Rrok Fran Gjelaj:Dritëro Agolli më bëri kandidat të Lidhjes për një hartim në vargje

817
Sigal

INTERVISTA/  Flet këngëtari popullor, kryetari i grupit muzikor “Kënga jonë” me qendër në Shkodër,  Rrok Fran Gjelaj

Është nga Malësia e Madhe. Malësia ka shtatë male që janë Hoti, Gruda, Tishi, Koji, Kelmendi, Kastrati, Shkreli. Këta janë shtatë male legjendarë, ku secili ka historitë e veta, ka të veçantat e veta, luftërat, heroizmat, etj…tërë jetën e tij ka qenë përgjegjës i shtëpive të kulturës në disa qytete veriore deri në ardhjen e demokracisë.  Së fundmi, ai ka krijuar grupin muzikor “Kënga jonë” me qendër në Shkodër, ku ka marrë pjesë në dhjetëra aktivitet brenda dhe jashtë Shqipërisë.

 Malësia e Madhe ka shumë histori?

Kjo është shumë e vërtetë, madje duket si ëndërr kur flet për to. Malësia ka shtatë male që janë Hoti, Gruda, Tishi, Koji, Kelmendi, Kastrati, Shkreli. Malësia e Madhe ka këtë histori me malet e saj, pavarësisht se në sistemin komunist ka qenë një ndarje tjetër administrative që e ka ç’rregulluar paksa emërtimin. Kohët e fundit, Presidenti i Republikës me rastin e 100 vjetorit të themelimit të shtetit shqiptar, i akordoi Malësisë së Madhe dekoratën “Nderi i Kombit në 7 male”. Unë jam nga Hoti i Malësisë së Madhe. Unë rrjedh nga një familje artistësh, ku mund të them se fisi Gjelaj është i përhapur shumë në Amerikë, ndërsa unë jetoj në këto male dhe jam krenar për origjinën dhe për artin që përfaqësoj.

Jam pjesëmarrës që nga Festivali i parë i Folkut në Gjirokastër  dhe në vazhdim deri sot. Pra jam pjesëmarrës që në vitin 1965, pa bërë asnjë mungesë në këto Festivale.

 Pra ju jeni këngëtar popullor?

Po. Kam kënduar dhe këndoj këngë popullore dhe jam laurat i 4 Festivaleve Folklorike Popullore, njëkohësisht jam dhe instrumentist, pasi i bie bilbilit dhe çiftelisë. Ndue Shiti në vitin 1978  ka thënë për mua se është një i ri me të ardhme, pasi fitova çmim të parë në Festivalin e Gjirokastrës, gjithsej  katër çmime.

 Kush ka qenë dita më e bukur në këto Festivale?

Ajo e Festivalit  të vitit 1995, kur ne si grup i Malësisë së Madhe në këtë Festival që u zhvillua në Berat, zumë çmim të parë. Ky Festival u zhvillua në kalanë e Beratit. Fill pas këtij Festivali, ne shkuam në Festivalin Europian që u zhvillua në Francë, ku morëm çmim special dhe ndenjëm një muaj e gjysëm turne.

 Ju keni formuar grup artistik?

Po. Grupi artistik i Malësisë së Madhe. Licencën e grupit e kam marrë në vitin 1993, kur ka qenë ministër Dhimitër Anagnosti, bashkë me Ansamblin Labëria. Mandej krijova grupin muzikor “Kënga jonë” me qendër në Shkodër, ku jam përfaqësuar në shumë festivale rajonale, kombëtare, ndërkombëtare, ku nuk jam bazuar vetëm në folk. Puna në grupin tim nuk i përket turbofolkut, por folkut të moderuar. Për gjithë krahinën time kam bërë shumë evente muzikore të cilat janë pasqyruar në shtypin tonë, madje dhe në mediat vizive. Shumë koncerte i kam dhënë në teatrin “Migjeni”, në Shkodër ku kemi gjetur mbështetjen e televizionit shqiptar. Në këto koncerte kam prezantuar të gjitha vlerat artistike që ka Malësia e Madhe duke i treguar brezave të rinj se shumë prej kollosëve të artit shqiptar e kanë origjinën nga kjo zonë. Psh Besim Zekthi është nga Hani i Hotit, Angjelin Perlocaj është nga Kelmendi, afër Vermoshit të Shkodrës.

 Në regjimin komunist ku keni punuar?

Kam qenë përgjegjës i shtëpive të kulturës në Malësinë e Madhe, në Kelmend, në zonën e Mirditës. Pra kam shëtitur kudo në Shqipërinë e Veriut, ku ka pas shtëpi kulture.


