Flet Piktori Astrit Beluli/ Ekspozita “Labëria ime” i kaloi pritshmëritë. Peisazhet e Labërisë janë mahnitëse ndaj për të kanë folur Agolli, Kadare dhe Qose. Politikanët e duan artistin vetëm në zgjedhje

154
Sigal

 

Flet piktori Astrit Beluli: Ekspozita vetjake “Labëria ime” i kaloi pritshmëritë

Nuk harroj fjalët e Skënder Kamberit” Astriti ka një stil të veçantë dhe një ndjesi të brendshme të fuqishme që e tregon bukur me penel”

– Peisazhet e Labërisë janë mahnitëse ndaj për të kanë folur Agolli, Kadare dhe Qose.

-Në shumë momente shoh politkë acaruese, jo kombëtare dhe që nuk e do artin, ndaj distancohem.

– Piktorët janë të drejtpërdrejtë, të hapur, populist, atdhetar, që nuk i durojnë padrejtësitë.

Intervistoi: Albert Z. ZHOLI

Me Astritin kemi rreth 2 dekada miqësi. Jemi me origjinë nga Tepelena, por në Tiranë jemi komshi. Studio e tij është 50 metër larg shtëpisë sime dhe në atë studio mblidhen shumë tepelenas. Dhe pse në pension Astriti e hap studion në 06-30 në mëngjes dhe e mbyll në 22-00. Lëviz me biçikletë pasi  këtë lëvizje e quan sportin më të shëndetshëm. Shoqërues  gjithmonë ka “Pufin” një qen tekanjos, por tepër i bukur dhe i zgjuar. Astriti i shërben qenit sikur ta ketë fëmijë. Me aq sa njoh unë miq e shok, këtë përkujdesje nuk e bëjmë as ndaj fëmijëve. Dhe Pufi krekoset kur kalon në “Don Bosko” pasi ka një “shërbëtor” besnik që ja plotëson tekat deri në detaj. Kushdio që kalon para studios së Astritit patjetër do të ndalojë disa momente për të shlodhur sytë me pikturat e Astritit. Piktura ku dominonin jeshilja, bluja dhe e verdha. Pikturat e tij janë të shumllojshme, por peizashi është mbreti i të gjithave, pasi vetëm në këtë  lloj picture ai hedh në telajo gjithë energjitë dhe imagjinatën e shfrenuar. Një piktor që gjithmonë është i lidhur me natyrën, të bukurën dhe të veçantat e krahinës së tij. Para 5 vjetësh Astriti hapi ekspozitën e tij e katërt individuale dhe të parën në Tiranë ku ai përcolli një art të veçantë dhe plot ndjenjë. Në ekspozitën në Muzeun Kombëtar të titulluar “Labëria ime” Beluli afroi për publikun 60 piktura në katër gjini, peizazh, natyrë e qetë, portret dhe kompozim. Peizazhet zunë pjesën kryesore të kësaj ekspozite.

-Kanë kaluar rreth 5 vjet nga ekspozita e titulluar “Labëria ime” në Muzen Kombëtar. Ke nostalgji për të dhe a ke menduar për një ekspozitë të re?

E vërtetë kanë kaluar 5 vjet, por mua më duket se kanë kaluar vetëm 5 ditë. Ishte një ditë plot emocion, plot lëvizje. Kryesorja ishte lodhja parapërgatitore. Mbi një muaj stress, organizim, përqëndrim, net pa gjumë. Nuk mund ta falja dështimin. Nuk u zhgënjeva. Kisha shumë miq rreth vetes. Pa miq asgjë nuk mund të bëhet. Madje ishin ata që më nxitën ishin ata që më nxisin. Doli një ekspozitë perfekte. Ishin të gjithë miqtë e mi ata që më inkurajuan. Ishin jashtë parashikimeve. Por ishte dhe shoqata “Labëria” ajo që më ofroi ndihmë pasi dhe vetë ekspozita titullohej “Labëria ime”.

