Fatos Puto/ Mbresa në vite të një gazetari ..

1365
Sigal

Radiotelevizioni publik “Gjirokastra” në 70 vjetorin e ditëlindjes

Sa herë ndodhem në Gjirokastër, i drejtohem shpesh aparatit të thjeshtë të radios dhe kërkoj me intuitë valët e saj për të dëgjuar nëpërmjet mikrofonit zërin e spikeres: “Ju flet Radio Gjirokastra”; mikrofonit që sa e sa njerëz patën fatin dhe folën në membranën e tij magjike si dhe u lidhën pazgjidhshmërisht me të.Ka qenë një ditë vjeshte e vitit 1979, kur unë, fare i ri në moshë, hyja në ndërtesën ku ndodhet edhe sot « Radio-Gjirokastra ». Në atë  kohë, kjo ndërtesë më  ngjante si një kambanë e madhe, e kristaltë, që përhapte në atmosferë pa pushim dhe pafundësisht zëra njerëzorë dhe tinguj muzikorë. Qysh atëherë ka kaluar një kohë e gjatë, por ndjesia që unë kam pasur vazhdimisht ka qenë e tillë që, sa më shumë i jam larguar Radiotelevizionit «Gjirokastra», aq më shumë më ka marrë malli për të dhe sa më shumë i jam afruar, aq më shumë e kam dashur. “Ju flet Radio-Gjirokastra”! Ky zë i dashur, i ngrohtë, i njohur. Flasim për të dhe mendimi na shkon larg në ato vite, kur ajo niste veprimtarinë e saj. Ku janë sot studiot e para pa akustikë, të ngritura në odat e thjeshta gjirokastrite? Ku ndodhet magnetofoni i parë gjerman trofe-lufte me të cilin përgatiteshin emisionet radiofonike? Ku janë  kuadrot e parë? T’i kërkosh e t’i gjesh ata sot, është e vështirë.  Por diçka mbetet, megjithatë, në kujtesën e ish punonjësve të radios, në përfytyrimet e tyre: kronika ngjarjesh, festash, përurimesh, kronika nga jeta e përditshme… Dhe ja: “Në Qershorin e vitit 1959, kur do të përurohej Kanali i Çukës në Sarandë, u mblodh gjithë populli i Vurgut, i Mursisë e Vrinës. Ajo ditë do të mbetej në kujtesë, jo vetëm të popullit të asaj zone, por edhe të  grupit të xhirimit të Radio-Gjirokastrës. Ishte radio-reportazhi i parë, direkt nga terreni. Siç kujtojnë teknikët e vjetër të asaj kohe, magnetofoni që u përdor peshonte 19 kg dhe u mor në krahë nga Saranda në Çukë. Mirënjohje në këtë 70 vjetor, për drejtuesit në vite të Radio-Gjirokastrës: Nexhip Toto, Nuri Kokona, Vasil Lluci, Misto Kosta, Stavri Zerva, Hysen Pojani, Fejzo Haxhiaj, Resul Llogo. Përredaktorët: Janaq Bleco, Tasim Gjokutaj, Foto Malo, Petrit Llano, Sedat Braja, Andon Lula, Dhimitër Jovani, Kaliopi Bici,Violeta Gudha, Ylli Musta etj. Për telekronistet Engjëll Fino e Petrit Beqiri. Për folëset: Elektra Llukani e Violeta Muço. Per drejtuesit e emisionit greqisht: Pano Çuka, Vasil Buka, Anastas Naçi, Kosta Zavali, Arqile Llapa, P. Barka. Për inxhinierët: Perlat Dhrami, Astrit Alite, Nexhip Mevlani, Memush Sino. Për teknikët: Ali Shehu, Leonora Kromidha, Enver Doci, Kujtim Hysi, si dhe për një plejadë punonjësish të tjerë. Ata janë dhe do të mbeten një pasuri e rëndësishme dhe shumë e vyer e historisë së Radiotelevizionit- Gjirokastra. Ishin vitet e vështirësive të jashtëzakonshme teknike. Fillimisht, të gjithë grupet muzikore vinin e këndonin direkt në studio. Më të dëgjuarit ishin grupi i sazeve të qytetit, orkestrina “Mastora”, grupi popullor i Xhevat Abdallit, i këngëtarëve: Hajro Skreli, Majnure Kadëna, Rustem Asqeri, Maliq Çomo, Arta Babaramo. Më vonë u shtuan me dhjetëra grupe e këngëtarë të njohur në të gjithë vendin. Kronika e kohës thotë se si studio e parë e Radio-Gjirokastrës shërbeu shtëpia e Kokobobëve, pastaj shtëpia e Çelo Kales dhe më pas shtëpia e Aleks Çeçit, në Lagjen Varrosh. Ndërsa në vitin 1974, institucioni u vendos  në godinën ku ndodhet edhe sot. Të paharruara do të mbeten në kujtesën e dëgjuesve të atyre viteve  rubrikat: “Radioposta”-Programi me muzikë sipas kërkesave të dëgjuesve, ”Gjëmon historia”, “Teatri në Radio”, “Ora gazmore”, ”Fjala artistike në mikrofon”, pa përmendur këtu transmetimet e festivaleve folklorike lokale e kombëtare, apo transmetimin direkt të ndeshjeve të futbollit nga komentatori i njohur sportiv, i papërsëritshmi Frederik Fico.