SevoTarifa:Si u çlirua fshati Dukaj më 25 korrik të vitit 1944 pas sulmit të Brigadës së VI Sulmuese kundër gjermanëvedhe ballis

1022
Sigal

 Çfarë ka ndodhur 69 vjet pas çlirimit zonës. Tmerri i luftës, si e varrosëm krahun e Elmaz Temes,  në Skrapar e trupin pas vdekjes në Tepelenë, ç’ndodhi me Selfo Allkën, Ferit Lilën, etj.

NË DUKAJ NË TEPELENË …

Në kujtim të sulmit të paprerë

 në kodër tek “Shkëmb i i Prerë

 Nazistët gjermanë, për të siguruar lëvizjen e lirë të tyre, mbanin nën kontroll rrugët automobilistike. Dukaj ishte një pikëmbështetje e  tyre. Brenda këtij fshati kalon rruga kombëtare. Në Dukaj kishte një njësit gjerman, një skuadër italianësh, një togë ballistësh, një kompani xhandarësh, të cilët përbënin batalionin famkeq “Vermoshi”. Gjithsejt 207 armiq:  kriminelë, vrasës, hajdutë, të zhytur thellë në llumin e tradhtisë, të pajisur deri në dhëmbë me armë: mitralozë të rëndë e të lehtë dhe mortaja. Këto forca armike ishin vendosur në pozicione të fortifikuara tek kodra shkëmbore, në majë të së cilës kalojnë një tunel me transhe të fortifikuara dhe qendra zjarri, ndërtuar qysh në luftën italo-greke më 1940. Edhe shtëpi të fshatit e sidomos shkolla fillore aty afër kodrës ishin kthyer në bunkerë e objekte fortifikimi. Armiqtë grabitnin, torturonin dhe vrisnin popullatën në fshatra të Kurveleshit e të  Tepelenës. Këta armiq  bazën e kishin në Dukaj. Edhe këtu vepronin me egërsi kundër popullsisë së pafajshme. Kështu, më 17 janar 1944 kishin pushkatuan 12 djem, më i vogli i të cilëve, Haki Bajram Varfaj, 13 vjeç! Para nënës, nuses e fëmijëve të tij lidhën këmbë e duar dhe pushkatuan në oborrin e shtëpisë partizanin Ismail Osmën Bejko, ndërsa vëllanë e tij,  Dinen, e burgosën në kalanë e Tepelenës, e torturuan, e sakatuan: i prenë shputat e këmbëve e të duarve, hundën, veshët e buzët, i nxorrën sytë dhe e hodhën jashtë mureve të saj! Nëna e tij zemërtrime e mori natën kufomën e djalit dhe ai u varros në kopshtin e shtëpisë, pranë vëllait tjetër dëshmor. Dy lulëkuqe në mjedis familjar. Por armiqtë nuk e prisnin se këtë akt fashist do ta paguanin shtrenjtë. Populli nuk do të rrinte pa u hakmar[rë. “Dy duar për një kokë dhe koka për Atdheun”. “Për të çmendur ka të mençur”.  Në Dukaj vepronte çeta territoriale e armatosur. Asaj i “kishte ardhur në majë të hundës” dhe do të merrte hakën ndaj reprezaljeve dhe vrasjeve që bënin armiqtë, do të  kundërvepronte ndaj armiqve. Vendosi prerë. Më 22 prill të atij viti zuri pritë në befasi dhe asgjesoi një patrullë naziste. U vranë 9 ushtarë dhe oficerë gjermanë, u zunë 14 robër e mjaft materiale luftarake. Hitlerianët vazhduan përsëri edhe më egërsisht:  gjakosnin, pushkatonin, merrnin jetë njerëzish. Veprime kundër popullit që nuk ishin parë. Ato ditë partizanët u informuan se armiqtë vranë një fshatar të pafajshëm, që kalonte rrugës me kalë! Vandalë hitlerianë vepronin me bashkëpunëtorë vrastarë vendës. Ja pse ky garnizon armik në Dukaj e Salari duhej likujduar dhe populli i kësaj zone të çlirohej prej tyre. Një përfaqësi nga fshatra të Kurveleshit shkoi në shtabin e Brigadës VI Sulmuese me kërkesën për asgjesimin e forcave armike në Dukaj e në Salari. Dhe shtabi i kësaj brigade mori të gjitha masat për plotësimin e kësaj kërkese. Garnizoni armik duhej likujduar.