Me Enver Hoxhën jam takuar tre herë. Herën e parë në vitin 1967 në festën e Reçit. Unë isha fëmijë ku ne bëmë një koncert, si bëheshin në atë kohë. Unë megjithëse isha një familje patriotike, nip i Vuksan Gjelit, isha dhe vëllai i Lluk Kaçit që u fut në burg, prandaj ne na kishin shpallur kulak. Kur erdhi Enveri, unë isha pas nxënësve. Aty një mësuese e muzikës më nxori përpara nxënësve dhe më vuri të këndoj. Enveri më pa dhe u tha atyre që drejtonin koncertin: “pa ma sillni pak atë fëmijën aty”. Më çuan tek Enveri dhe ai më mori në duar. Mandej më dhanë një pije freskuese. U gëzova shumë. Më pas këndova dhe një këngë për Kongresin e pestë të Partisë që ma kishin mësuar, me tekst të Tom Nikollës. Nuk e harroj kurrë këtë tekst. Fillonte “lumja ti moj Shqipëri”, etj…Kur shkova në shtëpi, organizata e partisë në fshat atë ditë donte t’i merrte babit triskën e frontit. Atë ditë në shtëpi ishim ndjerë keq dhe unë shkova i mërzitur në koncert. Kur u ktheva, pas koncertit gjej gjithë organizatën e partisë në shtëpi duke u përqafuar me babën. Ata sa më panë mua, më përqafuan duke i thënë babait se ky djalë ka nderuar jo vetëm ju, por gjithë Shqipërinë pasi e ka marrë në prehër Enver Hoxha. Unë pastaj vazhdova shkollën ku isha një nxënës i shkëlqyer, madje kam marr nga dy klasë menjëherë.

 Po për shkollën e lartë si vepruat?

Kur kërkova bursën e lartë më doli Agronomia me bursë shteti dhe shkolla e Muzikës me 280 lekë në muaj. Ne s’kishim mundësi ekonomike si familje, ndaj unë shkova për agronom. Por në fillim shkova në shkollë të mesme bujqësore,  në Fier ku u futa me grupin kosovar të Fierit. Me këtë ansambël shkova në Festivalin e Gjirokastrës ku zumë dhe çmim. Në maturë kur do bënim mbrëmjen e shkollës, vjen për vizitë Dritëro Agolli. Ai viziton ambientet e shkollës dhe shkon tek këndi i letrarëve të rinj. Ndalet tek një hartim komplet në vargje. I thotë drejtorit : “ma thirrni këtë djalin”. Më tha të lumtë dhe shkruaj gjithmonë. Që atëherë më bënë kandidat të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Ishte viti 1978. Më vonë më bënë dhe anëtar Lidhje. Ai sistem i kishte të gjitha të zezat, por vetëm pa shkollë s’të jepte njeri tituj, pa e merituar. Sot po ke lekun, merr gjithçka.

 Po për herë të dytë dhe të tretë ku e keni takuar Enver Hoxhën?

Për herë të dytë e kam takuar në tërmetin e Shkodrës në vitin 1979, ku u caktova ta prisja së bashku me Tano Banushin. Mbaj mend se ai ka marrë atë qeleshen e malësorëve dhe e vuri në kokë. Atë qeleshe ma mori mua, se unë isha veshur me kostum kombëtar.  Atëherë isha solist dhe këndova  një këngë për Shkodrën, për tërmetin dhe një këngë popullore veriore. Pra unë gjithmonë në kësi rastesh kam qenë këngëtar popullor.

 Takimi i tretë me Enverin?

Ka qenë në një Kongres të grave në Shkodër tek ish-Kisha e Madhe. Isha bashkë me një koleg timin, me Sali Manin. Të dy kënduam, por Saliu kishte një këngë shumë të bukur. Ai na takoi të dyve duke na përgëzuar.

 Po Ramiz Alinë a e ke takuar?

Mbas vdekjes së Enverit kam marrë pjesë në Kongresin e Bashkimeve Profesionale në Pallat të Kongreseve, si punonjës kulture. Ishte kongresi i parë që zhvillohej në atë pallat gjigant. Diskutimin tim e bëra në formë poezie ku Alfons Gurashi dhe Fari Balliu më përgëzuan në mënyrë të veçantë. Kur dola në tribunë dhe e lexova, duartrokitjet nuk kishin të sosur. Më kthyen dy herë. Kur dola, diskutimin tim ja dhanë Ramiz Alisë.

 Po sot çfarë aktivitetesh po bëni?

Ju thashë që unë kam shoqatën dhe grupin muzikor “Kënga jonë” me qendër në Shkodër, ku përfaqësoj dhe Shkodrën në shumë festivale si në Kosovë, Mal i Zi, Maqedoni, por edhe në Gjirokastër. Njëkohësisht vetë këndoj gjithmonë këngë popullore të veriut, duke mos hequr dorë nga folku. Kam bërë dhe disa albume me këngët e mia. Kam marrë dekoratën “Naimi Frashëri i Artë” nga Presidenti dhe jam propozuar nga Qarku i Shkodrës për “Mjeshtër i Madh”.