Festivali folklorik “Jehona e Vjosës”, do të krijojë momente të rralla e të papërsëritshme, që e pasurojnë, e fisnikërojnë dhe e lartësojnë si rrallë herë jetën shpirtërore të shikuesve, duke i bërë të jetojnë çaste të vërteta kënaqësie. Mes emocioneve të shumta në ditët e festivalit, do të mbizotërojë më e ndritshmja, më e bukura: gëzimi, ngrohtësia njerëzore, ndjenjë që di ta rrezatojë vetëm Arti i Madh i Popullit.

Kënga Polifonike e Labërisë ka festën e radhës, në 16-17 gusht do të mblidhen artistët popullorë në Festivalin e parë “Jehona e Vjosës”, që do të organizohet në qytetin e Memaliajt. Ky festival i organizuar nga Bashkia e Qytetit dhe Shoqata Atdhtare Kulturore “Tafil Buzi”, me interesimin e drejtuesit artistik të grupit polifonik “Thesaret labe”, Viktor Aliu, konsiderohet ngjarje kulturore për këngën polifonike, për jetën kulturore të zonës, si një ndër manifestimet më të rëndësishme në fushën e trashëgimisë shpirtërore, me shtrirje nga të gjitha trevat etnografike shqiptare. Festivali do të risjellë në skenë edhe një herë identitetin kombëtar të kulturës popullore, trashëgiminë shpirtërore dhe kulturore të stërgjyshërve, ardhur nga shekujt. Lugina e Vjosës do të pushtohet nga kënga dhe vallja, nga entusiazmi i artistëve popullorë dhe brohoritjet e shikuesve, të cilët do të joshen nga arti i popullit.
Në festival do të marin pjesë 32 ansamble dhe grupe folklorike nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Presheva, Mali i Zi, të cilët do të përcjellin tek spektatorët thesaret folklorikë të trashëguara nga e kaluara, vlera origjinale; gjerdanë me gurë të çmuar të krijuar nëpër shekuj, pjesë e palcës së këtij trualli, si dëshmi e konstitucionit shpirtëror të një populli të lashtë, por edhe si një befasi artistike me gjenezë shekullore. Ky ushqim shpirtëror është traditë artistike e një populli artist, i cili i ndodhur përherë në rrezik për asimilimin e kulturës së tij prej sundimeve të gjata të pushtuesve të huaj, ka ditur ta ruajë, ta zhvillojë dhe ta transmetojë nëpër breza, si mesazh historik të vlerave të tij etniko-kombëtare, si kështjellë mbrojtëse të paasgjësueshme.
Festivali folklorik “Jehona e Vjosës”, do të krijojë momente të rralla e të papërsëritshme, që e pasurojnë, e fisnikërojnë dhe e lartësojnë si rrallë herë jetën shpirtërore të shikuesve, duke i bërë të jetojnë çaste të vërteta kënaqësie. Mes emocioneve të shumta në ditët e festivalit, do të mbizotërojë më e ndritshmja, më e bukura: gëzimi, ngrohtësia njerëzore, ndjenjë që di ta rrezatojë vetëm Arti i Madh i Popullit.
Meloditë instrumentale, vokalet e pastra të solistëve dhe veçanërisht vallet dhe etydet koreografike plot dinamikë dhe elemente mjeshtërore koreografike, do të jenë një univers më vete, ku valltarët do të shpalosin dramat e jetës së popullit shqiptar, por edhe triumfin e tij. Do të prezantohen në skenë: epika legjendare, epika historike, baladat, vallet burimore, këngët lirike të dashurisë, të dasmës, kurbetit etj, të përcjellura me vegla tradicionale siç janë fyelli, çiftelia, sharkia, veglat muzikore tradicionale idiofonike, aerofonike, kordofonike, membranofonike e deri te pasuritë etnografike. Të gjitha këto xhevaire artistikë, do të jenë të stolisura me veshjet popullore përkatëse të zonave të ndryshme, si pasuri e veçantë e kulturës sonë materiale me vlera të rralla etnografike të të gjithë Shqipërisë, Kosovës dhe trojeve shqiptare.