-Pse e titulluat “Labëria ime” këtë ekspozitë vetjake?

Për të vetmen arsye pasi pjesa dërrmuese e pikturave ishin me motive nga Labëria. Pra peisazhe nga Labëria, portrete personalitetesh nga Labëria dhe kompozimë nga Labëria. Kjo trevë ka një energji të padukshme që të tërheq, të mobilizon, të frymëzon, të hap dritë në çdo moment. Kjo jo vetëm që jam lindur dhe rritur aty, por edhe në shumë shkrime, të personaliteteve të ndryshme shqiptare, kam parë që flasin me këto ngjyra për krahinën time. Shumë prej tyre janë ndjerë ashtu siç ndihem unë kur flas për të, kur pikturoj për të, kur mendoj për të. Edhe sot që jam larg, edhe disa vite që isha në emigracion kur dëgjoja apo lexoja për Labërinë më rrëqethej mishi dhe kapja penelin në dorë. Labëria ka një histori të lavdishme. Njerëzit më të ndritur të kombit si Kadareja, Agolli, Qosja etj i kanë dhënë vlerësim sikur të jetë oksigjeni i Shqiëprisë. Në këtë trev kanë dal heronj, luftëtarë, dëshmorë, poetë, shkrimtarë, intelektualë që i kanë dhënë emër Shqiëprisë kudo në botë. Me labërinë gjithmonë del fitimtar në luftë, në dije dhe në pikturë. Peisazhet e Labërisë janë mahnitëse.

-Kush ishte qershia mbi tortë e kësaj ekspozite?

Ajo që më la më shumë përshtypje ishte fjala e hapjes e piktorit të Popullit, Skënder Kamberi. Nuk e mendoja se do vinte dhe të hapte ekspozitën time. Por ai erdhi dinjitoz si një lab 24 karad dhe më emocionoi me fjalët që tha: “Astriti ka një stilt ë veçantë dhe një ndjesi të brendshme të fuqishme që e tregon bukur me penel”. Që në fëmijëri e kasha idhull dhe se mendoja se ai do ishte kaq I thjeshtë, kaq njerëzor, kaq dashamirës ndaj një piktori. Të gjithë e dimë se ndaj artistëve ka xhelozi. Por tek Skënderi në aq biseda që kam zhvilluar nuk kam vënë re asnjë fije xhelozie ndaj shokëve të tij, madje, madje ai e shpreh publikisht vlerësimin e mirë ëpr piktorët me vlera. Kjo e dallon atë nga të tjerët. Kjo e bën atë të veçantë dhe shumë të dashur në rrethet e piktorëve.

– Keni piktura të panumërta dhe keni  lëvruar të gjitha gjinitë deri tek abstraksioni, po politika a ka ndikuar tek Astriti?

Unë politikan bëhem vetëm ditën që shkoj për votime dhe shoshit me vete për kë do votoj që t.i shërbej më mirë atdheut? Pas asaj dite politika për mua nuk egziston. Jam munduar të rri larg se është një politkë acaruese, jo kombëtare dhe që nuk e do artin. Politikanët e duan artistin vetëm në zgjedhje pasi përbëjnë problem për ta. Piktorët janë të drejtpërdrejtë, të hapur, populist, atdhetar, që nuk I durojnë padrejtësitë.

-Rreth 50 vjet me penel në dorë nuk jeni lodhur? Nuk mendoni ta lëni penelin mënjanë?

Peneli është jeta ime. Jo ta lë por sikur një ditë të mos e kap me dorë do më duket se nuk kam në trup një krah apo një këmbë. As e kam menduar kurrë ta lë penelin, në asnjë moment. Pemeli më jep forcë, më angazhon, më stërvit mendjen, më shton imagjinatën, më afron më shumë me njerëzit.

-Ju thoni se piktura është vetë jeta juaj. Po si edhi apo si trokiti piktura te Astriti?

