Fitim Çaushi/ Drejtoreshat e Ministrive dezinformojnë Ministren Kumbaro për Polifoninë

585
Nga gazeta “Telegraf “, datë 22 dhjetor 2015, lexuesit u informuan për Forumin e Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencës, organizuar nga ish-kryetari i saj “Artisti i Merituar”, Limos Dizdari, ndër muzikantët e shquar shqiptarë të këtij gjysmë shekulli të fundit, i cili ka dhënë një kontribut të rëndësishëm për ta çuar përpara jetën artistike shqiptare me prirje të qarta evropiane. Ai ka meritën se për herë të parë, pas dhjetë viteve të tjetërsimit të polifonisë popullore shqiptare (nga polifoni në iso-polifoni), mblodhi kolegët e tij: anëtarët e Akademisë, kompozitorët e mirënjohur “Mjeshtrin e Madh” Aleksandër Peçi, etnomuzikologët Prof. dr. Pirro Miso dhe Prof. dr. Spiro Shituni, dirigjentët e mirënjohur, Eno Koço dhe Roland Çene, profesorët Pëllumb Xhufi dhe Bardhosh Gaçe muzikologët Bajram Lapi dhe Saimir Skënduli, Kryetarë shoqatash patriotike, si ajo e Labërisë dhe “Polifonisë Shqiptare”, studiues dhe artistë popullorë që shprehnin shqetësim për këtë tjetërsim ogurzi.
Në fjalën e hapjes Prof. Dizdari
Në fjalën e hapjes prof. Dizdari theksoi shqetësimin e tij qytetar, se “Ministria e Kulturës ka shitur trashëgiminë shpirtërore, sikundër Ministria e Jashtme ka shitur detin”. Ky shqetësim i kompozitorit të madh ka sensibilizuar shumë intelektualë e krijues të sferës artistike, e që bashkë me kumtuesit e tjerë, e konsideruan tjetërsimin e polifonisë popullore shqiptare, cenim të kulturës kombëtare. Në Forum, sikundër edhe në Rezolutë, kundërshtohej emërtesa e sajuar “iso-polifoni”, për shkak se ky nocion nuk e karakterizon shkencërisht drejt thelbin e kulturës muzikore shumë-zërëshe të kombit shqiptar, sjell mjegull në rrugën e mbarëvajtjes së etnomuzikologjisë shqiptare dhe identitetit tonë kombëtar, shkon hapur kundër nocionit të mirënjohur tradicional “polifoni popullore”, duke mohuar punën shumëvjeçare të studiuesve shqiptarë dhe institucioneve shkencore për disa dekada. Në Rezolutë u theksua gjithashtu se “nocioni “iso-polifoni” e zbeh besueshmërinë shkencore të etnomuzikologjisë shqiptare, brenda dhe jashtë vendit, ai është përdorur arbitrarisht, personalisht, thjesht për të kënaqur fantazinë dhe interesat e dikujt.” Rezoluta ka pohuar me vendosmëri se “nuk njohim asnjë nocion abuziv, asnjë dualitet përveç atij të simpoziumit “Polifonia e Popujve të Ballkanit”, organizuar nga Instituti i Kulturës Popullore Shqiptare, pranë Akademisë së Shkencave, në 6 – 7 tetor 1989, i cili pranon nocionin “polifoni popullore” dhe “polifoni e përcjellur me instrumente”. Ajo i kërkon Ministrisë së Kulturës “të përcaktojë qartë qëndrimin në vlerësimin e këtij shqetësimi”, sepse është pikërisht Ministria e Kulturës, ajo që ka bërë tjetërsimin e Polifonisë Popullore Shqiptare, çka e dëshmon vetë Znj. Harasani Drejtoresha e Përgjithshme e Planifikimit Strategjik për Trashëgiminë dhe Diversitetin Kulturor, pranë Ministrisë së Kulturës, në përgjigje të shkresës së Drejtoreshës së Drejtorisë së Marrëdhënieve me Qytetarët pranë Kryeministrisë, Znj. Ana Rafti: “Në përgjigje të shkresës tuaj nr. 3050/1 sqarojmë se emërtimi (iso-polifoni) është propozuar nga një grup pune me specialistë të fushës nga disa institucione të specializuara, ngritur nga Ministria e Kulturës në vitin 2002, i cili përgatiti dosjen e iso-polifonisë për nominim në UNESKO… Sikundër shihet, Drejtoria e Trashëgimisë Kulturore pranon zyrtarisht se grupin e punës, për tjetërsimin e polifonisë, e ka ngritur Ministria e Kulturës, dhe jo institucionet shkencore, prandaj ajo duhet të japë sqarimet e nevojshme për “iso-polifoninë”, pa bërë manovrime të pamoralshme. Përse nuk bëhet i ditur grupi punës që tjetërsoi polifoninë shqiptare, ngritur nga Ministria e Kulturës? Ky grup, sipas Enciklopedisë së “iso-polifonisë” popullore shqiptare, të autorit Vasil Tole, f. 128-129, na qenka: “Komiteti Kombëtar shqiptar i UNESKOS, i cili ka përgatitur dosjen dhe kërkesën zyrtare për regjistrimin e iso-polifonisë, si “Master piece of the human oral heritage” . Në këtë komitet ka qenë edhe vetë Znj. Harasani, e cila në atë kohë ka punuar në UNESKO!
