Flet Sejmen Gjokoli: Aulona Inter Folk Festival ofron mikpritjen Shqiptare për të gjithë turistët, në qytetitn e Vlorës

781
Sigal

Aulona Inter Folk Festival, është i veçantë, se në Vlorë ndodhen deti dhe toka, Adriatiku e Joni, Radhima e Orikumi, Kanina e Llogaraja, plazhet e Karaburunit e Zvërnecit dhe Sazani si roje përballë

 

Folk – Europian, turizëm e mikëpritje shqiptare!

Intervistë e z. Sejmen Gjokoli,

Drejtor i përgjithshëm i Festivalit Aulona Folk Festival

 

Aulona Folk Festival është piketa kryesore e jetës, aktvitetit tuaj, z. Gjokoli duke nisur nga festivali i parë deri tek ai i njëmbëdhjetë, këtë vit. Mund të na tregoni për të, sa ju ka dhënë kënaqësi e gëzim dhe sa ju ka lodhur, në këtë kohë për më shumë se një dekadë?

 

Patjetër që më ka gëzuar e më gëzon rritja e këtij aktiviteti. Jemi së bashku në një rrugëtim tash e njëmbëdhjetë vjet. E kam në sy rritjen, siç ia kam ndjerë edhe riskun jo pak herë. Është një aktivitet i gjerë, ka lëvizje të madhe, agjendë të ngjeshur. Në fund të fundit, duhet të ndodhin të gjitha në tri apo katër ditë. U bë kohë e gjatë që jeta ime po anon shumë nga trashëgimia shpirtërore, këtu duket se po më qëndron pika e gravitetit.

Aulona Folk Festival lindi si një pasion, por edhe si një detyrim për qytetin ku rroj, për të instaluar traditën e një ngjarjeje kulturore nga ato që në Evropë e më gjerë bëhen me tepri. Kam pasur raste që me grupin “Bilbili” që e organizoj për plot një çerek shekulli, fundi i këtij viti shënon 25-vjetorin e themelimit, që marr pjesë në festivale që edicionet i afrohen treshifrorit. Ndërkohë në hapësirën shqiptare ky i Vlorës konsiderohet më i vjetri, edhe pse me vetëm njëmbëdhjetë edicione. Për të guxuar në shpalljen e tij kam pasur në krah edhe miq të mirë, njerëz që edhe vetë në rremba kanë dashuri të madhe për kulturën identitare. Për miqtë e mi Vaso Tole e Petrit Ruka e kam fjalën, por edhe të tjerë miq të kulturës në Vlorë. Me ta e ndaj bekimin për udhën që mori kjo krijesë në formë festivali folklorik. Ata më nxitën ta nisja këtë ndërmarje, këtu e më shumë se një dekadë më parë. Duke folur për pasionet e mia në fushën e trashëgimisë kulturore aty u ngjiz, diku në një nga baret e kryeqytetit. Prof. Tole më sygjeroi edhe emrin, si për ta lidhur më shumë me trashëgiminë, me të vjetrën, kohën kur Vlora thirrej Aulonë.

– Në gjithë këtë udhë paralele me festivalin e Gjirokastrës, keni ndjerë më shumë bërryla apo krahë inkurajues? Nga institucionet përgjegjëse shtetërore sidomos…

 

Kam përshtypjen se problematika apo bërryla krijohen kur udhët priten. Me të drejtë thua që këto janë aktivitete paralele. Të pa ngjashme edhe si veprimtari. Të pa ngjashme në organizim, por edhe më të pa ngjashme në thelb. Kur them këtë, të kuptohemi, kam parasysh atë ç’ka realizonte ky festival kur niste në Kala, në Gjirokastër. Ishtë koha kur të paktën në këtë sofër të madhe folklori, veçmas propagandës së kohës, “buka” e trashëgimisë shtrohej “sade”, pa egjër fare. Shkëlqimin e sillnin bartësit dhe interpretët e folklorit burimor, ashtu siç e gjenin në çdo trevë ku flitej shqip, jo dritat me ngjyra të skenave të sotme. Ndërkohë që Aulona Folk Festival merr përsipër të shkëmbejë e integrojë përmes këngëve e valleve kulturën tradicionale që vjen nga popuj e kombe të ndryshëm, kuptohet edhe në formë spektakolare. Mjafton të them se vetëm për shkak të këtij aktiviteti kanë ardhë në Vlorë mbi 85 ansamble folklorike, me rreth 3500 pjesëmarrës, nga 25 vende të Ballkanit, Evropës e Azisë.

