhe çfarë e ka bërë atë.
5.Në zemrën e Llakatundit, aty ku tradita e fshatit bashkohet me ritmet e përditshmërisë, qëndron një pasuri e vyer,shkolla.

Dy shkolla, dhe ne shkojmë tek e mesmja: Faslli Danaj”. Ky është vendi ku ëndrrat e brezave të rinj ngrihen si një flakë e vogël, një shpresë, që lëviz çdo ditë përmes mësimeve dhe përpjekjeve.

…Por, udhëtimi për në shkollat e Llakatundit është një udhëtim që pasqyron historinë e një populli, të një vendi që është ndërtuar nga mundi dhe ëndrrat e shumë brezave. Duke kaluar përmes atyre rrugëve të ngushta, të gërryera nga shiu dhe koha, kalon përmes një realiteti që flet për jetë të thjeshta, por të pasura. Koha e ka lënë shenjën e saj në këto rrugica. Por megjithatë ato janë një pjesë e të kaluarës që s’do të harrohet kurrë. Dhe çdo hap që bëjmë përpara, çdo lëvizje është një kujtim për atë që ka qenë, por edhe për atë që mund të jetë.

…Në këto momente, tingujt e radios, që vijnë nga mikrofoni i makinës të ndihmojnë të ndiesh për së afërmi një poezi të bukur të Kadaresë. Atë që e përshkruan më së miri mësuesit e fshatit të dikurshëm . Ata që dikur ishin dhe janë heronjtë e heshtur të një bote, që nuk mund ta shikosh gjithmonë, por që është aq e pranishme dhe e fuqishme.

…Dhe ndërsa vemi drejt shkollës e ndodhur mes një grumbulli shtëpish, është një oazë e dije. Një vend ku nxënësit dhe mësuesit janë të lidhur me njëri-tjetrin në një mënyrë që vetëm ata mund ta kuptojnë.

Ka qenë një herë një ide e gabuar: “Në shkollat e fshatit nuk bëhet Shkolla e Llakatundit është më shumë se një ndërtesë. Ajo është një mishërim i dashurisë për dijen, e shpresës dhe e besimit në forcën e mësuesve dhe nxënësve. Ajo që na mbetet pas kësaj përvoje është një ndjenjë e thellë. Kjo shkollë, këto mësues, ky fshat janë pjesë e një bote, megjithë vështirësitë e saj mbijeton përmes dritës së dijes dhe dashurisë që e ushqen atë. Dhe ashtu siç thotë Kadare. Ata, mësuesit e fshatit, janë ata që në heshtje, por me forcë, ngjallin një botë të tërë. Ata janë ata që e bëjnë këtë fshat të jetojë, të ëndërrojë më shumë.
6.Ky fshat që jeton në hijen e kujtimeve të shuar. Gjatë viteve të mëparshme, kur rrugët ishin plot fëmijë dhe çdo gjë ngjante me një qendër të thjeshtë komunikimi, tani ato janë bërë pjesë e një jete që ka ndryshuar ndjeshëm. Të shohësh fushat e mëdha, që dikur mbillnin grurë, misër e perime, tani të duket sikur ato të njëjtat fusha janë të mbuluara me mjegullin e kohës. Por dhe duke pritur që dikush të kujdeset për to, sikur të kishin shpëtuar nga një histori, që dikur ishte kaq e gjallë. Dhe ka diçka të thellë dhe të pashpjegueshme që të shtyn të shikosh më larg. Përtej kësaj qyteze,në një botë që është ndarë nga realiteti i sotëm. Nostalgjia vjen si një valë që nuk mund ta mbash, ndien sikur të zë, sikur të shtrëngon në krah dhe nuk të lë të shohësh përtej saj. Mbi këto fusha dikur ishin dëgjuar të qeshurat e fëmijëve. Dëgjoheshin biseda të ngrohta nga pleqtë që kujtonin ditët e lashta, për një tokë, që jepte më shumë se gjithçka. E kush mund të harrojë aromën e tokës pas shiut të parë të verës. Apo të ndihet si përjetësi në ajrin që mbante gjithçka të freskët? Ajo periudhë është një pasuri, që sot është e humbur. Ashtu si një perëndim, që nuk mund të kapet. Dhe sepse ka kaluar, ka shkuar dhe ka lënë pas një boshllëk të thellë.

Llakatundi, njëherë ishte një qendër pulsante e aktivitetit, tani është një vend që mbush zemrën me hidhërim. Shpesh herë, kur kalon nëpër rrugët e tij të ngushta, duket sikur ndihesh pjesë e një epoke tjetër. Si ato kujtime, që të vijnë papritur. Dhe herë nga një tingull i largët, herë nga një dritë që filtron përmes degëve të pemëve. Ashtu vijnë dhe ato momente kur kthehesh pas dhe mendon për atë që ka qenë. Por s’është më.