Plani taktik

 Shtabi I Brigadës, pasi studioi gjendjen e faktorëve që veprojnë në luftë, hartoi planin taktik të veprimit luftarak: batalioni i dytë, me dy skuadra të batalionit të tretë dhe me kompaninë e mortajave të sulmonin garnizonin në Dukaj. Batalioni i tretë do të vepronte në Salari me detyrë: mbrojtjen e rrugës automobilistike nga forcat armike, që mund  të vinin prej Vlorës dhe asgjesimin e armikut që mund të tërhiqej nga Dukajt. Veprimet luftarake do të drejtoheshin nga komandanti dhe komisari i Brigadës Jaho Gjoliku e Haki Toska. Të dy batalionet u nisën nga Dragoti, ku kaluan natën e 23 korrikut 1944 dhe u përqëndruan: batalioni i dytë në Damës, 4 km në Veri të Tepelenës, kurse batalioni i tretë, më tej, në Vasjar. Vendosja batalioneve u bë larg objekteve të sulmit për t’i hequr armikut mundësinë e zbulimit, për të siguruar fshehtësinë e befasinë në goditjen kundër frcave partizane.

 Damës. 24 korrik 1944. Mbremje. Luftëtarët e lirisë të batalionit të dytë ishin në pushim. Para se  të zhvillohej mbledhja e batalionit, Mitro Xhani, zëvendëskomisar i këtij batalioni, thirri mbledhjen e komunistëve e të kuadrove të cilëve ndër të tjera  u tha: “Shokë, në Dukaj dhe Salari kanë bërë fole vrasësit. A jeni gati t’u futemi në strofkë e t’i asgjesojmë këta banditë? Populli na thërret, fshatarët i kanë kthyer sytë nga ne dhe presin t’i shpëtojmë nga këta banditë”. Fjala e tij ndezi zjarr zemrat e luftëtarëve. Pastaj u zhvilluan mbledhjet e rinisë dhe po atë mbremje u mblodh gjithë batalioni. Këtu foli komandanti, Sefedin Meçe, i cili bëri thirrje për të dalë një skuadër sulmuese, e cila  do ishte në ballë të luftës të forcave të batalionit. Thirrja u dëgjua me vëmendje. Sa mbaroi komandanti, ngritën dorën të gjithë partizanët e batalionit, pra dolën vullnetarë jo një skuadër, por krejt efektivi i batalionit! “Thashë një skuadër”,- vazhdoi komandanti dhe jo tërë batalioni. Dhe lexoi një listë me 11 emra partizanësh, në të cilën kishte  nderin të ishte edhe autori i këtyre radhëve.  Në çast, skuadra u rreshtua para batalionit. U pajisën të gjithë me automatikë e fishekë. Menjëherë ekonomatët e kompanive furnizuan batalionin me racionin e bukës së darkës: pak bukë misri të thatë. Itendenti i batalionit, Thanas Doko nga Humelica e Gjirokastrës, dha një porosi: “Këtë bukë që iu dha, e keni jo vetëm për sonte, po edhe për nesër!Ndër kaq, partizani Sharra ia priti me humor: “Ky racion nuk na del as për sonte, ç’të ruajmë për nesër?!”. Skuadërkomandanti Rexhep Çaku u shpreh: “Nesër, me siguri do zëmë bukë e ushqime të armiqve, të cilët do t’i kapim të gjallë”. 

Drejt aksionit…

 Natë. Batalioni u nis. Zbriti tatëpjetën e Damësit. Ecej sipas rregullit, “pesë metra larg njëri-tjetrit, pa fjalë, që të mos na diktojë  armiku”. Ndonjë lajm ose porosi e komandës transmetohej me zë të ulët duke iu afruar shokut përpara. Orët kalonin pa u kuptuar. Pa zhurmë. Përpara gjarpëronte rruga automobilistike. Pararoja vrojtonte që xhadeja të kalohej kur nuk lëvizin makina gjermane. Duhej hedhur Vjosa, që gurgullonte në qetësinë e natës. Nën udhëheqjen e një fshatari u gjend vahu. Komanda porositi: “Pushkët krahqafë. Në lumë dorë më dorë. Pionierët të merren në krahë nga partizanë të fuqishëm notarë”! Asnjë nga pionierët nuk pranoi të merrej në kurriz! Dhe grupe- grupe të gjithë hynë në lumë. Atyre me trup të shkurtër uji u shkonte deri në gjoks. Vjosa u kalua. Të gjithë dolën përtej saj. Përsëri në rresht. Marshimi vazhdonte me kujdes që të mos dëgjoheshin hapat dhe fësh-fëshja e pantalloinave të lagura. Batalioni iu afruan Dukaje. Pritej urdhëri për t’u hapur e për të zënë pozicione gati për luftë. Sulmi duhej bërë pa zbardhur dita. 

