Gabimi sintaksor i shqipes së komandantit të prapavijës italiane që shpëtoi nga pushkatimi popullsinë e fshatrave të Kavajës, Rrogozhinës e Pezës
- Si komandanti i prapavijës italiane ngatërroi emrin Osmanllije, që ishte një lagje e fshatit Thartor të Rrogozhinës me Hasemadhjen e Cikalleshit.
- Hekuran Doci bëri ta paditurin për ngatërrimin e emrit të fshatit nga oficeri Italian duke lënë disa ditë pa ushqim forcat italiane që prisnin mbrapavijën
- Ndërkohë popullata civile e zonës si dhe partizanët e Pezës, ishin larguar dhe ishin strehuar larg zonës së veprimeve luftarake të këtyre hordhive pushtuese.
- -Gjenerali Italian Rroftë dha urdhër për pushkatim dhe Hekurani thirri: Shqipëria! Poshtë fashizmi! Poshtë Duçja!
- Përgatiti për botim, Prof. Xheladin Çeka
Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, më dt. 05.09.2002, me dekret 3468, nderoi me “Dekoratën e Artë e Shqiponjës”, me motivacion: “Për trimëri, heroizëm dhe guxim të rrallë të treguar në Luftën Nacionalçirimtare”, njëmbëdhjetë luftëtarë të njësive luftarake të Pezës: 5 dëshmorët e parë të betejës së 16 marsit 1941 në Pezë, 4 dëshmorë të tjerë rënë në beteja të ndryshme në luftën për çlirim më pas, 2 nga luftëtarët e orëve të para dhe komandantë batalioni në luftë, si dhe një bujk nga fshati Zanbishë e Kavajës. Ky ishte dëshmori Hekuran Banush Doci, rënë në qershor të vitit 1943, në fshatin Cikallesh të Kavajës. Nga këto dekorime, binte në sy një fakt: që në përkufizimin e bërë nga zyra e Presidencës, për dëshmorin Hekuran Doci bëhej specifikimi “bujk”. Duke mos patur njohuri për këtë dëshmor të lirisë dhe për specifikat e vendit të rënies dhe të shfaqjes së heroizmit të tij, na qëlloi të diskutojmë me kolegët tanë, disa prej tyre nga Peza dhe fshatrat e Kavajës e të Rrogozhinës. Nga këta, dinte rrethana të rënies në luftë të dëshmorit Hekuran Doci, kolegu ynë Selman Shima. Madje ai na bëri të ditur dhe faktin që pas pushkatimit të këtij dëshmori nga pushtuesit fashistë, trupi i tij u varros në një bregore aty ku u pushkatua, që më pas njihej si “Varri i Hekrit”. Selmani dinte dhe rrethana të vrasjes së tij…

Kjo na nxiti, që për të hedhur dritë mbi heroizmin e këtij dëshmori të lirisë, të kërkonim. Dhe fati qe, që patëm mundësinë të kishim në dorë një botim: “Peza në luftë”, e luftëtarit dhe kuadrit të njësive luftarake të Pezës, deri komandant i Brigadës XXII S, Sali Verdha, i cili e përshkruante historinë e heroizmit të Hekuran Docit me detaje që vijnë të gjalla edhe sot e kësaj ditë, 80 e ca vite pas… Shkrimi më poshtë është marrë nga ky libër: “Peza në Luftë” e Sali Verdhës.
