Xhahid Bushati: Historia e rrallë e dramës “Plaku i Maleve” në Shkodër 1962, dhe që në Vlorë u ndoq nga Enver Hoxha

Historia e rrallë e dramës “Plaku i Maleve” vënë në skenë në Shkodër në 1962, dhe që në Vlorë u ndoq nga Enver Hoxha

-Drama historike “Plaku i Maleve” flet për vitin e fundit të jetës dhe veprimtarisë të patriotit Bajram Curri.

Sigal

-Kujtojmë që këtë figurë, Noli e quajti: “Tribun i vegjëlisë”, Avni Rustemi e quajti “Leka i maleve të Kosovës”,

1.Sezoni teatror i teatrit “Migjeni” të Shkodrës (1962 – 1963) hapi siparin e tij me dramën historike, në shtatë tablo, “Plaku i Maleve” të autorëve Zef Pali dhe Ton Shoshi. Shfaqja u dha më, 25.11.1962, në kuadrin e 50-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë. Drama u vu në skenë nga regjisori Esat Oktrova. Asistente regjisore: Vjoleta Sekuj. Muzika: Preng Jakova (Artist i merituar). Skenat: Çesk Vuksani. Piktor: Lec Fishta. Dritat: Sabah Prizreni, Teufik Duka. Kostumet: Zina Ashta, Bik Ndoja. Parukier: Kin Jaku. Sufler: Palok Kurti. Rekuizitjere: Marije Curani. Marangoz: Lec Prendi. Teknik skene: Maliq Sejdini, Osman Gruda, Fehmi Gokovi.            Interpretuan: Bajram Curri – Preng Lëkunda; Saliu – Lec Ndreka; – Micani – Lec Bushati, Zef Marashi; Sadri Leka – Ndrekë Prela; Shpendi, i biri – Bep Shiroka; Lena, e shoqja – Vitore Nino; Bjeshka, e bija – Tinka Kurti (Artiste e merituar); Zejnun Selmani – Maliq Sejdini; Doda – Kolë Shtjefni; Keç Rama – Pjetër Preka; Kapiteni – Fejzi Spahija; Prefekti – Paulin Lacaj; Qarkomandanti – Rrok Nënshati; Majori – Ahmet Zeqiri, Lec Bushati; Pal Jaku – Rrok Dajçi; Laca, sekretar prefekture – Çesk Vuksani; Drejtori i Financës – Ndoç Sheldija; Cafi, barkaxhi – Pistol Soja; Zhivko – Jonuz Dini; Komandanti – Adem Kastrati (Artist i merituar); Kadri Mehmeti – Mark Tusha; Një kaper – Kolec Thani; Kapter Selimi – Paulin Preka; Oficeri I-rë – Rrok Ashta; Oficeri i II-të – Nuri Haliti; Oficeri i III-të – Kel Pogu; Oficeri i IV-të – Kel Ashta; (Malësorë, punëtorë, xhandarë).

2.

Drama historike “Plaku i Maleve” flet për vitin e fundit të jetës dhe veprimtarisë të patriotit Bajram Curri. Kujtojmë që këtë figurë, Noli e quajti: “Tribun i vegjëlisë”, Avni Rustemi e quajti: “Leka i maleve të Kosovës”, kurse gazeta “Politika” e quajti “Garibaldi i Shqipënisë”. Kjo dramë pati vlerësim edhe nga udhëheqësi i atëhershëm, ku në letrën e tij, që mban dt. 18.12.1962, shprehu vlerësim për autorët e dramës, regjisorin dhe trupën interpretuese. Ndërsa në gazetën “Bashkimi” (06.12.1962), në një shkrim, ku flitet për dramën “Plaku i Maleve”, përmenden disa aktorë për interpretime interesante, si: Preng Lëkunda, Lec Ndreka, Tinka Kurti, Paulin Lacaj, Rrok Dajçi… etj.

Drama u shfaq në Vlorë, më 29.11.1962, ku asistoi Byroja e atëhershme me udhëheqësin e kohës. Shfaqja pati sukses, dhe u përsërit në Vlorë, edhe më, 30.11.1962.

“Plaku i Maleve” pati këtë gjeografi shfaqjes: Shkodër, Vlorë, Durrës, Tiranë, Kukës, Bajram Curr, Fushë Arrës, Pukë… etj. Shfaqja u dha 38 herë, me një shikueshmëri: 12515 spektatorë.

3.

Aktori Bep Shiroka, në këtë dramë, interpretoi rolin e Shpendit. Në ditarin e kujtimeve të tij, Bepi shprehet: “Drama, në përgjithësi, vuante nga fragmentarizmi, ndonëse në dramë kishte skena të forta, emocionale, kishte figura që të jepnin shpresën se mund t’u bante një shfaqje e mirë jubilare. Në këtë dramë regjisori Esat Oktrova u mundua të punojë mirë, por ra në një gabim, të cilin e kishte përsëritë edhe një herë tjetër. Hangri pothuaj gjithë kohën për pjesën e parë dhe kur erdhi koha për pjesën e dytë, koha kishte mbarue dhe nuk kishim mundësi që të punohej normalisht. Kjo u reflektua sidomos tek finalja e dramës, e cila linte me dëshirue shumë. Me gjithë këto të meta, shfaqja u pëlqye nga spektatori. Kudo që kemi qenë, është duartrokitë. Kjo shfaqje u caktu që të jepej edhe në Vlorë, me rastin e festës së 50-vjetorit të Pavarësisë.