     Dy ditë më parë, Mitro Xhani me një skuadër ishte takuar në fshehtësi me luftëtarë territoriale të Dukaje. Natën kishin bërë rikonjicionin nga do të sulmohej armiku. Ishte vepruar sipas parimit: “Njihe armikun më parë se të të njohë ai ty”. Forcat e batalionit të tretë ishin nisur një ditë më parë drejt Salarisë, në errësirën e natës. Në mëngjesin e 25 korrikut, në bashkëveprim me forca të batalionit territorial të Kurveleshit të Sipërm, u rrethuan dhe u vranë 10 xhandarë e u zunë rob 17 të tjerë. Një pjesë e tyre ia mbathi këmbëve për në Dukaj, por u shpartrallua keqas. Disa morën malit përpjetë e të tjerë në drejtim të Vlorës, por ranë rob në duar të partizanëve. Armiqtë në Salari u alarmuan dhe u asgjesuan plotëpsisht. Nga ky batalion ranë dëshmorë Barxho Asqeri, komandant skuadre dhe u plagosën nënkomandanti i batalionit Balil Peçi, komisar i kompanisë Malo Hashorva dhe 2 partizanë.

 Batalionin e dytë mëngjesi i 25 korrikut e zuri rreth Dukajt. Kompania e parë u vendos në perëndim të fshatit, në lagjen e sipërme, përballë shkëmbit të fortifikuar. Kompania e dytë në lindje të Dukajt për ta sulmuar armikun në drejtim të shkollës dhe të kodrës shkëmbore. Kompania e tretë në Verilindje, me detyrë të sulmonte pikëmbështetjen në Shkëmbin e Prerë. Kompania e katërt shkoi afër fshatit Turan, doli në rrugë dhe, në bashkëveprim me kompaninë e parë, do të asgjesonte armikun në lagjen e sipërme e pastaj, duke bashkëvepruar me kompaninë e dytë do të sulmonte armikun në drejtim të shkollës e të kodrës shkëmbore. Skuadra e sulmit u pozicionua fare pranë llogoreve të armiqve, disa metra afër . Të gjithë partizanët ishin në pozicione rrethanore: pas mureve të rrëzuara, gjerdheve të baçeve, kaçubeve e shkurreve, gurëve e shkëmbinjve. Rrethimi i armikut në Dukaj u krye plotësisht në fshehtësi. Forcat tona ishin në gatishmëri të plot dhe në pritje të urdhërit të komandës për sulm.

Sulmi dhe fitorja

 Ora 4.00. Ende pa u gdhirë dita. Gjëmoi parulla “Para partizanë”! Zjarr nga të katër anët. Breshërisë së parë armiqtë iu kundërpërgjigjën menjëherë. Kjo tregonte se ata qëndronin në gatishmëri. U kuptua se qëndresa e tyre do të ishte e fortë. Megjithatë partizanët lëviznin përpara duke qëlluar në ecje. Skuadra sulmuese, kompania e dytë dhe e treta sulmonin drejt kodrës shkëmbore. Predhat goditnin në frengjitë e llogoreve të kundërshtarit.  Armiqtë e kishin vështirë të ngeinin kokë e të luftonin kundër sulmuesve partizanë nga pozicionet ku ishin strukur. Nuk mund të vepronin, se i prsite automatiku i skuadrës sulmuese. Hidhnin bomba përpjetë pa obiektiv, me hamendje, andej nga u shkonte zjarri partizan. Artileria partizane qëllonte pozicionet armike me kujdes që të mos dëmtoheshin forcat tona, të cilat ishin në afërsi të kodrës shkëmbore. Predhat e saj ranë mbi kokën e armiqve. Lufta po ashpërsohej. Rrethimi te Shkëmbi i Prerë në Kodrën shkëmbore,  po ngushtohej gjithnjë e më shumë. Teatri i luftimeve vazhdonte nga të gjitha forcat partizane. Skuadra  sulmuese  luftonte në vijën e parë të zjarrit. Në llogoret e armikut tym e flakë. Kur ndonjë syresh ndodhej nën zjarrin partizan apo plagosej, ndrronte vendin me tjetrin, bërtiste me zë të lartë dhe fyente e shante me fjalë banale.