“Se vërtetë, ne jemi mësuar ta “vlerësojmë” heroizmin thjeshtë nga pathosi dhe hovi trimëror i bijve të shqipes, që hidheshin në “flakë” për të marrë pozicionet armike, për t’u ndeshur e për të fituar mbi pushtuesit. Por jo! Këtu jemi para një rasti, ndoshta krejt të veçantë, kur heroizmi i Hekuran Docit, u shpërfaq madhërishëm nëpërmjet mençurisë dhe intuitës, së përplotësuar me frymën patriotike dhe heroike njëherësh të zonës që i përkiste. Ai u bë fli, dha jetën atje në prapavijat armike, për të shpëtuar dhjetra, në mos qindra jetë të popullatës së fshatrave të Kavajës, Rrogozhinës e Pezës, thjesht duke shfrytëzuar një “gabim sintaksor” të shqipes së komandantit të prapavijës së hordhive pushtuese fashiste që mësynë Pezën dhe tërë krahinën, teksa ngatërroi emrin Osmanllije, që ishte një lagje e fshatit Thartor të Rrogozhinës me Hasemadhjen e Cikalleshit. Ç’ka iu kushtoi prapavijës armike mjaft kohë për t’u bashkuar me forcat kryesore pushtuese që kishin mbetur disa ditë pa ushqim dhe ndërkohë popullata civile e zonës si dhe partizanët e Pezës, ishin larguar dhe ishin strehuar larg zonës së veprimeve luftarake të këtyre hordhive pushtuese.

***
Disa forca italiane, që do të hidheshin në luftë kundër forcave të Pezës, qenë nisur nga Kavaja dhe u vendosën në lagjen Hasemadhje të Cikalleshit. Pas tyre, me 14 qershor u nis karvani i madh i prapavijës, i shoqëruar me rreth 300 ushtarë e oficerë, për t’u bashkuar me to në atë fshat. Ishte koha kur duhet të lëroheshin tokat, mirëpo fshatarët i kishin braktisuar ato, kishin fshehur qetë dhe bagëtitë për t’u shpëtuar mizorive e grabitjeve të fashistëve. Fakti që nuk po shihte këmbë fshatari e tërboi komandantin italian të prapavijës, i cili kishte frikë se mos ngatërronte rrugën e binte si cjapi te kasapi në ndonjë pritë partizane. Prandaj i urdhëroi ushtarët shoqërues që cilido njeri që të hasnin në rrugë ta kapnin e ta vinin në krye të kolonës si udhërrëfyes, por edhe si mjet për t’u mbrojtur nga goditjet e partizanëve. Karvani ndoqi rrugën e vjetër të Shtodhërit, rrëzë kodrave dhe, pasi mbërriti në Memzotaj, mori drejtimin nga fshati Gërmaj. Deri këtu askush nuk u doli në rrugë. Banorët qenë fshehur. Megjithatë një skuadër ushtarësh u end nëpër fshat, dhe kthehet tek komandanti me një djalë të ri që e kishin vënë përpara. Ishte Ramazan Beqir. Shehu. Ai u trondit nga kjo dhe ashtu tërë shqetësim iu përgjigj pyetjeve:Si quhet ky fshat? – Po ky përrua? Po ajo lagja atje përtej? Një oficer që mbante një hartë në dorë verifikonte dhe shënonte në‘të rrugën që kishin bërë. Pastaj pyeti ku binin fshatrat Zanbishë, Mushnikë e Cikallesh. Karvani u nis përsëri për udhë drejt Zanbishës. Në krye ecte i lidhur Ramazani, që s’kishte nga t’ia mbante. Kur hyri në Zanbishë, pararoja kapi një fshatar tjetër. Tani u bënë dy vendas. Ramazani u gëzua, se, të paktën kishte një shok për të këmbyer ndonjë llaf. Ata njiheshin bashkë. Ai ishte Hekuran Doçi, një fshatar i zgjuar dhe trim. Duke ecur në drejtim të mullirit të Sharrës, dy shokët, që ishin në krye të kollonës, zunë të thurnin plane me njëri-tjetrin. Hekurani e dinte mirë ku ndodheshin forcat italiane që kishin kaluar andej një ditë më parë dhe kishin zënë vend në Qafë-Shkallë mbi lagjen Hasemadhje të Cikalleshit. Kur kolona arriti te Mulliri i Sharrës në rrëzë të fshatit Cikallesh, komandanti dha urdhër për pushim dhe kërkoi t’i sillnin dy fshatarët. Ai i pyeti ata: Ku është fshati Osmanllije? Dy djemtë panë njëri-tjetrin në sy. Në të vërtetë, ky derr italiani e kishte fjalën për Hasemadhjen e Cikalleshit, se Osmanllija ishte një fshat i Rrogozhinës. Hekurani, duke përfituar nga ky ngatërrim që i bënte emrit të fshatit, i tha se mund të vazhdonin rrugën, duke bërë me shenjë andej nga binte fshati Mlik. E futi karvanin nëpër ca rrugë të ngushta, me të përpjeta e të tatëpjeta, shumë të vështira sidomos për kafshët e ngarkuara. Dyshimeve të komandantit italian, Hekurani iu përgjigj me qetësi, duke i thënë se ishin në rregull dhe i tregonte me gisht se andej, pas disa kodrave, do të dilnin në vendin e duhur. Megjithatë, komandanti ngulte sytë mbi hartë dhe në një moment u bind se kishin ndërruar drejtim. Po tani karvani kishte arritur afër Osmanllijes të Thartorit të Rogozhinës.

