Festohet 80-vjetori i Prof. Ago Nezha, Kryetar i Shoqatës Labëria “Nderi i Kombit”

264

Në vitin 1965, kur Prof. Agua fitoi konkursin për aktor, Mehmet Shehu i tha prerë: “Para se të duam art, duam bukë”!

Sigal

Albert Z. ZHOLI

Ditën e shtunë më 20 maj 2023, në ambientet e “Fundjava Ndryshe” u festua 80-vjetori i lindjes së Prof. Ago Nezha, Kryetar i Shoqatës Labëria “Nderi i Kombit”. Në këtë festim merrnin pjesë të afërm, miq, profesorë, akademikë, këngëtarë, intelektualë të të gjitha fushave. Për jetën e tij shumë dimensionale folën Prof. SHEZAI RROKAJ, Prof. MEMET LOCI, Prof. REXHEP UKA, Prof. ETHEM RUKA, Prof, Pëllumb Xhufi, Prof Sherif Lushaj, Ahmet Demaj, Albert Habazaj, Golik Jaupi, Kastriot Bezati etj. Me mjaft interes u prit përshëndetja e Akademikut Rexhep Qosja, i cili në pamundësi të vinte dërgoi lektronikisht fjalën  e tij përshëndetëse.

Fëmijëria dhe shkollimi

Profesor Ago Nezha u lind në fshatin Dukat të Vlorës në 15 maj të vitit 1943. Fëmijërinë e kaloi në fshatin e lindjes, duke kryer shkollën fillore dhe shtatë vjeçare. Qysh në fëmijëri kishte prirje për art dhe letërsi, pasi shkruante poezi dhe aktivizohej në grupet kulturore të shkollës. Udhëheqja e kohës duke parë këto cilësi, i kishin premtuar se do ta çonin në Lice, por duke mos pasur asnjë mbështetje qeveritare përfundoi në Teknikumin Bujqësor të Kavajës, që e kreu në vitet 1957-1961. Edhe aty u aktivizua me grupin e estradës së shkollës dhe në futboll. Vitin e maturës e kreu në Tiranë në degën e Frutikulturës, ku realizoi dhe një nga pasionet e tij duke u aktivizuar në futboll me të rinjtë e Dinamos, që për kohën ishte skuadra kampione e vendit. Pasi mbaroi shkollën e mesme u emërua agronom në fshatin Kocul të Vlorës, ku punoi për gati pesë vjet dhe punët i shkuan mirë. Ëndrra për artin ishte si një çekan që e ngacmonte vazhdimisht. Në vitin 1965, konkuroi për aktor dhe fitoi. Por fati dhe rastësia nga një herë përcaktojnë rrugën e jetës. Vjen në Vlorë Kryeministri i vendit Mehmet Shehu dhe Kryetari i Komitetit Ekzekutiv i thotë se një agronom shumë i mirë që punon në Kocul, do na iki në Institutin e Lartë të Arteve se ka fituar konkursin për aktor. Ai, me natyrën e tij të prerë, i përgjigjet: “ Para se të duam art, duam bukë”. Kaq u desh dhe u mor vendimi i komitetit për t’i hequr dokumentet nga Instituti i Arteve dhe pas një viti ju dha e drejta e studimit për në Institutin e Lartë Bujqësor ( sot Universiteti Bujqësor). Filloi studimet 1966 dhe mbaroi 1971, pesë vjet, për agronomi. Pas përfundimeve të studimeve në Agronomi ka mbaruar me korrespodencë dhe dy fakultete të tjera, Ekonomikun, ku dhe ka doktoruar, dhe ka marrë gradën doktor dhe titullin profesor dhe Filozofinë, që e kishte pasion. Duke u aktivizuar me aktivitetet kulturore dhe veprimtari të rinisë, në Kongresin e Pestë të Rinisë në qershor të vitit 1967, u zgjodh Kandidat në Byronë e Komitetit Qendror të Rinisë, që ishte një vlerësim i lartë për kohën. Gjatë periudhës që ishte student shkruante në organet e shtypit periodik dhe ishte anëtar i Kolegjiumit të gazetës “Studenti i Bujqësisë”.Për këto cilësi pasi mbaroi Institutin e Lartë Bujqësor, u emërua në Ministrinë e Bujqësisë në detyrën e “Shefit të Shtypit dhe Propagandës”. U dërgua në Ndërmarrjen Bujqësore të Thumanës, rrethi i Krujës për të bërë stazhin një vit në prodhim, pasi ishte kusht për të punuar në dikastere qendrore. Pasi mbylli vitin e stazhit me rezultate të larta në prodhim, nuk u lejua të vinte në Ministri të Bujqësisë, pasi Komiteti i Partisë Rrethit Krujë e emëroi Sekretar të Parë të Rinisë së Rrethit ku punoi për katër vjet. Pastaj u mor në Komitetin Qendror të Rinisë ku punoi nga 1976 deri 1980  dhe pas një xhirimi në këto vende, kur iku nga Komiteti Qendror i Rinisë ju afruan disa variante në detyra të larta si në Kontrollin e Shtetit, etj, por ai preferoi sektorin e shtypit dhe u kthye në Ministrinë e Bujqësisë, në detyrën e Shefit të Shtypit dhe Propagandës, që ishte dhe një nga prirjet dhe ëndrrat e tija. Aty punoi për shumë vjet si shef e drejtor i Drejtorisë së Informacionit Agroushqimor, nga viti 1980 e deri në 2010, ku doli në pension të parakohshëm, pasi u shkel statusi i profesorit, nga Ministri i Bujqësisë për motive politike.