Çfarë ka fshehur Ministria e Kulturës?
Këtë të vërtetë e fsheh Ministria e Kulturës dhe në përgjigjen e saj dërguar znj. Ana Rafti në Kryeministri, i përcjell Shoqatës “Polifonia Shqiptare” një mashtrim të sofisatikuar: t’i drejtohet “Akademisë së Shkencave dhe Institutit të Antropologjisë Kulturore pranë Qendrës Studimore Albanologjike, si të vetmet institucione shkencore në fushën e trashëgimisë kulturore jomateriale të cilat mbulojnë anën shkencore të emërtimit të kësaj gjinie të trashëgimisë kulturore jomateriale. ” Të njëjtën përgjigje i kthen Znj. Harasani disa muaj më vonë, Znj. Ana Rafti në përgjigje të letrës së Kryetarit të Akademisë së Shqiptare të Arteve dhe Shkencës, Z. Limos Dizdari, dërguar Kryeministrit Z. Edi Rama: “Në përgjigje të shkresës tuaj nr. 5950/1 prot. datë 18.12.2015, ju sqarojmë: Propozimi, që ka të bëjë me ndryshimin e emërtimit të termit nga “Iso-Polifoni” në “Polifoni” në veprimtaritë kombëtare dhe në UNESKO, i është dërguar Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimeve të Artit, si i vetmi institucion shkencor shtetëror me shkresën tonë nr. 4675 prot. datë 18.09.2015 pasi ky problem nuk është problem administrativ por shkencor. Propozojmë që edhe Akademia Shqiptare e Arteve dhe Shkencës, propozimin e saj t’ia dërgojë Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimeve të Artit, si i vetmi institucion shkencor shtetëror në fushën e trashëgimisë kulturore jomateriale.” 
Dy përgjigjet, drejtuar Shoqatës “Polifonia Shqiptare” 
Të dy përgjigjet, drejtuar Shoqatës “Polifonia Shqiptare” dhe Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave, ” pothuaj identike! Përse nuk përgjigjet direkt Ministria e Kulturës për përgjegjësinë e saj në tjetërsimin e polifonisë popullore, por i përcjell tek institucionet shkencore, të cilat nuk kanë marrë asnjë vendim për tjetërsimin e Polifonisë popullore shqiptare, sikundër pohojnë ato? Znj. Harasani nuk duhet ta trajtojë problemin si ndryshim i emërtimit “iso-polifoni në Polifoni, sepse institucionet shkencore e kanë pagëzuar për 50 vjet polifoni popullore shqiptare, por duhet të na sqarojë përse Ministria e Kulturës e tjetërsoi polifoninë dhe krijoi termin “iso-polifoni”?! Përse orienton t’i dërgohet ky propozim, Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimeve të Artit, kur ky institucion shkencor nuk ka marrë asnjë vendim për të ndryshuar Polifoninë shqiptare në “iso-polifoni”? Është kjo e vërtetë, që e detyroi Drejtoreshë Harasanin t’i përgjigjej Znj. Ana Rafti, në shkresën nr. 3027/1 të datës 6 gusht 2014, se Ministria “Në aktivitetet përkatëse do të përdoret termi polifoni shqiptare.” Përkundër kësaj, kemi tre përgjigje të kundërta për të maskuar përgjegjësinë e Ministrisë së Kulturës. Ndoshta Znj. Harasani nuk ka dijeni për përgjigjen e Ministres së Kulturës Znj. Kumbaro, dërguar kryetarit të Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencës, z. Limos Dizdari me shkresën nr. 6170/1, datë 17.12.2015: “Më lejoni të shpreh falënderimet e mija për organizimin e Forumit të 9-të të institucionit tuaj, për trajtimin shkencor dhe debatin publik për polifoninë popullore shqiptare. Gjithashtu shpreh vlerësimin dhe konsideratat e mija në emër të Ministrisë së Kulturës, për diskutimet cilësore akademike dhe profesionale të pjesëmarrësve në këtë forum, për t’i dhënë zë nga pikëpamja shkencore etnomuzikologjisë, vlerave të jashtëzakonshme kulturore dhe historike që mbart polifonia popullore e kombit tonë. Në këtë kuadër shpreh vullnetin tim të vazhdueshëm për të kontribuar në ruajtjen dhe përcjelljen brez pas brezi të këtij thesari unik të kombit shqiptar”. Sikundër shihet Znj. Kumbaro ka shprehur konsideratat për Forumin në emër të Ministrisë së Kulturës, njëherazi edhe vullnetin për të kontribuar në kuadrin e polifonisë popullore shqiptare. Por, përgjigjja e Znj. Harasani, e mohon këtë vullnet, kjo e kompromenton Znj. Kumbaro…
Sigal