Me vlera të larta artistike do të interpretohet kënga polifonike nga grupi i Delvinës, Sarandës, Gjirokastrës, Himarës, Krojet e Velçës, Bënçës, Tepelenës, Memaliajt e deri tek “Thesaret labe”. Grupet polifonike po punojnë me solistët, që janë prijësit e grupit, shoqëruar nga kthyes dhe hedhës profesionistë si dhe me një iso të intonuar dhe harmonizuar mjeshtërisht. Këta kanë përzgjedhur melodi burimore të traditës, me tingëllime brilante dhe me intonacione impresionuese, për të krijuar harmoni të përsosur, duke i dhuruar spektatorëve kënaqësi estetike. Me artin e tyre ata do të krijojnë ndiesinë, sikur nga thellësia e shekujve, do të zbres qëndresa epike e shqiptarit. Ky është lapidari shpirtëror, i ngritur nga populli për tërë sakrificat; në mbrojtje të truallit të shenjtë, për tërë historinë, të përballuar si askush tjetër.
Këta artistë, me artin e tyre do të ndihmojnë të përjetohet historia me majat e qëndresës së saj, duke i qëndruar besnikë traditës artistike. Në interpretimet estetike të artistëve popullorë, do të shndritë lirika e bukur, që do të dëshmojë për ndjenja të pasura shpirtërore të këtij populli. Gjuha universale e artit popullor është emocionues për të përciellë bukurinë dhe fisnikërinë e mesazhit të vet për të gjithë njerëzit, si arti që i bashkon, i bën të barabartë përpara bukurisë së vet.
Ky festival, me vlera të spikatura etnike, historike dhe patriotike, do ta kthejë trashëgiminë shpirtërore të popullit në një festë artistike, në manifestim të të gjithë artistëve popullorë, si një festival mbarëkombëtar. Në atë sfond natyror të qytetit ujor të Vjosës, dekori i ri shumëngjyrësh, i përziher me motivet melodike dhe ritmin e valleve epike dhe lirike, do të përtërijë Memaliajn, e cila ato ditë do të dukej më e re, më e gëzueshme mes ngjyrave të arta që do sjellin artistët nga thesari i stërgjyshëve të tyre, trasmetuar brez pas brezi në shekuj.
Festivali “Jehona e Vjosës”, me pjesmarrjen e ansambleve nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, me koncertet befasuese të Ansamblit Popullor Shqiptar në Shkup, ku do të këndohen këngë polifonike të Labërisë: “Bij çobanësh neve jemi” dhe “Cili je ti more burrë”, do të dëshmojë edhe një herë, se folklori dhe kultura e popullit shqiptar buron dhe gjallon në të gjitha hapësirat e jetës së popullit, qarkullon në të gjitha trojet etnike. Kjo magji artistike dhe njerëzore, ka elektrizuar komunitetin e Memaliajt, por edhe miqtë që do të interpretojnë në të, sikurse artistët e afirmuar me vlera kombëtare; Shkodran Tole dhe Besiana Mehmedi.
Nga përgatitjet e deritanishme, duket se Bashkia e qytetit Memaliaj i ka dhënë Festivalit seriozitetin e duhur, sikurse i takon një festivali popullor tradite, që do të ekspozojë pasurinë shpirtërore të popullit. Pritet që Festivali folklorik i Memaliajt, do t’i japë një masivizim dhe zhvillim flolklorit dhe artit popullor në gjeneratat e reja të trevës së saj, kultivimit të këngës dhe valles së bukur shqipe, sepse ky folklor dëshmon për identitet dhe autoktoni të popullit shqiptar. Është planifikuar që në paraditen e ditës së dytë të festivalit, të organizohet një tryezë diskutimi për ecurinë e festivalit, për nivelin e grupeve polifonike që do të promovojnë, si dhe për mbështetjen e Rezolutës së Kuvendit të Labërisë, organizuar në Tepelenë, kundër “iso-polifonisë së sirenave greke”!




















