Gëzim Llojdia: Arbëreshët në 1924 mbledhin këngën tradicionale të tre shekujve

1067
Sigal

Trifon Guidera, më 26 janar 1924 përcjell këtë shkrim për një botim arbëresh, kushtuar këngëve tradicionale shqiptare në botën arbëreshe, në të cilën ruhej prej shekujsh gjaku arbëror.

“Libri: “Canti tradicionali” ashtu siç shkruajta te Nr 2661 të “Diellit”– tregon T. Guidera, vëllimi ka mbledhur te kjo vepër ndër gjithë dorëshkrimet e tre shekujve, vjershat më të mira që disa shqiptarë të Sicilisë, kanë shkruar me qëllimin që atdheu i gjyshërve të tyre, të kishte një literaturë si të gjithë kombet e tjerë”, nënvizon T.Guidera.

Duke vijuar ai thotë: “Prof Schiroi, si bleta ka vajtur tue thithur te lulet e gjithë këtyre dorëshkrimeve, që fati i mirë i solli përpara syve me të ëmblin lenk e si mjaltë te kosherja ja shkon përpara këndonjësit.”

Autori në fjalë përmend punën kërkimore që ka zgjatur mbi një hark kohor prej tre shekujsh, por më i veçanti është një autor i panjohur i shekullit XVII. Autori Giusepe Bracia sjell poezinë e arbëreshe shkruar ëmbëlsisht si një simfoni e bukur me një ritëm të njëjtë. Mirëpo ç’thotë poshtë autori.

Këto poezi, që përshkruam këtu janë të zotit Giusepe Bracia, thotë autori, bërë motin e 1752-it në Palazio Adriano. Dhe sjell më poshtë vargjet e fundit të kësaj poeme arbëreshe. Ai thotë se këto dhe të tjerë vjersha janë marrë nga Anaereontika e Kryepriftit Nicola Brancato i shekullit XVII, themelues i kolegjit të Shën Mërisë, e cila ka qenë dhe është shkolla e këngëve të kishës shqipe ndër Piana dei Greci. Autori sjell këto vargje:

”Kjo trundafile plotë ves e mbledhur vetiu thotë

Stolitë që kam të kuqen lloje

të bukuren hije

Mi dha ynë Zot…’

Duke folur për këtë vjershë autori thotë se edhe kjo është marrë nga këngët e Isuthit të At Branmcatit. Duke vijuar me këngën tjetër:

“Të dashur më dëfton

e prire më gënjen

përse këto ndralle?

Në gji unë kam dorën ndenjë

e zembrën nge e njen

se ti me more….

Autori, thotë se ky libër me vjersha është shumë i bukur, pra me këngë ndër vjerohe prej Giusepe Kamarda, të 20 dhjetorit 1871, është aq i bukur, sa autori e përshkroi të tërë.  Sipas këtij autori, ndër këngët e bukura, janë edhe krijime, që u përkasin autorëve si vjershat e ish-deputetit Pietro Chiara i Palazo Adriano, ai e cilëson rrjedhshmërinë poetike si lumë duke përmendur edhe atë, që ka shkruar mbi vdekjen e zonjës Jakine Masi Bennici të vitit 1873. Autori sjell strofa nga kjo poezi:

Te ky varr ku ajo pushon

gjithë lulëzuar me kurora

rinë përzier vdekja e gjela

lypi e gëzimi,zjarrmi e bora.

 Sa kujtime te një gur

Klajni gjithë me të glet vajtime

Lulia e varrit vetëm rritet

me kujtime, lotë, shterime…

Në shkrimin për atdhetarin e të vjetër, z. Dot. Agostino Ribekut, nga Llambi Gjergu i Shën Mitër Korona thotë: “Kush nuk e ka dëgjuar këtë atdhetar të flakët dhe kush nuk e njeh? Nuk presim përgjigje, pse dimë bashkatdhetarët i kanë kënduar veprat e tij shumë të shtrenjta, për të cilën mburret tepër dhe që andej i ka kushtuar gjer më sot shpirt e zemër. Së afërmi do të pushtojë shtyllat letrare të gazetës sonë kombëtare, për jetën e këtij të vjetrit patriot që ka marrë pjesë të madhe dhe aktive në çështjen e bukur të çështjes sonë, bashkë me të pavdekurin vjershtor Jeronim De Rada, në kohën kur diplomacia evropiane pa me të drejtë se jetonej, një popull me famë, që përpiqesh për lirinë e vet me gjak dhe pastaj mbi përpjekjet e tija politike, letrare. Është edhe ky një nga faktorët e Rilindjes sonë Kombëtare dhe s’mund ta mohojnë njerëzit e mëdhenj që kemi neve sot, me të cilët ky ka patur dhe mund të ketë edhe sot padyshim, letërkëmbime.”