Nëse festivali i Gjirokastrës ka në krah fuqinë e shtetit, ky i Aulonës, vetëm të një shoqate, pasi realizohet me donacione, edhe me taksa që duhet të kthehen në produkte shpirtërore për taksapaguesit. Këtu fillon edhe përgjegjësia e organizatorëve, këtu ndodh edhe dallimi.

Jo pak herë kjo ndjesi nuk ekziston në mjaft institucione kulturore që kanë detyrim të menaxhojnë veprimtari me bazë trashëgiminë tonë shpirtërore, edhe pse kanë në krahë fonde shtetërore apo edhe pse vetë paguhen për t’i bërë sa më mirë këto punë.

– Pasionin tuaj, brezi i ri e shikon me sy miqësor dhe me frymë përfshirjeje?

 

E vërteta qëndron se një farë çoroditjeje, koha që po jetojmë, e ka krijuar. Trendi i gjërave, sidomos për kujdesin ndaj trashëgimisë kulturore e veçmas pastaj për rininë gjithashtu mbetet një disavantazh. E kur them këtë kam parasysh trashëgiminë shpirtërore dhe jo atë materiale që, për të qenë korrekt, kohët e fundit po bëhet jo pak. Shpirtërorja vazhdon të vuajë për shkak të trendit të shoqërisë, por edhe të problematikave ekonomike e sociale. E megjithatë, përmes disa aktiviteteve me rininë shkollore, kam parë nga afër se brenda tyre ekziston një pasion e dashuri edhe ndaj kulturës tradicionale, më së shumti të shprehura në marrdhënien me këngën e vallen popullore. Do t’ju sjell një apo dy shembuj:

I pari, ka të bëjë me një aktivitet kur me rastin e ditës së shpalljes nga UNESCO të Iso-polifonisë shqiptare “Kryevepër të trashëgimisë shpirtërore të njerëzimit”, organizuam në Vlorë një takim polifonik vetëm me nxënës të shkollave të mesme. Aktivitetin e emërtuam “Rini & Polifoni” dhe kjo ishte një sfidë, jo vetëm për ata që thirreshin në skenë, por edhe për vetë organizatorët. Ishte e befasishme pjesëmarrja, angazhimi, por edhe artikulimi artistik. Mbi dyqind të rinj shkollarë u ngjitën në skenë, duke performuar vetëm polifoni, këngën e kënduar nga gjyshërit e stërgjyshërit e tyre.

Rasti i dytë, ka të bëjë me një kompeticion. Kështu që përpara pak kohësh kur po me rininë e shkollave të mesme organizuam një festival folklorik, drejtë për drejtë me këtë kontigjent shkollor. A e dini sa u ngjitën në skenë prej Konispoli deri në Vlorë?! Nga Livadhjaja, Konispoli, Delvina, Saranda, shkollat e Vlorës etj., mbi pesëqind vajza dhe djem. Të gjithë me kostume tradicionale, duke kënduar polifoni, këngë popullore qytetare e valle popullore. Besoj këta të dy shëmbuj flasin shumë.

Po edhe Aulona Folk Festival duket se pa e shpallur, fare natyrshëm, po e kryen këtë mision. Ka disa edicione që përpara se në skenë të ngjiten grupet e ardhura nga vende të ndryshmë të Ballkanit dhe Europës, së pari përformojnë grupe folku nga fëmijë e të rinj vendas.

Ka ndodhur kështu edhe kur kemi organizuar aktivitete të tjera me karakter folklorik e ku të rinjtë e shkollave na janë afruar me entusiazëm. Ndryshe nga si i mendojmë e paragjykojmë kur i shikojmë nga larg. Puna është se te të rinjtë duhet të shkohet me projekte, me veprimtari konkrete, po edhe me më shumë dashuri e besim. Vetëm se kjo histori kërkon tjetër qasje nga politika dhe institucionet kulturore të shtetit.