Në demokraci

Me ardhjen e demokracisë dhe pluralizmit në Shqipëri Ai, u angazhua në politikë si krijues i Partisë Agrare dhe shtypit të saj “Progresi Agrar”. Një kontribut të madh ka dhënë në krijimin dhe drejtimin e shoqatave, si të Shoqatës Dukati ashtu dhe të Shoqatës “Labëria” që po e drejton prej 20 vjetësh dhe është arritur që kjo shoqatë të mbajë titullin e lartë “Nderi i Kombit”. Me ardhjen në krye të shoqatës, me karakterin e tij liberal,  profesor Agua e demokratizoi shoqatën duke përfshirë në përbërjen e saj personalitete nga i gjithë spektri politik, i majtë, i djathtë dhe i qendrës, në një harmoni të plotë shoqërore. Në cilësinë e Sekretarit të Shtypit dhe Kryeredaktorit të gazetës “Labëria”, unë kam gjetur kujdesin dhe interesimin e plotë të profesor Agos, si kryetar i shoqatës. Shoqata Labëria ka bërë aktivitete që si bën dot shteti siç është shprehur Kryetari i Nderit, Akademiku Rexhep Qosja, dhe Shoqata Labëria është bërë mbarë kombëtare. Ndërsa President Moisiu, në Kuvendin e V-të të Gjirokastrës në përshëndetjen e tij tha se; “Shoqatën Labëria do ta kishin zili çdo parti dhe qeveri”. Shoqata Labëria ka bërë gjashtë Kuvende duke filluar nga Tirana, Vlora, Himara, me tendencë për t’u thënë se Himara është Labëri, madje ka qenë kryeqendra e Labërisë me 52 fshatra. Por kjo ngjalli reaksion te Kryetari i Bashkisë në atë kohë,  Bollano, duke vendosur parulla; “Poshtë Labëria”, “Himara s’është Labëri”, “ Himara është Greqi”, etj, situatë kjo që ngjan dhe me zgjedhjet e 14 Majit të këtij viti që lamë pas. Kuvendin e katërt e bëmë  në Kuç të Vlorës për të evokuar një tubim të bërë 1924, në praninë e 300 delegatëve duke përfshirë këtu dhe Kosovën dhe Çamërinë, për problemet e emancipimit të gruas, gjakmarrjes dhe arsimimit, që po të heqësh një paralele, ngjason dhe me situatën e sotme. Kuvendin e pestë e bëmë në Gjirokastër dhe të gjashtin në Vlorë. Shoqata Labëria ka bërë shumë veprimtari, por unë do veçoja më pikantet si denoncimin e “Marrëveshjes së Detit”, takimin në Prishtinë për çështjen e “Gjuhës dhe të emrave”, takimin në Preshevë me 100 gra dhe vajza me emrin Vlora si dhe këtë të fundit për “Isopolifoninë”. Roli dhe puna e kryetarit në jetën e shoqatës ka qenë tepër aktive.

Dy fjalë dhe për krijimtarinë e profesor Agos, që është shumë e pasur dhe e larmishme.

Ka botuar pesë vëllime me poezi,”Lot në sytë e detit”, me parathënie të madhit Dritëro Agolli, “Diell i Tradhëtuar” me parathënie të Lirim Dedës, Pse vrapoj”, me parathënie të Petrit Rukës, “Hall me nuse keq me vjehrra” me parathënie të Skënder Haskos dhe Hënë e verbuar”, me parathënie të Albert Abazit. Ajo që më ka rënë në sy dhe më befason është se në 5 vëllime me poezi ka 11 poezi për Dukatin. Po shkëpus për ta lexuar për ju një prej tyre poezinë “ Zëri i Vendlindjes “ marrë nga libri “Lot në sytë e detit”

Zëri i vendlindjes

Dukat, me fllad Llogoraje,
si rrymë elektrike më kalon në zemër
dhe sjell kujtime, të brishta, fëminore.
Si nënë më përkëdhel mëngjesit në ëndërr,
me dorën tënde hyjnore.
Dukat, me flokë të bardha
nga bora që ndrit në Qor:
kokën e thinjur e mban lart
dhe ecën mes malesh të zënë për dore.

