28 dhe 29 Nëntori dy monumentet më madhështorë në historinë e popullit tonë

7254
Historia e çdo populli ka datat e saja të shënuara që mbeten të pandryshuara në jetë të jetëve. Historia edhe mund të rishikohet nga historianët dhe të riparohet e të saktësohet në ndonjë rast, por datat që përcaktojnë ngjarje kulmore, që janë monumente të historisë së popullit të një kombi janë të pandryshuara. Ato nderohen dhe përkujtohen nga brezat e popullit në vazhdimësi e përjetësi. Edhe populli ynë ka datat e shënuara që janë monumente të palëkundura në historinë e tij mijëra vjeçare. Këto data të shënuara nuk kanë dhe s’mund të kenë vlera të barabarta. Të tilla janë në historinë e popullit tonë datat kur u bë Lidhja e Lezhës, Lidhja e Prizrenit, Kongresi i Manastirit, Kongresi i Lushnjës e shumë e shumë ngjarje të tjera historike që përkujtohen e nderohen nga mbarë populli ynë. Por në këto data, monumente të historisë dy janë datat më të veçanta e që përbëjnë pa dyshim dy nga monumentet më madhështorë të historisë së popullit tonë; 28 Nëntori i vitit 1912 dhe 29 Nëntori i vitit 1944. 28 Nëntori përcakton datën kulmore kur shqiptari dhe atdhetari i madh, plaku i urtë i Vlorës Ismail Qemali shpalli pavarësinë e Shqipërisë nga Perandoria Osmane që e kishte mbajtur të pushtuar për 500 vjet. Këtë date, me të drejtë e festojnë të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen. Kurse 29 Nëntori përcakton fitoren e madhe të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, çlirimin e Shqipërisë nga pushtuesit nazi-fashistë dhe kolaboracionistët e tyre ballisto-zogistë, fitore kjo e luftës epope çlirimtare që shpëtoi Shqipërinë nga copëtimi dhe asgjësimi prej synimeve të qarqeve shovene të shteteve fqinjë, në se Shqipëria do të kishte mbetur më krahun e forcave nazifashiste, aty ku e vendosën de fakto Balli me Legalitetin dhe që e shkëputën nga ky krah dhe e vendosën në krah të Koalicionit Botëror Antifashist udhëheqësit e Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar që në nëntor të vitit 1942. Ja përse kjo datë është dhe do të jetë një nga monumentet më madhështorë në historinë e popullit tonë, që është festuar dhe do të festohet në jetë të jetëve nga shqiptarët atdhetarë e veçanërisht nga ata që e bënë atë luftë legjendare, nga fëmijët, nipërit dhe stërnipërit e tyre, nga fëmijët e nipërit e stërnipërit e dëshmorëve që ranë në atë luftë epope, nga shqiptarët e ndershëm që vënë Shqipërinë mbi çdo interes të ngushtë vetjak. Pse ka këto vlera të patjetërsueshme dita e Çlirimit – 29 Nëntori, pa ju vërsulën si ujqër të tërbuar mbeturinat e ballistëve, legalistëve e pinjollëve të tyre, në vitet e ndryshimit të sistemit politik e shoqëror. Ata menduan se erdhi momenti që të mohonin Luftën Çlirimtare, simbolet e saja, muzetë, lapidarët, emrat e rrugëve e të institucioneve që mbanin emrat e heronjve dhe të dëshmorëve, varrezat e tyre, e mbi të gjitha 29 Nëntorin, monumentin më të madh të saj, që të shuanin kështu tradhtinë dhe krimet që kishin bërë ndaj popullit dhe luftëtarëve të saj. Për fat të keq kësaj lukunie iu bashkua për të përfituar edhe ndonjë personazh i LANÇ që qe dënuar në epokën e socializmit. Ata nuk ia arritën dhe s’do t’ia arrijnë kurrë qëllimit të tyre djallëzor sepse LANÇ-in, simbolet e saja dhe 29 Nëntorin e mbron një Organizatë e madhe ajo e Veteranëve të LANÇ, veteranët dhe pasardhësit e tyre, shqiptarët atdhetarë, e mbron një popull i tërë që e bëri dhe e ndihmoi luftën dhe fitoren historike të saj. 

Argjir Vithkuqi


Sigal