Kush ishin mësuesit tuaj që ju kanë nxitur dhe përkrahur për pikturën?

-Zanafilla e e emocionit ka qenë që në shkollën tetëvjeçare kur në klasë të 5 kam pasur një profesor që kishte mbaruar liceun për skulpturë, quhej Xhelal Lushaj. Një ditë pushimi të gjatë kur nxënësit dilnin në oborrin e shkollës jashtë, ai kishte marrë një gur atje me një daltë dhe me një çekiç dhe po ndërtonte një figurë. Ne si kureshtar shkuam dhe po shikonim me vëmendje dhe ai arriti të ndërtojë portretin e Skënderbeut dhe e realizoi në një mënyrë që lexohej. Portreti ishe 80 me 60 mbi një gur masiv. Ai punoi gati 3-4 ditë dhe kur e mbaroi ne shkonim atje ta ruanim që mos ta prishte njeri. Kjo ishte nxitja që unë fillova këtë rrugë për artin figurativ. Në atë periudhë ne laheshim nga lumi, në lum kishte dhe argjilë dhe ne atje lyheshim me të. Argjila më ngacmoi. Një ditë mblodha argjilë dhe ndërtova një bust të Selam Musait. Ne e kishim bustin e Selam Musait në dalje të Tepelenës në rrugën e Vlorës. Shokët e mi e morën në tezgë dhe e çuan para pallatit tek shkolla. Vinin të gjithë e shikonin. Unë nuk e dija se kjo duhej të mbrohej dhe duhej të mbulohej me një leckë të lagur që të ruhej nga vapa. Skulptura u ça dhe të gjithë të lagjes u mërzitën. U detyrova të gjeja allçi, afërsisht një thes dhe e përziem me gëlqere. Me këtë përzierje me një thikë e ndërtova dhe bëra përsëri Selam Musain, të cilin më pas e lyem me një bojë vaji dhe e mbajtëm te lagjja. Mbasi mbarova shkollën më aktivizuan tek lidhja e shkrimtarëve dega e Tepelenës. Kam marrë pjesë në çdo aktivitet të tyre dhe në fund hapa një ekspozitë me 36 punime rreth vitit 1982 në Tepelenë ku kisha peizazhe dhe portrete. Atë kohë kam marrë disa çmime të dyta për portrete dhe u shitën afro 17 piktura dhe të tjera u shitën nëpër ndërmarrje dhe institucione. Në vitin 1997 shumë u dogjën, u vodhën dhe u prishën.

 

Të shkoje në shkollë të pikturës në sistemin komunist ishte e vështirë. Kur e filluat dhe si e e kujtoni shkollën. Kur e keni mbaruar shkollën për pikturë?

Në shkollë shkova me konkurrim. Konkurrimi atë kohë nuk njihte miqësi. E kam mbaruar në vitin 1976 në Tiranë,pastaj fillova punë në Tepelenë, kalova si mësues vizatimi në shkollën tetëvjeçare “Avni Rustemi”. Pastaj kam punuar në të gjithë rrethin e Tepelenës si në Memaliaj 12 vjet, Hormovë, Qesarat, Kras, Sinanaj, 4 vjet, Gusmar, pastaj Memaliaj pastaj përsëri në Tepelenë deri në vitin 1998. Më vonë ika në Greqi me gjithë familjen, pastaj u kthyem në Tiranë.

-Astrit dhe emigracioni. Në emigracion shkon për mbijetesë dhe arti lihet mënjanë. Në Greqi a je marrë me pikturë?

Realisht atje nuk jam marrë shumë me pikturë, kam bërë portrete, peizazhe me porosi. Më vonë u kthyem në Tiranë, sepse ishte vendi më i mirë për të jetuar dhe kishte më shumë mundësi pune. Në Tiranë kam bërë piktura të të gjitha gjinive por kryesisht me porosi. Kam një nostalgji të madhe për të realizuar peizazhe nga vendlindja, nga Tepelena dhe shkoj çdo muaj në Tepelenë ku hedh ndonjë peizazh dhe vij dhe e ripunoj këtu. Kam hapur një ekspozitë në Sarandë, Tepelenë, Ksamil, të cilat kanë lënë gjurmë. Jam ndjerë mirë dhe këto kohët e fundit pasi jam mbushur me pictura, sepse pata një boshllëk me kurbetin. Tani ndjehem mirë.