Faqet i lan, njërën me ujin e detit Jon
tjetrën me ujin e Adriatikut.
Dhe sofrën e mban shtruar gjithmonë.
Me flet dafine i shtron sofrën mikut.
Me ballin djersitur, shkallëve je ngjitur
në kulla të gurta, vila të rënda,
por viteve kurrë nuk je zvarritur.
Hallall qumështin që pive nga nëna.
Ndonjë mizantrop, në skutën e errët
thurte biografira për mua, për ty!
Si ta kishte fshatin Çiflig
preu rrepe e plagosi ulli.
Dukat, rrëzë Çikës si shqipe në erë,
kudo që shkuan bijtë e tu, u nderove
veshur me fisnikërinë e prerë,
si luftëtarë me parzmore…
Në parmakët e portës tënde të lartë
armiku s’ka shkelur dot me këmbë…
Ti s’lejove kërkënd të hedhë baltë,
kështjellë qëndrove, si zonjë e rëndë.
Sa herë shkoj në vendlindje
rrëkezat buzëqeshin sipër shpati.
Në muzikën e tyre duken se thonë
‘mirë se erdhe, o bir nga Dukati’.
Nuk është pa modesti,
se në zemër dhe në gjak, përmes historisë

ke të shkruar fjalët lapidar:

LIRI, VLLAZËRI, DEMOKRACI.

Dukat, unë biri yt, si biri nënën,

të dua dhe e kam për nder të të dua!

Me ty kam të lidhur mendjen, zëmrën

pavarësisht sa më do ti mua…

 

Krahas poezive ka botuar 8 vëllime në prozë, që titullohen: “Lypësi dhe Zyrtari”, “Rron gjatë ai që le një emër të mirë”, “50 vjet të ndarë- 50 vjet të bashkuar” Dialogoj me Diabolikët”, “Shtëpia në Amfiteatrin e Pemëve”, “Balil Nezha Kalorës i Trimërisë”, “ Portrete me Penë”, “Sfidat e Jetës të Seit Boshnjakut”, “Papagajtë e Politikës” etj. Ka botuar dhe katër libra publicistik. Sapo ka dalë nga shtypi “Ishim më mirë kur ishim më keq” me parathënie të Ksenofon Kristafit” dhe ka në proces botimi “Demonët e Demokracisë” me parathënie të profesor Pëllumb Xhufit dhe “Shqipëria dhe krahinomania” me parathënie të profesor Ethem Rukës. Edhe këtu spikat fenomeni për vendlindjen që ka 20 shkrime për Dukatin, si “Dukati i Dukëve të  Dukatit”, Dialogoj me djemtë e Dukatit, Dukati i dënuar me 7501, Dukati Sanmarinua shqiptare, Dukati përplaset me pushtetin, Sazan e Karaburun janë vatanet e mia, e shumë të tjerë.

Krahas botimeve artistike ai ka dhe botime shkencore në fushën e bujqësisë.

Monografi 9,( Nëntë ) libra me përmbajtje profesionale. 7 (Shtatë ), libra me karakter teknik dhe popullarizues të shkencës Është bashkautor i enciklopedisë bujqësore “Historia e Bujqësisë Shqiptare”. Ka përgatitur 15 dokumentar bujqësor. Ka botuar 36 artikuj shkencor brenda dhe jashtë vendit dhe mbi 3000 artikuj publicistik në 55 organe shtypi. Ka referime në konferenca shkencore, ka udhëhequr disertantë dhe ka bërë disa recensa dhe oponenca. Ka qenë drejtues dhe anëtar i forumeve kombëtare dhe ndërkombëtare dhe kryetar i disa organeve të shtypit shkencor Bujqësor dhe publicistik. Lidhjen dhe dashurinë për Dukatin të profesor Agos, e shpreh fare mirë  aktori dukatas profesor Birçe Hasko, (që sot mungon se është i sëmurë), te filmi që ka bërë profesor Agua “Dukati një Vend Magjik” ku thotë se: “ne jemi të lidhur me fshatin por, model në këtë drejtim është Ago Nezha”. Duke pasur një jetë tepër aktive, që nga rinia e deri më sot, me një aktivitet të gjithanshëm, për rrjedhojë nuk kanë munguar vlerësimet edhe për periudhën para demokracisë, pasi është nderuar me Medalje “Për shërbime të shquara shtetërore dhe shoqërore”, dhe Medaljen e punës. Në vitet e demokracisë ka fituar Titullin “Mjeshtër i Madh”, “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” “Personalitet i shquar i Labërisë” si dhe qytetar nderi i Vlorës, Tepelenës, Orikumit, Nderi i Qarkut të Gjirokastrës dhe “Personalitet i Qarkut të Vlorës, si dhe nga disa shoqata dhe kryegjyshata. CV e tij është një enciklopedi. (siç është  shprehur një drejtoreshë e Burimeve Njerëzore te Universiteti “Luarasi”.