Në të hyrë të fshatit, ra dhe dielli. U shkarkuan kafshët dhe i lidhën nëpër ullinj. Ushtarët rrethuan vendin dhe qëndruan tërë natën në pozicion luftimi nga frika e ndonjë goditje nga partizanët. I tërbuar nga inati, komandanti urdhëroi që dy fshatarët t’i mbanin të lidhur. Por Hekurani ndjehej i kënaqur me ç’ka kishte bërë dhe i jepte zemër shokut të vet. U munduan të zgjidheshin, por nuk ia dolën dot. Katër ushtarë i ruanin aty pranë.
Në mëngjes, ashtu të lidhur, i çuan te komandanti, që turfullonte si bishë. – Komandanti thotë se i gjithë faji për ngatërrimin e rrugës është juaji, – foli përkthyesi.Jo,- i tha Hekurani, – nuk kemi bërë asnjë faj. – Vetë na thatë t’ju çojmë në Osmanllije dhe në Osmanllije ju sollëm. Tjetër vend unë nuk di të quhet Osmanllije. Oficeri Italian se ç’foli me nervozizëm. Nxorri revolverin dhe iu drejtua dy djemve të lidhur: – Ju jeni bij komunistësh, prandaj duheni vrarë! I thuaj komandantit, – iu drejtuar Hekurani përkthyesit, – se ne nuk kemi parë komunistë me sy dhe se po të ishim të tillë nuk na kapnin dot ushtarët tuaj. Komandanti italian vazhdonte të qëndronte me revolver në dorë. Edhe katër ushtarët i kishin drejtuar pushkët nga dy fshatarët. Sa më shumë e shihnin hartën, italianët e kuptonin edhe më shumë se sa larg vendit ku ishin forcat italiane, ndodheshin tani. Komandanti dha urdhërin të ktheheshin mbrapsht. Dy fshatarët i kursyen, se u duheshin për gjatë kthimit. I vunë përpara të lidhur me një litar të gjatë, që e mbante një ushtar. Nata i zuri në Mlik, pa e arritur objektivin. Dy të arrestuarit i lidhën edhe për këmbësh dhe i ruanin me katër ushtarë. As për të ngrënë nuk iu dhanë. Një grua plakë nga Mliku, Metije Çeka, nëna e Hasan Çekës, i pati parë djemtë e lidhur si kafshë, kur karvani kaloi para shtëpisë së saj dhe kishte njohur Hekuranin. Ajo doli nga shtëpia dhe u vajti pas. I gjeti të lidhur pas një peme. Në sy të rojeve italiane vajti dhe i përqafoi. Na sill ca ujë, – iu lut Hekurani. Nëna plakë, duke nëmur fashistët e pashpirt, u nis me vrap dhe solli një kotruve me ujë, si dhe pak bukë e djathë. Ajo pa se si pranë tyre erdhën oficerët italianë. Ishin komandanti bashkë me përkthyesin. Kjo që keni bërë është tradhëtia juaj, – foli tërë inat oficeri. – Buka dhe ushqimet duhet t’u kishin shkuar qysh dje forcave tona, ne as sot nuk i gjetëm. Për këtë ju pret pushkatimi. Plaka dëgjoi përkthyesin që foli shqip dhe brofi në këmbë.