Në shfaqje mori pjesë e gjithë trupa, pra, shihet ishte shumë masive. Rolin e Bajram Currit e luejti aktori shumë i talentuar Preng Lëkunda. Këtë rol Prenga e luajti shumë mirë dhe me shumë mjeshtri. Ai ishte i plotë, bindës, me një të jashtme që i afrohesh shumë portretit dhe me një të brendshme të mbushur plot. Ai diti shumë bukur të gërshetojë në rolin e tij: mençurinë, trimninë, bujarinë dhe fisnikërinë e Bacës.

Këtë shfaqje e dhamë në shumë rrethe. Për mendimin tim ishte gabim. Pse? Në qoftë se në Vlorë e dhamë shfaqjen, dhe ndonjë e metë e saj nuk u vu re, sepse ishte momenti historik që i mbulonte këto. Përveç kësaj ishte dhe atmosfera festive e 50-vjetorit të Pavarësisë që e ngriti edhe më lart këtë dramë. Duhet të ishim më të mençur dhe ta mbyllnim me kaq. Por… të dehur nga euforia shkuam në Festival me mendimin se “s’kanë ça me na thanë se dramën e kemi kolaudu në Vlorë. E kanë pëlqy, prandaj çmimin e kemi të vdekur.” Harruam se, atje nuk ishte atmosfera festive e Vlorës, por ishte konkurim. Shfaqjen do ta jepnim para specialistëve, të cilët shfaqjet i shikonin jo si spektatorë të thjeshtë, por si profesionistë, si teknikë të kësaj pune, i shikonin nga ana teknike dhe artistike. Po t’i kishim parasysh këto, nuk do të kishim atë rezultat që patëm. Zhgënjim, nuk morëm asnjë çmim. Shfaqja nuk shkoi mirë, pati defekte teknike. Lec Bushati u sëmur në skenë. Kur vijnë të këqijat, pastaj hapi derën.

Në këtë shfaqje pata rolin e Shpendit, një të riu që i rrejtun don të vrasë Bajram Currin, por, kur zbulon të vërtetën bëhet besniku ma i afërt i tij. Roli më pëlqeu. Është një ndër rolet që e kam punuar me kujdes dhe dëshirë për aq sa dija, se ende isha i ri në këtë punë. Më pëlqente për botën e tij të brendshme që mbartëte ky personazh. Ai ishte i biri i Sadri Lekës, familja e të cilit ishin në hasmëri me Bajram Currin. Këtë moment shfrytëzojnë armiqtë e Bajram Currit, që me intrigat e tyre e shtijnë Shpendin me e vra Bacën. Po kur ndodhet përballë tij, kur shef me sytë e tij se kush është dhe përse lufton Bajram Curri; ul armën, nuk e shkrepë dhe ia dorëzon Baçës, jo si frikacak por si burrë. Në këtë veprim Shpendit i rrëzohet përpara i gjithë mendimi që kishte përpara për të dhe njëherit i krijohet bindja për drejtësinë e rrugës së Bacës, të cilën e përqafon dhe e ndjek deri në fund. Është shumë e bukur dhe dramatike skena në shtëpinë e vet me të atin për ta bind atë që të mos dalin me luftue kundër Bajram Currit, por të bashkohet me të.

Shpendin e kujtoj me kënaqësi, nuk mund të them se loja ime nuk kishte të meta, se isha në fillim të jetës sime në teatër, ndoshta për këtë arsye e rreshtoj edhe këtë rol si një kujtim të bukur timin.

Në këtë pjesë pati role të goditura. Përveç rolit të Bajram Currit që fola më sipër, që interpretoi Preng Lëkunda, po përmend edhe Ndrekë Prelën në rolin e Sadri Lekës, ai Ndreka i vogël por sa i mbushur plot, i sinqertë, i besueshëm në lojën e tij. Po përmend edhe aktorë të tjerë, si: Vitore Nino në rolin e të shoqes së Sadrisë, Tinka Kurtin në rolin e vajzës së Sadrisë, Rrok Dajçin në atë të Pal Jakut, etj. Në këtë shfaqje Lec Ndreka (ishte shfaqja që u dha në Festival) lëshoi batutën që u ba e ndigjueme: “Kemi jetue pa bukë në kamë dhe pa këpucë në bark”. Në Durrës, në kohën kur po ngarkoheshin skenat për me i nisë në Shkodër, edhe pse binte shi, Mark Prendi, një punëtor i skenës, që ishte lag deri në palcë, lëshon batutën e Bacës: “Eh, Gurakuq, Gurakuq sa ndihet nevoja jote!”