Ndihmuesja kryesore

Duke u marrë me krijimtari dhe promovime të shumë të autorëve nuk mund të rri pa përmendur një dukuri të veçantë që më ka rënë në sy për bashkëshorten e profesor Agos, Lirinë, që është e kudogjendur në tërë veprimtarinë e profesorit me kontribut konkret, në organizime cilësore. Jo vetëm kaq, por po të shohësh botimet e vjetëve të fundit të profesor Agos, emri i saj është i pranishëm si korrektore e redaktore. Prodhimtaria e lartë e profesor Agos buron dhe nga ky privilegj brenda familjes, që se kemi ne të tjerët. Profesor Agua ka një vajzë Isidën, që jeton në Padova të Italisë, ku ka studiuar të mesmen dhe të lartën për marrëdhënie Ndërkombëtare dhe aty ka krijuar dhe familje që ka dhe dy fëmijë djalë e vajzë. (Nipin 6 vjeçarë, Elian, e ka në sallë, ndërsa mbesa (CHiara), Kiara është një vjeçe mungon në këtë ditëlindje të gjyshit)

Isida, ka qenë fëmijë i talentuar dhe në klasën e gjashtë ka dalë me vëllimin “Dallgët e Shpirtit”. Ajo që është më kryesorja, se talenti i saj ka spikatur që fëmijë dhe parathënien e ka bërë i madhi Dritëro Agolli, që i shkruan: “ Isidës i uroj udhë të mbarë në rrugën e poezisë, që është një rrugë e gjatë pa asfalt, me gurë që të vrasin këmbët dhe me gjemba që të shpojnë e të çjerrin, po është shumë e bukur, pasi duke udhëtuar do të arrish në lëndinën e luleshqerrave, manushaqeve dhe trëndafilave, atje ku fryn një erë e mirë”. Pas këtij libri Isida ka botuar dhe tre libra të tjerë, “ Qiell i Plagosur”, me redaktor Odise Grillon, që Xhevair Spahiu, e vlerësoi si një talent me të ardhme dhe Romanin “Shpresa” botuar në vitin e parë të shkollës së mesme, redaktori profesor Bardhosh Gaçe, është shprehur se këtë roman mund ta botosh në çdo vend të botës. Gjatë studimeve në Padova ka shkruar “Letra nga Larg”, publicistik dhe e ka ndërprerë krijimtarinë në rrethana mbingarkese në punë dhe në familje, që unë do t’i thoja ( është fjala jote Berti), të bëjë më shumë sakrificë dhe mos ta lerë krijimtarinë. Isida ka një njollë në “biografi”, se kur ishte katër vjeçe e gjysmë u zgjodh nga regjizorja Xhanfize Keko, për të përshëndetur Kongresin e 9-të të Partisë, ku ishte Sekretar i Parë Ramiz Alia. E kujtojmë me një fustan të kuq, që u shkëput nga pionerët dhe shkoi në tribunë sipas tekstit të përshëndetjes të poetit Koçi Petriti, ju drejtua Ramiz Alisë me këto fjalë: “Xhaxhi Ramiz, xhaxhi Ramiz, të të them një fjalë në vesh po të mbetet midis nesh, unë me shoqet jam në garë, kush t’u përqafoj më parë, drejtuesi ynë na vuri në rresht, kur ngrija dorën ai më thosh hesht. Kur ai thoshte ashtu e kështu, unë ika me vrap dhe erdha tek ju”.  Por tashti e ka përmirësuar biografinë se është bërë Drejtoreshë në Kompaninë ku pronaren e kemi të pranishme sot këtu në sallë. Padashur të zgjatesha, u zgjata instinktivisht se ka shumë për të treguar nga puna dhe veprimtaria e profesor Agos, që do ta plotësojnë folësit pas meje, që unë do ftoj kronologjikisht të flasin për përshtypjet e tyre, si miq të profesor Agos, në vendet ku ka punuar.