Florind Belliu shfaq me sukses veprën “One Week” në Nju Jork

623
Intervistoi Ermira Babamusta 

Intervista me aktorin dhe skenaristin Florind Belliu
Aktori dhe skenaristi i talentuar Florind Belliu prezantoi me sukses shfaqen e tij “One Week” (Një Javë) në Nju Jork. “One Week” u shfaq tek teatri Producers Club Theaters në Times Square në Manhattan dhe u prit me sukses nga publiku. Shfaqja është roman i dramatizuar, që ndërthur aksion, komedi të zezë dhe dramë, shkruar nga novelisti i njohur gjerman Wolfgang Herrndorf. Florind Belliu ka studiuar për aktrim tek Akademia e Arteve në Tiranë. Njihet për rolet e tij në filmat “Amaneti” me regji të Namik Ajazit, “Të fortët” me regji të Altin Bashës, “Shtremët” me regji të Indrit Kasmit (rol kryesor) dhe “Në kërkim te kujt” me regji të Gjergj Xhuvanit ku ka luajtur rolin kryesor. Momentalisht Florindi jeton në Nju Jork ku po merret me teatër në “ of Broadway” dhe po shkruan një roman. 
Mund të na tregoni më shumë rreth vetes dhe fillimet në fushën e aktrimit?
Flori Belliu: Sigurisht, pasioni për këtë ka nisur herët duke marrë pjesë nëpër evente të ndryshme si amator. Unë kam mbaruar Akademinë e Arteve në Tiranë, dega Aktrim. Më pas kam punuar në projekte të ndryshme në film dhe teatër. 
Me cilat projekte po merreni tani? Për çfarë bën fjalë?
Në fakt tani jam vendosur në New York ku kam rreth 10 muaj për arsyet e mia personale. Po punoj njëkohësisht në disa drejtime. Kemi ndërtuar një grup pune një producent, një regjisor filmi dhe unë, konkretisht po punojmë për të ndërtuar një projekt filmi. Kemi dy skenarë fillestarë, ngjarjet ndodhin Në New York. Bëhet fjalë për një histori dashurie dhe skenari tjetër për dy të pastrehë. Jemi në fillesa dhe uroj të shkojë gjithçka mirë. Ndërkohë kam dhe 2 projekte personale. Po shkruaj një roman që e mendoja prej kohësh. Kam dhe këtë shfaqjen. Jam i kënaqur nga rezultati te të dyja netët gjithçka shkoi mirë salla ishte plot, spektatori e pëlqeu. Tani po flasim që kur mund ta rikthejmë dhe ta vendosim në kalendar, në sezonin e ardhshëm, ndoshta nga fundi shtatorit. Për të gjithë ata qe nuk e panë shfaqa është e stilit “One men show”. Titullohet “One Week” dhe zgjat rreth 1 orë.
Çfarë ju pëlqen në rolin/personazhin që po luani në shfaqen “One Week”? 
Personazhi është një djalë në moshën e adoleshencës ku ka problemet e moshës dhe të gjitha dukurit që ndodhin në këtë moshë, përshkruar me shumë mjeshtëri nga autori Wolfgang Herrndorf. Më pëlqen zgjidhja dhe mënyra e perceptimit që ka ky personazh për gjithçka i ndodhë rreth e qark. Është një djalë naiv por me zemër të madhe dhe tepër i zgjuar.
Si lidheni ju me këtë personazh?
Me këtë personazh ndryshe nga personazhet e tjerë ku në shumë raste duhet përdorur imagjinata për të arritur të kuptosh apo përjetosh atë që i ndodhë personazhit sepse unë si aktor nuk e kam përjetuar dhe është një ndjesi e re. Nuk ka qenë e vështirë kalimi, sepse i kam të përjetuara dhe të gjalla në kujtesën time. Lidhja është shumë e madhe me këtë personazh pasi më pëlqen shumë, sa më vjen keq kur mendoj se do punoj një tjetër shumë shpejtë dhe do më duhet ta zhbëj.
Si është lidhja juaj gjatë punës me regjisorin?
Me regjisorin varet nga përqasja që ka ai, sepse është ai vizionari dhe ka ngarkesën më të madhe të të gjithë projektit por unë mundohem të bëhem “shok” me të dhe dua t’i “vjedh” gjithçka që ai ka në kokë. Kjo më bën shumë mirë për realizimin e figurës. Te ky projekt është ndryshe, pasi jam krejt i vetëm.
Çfarë do ta befasojë publikun për këtë shfaqe? 
Për ata që nuk e patën mundësin ta shohin, te kjo shfaqe ajo që do e befasoj publikun është sepse nën një skenografi minimaliste dhe me një kostum të thjeshtë duke përdorur një teatër “të varfër” njerëzve do t’iu duhet të përfshihen shpirtërisht dhe emocionalisht ne gjithë këtë. Pasi shfaqa përbëhet nga fjala dhe imagjinata. E kam ndërtuar në këtë lloj forme ku publiku do jetë pjesë e shfaqjes pasi herë pas here thyhet muri i katërt në komunikim me spektatorin. Do të shohim disa personazhe dhe shkëputja nga narracioni kalimi në aksion të personazhit.
Besoj se është e veçantë.
Cili ka qenë filmi më i bukur ku keni marrë pjesë?
Kam luajtur në disa filma që më kanë pëlqyer puna dhe pastaj është pëlqyer nga publiku Filmi “Amaneti” me regji të Namik Ajazit apo filmi komik “Të fortët” me regji të Altin Bashës. Nuk mund të them se njeri ishte më i mirë se tjetri. Sa për personazhin më të bukur në film, nuk më ka ardhur akoma, po e pres.
Në cilat filma keni luajtur rolin kryesor?
Në filmin me metrazh te shkurtër “Shtrembët” me regji të Indrit Kasmit. Nuk mund të them se kisha rolin kryesor pasi në serialin me titull “Në kërkim të kujt” me regji të Gjergj Xhuvanit kishte disa personazhe kryesor ku një prej tyre isha dhe unë.
Çfarë lloje filmash ju pëlqen të jeni pjesë?
Nuk është se i kushtoj shumë rëndësi kësaj pjese unë mundohem te merrem vetëm me punën time nëse personazhi është i plot ka një gjë që më pëlqen dhe më ngjit e bëj me shume dëshirë. Pastaj konceptet regjisoriale i takojnë tjetër kujt mua më pëlqejnë te gjitha mjafton të bej ate që dua.
Çfarë roli luan arti në shoqëri? 
Sigurisht që ka në dorë emancipimin e shoqërisë iu hap sytë, ndonjëherë iu tregon realitetin dhe ndonjëherë iu tregon të përsosurën shoqërisë. Në shumë raste arti thotë me zë të lartë, bërtet atë që njerëzit nuk kanë guximin as ta mendojnë.
Këshilla juaj për dikë që dëshiron të ndjekë këtë karrierë? 
Mos e bëni … bëni diçka tjetër … por nëse e bëni, bëjeni mirë. Pa tjetër dokumentoni të gjitha punët tuaja. Dhe e fundit, mos i lejoni askujt të ketë në dorë diçka që të mund të shkatërroj projektet tuaja.
Çfarë mund të presim nga ju për vitin 2018?
Teatri ku unë po punoj nuk është “on Broadway”. Por of Broadway. Uroj që Zoti të ma mundësojë të kem një projekt serioz on Broadway.
Sigal