Aktori Artur Gorishti ekspozon 72 punime në Galerinë Kombëtare të Arteve

809
Ekspozita personale e artistit Artur Gorisht vjen si një befasi për publikun i cili nuk e ka njohur artistin më parë si piktor, por që tashmë shfaqet me një koleksion prej 72 punësh nga krijimtaria e tij 25 vjeçare. Punët janë piktura e grafika, në gjininë e peizazhit, portretit, brendi, kompozime, apo miks media. Këto vepra flasin për botën e tij të brendshme në periudha të caktuara, ndjesi të cilat artisti ka arritur t’i kthejë në art pamor. Kuratori i ekspozitës Ylli Drishti tha se këto piktura shfaqin një krijmtari të pazbuluar më parë të Gorishtit, por që e prezantojnë atë si një artist të mirëfilltë të artit pamor. “Janë rreth 900 vepra të cilat Artur Gorishti i ruante me fanatizëm në shtëpinë e tij dhe që i ka ndarë vetëm me miqtë e ngushtë. Edhe pse nuk ka një formim akademik në pikturë, aftesia për të hedhur në letër, apo telajo atë çfarë përjeton një një moment të caktuar të jetës së tij, është kaq e fortë, kaq e dukshme dhe shumë ekspresive sa nuk mund të anashkalohet. Në këtë ekspozitë është edhe një cikël punimesh të cilat autori i ka realizuar mbi intervista të ndryshme që ka dhënë ndër vite. Mbi këto intervista ai ka pikturuar me penele në krahun e majtë një imazh të tij i cili përcjell një gjendje të caktuar”, theksoi kuratori. Artur Gorishti e cilësoi hapjen e kësaj ekspozite si një pikë të rëndësishme të karierës së tij, si një nga ato momente që shënojnë kthesë në karierën artistike. Artur Gorishti është një nga aktorët më të suksesshëm shqiptarë, gjatë viteve të fundit. Ai numëron disa role të rëndësishme në filma si “Butrinti”, ku luan rolin e Ugolinit, “Slogans” (“Parullat”), i cili ka fituar çmimin e rinisë në “Kanë” dhe në filmin “Gjoleka, djali i Abazit”. Përveç aktrimit, Gorishti ushtrohet edhe në pikturë e fotografi, të cilat nuk i ka ekspozuar vetëm në Tiranë, por edhe në Amerikë. Filmi i suksesshem “Bota”, e riktheu pas tetë vitesh në Shqipëri aktorin Artur Gorishti, i cili jeton në Montreal, Kanada. Në filmin “Bota” regjisorja Iris Elazi i ka besuar personazhin e Benit, një rol që siç pohon aktori përjeton dramën e tij.
Sigal