Banda e Troplinëve kontrollonte Portin e Durrësit! 3 mijë € për të kaluar pa kontroll

Porti i Durrësit, simbol i lidhjes së Shqipërisë me Perëndimin, po kthehet në një nyje të rëndësishme për trafikimin ndërkombëtar të drogës, me ndihmën e zyrtarëve të korruptuar. Sipas autoriteteve italiane, Xhevdet Troplini (i njohur si Poja) drejton një organizatë të fuqishme kriminale që trafikon drogë nga Amerika Latine drejt Europës, me ndihmën e strukturave të policisë shqiptare.

Operacioni “URA” zbulon skemën e kontrollit të portit nga grupi i Troplinit, përmes nipit të tij, Elvis Doci. Në qershor 2022, anëtari i grupit Edison Gjoka, i dëbuar më parë nga zona Schengen, kaloi lirshëm nëpërmjet portit të Durrësit me dokumente të falsifikuara. U ndalua vetëm një ditë më vonë në Bari, duke ekspozuar dështimin (apo bashkëpunimin) e autoriteteve shqiptare në kontrollin kufitar.

Sigal

Në skemën e kalimit ishin të përfshirë figura si Bexhed Mema (organizator), Vis Poja (ndërmjetës) dhe kontrollori i portit, Naim Behluli. Një pagesë prej 3 mijë eurosh u bë për të mundësuar kalimin e paligjshëm.

Ky rast shton dyshimet mbi bashkëpunimin mes shtetit dhe krimit të organizuar, duke e kthyer portin kryesor të vendit në një derë të hapur për rrugët ilegale drejt Europës.