- Ç’janë këto që bani, more? Si nuk ju vjen turp që mbani të lidhur dy djem të pafajshëm?!
- Ata janë partizanë, – tha italiani, – na kanë mashtruar.
- Nëpër këto rrugë kanë kalu me mija e mija ushtarë, – tha plaka. – Tani vini ene ju. Po askush nuk ju thirri në këto anët tona! Ç’punë keni këtu? Mallku qofshi e thefshi qafën në këto garronat tona!
Duke sharë e duke nëmur ajo iu afrua djemve. Vendosi të rrinte atë natë pranë tyre. U solli bukë nga shtëpia dhe dy batanije. Pas pak i pyeti:
- Pse qenkan tërbu këta breshkaxhinj, mor çuna?
- E moj nana e Conit, ata donin me shkue në Hasemadhje me i çu bukën atyne breshkaxhinjve të tjerë, që vrasin njerëzit tanë, e ne i prumë këtej garronë më garronë.
- Hej ç’jua paskeni ba mirëkëtyne qenve! Mbramë ishte Nuzi këtu. Ua kishin zbutë kurrizin breshkaxhinjve në Belbjet. Gratë dhe kalamajtë e Pojanës kanë ardhë e janë strehu këndej nga ne e në Çelhakje.
- Tani le të bojnë si të duan me ne, – i tha Hekurani, – ne e bom tonën.
- He u shoftë kjo farë e hasmit! – shfryu plaka. – Mora vesh se dje ata qenat ishin futë nëpër shtëpitë në Cikallesh dhe nuk kishin lanë gjo pa marrë: miell, djathë, pula, ene bagëti kishin grabitur, biles ene kazana e kusia. Në Hasemadhje, te Shimët e te Xhafjet kishin lanë vetëm katër faqet e murit. Në fshatrat e Pezës kanë djegë shumë shtëpi.
- Po Baba me shokë, a ke digjue si janë? -pyeti Hekurani.
- Nuzi më tha se të gjithë ishin shëndoshë e mirë.
- Shyqyr që s’u ka ndodhë gja atyne kësaj here, ije, se kush po pyet për shtëpi. Kanë qenë shumë italianë kësaj radhe, më thanë.
- Kur ju keni kalu dje në Mlik, ne qemë në Dushje për të tërheq gratë e fëmijët e Pojanës, që i pruni Nuzi. Si na i dorëzoi ne, ai me shokët e vet u ngjit përpjetë nga Përroi i Koçjet. Ku ka shku, nuk e di.
- Ah sikur të ishim marrë vesh e t’u kishin zanë ndonjë pritë këtyne! Do t’u merrnin gjithë këto ushqime e material. Gjithë natën kanë qëndru pa fjetur. Gati të gjithë rrinin roje nga frika se mos sulmoheshin nga partizanët.
- Të nesërmen herët, posa zbardhi, itlianët ngarkuan mushkat dhe karvani nisi rrugën drejt Cikalleshit. Me sa duket komandanti e kishte kthye e stërkthye gjithë natën hartën e ia kishte gjetë anën. Plaka e Hasan Çekës nuk iu nda djemve të lidhur deri në Çelhakje, megjithëse përkthyesi e kërcënoi disa herë se do ta vrisnin, po të mos largohej. Në Çelhakje, Hekurani iu lut nënës të largohej, mbasi fshatarët kishin mysafirët e Pojanës dhe ato kishin shumë nevojë. Ajo u bind dhe u nda me to me lot ndër sy dhe u tha se do të lajmëronte menjëherë familjet e tyre. Karvani ndoqi rrugën përpjetë, në drejtim të lagjeve të sipërme të Cikalleshit. Sapo kaluan një copë rrugë, një skuadër ushtarësh italianë që ndodhej në lagjen Hasemadhje, u doli përpara.