     Me sulm të pandërorerë partizanët po i afroheshin gjithnjë e më shumë Shkëmbit të Prerë.  Tani luftohej me granatta dore. Luftëtari Apostol Çuni nga Piqerasi, me 6 bomba në gji, u nis drejt pozicioneve armike tek kodra shkëmbore, nga ana e greminës, andej nga armiku nuk e priste. Hodhi dy bomba në drejtim të mitralozit të rëndë gjerman dhe vrau të dy mitralierët.  Dhe me atë mitraloz, nisi të shtjerë kundër armiqve. E gjetën shokët të vrarë mbi mitraloz!  Njëherazi mbërriti Mehmet Karabolli me bomba të tjera që i mbante në kapelen e kokës, me të cilat furnizoi skuadrën e sulmit. Pikërisht aty erdhi Mitro Xhani, i cili menjëherë hodhi një granatë në llogoren e afërt të armikut, e cila u zhduk me gjithë armiq që ishin brenda llogores, por u shfaq trupi i tij që u pa nga armiq të tjerë dhe plumbi  i tyre e goditi në ballë. Ra  trimërisht Balena.

     Tani sulmi arriti kulmin. Luftëtarët nuk i mbante vendi. U hipi gjaku në kokë. Në sulm nuk ishte vetëm skuadra vullnetare partizane, por sulmues ishte i gjithë batalioni. Lufta u ndez e rreptë. Në çdo frengji të llogoreve të armikut rrihte një mitroloz i lehtë, ndërsa  mitralozit të rëndë i ishin caktuar dy frengji. Zjarri partizan u dëndësua. Disa frengji pushuan fare. Qëndresa armike po dobësohej. Armiqtë u tmeruan. Kishte prej tyre që lanë kodrën dhe zbrisnin përroit për “të shpëtuar”, disa dorëzoheshin e të tjerë vriteshin. Oficeri i xhandërmarisë Isuf Dema me pesë kriminelë të tjerë, dezertuan, ikën me bisht ndër shalë drejt Bregut të Shkozës dhe mbërritën buzë lumit Vjosë, prej nga mundën të largohen në Vlorë.  Kështu veproi edhe komandanti i batalionit armik, major Dod Nikolla, i cili kur mësoi për asgjesimin e plotë të batalionit “Vermoshi”, u çmend dhe mundi të shkonte në komandën gjermane në Vlorë duke folur përçart: “Para partizanë”.

 

Kodra shkëmbore u mor me luftë heroike të partizaëve. Ajo u la me rrëke gjaku. Armiqtë u asgjesuan. U vranë në luftë 8 oficerë gjermanë, 35 xhandarë, (midis tyre 5 nënoficerë dhe 5 ballistë). Një xhandar mercenar, të cilin e kishte kapur plumbi ”dum-dum”, po i digjej trupi si qiri në anë të xhadesë. Një tjetër ishte strehuar në shtëpinë e një dukjoti dhe donte të dorëzohej. Hulo Kullai me një partizan shkuan ta marrin rob. Xhandari doli në verandën e asaj shtëpie, duke thirrut “Jam dorëzu, jam dorëzu”, por armën nuk e lëshonte nga dora. E mbante me fishek në gojë. Thirrjes së dy partizanëve “Hidhe armën”, nuk i përgjigjej. U pa qartë se donte të qëllonte kundër partizanëve që i shkuan për ta marrë. Këta ndiqnin me vigjilencë veprimet e tij dhe u treguan më të shpejtë: i zbrazën në gjoks automatikët. U panë armiq që vinin grupe-grupe të shoqëruar nga partizanë, të cilët ishin dorëzuar e kapur rob.  Dy gjermanë që kishin mbetur  gjallë shoqëroheshin nga dy partizanë të skuadrës sulmuese për të shkuar në prapavijë.