-Po Enver Hoxhën e ke pikturuar ndonjëherë?

Enver Hoxhën e kam bërë njëherë kur isha mësues në Sinanaj. Atë kohë Enveri ka pas ardhur njëherë në Sinanaj në Lops, por nuk e mbaj mend mirë datën. E bëra në fasadën e shkollës sikur ishte midis blegtorëve, pionierëve.

-Po nga udhëheqja e kohës komuniste ke bërë ndonjë portret apo ndonjë pikturë?

Kam bërë më shumë portrete dëshmorësh. Kur u hap një ekspozitë në Tepelenë me piktura dhe më bënë edhe anëtar të Lidhjes në vitin 1986 më dhanë një autorizim për të bërë portretin e dëshmorëve që nuk kishin fotografi apo ato që ishin viktima të luftës siç ishin në atë kohë. Bëra gati nja 80 grafika. Kam bredhur në të gjithë fshatrat e Tepelenës me qëllim që të takoja të afërmit e tyre dhe të gjeja ngjashmëritë me djemtë, nipërit e tyre, të afërmit dhe duke shtuar edhe vetë nga imagjinata. Të gjitha këto piktura u vunë në fondin e muzeut ku ishin 80 portrete. Jam marrë me rrethet e pikturës në Tepelenë, Memaliaj ku kam nxjerrë talente dhe kam punuar me përkushtim, ku shumë prej tyre janë bërë talente dhe janë plot energji në Itali, Gjermani, Amerikë, Greqi.

-Kur keni marrë çmim dhe si?

Në vitin 1989 në Tepelenë u hap një ekspozitë ku unë kisha bërë një portret lab tipik midis pikturave të tjera dhe mora çmimin e parë. Atëherë ka qenë Gramoz Ruçi, Sekretar i Parë në Tepelenë. Ka qenë dhe një sekretar tjetër që ishte nga Saranda erdhi në Tepelenë. Kur u hap ekspozita ata u afruan e panë dhe u kthyen prapë të shikonin portretin, kjo ishte në fillim të ekspozitës. Një ndër kuadrot e Tepelenës, Gurali Bardhi u afrua dhe tha: Kush i ka bërë këto pikturat? Drejtori më prezantoi dhe ata më pyetën: Mos është Fejzo Duka ky në portret? Po i them unë. Ai thotë se kur kam qenë sekretar në Sarandë kam qenë në shtëpinë e Resbat Dukës të birit të tij. E ke bërë origjinal më tha. Ndërsa Gramozi Ruçi shtoi: Ky është një portret që personifikon malin e Labërisë. Është një mal që flet. Edhe shokët e mi kishin shumë piktura të bukura. Pastaj mbas vitit 1990, filloi një pauzë ku unë u mora me ndërtimin e një shtëpie se ishim shumë fëmijë. Më vonë vazhdova punën si mësues bëja portrete dhe peizazhe dhe kryesisht për njerëzit që i donin. U prish dhe Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve ku me anë të saj bënim ekspozita që na stimulonin, pra u prish ritmi, organizimi. Pastaj ika në Greqi,. Mbas viteve 2010 unë jam marrë seriozisht me pikturën, kam punuar shumë mirë dhe kam hapur ekspozita në Tepelenë dhe qytete të tjera. Kisha shumë dëshirë që pikturat e mia të kishin tematikë nga Tepelena. Ndaj në gjithë peizazhet e mia shumë vend ze Tepelena. Kam bërë vendet ku kemi bredhur, ku jemi larë, në ujë të ftohtë, te shkëmbi i madh, luginën e Bënçes, Dragotit.