- Ku jeni ju? Kemi dy ditë pa bukë! – thirri një nga ushtarët.
- Gabuam rrugën, – iu përgjegj komandanti. – Na ngatërruan këta dy fshatarët, prandaj i lidhëm e i sollëm këtu.
- Gjenerali është bërë bishë. Kemi vuajtur shumë! –i tha ushtari. Pas një ore mbërritëm në vend. Komandanti i prapavijës vajti në çadrën e gjeneralit dhe i raportoi me hollësi për peripecitë e udhëtimit. Kjo u mor vesh, pasi gjenerali dha urdhër të pushkatoheshin dy të rinjtë. Njëri nga rojat u zgjidhi vetëm krahët, ndërsa duart ua la përsëri të lidhura.
Në çastin që po i zgjidhte, Ramazani përfitoi dhe u hodh në një gropë aty afër dhe prej andej ia krisi nëpër Përroin e Currilit, fshehur nëpër shkurret e dendura, duke u humbur nga sytë italianëve. Këta nuk guxuan ta ndiqnin se patën frikë mos hanin ndonjë plumb nga skuadra e pushkatarëve. Pas kësaj që ndodhi, Hekuranin e mbajtën fort tre ushtarë. E nxorrën para skuadrës së pushkatimit. Ai u ngrit në këmbë, e pa që s’kishte rrugë tjetër. Atëherë thirri me sa fuqi kishte:
- Rroftë Shqipëria! Poshtë fashizmi! Poshtë Duçja!
Fjalët ia prenë në mes plumbat e barbarëve. Kështu, heroikisht e pa iu trembur syri, dha jetën ky bir prej fshatit Zanbishë e Kavajës, Hekuran Banush. Doçi, siç tregon nëna e Hasan Çekës, i cili ua kish punue aq bukur fashistëve, edhe pse e dinte që mund ta vrisnin.
Ndoshta atij i erdhi keq se e dha jetën në atë moshë të re pa hedhur pushkë kundër armiqve. Por akti i tij i mençur qe një goditje jo e vogël për ushtrinë armike që për nëntë ditë me radhë angazhuan rreth 14 mijë vetë për t’i rënë kryq e tërthor Pezës, për ta gjunjëzuar atë dhe popullin e saj. Ndonëse dogjën 400 shtëpi, plaçkitën e dëmtuan gjënë e gjallë (mbi 500 gjedhë e afro 5000 bagëti të imta), dogjën arat me grurë dhe prishën të gjitha të mjellat, nuk e mposhtën dot. Ata edhe vranë, gjithsej 18 vetë, shumica gra e pleq të paarmatosur e të pafajshëm, por vetë e paguan shtrenjtë, duke lënë mbi 300vetë të vrarë e të plagosur dhe shumë armatime e mjete të tjera të shkatërruara. Por mbi të gjitha, ata morën me vete turpin, që një forcë ushtarake 14 mijëshe, ndeshej me 500 pushkë luftëtarësh dhe një popullsi të paarmatosur!Më 20-30 qershor formacionet fashiste lanë Pezën, duke marrë me vete damkën e dështimit të plotë dhe urrejtjen e popullit të krejt zonës e të gjithë Shqipërisë. Peza, fshatrat e Tiranës e të Kavajës dhe vetë qyteti i Kavajës i bënë rezistencë heroike, u shkaktuan mjaft humbje ushtrive të perandorisë, së cilës po i vinte fundi.


