     Partzanët luftëtarë po grumbulloheshin në kodrën e çliruar. Dy djem të rinj xhandarë me kërkesën e tyre u pranuan në radhët e  partizanëve.   U kapën rob: (4 gjermanë, njëri marshall); 59 xhandarë, (midis tyre 1 toger, 1 kapter e dy reshterë);  4 italianë; 17 ballistë. Robrit i kaluan gjyqit partizan, u gjykuan e u dënuan. Të tjerë u lanë të lirë të shkonin në shtëpitë e tyre. U kapën 5 mitralozë të rëndë dhe 6 mitralozë të lehtë; një sasi e madhe armësh e municionrsh, 10 revolverë,  10 orë xhepi, 3 dylbi, 15 kafshë të ngarkuara me sende ushqimore, veshmbathje e sende të ndryshme, që i ishin grabitur popullit. Midis tyre  ishte edhe paja e vajzës së Isuf Hysenajt, e cila u gjend në valixhet e mercenarëve dhe iu dorëzua familjes, sepse ishte caktuar data e dasmës për martesën e saj! Përleshja me forcat gjermane dhe tradhtarët e vendit, përfundoi me fitoren e thellë të partizanëve. Rreth trupit të Balenës, e shoqja e tij, Athina Xhani u shpreh:

“Trimat nuk qahen, por këndohen”!  Dhe nisi kënga:

“O shokë të mbajmë dy minuta zi

, u vra Mitro Xhani nga Piqerasi”.

 Duke hedhur  në krah automatikun e  të shoqit, si dhe duke vënë në kokë bustinën e tij, Athinaja vazhdoi me heroizëm luftën bashkë me batalionin partizan, deri në çlirimin e plotë të atdheut.

Lufta e Dukaje ishte një nga aksionet e mëdha të Brigadës VI Sulmuese. Pas dy ditësh, shtabi i Brigadës VI i shkruante Shtabit të Përgjithshëm: “Rezistenca e armikut ishte e jashtëzakonshme…Megjithë thirrjeve që iu bë xhandarëve dhe ballistëve nuk pranuan të dorëzohen…por luftuan deri në fishekun e fundit…”  Në luftën e Dukaje ranë në fushën e nderit 11 dëshmorë: Mitro Xhani nga Piqerasi, që pas çlirimit do të shpallej “Hero i Popullit”,; Rushan Goxhi,  zëvendëskomandanti i kompanisë së 4-t, nga Nivica; zëvendëskomandanti i kompanisë së dytë, Abdyl Demiri nga Kallarati; mitralierët trima Mërtiko Velço e Jorgo Jovani nga Kudhësi; Jaho Braja e Koço Koçollari nga qyteti i Gjirokastrës; Kudbi Gjoçi nga Fushëbardha; Ismail Cacaj e Barxho Abazi nga Progonati dhe u plagosën 10 partizanë.  Në orën 15.00, në mjediset e shkollës, ku ishin llogoret gjermane, u zhvillua ceremonia e fitores dhe varrimi me nderime i dëshmorëve. Foli komisari i batalionit “Abaz Shehu”, Heroi i ardhshëm i Popullit, Abdyl Hakiu. Atje do të ngrihej më vonë lapidari i dëshmorëve të Atdheut, simbol i asaj lufte heroike të zhvilluar nga partizanët e Brigadës së Gjashtë. Dukaj u çlirua..

***

Kaluan 69 vjet nga 25 korriku i vitit 1944. Sa herë udhëtoj drejt Jugut, afër Memaliajt, kthej kokën djathtas dhe shoh Dukajn, Shkëmbin e Prerë, që morën partizanët me sulm të paprerë. Dhe atë datë të 25 korrikut,  dukjotët e festojnë çdo vit. Në vend të pushkës dëgjohen këngë e valle. Vijnë në vendlindje bashkëfshatarë të mërguar kudo që janë, brenda dhe jashtë vendit. Populli feston. Dukajt hedh valle. Si ish një nga partizanët e atij aksioni, jam përpjekur të mbaj lidhje me dukjotë: dje me invalidin e LANÇ Elmaz Teme, krahu i të cilit “u varros” në Skrapar e trupi pas vdekjes në Tepelenë; me poetin e mirënjohur Maliq Lila, ndërsa sot me njerëz të letrave si Selfo Allka, Ferit Lila e të tjerë.