-Mendoj me sa kam intervistuar se kishte kërkesë llogarie në kohën e sistemit komunist për pikturën dhe kjo kërkesë a e lartësonte pikturën më shumë se sa sot?

-Atëherë kishte përgjegjësi më të madhe që të bëje një pikturë se sa sot sepse, nëse do të bëje pasarelën e Ali Pashës, do ta bëje në një mënyrë perfekte me një realizëm që të kishte dhe kohën brenda dhe çdo gjë që i përkiste periudhës, por jo ekzagjerime. Ndërsa unë personalisht jam lidhur shumë me peizazhin, me natyrën, me lëvizjen. Jam njeri që e dua natyrën dhe e dua jetën. Në të gjithë pikturat e mia ka jetë brenda.

-Shikoj që më shumë je te peizazhi, portreti, dhe te kompozimi….

Kam bërë dhe piktura të kompozuara dhe një nga pikturat e para që kam kompozuar ka qenë ajo e Polo Bezhanit. Ai ka qenë kompozimi im i parë i imi. Natyra më pëlqen shumë pasi Tepelena ka një reliev shumë të thyer, ka male, borë, lugina, kodra, fushë, livadhe, pemë të shumëllojshme lumenj, këto janë pasuri që mua më magjepsin. Përsa i përket portretit, mua më pëlqen sepse në portret shumë njerëz i përjetëson. Përjetëson vlerat e njeriut. Portretet nëse nuk do ti bëjmë atëhere ata njerëz të veçantë do të harrohen. Në ditët e sotme unë kam bërë shumë portrete për fëmijë, pleq e plaka, dëshmorë .

Ata që ngritën këngën labe në Tepelenë

Maliq Lila ngriti polifoninë labe në Tepelenë e ngriti në një stad aq të lartë saqë Tepelena konkurronte atëherë me qytete më të mëdha. Duke u nisur nga kjo unë ndjeva një detyrim brenda vetes t’i bëja një portret. Mendova që këtë portret mund ta çoja edhe në shtëpinë e Maliqit, por atje mund ta shikonin vetëm pak njerëz, kurse jeta e Maliqit nuk ishte vetëm shtëpia. Ai shkonte e flinte atje. Ai punonte në shtëpinë e kulturës deri në 2 të natës, sa herë do bëheshin koncerte, festivale apo përshëndetje. Maliqi do ishte i pari dhe i do të rrinte deri vonë. Kjo ishte shtëpia e parë e Maliqit dhe ajo gjenetikja e dyta. Mendova se ky portret mund të rrijë më mirë në shtëpinë e kulturës por jo në zyrën e drejtorit, duhet të rrijë tek holli. U ndjeva i lehtësuar që e çova dhe atje e mirëpritën, më përshëndetën dhe më falënderuan shumë. Tepelena ka nxjerrë njerëz të mirë dhe të shkëlqyer dhe që kanë kontribuar në mënyrë të papaguar. Tani po bëj Zaho Balilin, organizator në grupin e Hormovës ka bërë rreth 11 vëllime me poezi, tekste të polifonisë labe, ka ngritur grupin e Rexhinit, të Hormovës. Me lëvizjen demografike njerëzit kanë ikur njerëzit dhe nuk ka më grup polifonik. Grupi i Rexhinit në atë kohë këndohej në festival kënga e bilbilenjëve, ose grupi i Hormovës, “Flaka mbuloi fshatin” ku udhëheqës artistik ishte Zaho Halili dhe mori çmim të parë. Zaho ka një kontribut shumë të madh. Gjithë ato tekstet e Zahos që i këndojnë grupet polifonike që nga lumi i Vlorës i këndojnë këngëtarët si Poni, Maja, Aurela Gaçe. Le të shërbejë kjo ekspozitë si një urim zemre për Labërinë që na dha qumështin dhe na mëkoi dashurinë për atdheun.