– Ç’fushë tjetër e jetës popullore mendoni se ka motiv por edhe ka nevojë të punohet? Që nga viti i kaluar i jeni qepur artizanatit vlonjat…

 

Kënga e popullit, ritet, zakonet etj., janë njëra anë, por jo më me pak vlera kulturore e historike është edhe fusha e trashëgimisë materiale të luajtshme. E kam fjalën për këtë kategorinë e zejtarëve apo mjeshtrave që po më pyet. Po ta them hapur. Janë botë më vete, botë shumë interesante! Ekzistojnë kudo. Aty i ke, në hallin e botën e tyre, duke punuar në heshtje, pa zhurmë e bujë. Çfarë bëjnë, do të thuash? Ç’nuk bëjnë, thuaj më mirë! Sy njeriu, që thonë. Se ja, ke parë të merret copa e shkëmbit, të latohet e formëzohet me daltë e smilar, të kuadratohet e të shpohet me turjelë, t’i shpohen bira e t’i vihen bilbila e pastaj të nxjerrë avaze bilbilash? Të tillë dyjarë guri vetëm Selman Pazoj bën, në Vranisht. Ka një jëtë që merret me këtë dhe nuk është se i bën për stoli e bukuri. Fryjnë si të drurit dyjaret e gurta të Selmanit. Nëse dikush do kujdesej për këtë art në gur, me siguri jo Vranishti, por Shqipëria jonë do të kishte një fitues “gines” më shumë. Kështu me gurin, kështu me drurin, kështu me hekurin, kështu me guaskat e detit, kështu me fosilet, kështu me guralecat, kështu me mozaikët, kështu… Këto bëjnë mjeshtrat vlonjatë që mua më tërheqin shumë dhe përpiqem t’i orientoj për tu’ përfshirë sadopak në këtë ekonominë e tregut tonë të çoroditur. Të mos harrojmë, pikërisht këta njerëz janë vlera të paçmuara të trashëgimisë sonë kulturore, por edhe asete të jashtëzakonshme të turizmit.

Në gjithë këtë kohë, gati një jetë e tërë aktivitet i pa shembullt, ç’miq e ç’miqësi të reja i keni shtuar Sejmenit e Shqipërisë?

Edhe pse duket e çudiçme, asnjë herë nuk mendoja se mund të më bëhej një pyetje e tillë. Në fakt, edhe pse duket si një veprimtari që zhvillohet në periferi kjo ndodh fare pa kuptuar. Çerek shekulli veprimtari e pandërprerë, duke dhënë e marrë me bartës e interpretë të visareve të vendit tënd, po edhe me ec e jake nëpër shumë vende të botës, natyrisht të krijohet edhe mundësi për të njohur njerëz e vende. Kam qenë qysh në krye të herës i qartë se, pavarësisht se më është dashur të përfaqësoj një inisiativë private, folklori mbetet i shenjtëruar dhe e kam konsideruar sa herë që përcillet në publik, përfaqësues të identitetit shpirtëror të vendit tim. Sot më duhet të pohoj me shumë krenari se sa herë flamuri ynë është flladitur me plot dinjitet në të gjitha skenat e vendeve që grupi folklorik “Bilbili” që organizoj unë, është ngjitur për të performuar. Kemi vërtet folklor magjik, por po aq është edhe delikat. Lefter Çipa, bardi ynë i Bregut thotë që kënga polifonike është xanxare. Unë do të thoshja që i tërë folklori ynë ashtu është. Xanxar. Të kuptohemi bëj fjalë për folklorin që vjen nga burimi, jo ai që shumë herë del nga dyer të qelqta laboratori… Dhe që të dalim te miqtë. Gjithmonë më kanë interesuar ata që përmes takimeve e njohjeve tona shtojnë ca pika apo një ndjesi më shumë për qytetin dhe vendin tim. Miqtë që i shtoj vehtes… Ata mbeten përherë të vyer e të sigurtë, se mes nesh nuk ka interesa bisnesi a të tjera të ngjashme nga ato që bien sherre. Ka vetëm dashuri e respekt që në themel, ka këngën e vallen e popullit, trashëgiminë tonë shpirtërore.