Çdo rrugë, çdo shesh, çdo kafene, e cila dikur rrezatonte me jetën e përditshme. Sot ngjan si një shpërthim të jetës, që ka humbur pas dikujt, që nuk është më. Mendoj për Aurelën, rebelja e Llakatundit. Mendoj për të rinjtë, që ikën, dhe ndonjëherë ngre një pyetje në mendjen time: “Po ata që mbetën, si ndjehen?” E ndjej një peshe. Dhe një hidhërim që nuk e kupton dot plotësisht nëse nuk ke jetuar këtë vend dhe nuk e ke parë me sytë e tu. Vija çdo vit atje për këshillim karriere. Por e njëjta pamje .

Ata, që janë larguar, ata që kanë gjetur një jetë tjetër. Dhe një mundësi tjetër, kanë lënë pas jo vetëm një tokë. Por edhe një histori që tani është e humbur. Besoni se ata që ndërtuan jetën diku në perëndim, do kthethen këtu! Por ata edhe kthehen , por dhe vetëm për ndonjë festë në mesgushti dhe vetëm kaq. Duket sikur gjithçka, që ka pasur njëherë dritë, tani është e mbuluar nga hije dhe pluhuri. Përballë kësaj, çdo histori që flitet për këto fusha dhe ato mbjellje të dikurshme, vjen me një ndjenjë të fortë nostalgjie.

Të kujtosh ditët kur bujqësia ishte shpëtimi i jetës. Këtu, kur çdo kokërr gruri ishte fryt i punës së palodhur dhe çdo krah i ngritur për të mbjellë tokën ishte një akt dashurie ndaj dheut. Të kujtosh ata fëmijë, që luanin nën hijen e pemëve dhe jetonin çdo ditë si një festë të vogël. Të kujtosh bisedat e pleqve për betejat e dikurshme të grurit, të misrit, për historinë që vazhdonte të jetonte në çdo gur të kësaj toke.

7.Dhe tani, kur gjithçka ka ndryshuar. Kur rinia është shpërndarë dhe e ardhmja është e paqartë, ky vend ngjan si një person, që po përpiqet të mbajë kujtimet gjallë. Por ai nuk mund të shmangë moshimin e tij. Shikoni se si janë bërë këto fusha! Si ato janë ngrirë në kohë, si ato presin një shpresë të re, që ndoshta do të vonojë. Po kur do të vijë ajo shpresë? Ajo që mund ta ringjallë jetën këtu? Ajo që mund të bëjë që të rinjtë të kthehen dhe të japin shpirt për këtë vend të bukur. Dhe që dikur kishte gjithçka për të ofruar?

…Në një qytezë që dikur lulëzonte, sot mbetet vetëm një pasuri e humbur dhe një thirrje që vjen nga thellësia e asaj që ka qenë. Të mbash mend ditët e lavdishme të dikurshme është një dhimbje. Por dhe një ndjenjë e dyfishtë që të mbërthen dhe të bën të mendosh për atë që ishte dhe për atë, që mund të kishte qenë.

Në këtë hapësirë, që shtrihet mes kodrinash dhe luginave, fshati që dikur ishte shpërndarë në një breg të gjallë, tani ndodhet nën hijen e kujtimeve. Fushat e buta, që dikur do të ishin shkëndijë shpresa dhe mundësi. Por që sot janë të mbushura me heshtje, si një prehje e të kaluarës. Ajri i freskët, që fryn pas shiut, fryma e tokës që ngop na kthen pas, në ato kohë kur çdo ditë kishte një kuptim tjetër. Kur jeta kishte ritmet e saj të natyrshme. Dhe si një baladë që përsëritej çdo vit, pa ndaluar.

8.Kujtimet janë si ato kallamat e tharë. Të heshtura, por ende të mbushura me një forcë të padukshme. Ata që kanë shëtitur këto fusha e këto rrugë, ata që kanë vënë dorën mbi dheun e bujkut, e dinë se kjo është një botë që është më shumë e thjeshtë vend. Është një shpirt i ngrohtë, që nuk do të harrohet asnjëherë, edhe pse duket sikur ka shuar dritat e së kaluarës.

Por, edhe kur fshati është më i heshtur, edhe kur rrugët janë bosh, sërish kjo tokë mbart një histori të fuqishme. Shpirti i këtij vendi është si një melodi e bukur, që kurrë nuk mund të shuhet. Dhe çdo copëz e kësaj krahine mbart një kujtim të një jete të thjeshtë, por të pasur me dashuri, sakrifica dhe qëndrueshmëri.

Ndonëse shumë janë larguar, është ende diçka këtu, diçka që nuk mund të shuhet me kohën. E ardhmja e këtij vendi, si çdo fshat që ka jetuar dhe rritur breza, ndodhet në kujtimet që mbeten. Në dashurinë, që ruhet për tokën dhe njerëzit që kanë shkelur mbi të.