– Pavarësisht se është mbushur dekada, kohë e mjaftueshme për ta quajtur traditë, grumbullimi foklorik i çdo viti vjen i ri. Dhe i riu është në derë. Mos keni shqetësim se ndonjë hollësi mund të prishë befasinë e aktivitetit?

– Thonë ata që kanë eksperiencë më shumë se unë, po edhe nga organizatorë të huaj e kam dëgjuar; ditën që mbaron një edicion fillon përgatitja për tjetrin. Kam vite që po e provoj në kurriz këtë postulat. Festivalet e folkut, në përgjithësi, zgjidhen të bëhen në skena të hapura e në një farë mënyre ata janë shesh mejdane kulturore, në sy e ballë për ballë me publikun. Mbrëmjet dhe ditët e aktivitetit duhet të jenë të gjalla, të larmishme, por edhe plot të reja që s’ngjajnë me të shkuarat. Në gjografinë e grupeve pjesëmarrëse por edhe në axhendën e ditëve të festivalit, këtu synohet gjithëmonë ndryshimi. Aulona Inter Folk Festival, e kam thënë edhe më parë, është i veçantë mes të tjerësh për nga standartet, por edhe nga qëllimi. Se në Vlorë ndodhen të bëra bashkë të gjitha; deti e toka, Adriatiku e Joni, Radhima e Orikumi, Kanina e Llogarai, plazhet e Karaborunit e Zvërnecit… Më tej, në det, Sazani si “roje” përballë. Të mos harrojmë, festivalistët që vijnë në gjirin e Aulonës, janë njëherësh edhe turistë por edhe eksplorues të kujdesshëm të aseteve tona kulturore, historike e turistike. Ashtu si edhe e preka, gjeografia e shteteve pjesëmarrëse mbetet përherë në kujdes të organizatorëve. Operohet me përzgjedhje grupesh, por edhe shtetesh, duke pasur për çdo vit risinë e vet Në këtë edicion, për herë të parë, mes flamujve dekorues të skenës do të zenë vend edhe flamujt e grupit nga Anglia e Findlanda. Me kërkesën e tyre për pjesëmarrje. Po këtë vit festivali do të ketë edhe një tjetër risi që synon të kthehet në traditë. Duke diskutuar me koreografin e Ansamblit të këngëve e valleve popullore, Genc Kastrati rreth disa përvojave ndërkombëtare vendosëm që për herë të parë të krijojmë brenda festivalit një seminar ku turistët e huaj që vijnë enkas për eventin të mësojnë vallen popullore shqiptare, si dhe shkëmbimin kulturor mes pjesëmarrësve duke i dhënë kështu aktivitetit edhe dimensionin interaktiv, spektatori bëhet pjesë e skenës. Kështu të huajt, gjatë ditëve të festivalit, do të shijojnë bukuritë e aktivitetit e qytetit, por do të mësojnë edhe vetë të vallëzojnë shqip e që në një nga mbrëmjet koncertore do të performojnë në skenë një nga vallet e mësuara gjatë këtyre ditëve. Aulona festival bëhet edhe i pari festival i këtij lloi në Shqipëri i cili synon të përfshijë spektatorin në skenë e të kthehet në një atraksin turistik më vete, siç këtë herë ata që do ngjiten në skenë natën e dytë të festivalit. Do të jetë një grup turistësh nga SHBA, të cilët do të udhëtojnë enkas për në Vlorë, për turizëm dhe festival. Ka aspektin e axhendës turistike ky edicion. “Rexhina Grup”, nga operatorët më të rëndësishëm që operon në Vlorë, për festivalin e për të parën herë do të vërë në dispozicion një nga anijet e veta turistike me qëllim që festivalistët të vizitojnë plazhet e Karaborunit, si kundër resorti turistik “Bojo” do t’i presë një ditë më pas në Radhimë. Aulona Inter Folk Festival – folk europian dhe turizëm e mikëpritje shqiptare.

Bisedoi,

ARBEN BLLACI